A duhet të shkojë në shkollë fëmija im?
A MUND të përfytyroni sikur nuk jeni në gjendje të lexoni fjalët në këtë faqe? Po sikur të mos dinit gjuhën zyrtare të vendit tuaj ose të mos ishit në gjendje të tregonit se ku ndodhet vendi juaj në hartën e botës? Shumë fëmijë rriten pikërisht kështu. Po fëmija juaj?
A duhet të shkojë në shkollë fëmija juaj? Në shumë vende arsimi i ulët dhe i mesëm është i detyrueshëm dhe shpesh falas. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve e quan arsimimin në shkollë një të drejtë themelore. Po kështu edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Megjithatë në disa vende arsimimi mund të mos jetë falas dhe mund të jetë një barrë financiare për prindërit. Le ta shohim këtë çështje nga këndvështrimi i prindërve të krishterë, të cilët duan që t’i kenë fëmijët të arsimuar, qoftë nëpërmjet arsimimit në shkollë, qoftë në mënyra të tjera.
Shembuj biblikë të individëve të arsimuar
Pjesa më e madhe e shërbëtorëve të Perëndisë të përmendur në Bibël ishin në gjendje të lexonin e të shkruanin. Apostujt e Jezuit, Pjetri dhe Gjoni, ishin peshkatarë judenj, por i shkruan librat biblikë në greqisht dhe jo në dialektin e tyre galileas.a Me sa duket, prindërit e tyre u siguruan që fëmijët të merrnin një arsimim bazë. Në të njëjtën situatë ishin edhe shkrimtarë të tjerë të Biblës, si bariu David, bujku Amos dhe gjysmëvëllai i Jezuit, Juda, i cili ndoshta ishte zdrukthëtar.
Jobi ishte në gjendje të lexonte e të shkruante dhe libri biblik që mban emrin e tij tregon se ai kishte njëfarë kuptueshmërie për shkencën. Gjithashtu mund të ketë pasur aftësi në fushën letrare, sepse thëniet e tij, të cituara në librin e Jobit, janë në një formë poetike. Po ashtu dimë se të krishterët e hershëm ishin të arsimuar, sepse janë gjetur ato që mund të kenë qenë shënimet e tyre nga Shkrimet në copa enësh balte të thyera.
Arsimimi është i rëndësishëm për të krishterët
Të gjithë të krishterët duhet të bëjnë përparim në njohurinë biblike, nëse duan t’i pëlqejnë Perëndisë. (Filipianëve 1:9-11; 1 Selanikasve 4:1) Studimi i zellshëm i Shkrimeve dhe mjetet ndihmëse të studimit të bazuara në to mund të nxitin përparimin frymor. Meqenëse Perëndia ka siguruar Fjalën e tij të shkruar, ai pret që adhuruesit e tij të jenë sa më të arsimuar. Kur e kuptojmë atë po lexojmë në Bibël, është më e lehtë t’i zbatojmë këshillat e saj. Sigurisht që disa pjesë të saj ndoshta duhet t’i lexojmë më shumë se një herë që të kapim kuptimin e tyre dhe të mund të meditojmë rreth tij.—Psalmi 119:104; 143:5; Fjalët e urta 4:7.
Çdo vit populli i Jehovait merr qindra faqe material të dobishëm të përgatitur nën drejtimin e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45-47) Kjo literaturë trajton tema për jetën familjare, për zakonet e ndryshme, për fenë, për shkencën dhe shumë tema të tjera. Ç’është më e rëndësishme ajo përmban këshilla nga Shkrimet në lidhje me çështjet frymore. Në qoftë se fëmijët tuaj nuk dinë të lexojnë, ata nuk do të përfitojnë nga shumë informacione jetësore.
Të mësojmë historinë e njerëzimit është e rëndësishme, sepse na ndihmon të kuptojmë se përse kemi nevojë për Mbretërinë e Perëndisë. Duhet të kemi edhe një njohuri bazë për gjeografinë. Bibla flet për shumë vende, si: Izraeli, Egjipti dhe Greqia. A mund t’i tregojë ato fëmija juaj në hartën e botës? A mund ta gjejë se ku ndodhet vendi i tij? Kur një person nuk është në gjendje të lexojë hartën ai nuk është shumë i aftë të kryejë shërbimin në territorin e caktuar.—2 Timoteut 4:5.
Privilegje në kongregacion
Pleqtë e krishterë dhe shërbëtorët ndihmës kanë shumë përgjegjësi që përfshijnë të lexuarit. Për shembull, duhen përgatitur pjesët për mbledhjet e kongregacionit. Duhen mbajtur regjistrimet e literaturës dhe të kontributeve. Pa një arsimim bazë, një individ do ta kishte shumë të vështirë t’i përmbushte me efektshmëri këto përgjegjësi.
