Besueshmëria shpërblehet
1 Në Hebrenjve 11:6, na thuhet se Perëndia «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me zell». (BR) Një mënyrë në të cilën i shpërblen ai shërbëtorët e tij të devotshëm, që kanë qenë ‘të besueshëm në pak gjëra’, është duke ‘i emëruar mbi shumë gjëra’. (Mat. 25:23, BR) Me fjalë të tjera, shpesh Jehovai e shpërblen veprën e zellshme, duke u dhënë dëshmitarëve të tij të besueshëm, privilegje të tjera shërbimi.
2 Besueshmëria e apostullit Pavël u shpërblye duke iu caktuar një shërbim që e çoi në qytetet dhe fshatrat e Evropës dhe të Azisë së Vogël. (1. Tim. 1:12) Ndonëse në përmbushjen e plotë të shërbimit të tij, përfshiheshin shumë përpjekje, Pavli e vlerësoi shumë privilegjin që pati marrë. (Rom. 11:13; Kolos. 1:25) Ai e tregoi çmueshmërinë e tij nga zemra, duke kërkuar me zell raste për të predikuar. Me anë të aktivitetit të tij të zellshëm, ai tregoi qartë se po e jetonte besimin e tij. Shembulli i tij na nxit që ta çmojmë së tepërmi privilegjin tonë të shërbimit.
3 Jehovai na ka dhënë një shërbim: Si e tregojmë të njëjtin qëndrim që tregoi Pavli, ndaj këtij shpërblimi të privilegjuar? Ne kërkojmë mënyra për ta rritur pjesëmarrjen tonë në shërbim; shfrytëzojmë çdo rast për të dëshmuar joformalisht si dhe nga shtëpia në shtëpi. Ne mbajmë shënim të gjithë ata që nuk janë në shtëpi, u bëjmë rivizita të gjithëve atyre që janë të interesuar dhe shkojmë në kohën e caktuar në takimet që lëmë për të drejtuar studime biblike në shtëpi.
4 Në lidhje me shërbimin tonë, Pavli këshilloi: «Jepu pas tij me urgjencë.» (2. Tim. 4:2, BR) Diçka që është urgjente, kërkon vëmendje të menjëhershme. A e kryejmë shërbimin tonë në një mënyrë urgjente, duke i dhënë përparësi në jetën tonë? Për shembull, nuk duhet të lejojmë që aktivitetet tona çlodhëse dhe gjërat e tjera personale në fundjavë, të përzihen me kohën që duhet t’ia kushtojmë shërbimit në fushë. Përderisa jemi të bindur se fundi i këtij sistemi po afrohet me shpejtësi, jemi, gjithashtu, të bindur se predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë është vepra më e rëndësishme që mund të kryejmë.
5 Besueshmëria jonë ndaj Perëndisë tregohet duke qenë të sinqertë dhe besnikë ndaj tij, si dhe të qëndrueshëm në veprën që na ka caktuar. Le ta përmbushim plotësisht shërbimin tonë, kështu që Jehovai do ta shpërblejë besueshmërinë tonë në një masë të madhe.