Predikimi na dallon
1 Shumë njerëz pyesin: «Çfarë i bën të ndryshëm Dëshmitarët e Jehovait nga fetë e tjera?» Si do të përgjigjeshim? Mund të shpjegonim disa prej bindjeve tona të bazuara në Bibël. Por a kemi menduar edhe si të tregojmë se deri në ç’masë na dallon shërbimi ynë publik nga fetë e tjera?—Mat. 24:14; 28:19, 20.
2 Sot, pak njerëz fetarë ndihen të nxitur për t’i ndarë bindjet e tyre me të tjerët. Ata mund të mendojnë se është e mjaftueshme t’u bindesh ligjeve të Cezarit, të bësh një jetë të pastër moralisht ose të bësh vepra të mira për të tjerët. Megjithatë, nuk ndiejnë ndonjë detyrim për t’i ndihmuar të tjerët që të mësojnë se çfarë thotë Bibla në lidhje me fitimin e shpëtimit. Në ç’mënyrë ne jemi të ndryshëm?
3 Shërbimi ynë i zellshëm është në kontrast të thellë me aktivitetet e feve të tjera. Për më shumë se 100 vjet, Dëshmitarët e kohëve moderne kanë predikuar me zell lajmin e mirë deri në skajet e tokës, duke imituar kështu të krishterët e hershëm. Synimi ynë në bërjen e kësaj, është të ndihmojmë sa më shumë njerëz që është e mundur që ta vënë jetën në harmoni me vullnetin e Perëndisë.—1. Tim. 2:4; 2. Pjet. 3:9.
4 Çfarë reputacioni kemi? A njihemi si predikues të zellshëm të Fjalës së Perëndisë? (Vep. 17:2, 3; 18:25) Për shkak të aktivitetit tonë të predikimit, a e vënë re lehtë fqinjët tanë ndryshimin ndërmjet fesë së tyre dhe tonës? A njihemi si persona të etur për ta ndarë shpresën tonë me të tjerët? A është një rutinë e rregullt pjesëmarrja jonë në shërbim? Të kujtojmë se ne dallohemi jo vetëm nga emri që mbajmë, por edhe nga bërja e asaj që ky emër përshkruan, pra, dhënia e dëshmisë rreth Jehovait.—Isa. 43:10.
5 Ajo që na nxit të angazhohemi në aktivitetin e predikimit është dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin. (Mat. 22:37-39) Ja pse ne, ashtu si Jezui dhe apostujt, duam të përfitojmë nga çdo mundësi për ta ndarë me të tjerët mesazhin e Mbretërisë. Le të vazhdojmë t’u predikojmë me zell lajmin e mirë atyre që janë të gatshëm për të dëgjuar! Bërja e kësaj do t’i ndihmojë personat me zemër të ndershme që ‘të shohin ndryshimin ndërmjet . . . atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij’.—Mal. 3:18.