Të gjithë ne duhet ta kryejmë veprën
1 Çdo dishepull i Jezu Krishtit duhet të kuptojë se përpjekjet e tij për të mbështetur dhe për të marrë pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë, janë shumë të rëndësishme. Jezui e dinte se dishepujt e tij do të prodhonin fryte të Mbretërisë në masa të ndryshme. (Mat. 13:23) Megjithëse një pjesë e mirë e aktivitetit të Mbretërisë kryhet nga shumë pionierë të palodhur, edhe të gjithë ata që me zell vazhdojnë të lavdërojnë Perëndinë, duke sjellë sa më shumë fryte që është e mundur, janë për t’u lavdëruar.—Gjoni 15:8.
2 Me përpjekje të bashkuara kryhet shumë punë: Jezui paratha se përpjekjet e bashkuara të të gjithë dishepujve të tij, do të prodhonin vepra më të mëdha se të tijat. (Gjoni 14:12) Pavarësisht nëse rrethanat tona personale na kufizojnë në atë që mund të bëjmë ose na lejojnë të kushtojmë shumë kohë për predikimin e Mbretërisë, të gjithëve na kërkohet që ta kryejmë veprën deri në fund. Është ashtu siç tha Pavli: «Prej të cilit i gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit.»—Efes. 4:16.
3 Disa mund të mendojnë se nuk kanë kontribuar shumë. Megjithatë, në sytë e Jehovait është e rëndësishme që shërbimi ynë të jetë me gjithë shpirt. Çdo gjë që bëjmë për të është e vlefshme dhe e çmuar.—Krahaso Lukën 21: 1-4.
4 Vazhdo të mbështesësh veprën: Të gjithë kemi privilegjin për të dhënë kontribut material për veprën mbarëbotërore. Disa mund të ndihmojnë edhe me punë fizike, e cila përfshihet në mbështetjen e veprës së Mbretërisë. Gjithsecili mund të përpiqet të japë komente të përgatitura mirë në mbledhje dhe të marrë pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Duke përfituar nga mundësitë për të inkurajuar të tjerët, kontribuojmë në mënyrë të vlefshme në gjendjen frymore të kongregacionit dhe kjo e rrit aftësinë e tij për të kryer veprën që i është besuar.
5 Po, nga të gjithë ne kërkohet ta kryejmë veprën. Askush nuk duhet të mendojë se nuk është i nevojshëm. Përpjekjet tona të kombinuara, të mëdha e të vogla, në shërbimin ndaj Jehovait, na dallojnë si të vetmit adhurues të vërtetë të Perëndisë. (Mal. 3:18) Secili prej nesh mund të ketë një pjesë domethënëse në nderimin e Jehovait dhe në dhënien e ndihmës të tjerëve që ta njohin dhe t’i shërbejnë atij.