Të intensifikojmë dhënien e dëshmisë ndërsa afrohet fundi
1 Stina e të korrave është një kohë e gëzueshme, por edhe një kohë për të punuar shumë. Koha për mbledhjen e të korrave është e kufizuar, prandaj punëtorët nuk duhet të sorollaten gjatë punës së tyre.
2 Duke folur në mënyrë figurative, Jezui e krahasoi «përfundimin e sistemit të gjërave» me kohën e korrjeve. (Mat. 13:39, BR) Ne po jetojmë në përfundim të këtij sistemi gjërash dhe koha që mbetet për të dhënë dëshmi «në të gjithë tokën e banuar» është e kufizuar. (Mat. 24:14, BR) Ndërsa fundi afrohet gjithnjë e më shumë, ne duhet ta rritim pjesëmarrjen tonë në shërbim. Përse? Jezui shpjegoi: «E korra është e madhe, por punëtorët janë pak.»—Mat. 9:37, 38, BR; Rom. 12:11.
3 Ta bëjmë atë me urgjencë: Kur Jezui filloi veprën e tij të madhe të predikimit, ai kishte vetëm tre vjet e gjysmë kohë për të përmbushur atë që i ishte caktuar. Ai predikoi me një ndjenjë urgjence, duke thënë: «Duhet të shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë, sepse për këtë jam dërguar.»—Luka 4:43, BR.
4 Jezui futi te dishepujt e tij një ndjenjë të ngjashme urgjence. (Mar. 13:32-37) Ja, pse «çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, vazhdonin pa pushim të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë mbi Krishtin, Jezu». (Vep. 5:42, BR) Ata nuk lejuan që aktivitetet më pak të rëndësishme të zinin vendin e parë në jetën e tyre. Edhe pse ishin të paktë në numër, ata arritën të predikonin lajmin e mirë «në të gjithë krijimin që është nën qiell».—Kolos. 1:23, BR.
5 Ndërsa «fundi i çdo gjëje është afruar», ne kemi një arsye edhe më të madhe për të kultivuar sot po atë ndjenjë urgjence. (1. Pjet. 4:7, BR) Jehovai ka caktuar një ditë dhe një orë për t’i dhënë fund këtij sistemi gjërash. (Mat. 24:36) Vepra e predikimit duhet përfunduar brenda kohës që ka mbetur. Për këtë arsye, ne vazhdojmë t’i rritim përpjekjet tona për t’u dhënë lajmin e mirë sa më shumë njerëzve.
6 Duke intensifikuar pjesëmarrjen tonë në veprën e dhënies së dëshmisë ndërsa afrohet fundi, do të kemi kënaqësinë t’i themi Jehovait, sikurse edhe Jezui: ‘E kemi përfunduar veprën që na kishe dhënë për të bërë.’—Gjoni 17:4, BR.