Kush mund të pranojë një studim biblik?
1 Profeti Amos deklaroi se do të kishte një uri në vendin e Izraelit, «jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit». (Amo. 8:11) Për dobinë e atyre që janë të uritur e të etur frymësisht, organizata e Jehovait po shpërndan një sasi shumë të madhe literature biblike në mbarë botën.
2 Deri tani kemi shtypur 70 milionë libra Njohuria dhe 91 milionë broshura Çfarë kërkon? Ne e çmojmë thjeshtësinë dhe efektshmërinë e këtyre botimeve në mësimin e së vërtetës. Megjithatë, një numër me të vërtetë i madh njerëzish që ka marrë literaturën tonë, nuk e kanë studiuar akoma Biblën me ne. Ç’mund të bëjmë në lidhje me këtë?
3 Çdo lënie literature nënkupton një studim të mundshëm. Le të shqyrtojmë përvojën e një lajmëtari, i cili i ofroi studim biblik një gruaje që në bisedën e parë me të në derë. Ajo pranoi menjëherë. Më vonë i tha: «Ti je i pari që më ofrove një studim biblik.» Sa njerëz në territorin tonë që tashmë e kanë literaturën tonë mund të thonë të njëjtën gjë? Çdo lënie literature siguron një mundësi për rivizita dhe një studim biblik në shtëpi.
4 Pasi shpesh hasim njerëz që tashmë i kanë botimet tona, si mund ta nxitim interesin e tyre për të mësuar se çfarë përmban literatura jonë? Një Dëshmitare e pyeti drejtpërdrejt pronaren e një shtëpie nëse kishte ndonjë pyetje nga Bibla, mirëpo përgjigjja s’ishte veçse një «jo». Motra ngulmoi: «Me siguri që duhet të kesh disa.» Gruaja pranoi, bëri pyetje dhe kështu nisi udhën një studim biblik. Përse të mos e pyesim pronarin e shtëpisë nëse do t’i pëlqente të mësonte pikëpamjen e Biblës për ndonjë pyetje a një çështje që i intereson atij? Të jemi të përgatitur për të ngritur një pyetje që ngjall interes, nëse atij nuk i vjen ndër mend diçka konkrete. Diskutime të tilla mund t’i hapin rrugën fillimit të një studimi të rregullt të së vërtetave bazë biblike.
5 Aktiviteti i studimit biblik është qendra e shërbimit tonë. Pasi nuk e dimë kurrë se kush mund të pranojë një studim, të mos ngurrojmë t’ia ofrojmë këtë mundësi kujtdo që takojmë. Le t’ia shtrojmë këtë çështje në lutje Jehovait dhe të punojmë në harmoni me lutjet tona! Shpejt mund të vëmë re se kur t’i ofrojmë dikujt një studim biblik, ai do të pranojë.—1. Gjon. 5:14, 15.