Të ruhet
A po i përdorni këto broshura?
Bibla: Cili është mesazhi i saj?
Për ata që nuk dinë shumë rreth Biblës, sidomos ata të feve jo të krishtere
Si ta ofroni? «Do të donim mendimin tuaj për atë thuhet këtu në Shkrime (ose në këtë libër të shenjtë). [Lexoni Psalmin 37:11, për të cilin flitet në pjesën 11.] Si mendoni se do të jetë toka kur të përmbushet kjo profeci? [Prisni përgjigjen.] Ky është vetëm një shembull se si Bibla u jep shpresë e ngushëllim njerëzve nga të gjitha kulturat dhe besimet.» Lexoni paragrafin në fillim të faqes 3 dhe ofrojini broshurën.
Mund të provoni këtë: Nëse po drejtoni një studim biblik me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? me dikë të një feje jo të krishtere, për pak minuta shqyrtoni një pjesë të kësaj broshure në fillim ose në fund të studimit, që të krijojë një ide të përgjithshme për Biblën.
Një libër për të gjithë njerëzit
Për njerëz të arsimuar që nuk kanë njohuri për Biblën
Si ta ofroni? Lexoni 2 Timoteut 3:16, 17. Pastaj thuajini: «A jeni dakord se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia? Apo mendoni se është thjesht një libër i mirë? [Prisni përgjigjen.] Shumë njerëz kanë formuar një opinion për këtë çështje, por kemi parë se të paktë janë ata që në të vërtetë e kanë studiuar Biblën. [Lexoni përvojën poshtë titullit në faqen 3.] Kjo broshurë interesante jep arsye bindëse se përse njerëz të të gjitha formimeve e besimeve, duhet të shohin çfarë thotë Bibla.»
Mund të provoni këtë: Nëse i zoti i shtëpisë e pranon broshurën, thuajini: «Një arsye përse njerëzit mendojnë se nuk ia vlen ta lexosh Biblën, është se fetë e kanë keqparaqitur atë dhe mësimet e saj. Kur të kthehem, do të doja t’ju tregoja një shembull.» Kur të ktheheni, shqyrtoni disa nga informacionet në faqet 4-5.
Ti mund të jesh miku i Perëndisë
Për ata me arsimim të kufizuar ose që nuk dinë të lexojnë mirë
Si ta ofroni? «A mendoni se mund të bëhemi miq me Perëndinë? [Prisni përgjigjen. Pastaj lexoni Jakovin 2:23.] Kjo broshurë ka për qëllim të na ndihmojë të bëhemi miq me Perëndinë, ashtu si Abrahami.»
Mund të provoni këtë: Në vizitën e parë ose kur të ktheheni për rivizitën, demonstrojini se si bëhet një studim biblik duke shqyrtuar së bashku gjithë mësimin 1 ose një pjesë të tij.
Një jetë e kënaqshme—Si ta arrijmë?
Për ata që nuk janë fetarë
Si ta ofroni? «Arsyeja pse jemi këtu sot është se shumë njerëz duan të bëjnë një jetë më të kënaqshme. Të gjithë kemi halle që na shqetësojnë. Kur na bien hallet, mund të kërkojmë këshilla nga një i afërm a mik i besuar ose nga librat e Interneti. Cili është një burim i mirë këshillash për ju? [Prisni përgjigjen.] Disa janë habitur kur kanë gjetur këshilla praktike në Bibël. Ja një shembull. [Tregojini të zotit të shtëpisë kapitullin 2 dhe lexoni një nga shkrimet e cituara.] Kjo broshurë ka si synim të shpjegojë se si mund të bëjmë një jetë më të kënaqshme.»
Mund të provoni këtë: Nëse i zoti i shtëpisë e pranon broshurën, mund t’i thoni: «Shumë kanë dëgjuar se Bibla është plot pasaktësi. Kur të kthehem, do të doja t’ju tregoja një shembull që mund t’ju habitë në lidhje me saktësinë shkencore të Biblës.» Kur të ktheheni shqyrtoni paragrafin 4 në faqen 12.
Udhëheqja e Perëndisë—Rruga jonë për në Parajsë
Për myslimanët që jetojnë në një vend ku janë të lirë të studiojnë Biblën.
