BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w26 maj f. 14-19
  • Merr vendime të mençura për arsimimin shtesë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Merr vendime të mençura për arsimimin shtesë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • A DUHET TË NDJEKËSH ARSIMIM SHTESË?
  • ANALIZO MOTIVET E TUA
  • ANALIZO ARSIMIMIN
  • Qëndro afër Jehovait ndërsa ndjek arsimimin shtesë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
  • Arsimimi: Përdore për të lavdëruar Jehovain
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Arsimi me një qëllim
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Të rinj që kujtojnë Krijuesin e tyre
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2026 (Për studim)
w26 maj f. 14-19

20-26 KORRIK 2026

KËNGA 133 Pranë Jehovait jetoje rininë

Merr vendime të mençura për arsimimin shtesë

«Mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.»—PROV. 14:15.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shohim disa parime të Biblës dhe faktorë që duhen peshuar kur marrim vendime për arsimimin shtesë.

1-2. (a) Çfarë vendimesh duhet të marrin të rinjtë? (b) Çfarë kuptimi ka shprehja «arsimim shtesë»? (Shih «Shpjegimi i shprehjes».)

«ÇFARË ke qejf të bësh kur të mbarosh shkollën?» Nëse je i ri, ka të ngjarë që ta kanë bërë shpesh këtë pyetje. Karriera më e mirë që mund të zgjedhësh, është t’i shërbesh Jehovait në kohë të plotë. Megjithatë ke nevojë edhe për një punë që të kujdesesh për veten. (2 Sel. 3:10) Me shumë mundësi e ke tashmë një ide se çfarë pune dëshiron të bësh në të ardhmen.

2 Pasi flasin me prindërit për punën që duan të bëjnë, disa të rinj zgjedhin të ndjekin arsimim shtesë pasi përfundojnë arsimin e detyrueshëm.a Mbase edhe ti e ke vrarë mendjen nëse duhet të vazhdosh arsimimin shtesë. E nëse po, ç’lloj arsimimi? Te ky artikull do të shohim disa parime të Biblës që të ndihmojnë t’i peshosh mirë vendimet e tua. Edhe pse u drejtohet kryesisht të rinjve, artikulli mund t’i ndihmojë të gjithë adhuruesit e Jehovait që po mendojnë të ndjekin arsimim shtesë. Gjithashtu parimet do t’i ndihmojnë edhe prindërit që t’i orientojnë fëmijët e tyre për këtë çështje.

A DUHET TË NDJEKËSH ARSIMIM SHTESË?

3. Pse disa Dëshmitarë mund të vendosin të vazhdojnë të arsimohen më tej?

3 Në disa vende, mund të fitosh mjaftueshëm të ardhura edhe nëse s’ke arsimim shtesë. Në vende të tjera, arsimimi shtesë mund të të ndihmojë që të gjesh një punë me pagë më të lartë ose me orar më të mirë. Kjo mund t’i japë mundësi një vëllai a motre që t’i kushtojë më tepër kohë veprës së predikimit ose aktiviteteve të tjera teokratike. Gjithsesi, arsimimi shtesë kërkon sakrifica e mund të sjellë edhe disa sfida.

4. Kujt i takon vendimi për arsimimin shtesë? (Shih edhe shënimin.)

4 Bibla thotë se secili duhet «të mbajë ngarkesën e përgjegjësive të veta». (Gal. 6:5, shën.) Pra, çdo i rritur e ka vetë në dorë nëse do të vazhdojë arsimimin shtesë.b Ndërsa për fëmijët e mitur, janë prindërit përgjegjës që të marrin vendime për arsimimin. (Efes. 6:1) Falë drejtimit të tyre, fëmija mund të marrë vendime të mençura për shkollimin kur të rritet.—Prov. 22:6.

5. Kur duhet të fillojë të mendojë dikush nëse do të vazhdojë të arsimohet më tej, dhe pse? (Shih edhe figurën.)

5 Shpesh të rinjtë duhet të vendosin nëse do të ndjekin arsimim shtesë që para se të përfundojnë arsimin e detyrueshëm. Sigurisht është e mençur që një i ri të flasë me prindërit për këtë çështje shumë kohë përpara se të marrë një vendim. Kështu do të kenë mjaft mundësi që të bëjnë kërkime për alternativat e mundshme. Ndoshta mund të zgjedhin edhe lëndët që do ta përgatitin për arsimimin e mëtejshëm ose për punën. A duhet të marrin patjetër një vendim para se fëmija të mbarojë arsimin e detyrueshëm? Jo medoemos. (Prov. 21:5) Disa të rinj kanë zgjedhur të përfundojnë shkollën, të gjejnë një punë dhe të fillojnë shërbimin si pionierë, ndërkohë që vendosin nëse do të ndjekin arsimim shtesë. Një person mund ta shqyrtojë këtë vendim edhe më vonë gjatë jetës.

