Çfarë t’i themi një judeu?
1 Në shekullin e parë, shumë prej «bijve të Izraelit» iu përgjigjën me çmueshmëri predikimit të Jezuit dhe të apostujve të tij. (Vep. 10:36) Sikurse në atë kohë, edhe sot një numër i sinqertë judenjsh po i përgjigjen me gjithë zemër të vërtetës, jo vetëm në Izrael, por edhe në Rusi, në Shtetet e Bashkuara e në vende të tjera. A do të na pëlqente të ishim më të suksesshëm në dhënien e dëshmisë atyre që janë judenj? Sugjerimet e mëposhtme do të na ndihmojnë që t’u dëshmojmë me takt si judenjve fetarë, ashtu edhe atyre jofetarë.
2 Dhënia e dëshmisë judenjve fetarë: Duhet kuptuar se judenjve fetarë shpesh u intereson më shumë të mbajnë traditat e rabinëve, sesa të merren me përkufizimin e doktrinave të veçanta. Në fakt, në përgjithësi, tradita për ta ka të njëjtin autoritet me Shkrimet. Kështu që nuk është se u intereson medoemos të diskutojnë çështje të thella biblike. Gjithashtu, ata kanë dhe prirjen të mendojnë se Bibla është një libër i krishterë. Për këtë arsye, zakonisht është më mirë që kur i referohemi Biblës të përdorim termat: «shkrimet hebraike», «tora» ose thjesht «shkrimet». Një botim i shkëlqyer, i përgatitur veçanërisht për popullsinë judaike është broshura A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë?
3 Cilat argumente mund t’u interesojnë judenjve fetarë? E pra, ata besojnë se ka një Perëndi, i cili interesohet thellësisht për njeriun. Besojnë edhe se Perëndia ndërhyn në çështjet njerëzore. Ne mund t’i përdorim këto pika për të vendosur një bazë të përbashkët. Përveç kësaj, shumica e judenjve janë mjaft të vetëdijshëm për vuajtjen që përjetoi populli i tyre gjatë Luftës II Botërore. Ata pyesin veten se përse Perëndia e lejoi një padrejtësi të tillë dhe se kur do t’i vijë fundi ligësisë. Ne jemi të pajisur mirë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla duke iu referuar, për shembull, asaj që përjetuan vëllezërit tanë gjatë Olokaustit.
4 Natyrisht, që të mos ftohet biseda me të zotin e shtëpisë, është më mirë të mos dalim menjëherë te çështja e identitetit të Mesisë. Në vend të kësaj, mund të diskutojmë për rolin që luajti Moisiu në historinë e Izraelit dhe ta pyesim të zotin e shtëpisë nëse beson që mësimet e Moisiut gjejnë zbatim edhe sot. Kur duket e përshtatshme të diskutohet identiteti i Mesisë, së pari mund të lexojmë shkrimin në Ligji i përtërirë 18:15, ku thuhet: «Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu, atë keni për ta dëgjuar.» Ta pyesim të zotin e shtëpisë se kë kishte në mendje Moisiu kur foli për një profet të ngjashëm me të. Më pas, të trajtojmë disa pika nga broshura A do të ekzistojë një botë pa luftë, faqe 14, paragrafët 17 dhe 18.
5 Judenjtë jofetarë i shohin çështjet ndryshe: Jo çdo person që pohon së është jude i pranon mësimet e judaizmit. Shumë judenj kanë një pikëpamje jofetare. Atyre u intereson më shumë të nxitin formimin e një identiteti të veçantë judaik, që ka kulturën, traditën dhe arsimimin e vet, sesa të praktikojnë fenë judaike. Disa judenj që nuk janë fetarë, janë agnosticistë, madje ka nga ata që janë edhe ateistë. Nuk do të kishim shumë sukses nëse që në fillim do të citonim vazhdimisht nga Shkrimet Hebraike. Do të ishte më e dobishme ta zhvillonim bisedën ashtu siç do të bënim po të diskutonim me një person që nuk është fetar. Për shembull, mund të shpjegojmë se si Bibla është praktike për ditët tona. Nëse i zoti i shtëpisë nuk beson që Bibla është e frymëzuar, mund të jetë e dobishme të përdoren disa pika nga broshura A do të ekzistojë një botë pa luftë?, veçanërisht ato që gjenden në pjesën në faqen 3 me titull: «Bibla: A është e frymëzuar nga Perëndia?»
6 Kur i dëshmojmë një judeu, mund të themi:
◼ «Shumica prej nesh ka pasur një përvojë të trishtueshme kur i ka vdekur një njeri i dashur. Çfarë mendon se ndodh me ne kur vdesim?» Ta lëmë të përgjigjet. Pastaj ta drejtojmë vëmendjen e të zotit të shtëpisë te kutia me titull «Vdekja dhe shpirti: Ç’janë ato?», e cila gjendet në faqen 22 të broshurës A do të ekzistojë një botë pa luftë? Kutia bën një krahasim të asaj që thonë Shkrimet rreth jetës pas vdekjes me atë që mësojnë rabinët. Më pas të kthehemi në paragrafin 17, faqja 23 dhe të tregojmë se sipas Shkrimeve, të vdekurit do të ringjallen për të jetuar mbi një tokë parajsore. Të ofrojmë broshurën. Në përgatitjen për t’u rikthyer, mund të përmendim se patriarku Jakob mori shpresën e ringjalljes. T’u referohemi shkrimeve të përmendura në fund të paragrafit 17 dhe t’i themi personit se do të rikthehemi për të diskutuar rreth tyre.
7 Librat e Mateut, Markut, Lukës, Gjonit dhe Veprave tregojnë përvoja lidhur me judenjtë që e dëgjuan të vërtetën dhe vepruan sipas saj. Jehovai po e mban akoma të hapur udhën që çon në jetën e përhershme. Shumë judenj të sinqertë kanë ende mundësi të mësojnë rreth Jehovait, Perëndisë së vërtetë, në mënyrë që edhe ata të mund të jetojnë përgjithmonë në botën e re të Perëndisë.—Mik. 4:1-4.