Dëshmo kudo që ka njerëz
1 Duke pranuar rolin që luajti fryma e Perëndisë në shërbimin e tij, apostulli Pavël tha: «Perëndia i bëri të rriten.» Ai pohoi, gjithashtu: «Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.» (1. Kor. 3:5-9) Ky është një privilegj i mrekullueshëm. Si mund ta demonstrojmë publikisht se e çmojmë faktin që jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë? Duke u shpallur lajmin e mirë të gjithë atyre që takojmë në veprën nga shtëpia në shtëpi dhe kudo gjetkë.
2 Ne na është dhënë urdhri për të ‘bërë dishepuj prej njerëzve’. (Mat. 28:19, BR) Nëse kur marrim pjesë në shërbim, vihemi në kontakt vetëm me pak njerëz, mund të shkurajohemi shpejt dhe të mendojmë se kemi kryer pak gjë. Nga ana tjetër, ndiejmë shumë gëzim në shërbimin tonë, kur kemi mundësi të gjejmë shumë njerëz dhe të bisedojmë me ta. Kjo mund të jetë shumë sfiduese, pasi kërkon njëfarë iniciative nga ana jonë, për të shkuar kudo ku ka njerëz, që të mund të vihemi në kontakt me ta.
3 Shembuj praktikë: Ne mund t’u dëshmojmë njerëzve në pazar, parqe, vende çlodhjeje dhe në stacionet e transportit publik. Kur udhëton me transportin publik, a je i përgatitur për të dhënë një dëshmi gjatë rrugës? Dy Dëshmitarë që po udhëtonin për në mbledhjen për shërbim me një autobus të mbushur plot e përplot, bënë një bisedë në lidhje me pikturën e parajsës në librin Njohuria, duke bërë një trajtim të premtimeve të Perëndisë për të ardhmen. Siç kishin shpresuar se do të ndodhte, një të riu që po qëndronte pranë tyre, i bëri përshtypje ajo që dëgjoi. Përpara se të zbriste nga autobusi, pranoi një libër dhe kërkoi që dikush t’i bënte një vizitë në shtëpinë e tij.
4 Shumë lajmëtarë kanë gjetur gëzim në dhënien e dëshmisë joformale. Një pasdite, një motër shkoi në qendrën tregtare lokale dhe iu afrua njerëzve që kishin mbaruar së bëri pazarin dhe që s’dukej se nxitonin. Ajo la gjithë literaturën që kishte në çantë. Një burrë që po priste në makinën e tij, qe i kënaqur t’i merrte revistat prej saj. Më parë ai kishte ndjekur mbledhjet dhe biseda e tyre rindezi interesin e tij.
5 Është një privilegj të lartësojmë emrin e Jehovait. Duke demonstruar zellin tonë për veprën e predikimit, tregojmë se nuk e kemi humbur nga sytë qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë ndaj nesh. Meqenëse «tani është koha veçanërisht e pranueshme» për të ndihmuar të tjerët, le të shkojmë kudo që ka njerëz dhe t’u dëshmojmë për «ditën e shpëtimit» të Jehovait.—2. Kor. 6:1, 2, BR.