Një vajzë adoleshente flet me prindërit për mundësitë e arsimimit shtesë. Ata po shqyrtojnë fletëpalosje të shkollave të ndryshme, kanë hapur video në JW Broadcasting si edhe Biblën.

Dy prindër Dëshmitarë ndihmojnë vajzën e tyre që të marrë vendime të mençura për arsimimin shtesë (Shih paragrafin 5)


6. Ç’mund ta ndihmojë dikë të marrë një vendim të mençur për arsimimin shtesë?

6 Ç’mund të të ndihmojë të marrësh një vendim të mençur për arsimimin shtesë? Lutju shpesh Jehovait për këtë çështje. (Jak. 1:5) Gjithashtu bëj këta dy hapa: së pari, analizo me sinqeritet motivet e tua. (Psal. 26:2) Së dyti, shqyrto me kujdes llojin e arsimimit që po mendon të ndjekësh. (Prov. 14:15) Tani le të shohim secilin prej tyre.

ANALIZO MOTIVET E TUA

7. Për çfarë duhet të bëjmë kujdes nëse po mendojmë të vazhdojmë arsimimin shtesë?

7 Nëse po mendon të vazhdosh arsimimin shtesë, bëji vetes këtë pyetje të rëndësishme: «Pse dua ta ndjek këtë arsimim?» Shumë veta arsimohen për të gjetur një punë që e kanë qejf ose me rrogë më të mirë. A janë të gabuara këto motive? Nuk është e thënë. (1 Tim. 5:8) Ama, Bibla na paralajmëron sa e rrezikshme është të rendësh pas parasë dhe të kërkosh siguri te ky sistem. (Prov. 23:4, 5; 1 Tim. 6:8-10; 1 Gjon. 2:17) Nëse motivi yt është të fitosh pará ose prestigj, ka mundësi që jo vetëm mund të ndihesh bosh, por edhe mund të dëmtosh miqësinë me Jehovain.

8-9. (a) Si duhet ta shohim arsimimin? (Mateu 6:33) (b) Çfarë mëson nga fjalët e Josefinës, të Morenës dhe të Irisit?

8 Si duhet ta shohësh arsimimin? Për ne, s’ka asgjë më të rëndësishme se t’i shërbejmë Jehovait. (Mat. 22:37, 38; Filip. 3:8) Pra, shihe arsimimin si një mjet që të ndihmon të kujdesesh për veten, ndërsa mban në fokus të jetës shërbimin me gjithë shpirt ndaj Jehovait.—Lexo Mateun 6:33.

9 Të shohim çfarë i ka ndihmuar disa Dëshmitarë të mbajnë pikëpamjen e duhur për arsimimin shtesë. Josefina nga Kili thotë: «Arsimimi që zgjodha, më ndihmoi t’i shërbeja më plotësisht Jehovait. E kisha ndarë mendjen që shkollimi të ishte në funksion të synimeve teokratike, jo e kundërta.» Një motër që quhet Morena vendosi të bënte një kurs njëvjeçar për parukiere. Pse? Ajo thotë: «Kisha synim të shërbeja ku kishte më shumë nevojë. Prandaj zgjodha një kurs që do të më ndihmonte ta arrija këtë synim. Pas kursit punova si parukiere që të kurseja pará për transferimin. Dhe kur u transferova ku kishte më shumë nevojë, gjeta punë ngaqë kisha një zanat.» Irisi, që studioi më gjatë për t’u bërë dentiste, thotë: «Arsimimi shtesë mund të ketë disa avantazhe, por s’do të të sjellë kurrë sukses dhe lumturi të vërtetë. Formula është e thjeshtë: po ta mbash Jehovain në qendër të jetës, e ke të garantuar lumturinë dhe suksesin.» Pra, nëse miqësia me Jehovain është gjëja më e rëndësishme në jetën tonë, do të marrim vendime që sjellin lumturi të përhershme.

