A po tregojmë qëndrueshmëri?
1 «Nuk kam shkak më të madh për mirënjohje, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» (3 Gjon. 4) Qëndrueshmëria e bijve të tij frymorë i solli Gjonit shumë gëzim. Sa shumë duhet të kënaqet Ati ynë qiellor kur sheh miliona bij të tij të mundshëm që «vazhdojnë të ecin në të vërtetën»!—Prov. 23:15, 16; 27:11.
2 Ndonëse populli i Perëndisë si një i tërë po këmbëngul me zell në aktivitetin e krishterë, disa e kanë ulur ritmin gradualisht. Edhe pse mund të kenë qenë energjikë kur mësuan në fillim të vërtetën, me kalimin e viteve, e kanë bërë zakon të kenë vetëm një pjesëmarrje të vogël ose të rrallë në veprën e bërjes së dishepujve.
3 Në mënyrë të arsyeshme, disa mund ta kenë ulur ritmin për shkak të kufizimeve shëndetësore dhe efekteve të moshës së thyer. Megjithatë, duhen lavdëruar për qëndrueshmërinë e tyre. Ata po bëjnë atë që munden. Por secili që ia ka dedikuar jetën Perëndisë duhet të pyesë veten: ‘A i kam lejuar vetes të përqendrohet kaq shumë në aktivitetet personale, saqë interesat e Mbretërisë zënë vetëm një vend të vogël në jetën time? A jam bërë disi «i vakët» apo jam duke u përpjekur ende «fuqimisht»?’ (Zbul. 3:15, 16; Luka 13:24) Le të reflektojmë të gjithë në lutje lidhur me atë që po bëjmë dhe le të bëjmë përmirësimet e nevojshme, duke mbajtur parasysh se Jehovai premton të japë «lavdi, nderim e paqe për këdo që bën çka është e mirë».—Rom. 2:10.
4 Si të tregojmë qëndrueshmëri? Çfarë e ndihmoi Jezuin të tregonte qëndrueshmëri? Pavli shpjegoi: «Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebr. 12:1-3) Gëzimi që iu vu përpara Jezuit ishte shumë herë më i madh se sprovat e përkohshme që iu desh të përballonte. Duke mbajtur parasysh gëzimin që na është vënë përpara edhe ne mund të jemi të ndihmuar të tregojmë qëndrueshmëri. (Zbul. 21:4, 7; 22:12) Nëse i drejtohemi Jehovait që të na japë forcë nëpërmjet studimit personal, pjesëmarrjes së rregullt në mbledhje dhe lutjeve këmbëngulëse, do të kemi mundësi të ngulmojmë në veprën që na ka dhënë për të bërë.
5 Jehovai gëzohet kur besnikët e tij tregojnë qëndrueshmëri. Prandaj le ta rritim gëzimin e tij duke ‘ecur në të vërtetën’ vazhdimisht!