Në shtëpitë Bethel anembanë botës shërbejnë punëtorë vullnetarë. Që këta vullnetarë të komunikojnë mirë dhe të kryejnë detyrat e tyre, si përkthimin e literaturës dhe riparimin e makinerive, ata duhet të jenë në gjendje të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën zyrtare të vendit ku jetojnë. Nëse fëmijëve tuaj do t’u pëlqenin këto privilegje, zakonisht do të ishte e domosdoshme të kishin një arsimim bazë. Cilat janë disa arsye të tjera praktike se përse duhet të shkojë në shkollë fëmija juaj?
Varfëria dhe besëtytnitë
Njerëzit që jetojnë në varfëri mund të jenë pothuajse të pandihmë në disa rrethana. Sidoqoftë në raste të tjera një arsimim i mjaftueshëm mund të na ndihmojë neve dhe fëmijët tanë të shmangim vuajtje të panevojshme. Shumë njerëz të paarsimuar mezi arrijnë të mbijetojnë. Fëmijët, e madje edhe prindërit, ndonjëherë vdesin, sepse duke pasur shumë pak të ardhura e kanë të pamundur të sigurojnë ndihmë mjekësore. Shpesh njerëzit që kanë pak ose nuk kanë fare arsimim janë të ushqyer keq dhe kanë kushte të këqija strehimi. Arsimimi, ose të paktën aftësia për të lexuar e për të shkruar, mund të jenë një ndihmë në këto drejtime.
Gjithashtu arsimimi e pakëson prirjen për të qenë besëtytë. Natyrisht që besëtytnitë janë të përhapura si në mes të njerëzve të arsimuar, ashtu edhe në mes të atyre të paarsimuar. Por ata që nuk janë të arsimuar mund të mashtrohen e të shfrytëzohen më lehtë se të tjerët, sepse nuk mund të lexojnë materiale që demaskojnë këto mashtrime. Prandaj priren për të qenë më besëtytë e të besojnë se një magjistar mund të bëjë shërime të mrekullueshme.—Ligji i përtërirë 18:10-12; Zbulesa 21:8.
Arsimimi nuk është vetëm për të gjetur punë
Shumë mendojnë se qëllimi kryesor i arsimimit është që të fitojnë para. Megjithatë disa njerëz të arsimuar janë të papunë ose nuk fitojnë mjaft para për të plotësuar nevojat kryesore. Prandaj disa prindër mund të mendojnë se nuk ia vlen ta dërgojnë fëmijën në shkollë. Por arsimimi bën më shumë sesa vetëm e përgatit dikë për të fituar para; ai i pajis fëmijët për jetën në përgjithësi. (Predikuesi 7:12) Po qe se dikush mund të flasë, të lexojë dhe të shkruajë gjuhën zyrtare të vendit ku jeton, për të mund të bëhet më e lehtë, madje diçka e zakonshme dhe jo frikësuese, kur ka të bëjë me personelin mjekësor, me autoritetet civile ose me nëpunësit e bankave.
Në disa vende fëmijët e paarsimuar mund t’i besohen dikujt për të mësuar zanatin si murator, peshkatar, rrobaqepës ose ndonjë zanat tjetër. Të mësosh një zanat është një gjë e mirë, por nëse këta fëmijë nuk ndjekin kurrë një shkollë, ndoshta nuk do të mësojnë të lexojnë e të shkruajnë mirë. Pa dyshim që ka më shumë të ngjarë të mos shfrytëzohen nga të tjerët e të kenë një jetë më të kënaqshme po qe se do të marrin së pari një arsimim bazë dhe pastaj të mësojnë një zanat.
Jezui i Nazaretit ishte zdrukthëtar dhe me sa duket punoi me babanë e tij që e birësoi, Jozefin, për të mësuar këtë zanat. (Mateu 13:55; Marku 6:3) Jezui ishte edhe i arsimuar, sepse madje që në moshën 12-vjeçare ishte në gjendje të diskutonte në mënyrë domethënëse me njerëzit e arsimuar të tempullit. (Luka 2:46, 47) Në rastin e Jezuit, mësimi i zanatit nuk e pengoi të merrte lloje të tjera arsimimi.
A duhen arsimuar edhe vajzat?
Disa herë prindërit dërgojnë në shkollë djemtë, por jo vajzat. Ndoshta disa prindër mendojnë se kushton shumë t’i arsimojnë vajzat dhe që ato mund t’u vijnë më shumë në ndihmë nënave nëse qëndrojnë gjithë ditën në shtëpi. Por analfabetizmi do t’i sillte vështirësi një vajze. Një botim i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) thekson: «Studimet e shumta kanë treguar se arsimimi i vajzave është një nga strategjitë më të mira për të këputur zinxhirët e varfërisë.» (Poverty and Children: Lessons of the 90s for Least Developed Countries [Varfëria dhe fëmijët: Mësime nga vitet 90 për vendet më pak të zhvilluara]) Vajzat e arsimuara janë më të pajisura për të përballuar jetën dhe marrin vendime më të mençura, duke u sjellë kështu dobi të gjithëve në familje.