ANALIZO ARSIMIMIN

10. Si mund ta zbatojmë parimin e Ligjit të përtërirë 32:29 kur marrim vendime për arsimimin shtesë?

10 Mbase dëshiron të ndjekësh një kurs a shkollë të caktuar. Por ia vlen edhe të eksplorosh mundësi të ndryshme—qoftë në të njëjtën fushë, qoftë në fusha të tjera. (Krahaso Proverbat 18:17.) Sot ka alternativa arsimimi që nuk ekzistonin në të kaluarën, siç janë kurset online. Mos harro të shqyrtosh edhe nëse mund të sigurosh gjërat e nevojshme pa ndjekur arsimim të mëtejshëm. Për shembull, Johana nga Finlanda, nuk ndoqi arsimim shtesë. Ajo shprehet: «Pasi mbarova shkollën, fillova një punë part-time dhe shërbimin si pioniere. Kam bërë punë nga më të ndryshmet dhe kam parë se Jehovai e mban gjithmonë premtimin për të na siguruar çfarë na nevojitet.» Mbaj parasysh se të gjitha vendimet për arsimimin shtesë—nëse do ta vazhdosh apo jo dhe çfarë lloji do të zgjedhësh—kanë avantazhe dhe disavantazhe. Ndërsa peshon mundësitë, pyet veten: «Nga anon peshorja: nga avantazhet apo nga disavantazhet?» (Lexo Ligjin e përtërirë 32:29; 1 Kor. 10:23) Le të shohim disa faktorë që do të të ndihmojnë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje.

11. Pse duhet të shqyrtosh sa kohë do të të marrë çdo javë arsimimi? (Shih edhe figurat.)

11 Programi i javës. Mendo sa orë do të harxhosh çdo javë për të ndjekur leksionet, për praktikën dhe për detyrat e kursit. A do të të mbetet kohë për aktivitetet teokratike dhe për përgjegjësitë që ke në shtëpi? (Filip. 1:10) A do të jesh aq i lodhur nga studimet, sa të mos kesh fuqi të përgatitesh për mbledhje dhe të bësh studimin personal? Kështu ndodhi me Xherozin nga India. Ai thotë: «Mezi përqendrohesha gjatë aktiviteteve teokratike. Ndonjëherë nuk shkoja dot as në mbledhje. Kur kthej kokën pas, e kuptoj se nuk ia vlejti gjithë ajo kohë dhe energji që shpenzova për shkollën.» Por ka edhe programe arsimimi që nuk të hanë aq shumë kohë; ndoshta kanë orar më të shkurtër ose më pak detyra. Për shembull, Rebeka nga Mozambiku është e kënaqur me arsimimin që zgjodhi. Ajo thotë: «Kursi më merrte vetëm dy orë në ditë. Ndaj nuk e ndërpreva shërbimin si pioniere e rregullt.»

Kolazh: një vëlla po mendon nëse gjatë arsimimit shtesë do të arrijë të përmbushë edhe gjithë përgjegjësitë e tjera. 1. Ai shërben si mikrofonist gjatë mbledhjes. 2. Predikon nga shtëpia në shtëpi. 3. Punon si banakier. 4. Ndjek një orë mësimi në shkollë.

Nëse po mendon të arsimohesh më tej, sigurohu që do të kesh kohë për të gjitha përgjegjësitë e tjera të rëndësishme (Shih paragrafin 11)


12. Cilat pyetje duhet t’i bësh vetes që ta shfrytëzosh sa më mirë kohën? (Eklisiastiu 12:1)

12 Kohëzgjatja. Mendo sa muaj ose vite do të të duhen për të mbaruar shkollën. A do të jetë ky arsimim mënyra më e mirë për ta përdorur kohën? (Efes. 5:15-17) A do të mund t’i japësh maksimumin Jehovait sa je i ri, mbase duke shërbyer në kohë të plotë? (Lexo Eklisiastiun 12:1.) A ka programe arsimimi më të shkurtra për të njëjtën fushë? Për shembull, në disa shkolla profesionale mund të fitosh aftësitë e nevojshme në më pak kohë dhe me kosto më të ulët sesa në universitete. Mario nga Kili thotë: «Zgjodha një kurs dyvjeçar që kushtonte më pak se universiteti. Kisha mësim vetëm katër ditë në javë, ndaj mund të shërbeja edhe si pionier në të njëjtën kohë.»

13. Ç’mund të ndodhë nëse ndjek një shkollë larg shtëpisë?