Si ta ofroni? «Di se myslimanët besojnë te një Perëndi i vërtetë dhe te të gjithë profetët, apo jo? [Prisni përgjigjen.] Do të doja të flisja me ju për një profeci të lashtë që parathotë transformimin e tokës në parajsë. A mund t’ju lexoj se çfarë shkroi një profet? [Lexoni Isainë 11:6-9.] Shumë kanë pyetur se si do t’i bëjë Perëndia këto ndryshime në tokë. Kjo broshurë tregon se çfarë thonë profetët për këtë.»
Mund të provoni këtë: Nëse i zoti i shtëpisë e pranon broshurën, mund t’i thoni: «Ky libër i Perëndisë shpjegon se në fillim njeriu jetonte në parajsë. Kur të flasim herën tjetër, do të doja të shikonim përgjigjen e kësaj pyetjeje: ‘Si u largua njeriu nga udhëheqja e Perëndisë dhe humbi parajsën?’» Kur të ktheheni, shqyrtoni fillimin e mësimit në faqen 6.
Të kesh vërtet besim—Çelësi për një jetë të lumtur
Për myslimanët që jetojnë në një vend ku janë të lirë të studiojnë Biblën.
Si ta ofroni? Tregojini figurën në faqet 16-17 dhe thuajini: «Kjo pamje është shumë ndryshe nga ajo që shohim në botë sot. A mendoni se është e mundur që bota të bëhet kështu një ditë? [Prisni përgjigjen.] Vini re se çfarë premton ky libër i Perëndisë. [Lexoni nga Bibla një nga shkrimet e cituara.] Kjo broshurë na ndihmon të krijojmë vërtet besim se këto premtime do të përmbushen.»
Mund të provoni këtë: Në fund të vizitës së parë, kërkojini të zotit të shtëpisë të zgjedhë një nga pyetjet në kapakun e pasmë. Pastaj lini takim që ta shqyrtoni përgjigjen nga broshura herën tjetër kur të ktheheni.
Origjina e jetës—Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh
Për të rinjtë e krishterë që mësojnë për evolucionin në shkollë. Mund të përdoret mjaft mirë për të arsyetuar edhe me evolucionistët, agnosticistët dhe ateistët. (Kjo broshurë nuk është botuar për t’u ofruar shtëpi më shtëpi.)
Si mund ta përdorni kur flisni me një evolucionist ose ateist? «Pothuajse të gjithë librat shkencorë sot mësojnë evolucionin. A besoni se evolucioni është një teori apo mendoni se tashmë është fakt? [Prisni përgjigjen.] Për të marrë një vendim duke u bazuar në njohuri të saktë, besoj se edhe ju jeni dakord se duhen shqyrtuar të dyja anët e një çështjeje. Kjo broshurë përmban prova që i kanë bërë disa të besojnë se jeta është krijuar.»
Mund të provoni këtë: Nëse shkoni në shkollë, lëreni broshurën mbi bankë dhe shihni nëse ndonjë nga shokët e klasës bëhet kureshtar.
A u krijua jeta?
Për t’u përdorur si trampolinë për të filluar një studim biblik. Prindërit mund ta përdorin për t’i ndihmuar fëmijët të njohin e të vlerësojnë Perëndinë.
Si ta ofroni? «Si mendoni, ç’është më e arsyeshme: të besosh se jetën e krijoi Perëndia apo se filloi rastësisht dhe evoluoi? [Prisni përgjigjen.] Ajo që besojmë për fillimin e jetës, mund të ndikojë në pikëpamjen tonë për të ardhmen. Shikoni ç’thuhet në faqen 29 të kësaj broshure. [Lexoni paragrafin 1 nga fjalia e dytë, pastaj fjalinë e fundit të paragrafit 2.] Shikoni sa ndryshe është ajo që thuhet këtu. [Lexoni paragrafin 4 në faqen 29.] Natyrisht, ajo që besojmë duhet bazuar në prova të forta. Kjo broshurë do t’ju ndihmojë të shqyrtoni disa prova se jeta u krijua dhe se Bibla është e besueshme.
Mund të provoni këtë: Nëse i zoti i shtëpisë e pranon broshurën, thuajini: «Shkencëtarët kanë studiuar dhe imituar veçoritë e krijesave të ndryshme, që të krijojnë gjëra të reja e të përmirësojnë funksionimin e atyre ekzistuese. Herën tjetër, kam dëshirë t’ju tregoj një shembull të kësaj.» Kur të ktheheni, trajtoni një nga shembujt në faqet 12-15 dhe pyeteni të zotin e shtëpisë se ç’mendon për pyetjet në kutinë e faqes 15.