Një studim për vdekshmërinë e foshnjave në Benin, në Afrikën Perëndimore, tregonte se shifra e vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5-vjeçare ishte 167 në 1.000 veta te nënat e paarsimuara, kurse te nënat me arsimim të mesëm ishte 38 në 1.000 veta. UNICEF-i arrin në këtë përfundim: «Niveli i arsimimit është pra një faktor vendimtar në shifrën e vdekshmërisë së foshnjave në Benin, si edhe në mbarë botën.» Prandaj arsimimi i vajzave tuaja mund të ketë shumë dobi.
A mjaftojnë kurset për të mësuar lexim dhe shkrim?
Atje ku është e nevojshme, Dëshmitarët e Jehovait mbajnë kurse për të mësuar lexim dhe shkrim për pjesëtarët e kongregacionit që nuk dinë të lexojnë.b Kjo masë e dobishme i ndihmojnë njerëzit që të mësojnë të lexojnë zakonisht në gjuhën vendëse. A e zëvendëson siç duhet kjo arsimimin në shkollë? A duhet të prisni që kongregacioni t’u japë arsimim fëmijëve tuaj, edhe sikur të ekzistonin shkollat?
Edhe pse kurset për të mësuar lexim dhe shkrim janë një masë e dashur e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait, ato zhvillohen për të rriturit analfabetë që nuk kanë shkuar kurrë në shkollë kur ishin fëmijë. Ndoshta prindërit e tyre nuk ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e arsimimit ose nuk kishte shkolla. Këta individë mund të ndihmohen duke ndjekur kurset për të mësuar lexim dhe shkrim, të cilat zhvillohen nëpër kongregacione. Por këto kurse nuk e zëvendësojnë shkollën e zakonshme dhe nuk janë përgatitur për të dhënë një arsimim bazë. Në këto kurse nuk mësohen lëndë të tilla, si: shkenca, matematika dhe historia. Gjithsesi ato mund të mësohen në shkollë.
Në Afrikë kurset për të mësuar lexim dhe shkrim zhvillohen kryesisht në gjuhët e fiseve dhe më rrallë në gjuhën zyrtare të vendit. Por arsimimi në shkollë zakonisht bëhet në gjuhën zyrtare. Kjo u sjell dobi shtesë fëmijëve, sepse në gjuhën zyrtare janë në dispozicion më shumë libra dhe materiale të tjera të ndryshme për të lexuar. Ndonëse kurset për të mësuar lexim dhe shkrim, që zhvillohen në kongregacion, mund të plotësojnë arsimimin shkollor të një fëmije, ato nuk mund ta zëvendësojnë atë. Meqë arsimimi në shkollë është kaq praktik, a nuk duhen çuar fëmijët atje?
Një përgjegjësi e prindërve
Burrat që marrin drejtimin për t’u kujdesur nga ana frymore për kongregacionin duhet të jenë të krishterë shembullorë. Duhet ta drejtojnë shtëpinë dhe fëmijët e tyre në «mënyrë të shkëlqyer». (1 Timoteut 3:4, 12) Të drejtojmë në «mënyrë të shkëlqyer» përfshin që të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar fëmijët tanë që të shmangin në të ardhmen rrethana të pafavorshme.
Perëndia u ka dhënë prindërve të krishterë një përgjegjësi të madhe. Duhet t’i rritin fëmijët sipas Fjalës së tij dhe duhet t’i ndihmojnë që ‘ta duan njohurinë’. (Proverbat [Fjalët e urta] 12:1, BR; 22:6; Efesianëve 6:4) Apostulli Pavël shkroi: «Pa dyshim, nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët e sidomos për ata që janë anëtarë të shtëpisë së tij, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» (1 Timoteut 5:8) Fëmijëve tanë duhet t’u sigurohet edhe arsimimi i duhur.
Disa herë një sistem shkollor nuk është në gjendje t’i arsimojë siç duhet fëmijët, për shkak të numrit të madh të nxënësve, të fondeve të pamjaftueshme ose ndoshta ngaqë mësuesit paguhen pak e janë të pakënaqur. Prandaj është e rëndësishme që prindërit të interesohen seriozisht se çfarë po mësojnë fëmijët në shkollë. Është e mençur të njihen me mësuesit, sidomos në fillim të çdo semestri, madje duke u kërkuar atyre këshilla se si mund të bëhen fëmijët nxënës më të mirë. Në këtë mënyrë mësuesit mund të ndihen të vlerësuar dhe të motivuar që të bëjnë më shumë përpjekje për t’i arsimuar siç duhet fëmijët.