13 Vendndodhja. Mbase ke mundësi të zgjedhësh një shkollë që është afër shtëpisë. Po nëse shkolla ndodhet në një qytet tjetër ose të duhet të jetosh në konvikt? Ki parasysh se po të jetosh me të afërm ose me të tjerë që s’janë Dëshmitarë, mund të vësh në rrezik miqësinë me Jehovain. (Prov. 22:3; 1 Kor. 15:33) Matiasi nga Mozambiku ndoqi një shkollë njëvjeçare që nuk kushtonte shumë. Megjithatë është bërë pishman për vendimin e tij. Pse? Ai thotë: «Shkolla ishte me konvikt dhe duhej të rrija gjithë kohën atje. Çdo ditë hasja tundime për të bërë gjëra të gabuara. Do t’i sugjeroja kujtdo që të zgjedhë një shkollë që s’të largon nga familja.» Një motër nga Rusia thotë: «Meqë jetova me prindërit dhe jo me studentë të tjerë ose në konvikt, shmanga shumë rreziqe e tundime.» Një alternativë tjetër mund të jetë të ndjekësh një kurs online.

14. Si mund të të ndihmojë parimi i Lukës 14:28 kur merr vendime për arsimimin shtesë?

14 Kostoja financiare. Disa shkolla dhe kurse nuk janë aq të shtrenjta ose koston e tyre mund ta mbulojë shteti. Në këto raste mund t’i fitosh aftësitë e nevojshme për të gjetur një punë pa shpenzuar një mal me pará. Por në raste të tjera, arsimimi shtesë kushton goxha. Mund të ketë edhe kosto shtesë, si pagesa për kurse private që të pranohesh në shkollë. Ndonjëherë studentët zhyten në borxhe që duhen vite të tëra për t’i shlyer. Adilsoni nga Mozambiku është bërë pishman për arsimimin që zgjodhi. Ai shprehet: «Familja mezi arrinte të blinte ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme ndërsa paguante për shkollën time 4-vjeçare.» Kur mendon për arsimimin shtesë, pyet veten: «Sa do të më kushtojë? A na e mban xhepi mua ose familjes? A ka ndonjë alternativë më të lirë? Nëse futem në borxh, sa kohë do të më duhet ta shlyej? A do të më dalë rroga në të ardhmen që të siguroj gjërat e nevojshme për veten dhe të paguaj borxhin?»—Lexo Lukën 14:28; Prov. 22:7.

15. Pse duhet të mendosh për mundësitë e punësimit para se të zgjedhësh arsimimin?

15 Mundësitë e punësimit. Mendo për tregun e punës aty ku jeton ose ku dëshiron të jetosh. A do të të ndihmojë vërtet të gjesh punë arsimimi që ke ndër mend të bësh? Disa kurse nuk të përgatitin shumë nga ana profesionale. Ato janë kryesisht teorike ose përqendrohen në tema intelektuale, akademike ose filozofike. (Kolos. 2:8) Një motër nga India thotë: «Arsimimi që zgjodha nuk më ndihmoi të zhvilloja aftësitë që kërkojnë punëdhënësit. Si pasojë, nuk gjeta dot punë në fushën që kisha studiuar.» Gjithashtu mund të ndodhë që nuk ka shumë mundësi punësimi në fushën për të cilën ke studiuar. Syblimi nga Republika e Afrikës Qendrore bëri një kurs për riparimin e kondicionerëve. Mirëpo, ai thotë: «Në vendin ku jetoj, shumica e njerëzve i riparojnë vetë gjërat, ndaj mund të jetë e vështirë të gjesh punë.»

16. Pse është e rëndësishme të mendosh për punën që do të bësh pas shkolle?

16 Mendo edhe për llojin e punës që ka të ngjarë të gjesh. A do të të sjellë kënaqësi? (Ekl. 3:12, 13) Si do të jetë ambienti i punës? A njihet si një punë me rreziqe, me konkurrencë ose me shumë stres? Sa paguhet zakonisht? A do të të mjaftojë rroga për t’u kujdesur për veten? A do të duhet të trajnohesh vazhdimisht për të mbajtur vendin e punës? Mbi të gjitha, a do të kesh mundësi ta mbash Jehovain në qendër të jetës tënde? (Ekl. 12:13) Kuptohet, nëse është e vështirë të gjesh punë, mbase nuk ke luksin të bësh naze. Por po të marrësh një vendim të mirë për arsimimin, do ta kesh më kollaj të gjesh punë në të ardhmen. Tabita nga India zgjodhi një kurs 6-mujor për rrobaqepëse. Ajo shprehet: «E mora këtë vendim sepse puna si rrobaqepëse do të më ndihmonte të shërbeja si pioniere. Në këtë zanat ka gjithmonë punë, orarin e kam vetë në dorë dhe nuk kërkon ndonjë investim kushedi.» Kursi e ndihmoi Tabitën të gjente një punë të mirë ndërsa shërbente si pioniere.