Arsimimi është pjesë jetësore e zhvillimit të një fëmije. Te Proverbat 10:14 thuhet: «Të mençurit janë ata që e ruajnë si thesar njohurinë.» (BR). Kjo është e vërtetë sidomos për njohurinë biblike. Populli i Jehovait, të rinj dhe të moshuar, duhet të ketë sa më shumë njohuri për t’i ndihmuar të tjerët frymësisht dhe ‘që të paraqitet para Perëndisë i miratuar, që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Timoteut 2:15; 1 Timoteut 4:15) Atëherë, a duhet të shkojnë në shkollë fëmijët tuaj? Pa dyshim që do të arrini në përfundimin se duhet të shkojnë, edhe pse shumë do të varet nga ajo që është më praktike në vendin tuaj. Por prindërit e krishterë duhet t’i përgjigjen kësaj pyetjeje më të rëndësishme: ‘A duhen arsimuar fëmijët e mi?’ Pavarësisht se ku jetoni, a nuk jeni të një mendjeje se përgjigjja duhet të jetë një «po» e fortë?
[Shënimet]
a Gjuha e tyre amtare ishte ose një dialekt galileas i gjuhës aramaike, ose një formë dialektore e gjuhës hebraike. Shih librin Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 1 faqet 144-146, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b Shih Zgjohuni! e 22 dhjetorit 2000, faqet 8 dhe 9, anglisht.
[Kutia dhe figura në faqet 12, 13]
KUR ËSHTË E PAMUNDUR TË NDJEKËSH SHKOLLËN
Në disa rrethana është e pamundur të ndjekësh shkollën. Për shembull, revista Refugees (Refugjatët) raportonte se në kampet e refugjatëve vetëm 1 në çdo 5 fëmijë që i përmbush kushtet mund të ndjekë shkollën. Në disa raste, shkollat mbyllen për një periudhë të gjatë për shkak të grevave. Shkollat mund të jenë shumë larg ose mund të mos ketë fare në disa zona. Gjithashtu, për shkak të përndjekjes së të krishterëve, fëmijët mund të përjashtohen nga shkolla.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët në këto rrethana? Çfarë mund të bëni në qoftë se keni shumë fëmijë dhe jetoni në një zonë ku, për shkak të shpenzimeve, nuk keni mundësi t’i çoni të gjithë në shkollë? Po mirë, a keni mundësi të dërgoni në shkollë një ose dy fëmijë pa i bërë që të rrezikojnë gjendjen frymore? Nëse po, ata mund t’u mësojnë fëmijëve të tjerë atë që po mësojnë në shkollë.
Në disa vende ekziston ai që quhet arsimim në shtëpi.c Në këtë rast, në përgjithësi, një nga prindërit kalon pak orë çdo ditë duke mësuar fëmijën. Në kohët patriarkale prindërit ishin shumë të efektshëm për t’i mësuar fëmijët. Me sa duket, Jozefi, biri i Jakobit, ishte i aftë në një moshë të re që të mbikëqyrte të tjerët, për shkak të stërvitjes së mirë që kishte marrë nga prindërit.
Në disa vende, si kampet e refugjatëve, mund të jetë e vështirë të ndiqet një program i rregullt shkollor, por prindërit mund të përdorin si bazë për mësimdhënien literaturën e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, për të mësuar fëmijët e vegjël, mund të jetë i dobishëm Libri im i tregimeve biblike. Revista Zgjohuni! përmban artikuj që flasin për shumë tema të ndryshme. Libri Jeta: Si erdhi këtu? Me evolucion apo me krijim? mund të përdoret për të mësuar argumente shkencore. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait ka një hartë të vogël të botës dhe ai flet për jetën dhe veprën e predikimit në vende të ndryshme.
Nëse ajo që mësohet është e përgatitur mirë dhe përshtatet me nivelin e kuptueshmërisë së fëmijëve, ai mund të sjellë shumë dobi. Në qoftë se vazhdojnë të lexojnë e të mësojnë, do ta kenë më të lehtë të përshtaten në shkollë, nëse kjo do të bëhej e mundur. Me iniciativë e përpjekje mund t’i ndihmoni fëmijët të arsimohen siç duhet, dhe sa shpërblyese që mund të jetë kjo gjë!
[Shënimi]
c Shih artikullin «Arsimimi në shtëpi: A është për ju?» në revistën Zgjohuni! të 8 prillit 1993, faqet 9-12, anglisht.
[Figura]
Çfarë mund të bëni nëse jetoni në një vend ku fëmijët tuaj nuk mund të ndjekin shkollën?