17. (a) Si mund të gjesh informacionin e duhur që të marrësh një vendim të mençur për arsimimin? (b) Cilat parime mund të të ndihmojnë? (Shih kutinë «Parime që duhen shqyrtuar».)

17 Në këtë artikull kemi parë disa faktorë që duhet të shqyrtojmë në lidhje me arsimimin. Po si mund ta gjesh informacionin e nevojshëm për të marrë një vendim të mençur? Mund të shkosh te shkolla ose të vizitosh faqen e saj të internetit. Interesohu edhe për ofertat e punësimit që ka në atë fushë. Gjithashtu mund të konsultohesh me ata që kanë bërë një shkollë të ngjashme ose që punojnë në të njëjtën fushë. (Prov. 13:10) Mund t’i pyesësh: «Cilat janë pluset dhe minuset e kësaj shkolle ose pune?» Fol me të tjerë që po i shërbejnë me gëzim Jehovait. (Prov. 15:22) Çfarë arsimimi ose pune sugjerojnë? Ata mund të të rekomandojnë ndonjë lloj pune që ndoshta s’të ka shkuar në mendje.

Parime që duhen shqyrtuar

  • Çfarë më motivon të ndjek arsimimin shtesë? (Mat. 6:33; 1 Tim. 6:8-10)

  • Sa kohë do të harxhoj çdo javë për shkollën dhe për detyrat? (Filip. 1:10)

  • Sa do të zgjatë ky arsimim? (Efes. 5:15-17)

  • Ku do të jetoj? (1 Kor. 15:33)

  • Sa do të kushtojë arsimimi? (Luka 14:28)

  • A do të më ndihmojë të gjej një punë që të siguroj gjërat e nevojshme dhe të mbaj në vend të parë adhurimin e Jehovait? (Ekl. 12:13)

18. Çfarë nuk duhet të harrojmë?

18 Siç diskutuam, arsimimi shtesë ka avantazhe dhe disavantazhe. Ndaj lutu dhe mendoji mirë opsionet. Mos harro: ndonëse arsimimi shtesë mund të të japë njëfarë stabiliteti ekonomik, lumturia e vërtetë vjen vetëm nga miqësia e ngushtë me Jehovain. (Psal. 16:9, 11) Jehovai do të kujdeset gjithnjë për shërbëtorët e tij, pavarësisht nga niveli i arsimimit që kanë. (Hebr. 13:5) Po nëse ke vendosur të ndjekësh arsimimin shtesë? Ç’mund të të ndihmojë të qëndrosh afër Jehovait gjatë studimeve? Për këtë do të flasim në artikullin tjetër.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Sipas Galatasve 6:5, kujt i takon vendimi për të ndjekur ose jo arsimim shtesë?

  • Si duhet ta shohim arsimimin shtesë?

  • Cilët faktorë duhet të shqyrtojmë kur vendosim nëse do të vazhdojmë arsimimin shtesë?

KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës

a SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në këtë artikull dhe në tjetrin, shprehja «arsimim shtesë» nënkupton çfarëdo arsimimi ose kursi që mund të ndiqet pas arsimimit bazë që siguron shteti. Këtu përfshihen universitetet, trajnimet, shkollat teknike, shkollat profesionale, kurset dhe të tjera si këto.

b Në të kaluarën, botimet tona rekomandonin që Dëshmitarët të mos e ndiqnin universitetin. Për shembull, artikulli «Prindër: Ç’të ardhme doni për fëmijët tuaj?» në Kullën e Rojës të 1 tetorit 2005, fliste për rreziqet e arsimit të lartë. Megjithëse këto rreziqe ekzistojnë akoma, vendimi për arsimimin shtesë është një vendim personal. Çdo Dëshmitar i rritur—dhe në rastin e fëmijëve të mitur, çdo kryefamiljar—duhet të lutet dhe të peshojë parime nga Bibla e faktorë të tjerë para se të marrë një vendim. Asnjë adhurues i Jehovait—ku përfshihen edhe pleqtë—nuk duhet ta gjykojë vendimin personal të një vëllai a motre.—Jak. 4:12.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo