Apokalipsi: Ta kemi frikë apo të shpresojmë për të?
«Sot Apokalipsi nuk është thjesht një përshkrim biblik, por është bërë një mundësi shumë reale.»—Havier Pérez de Kuélar, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
KY PËRDORIM i fjalës «apokalips» nga një figurë e shquar botërore pasqyron mënyrën se si e kuptojnë shumica e njerëzve këtë fjalë dhe si e shohin të përdorur nëpër tituj filmash e librash, nëpër artikuj revistash dhe raporte gazetash. Ajo krijon në imagjinatë vizione të një kataklizme universale. Por çfarë do të thotë në të vërtetë fjala «apokalips»? Dhe, ç’është më e rëndësishmja, cili është mesazhi që përmban libri biblik i quajtur Apokalips ose Zbulesë?
Fjala «apokalips» vjen nga një term grek që do të thotë «zbulim» ose «nxjerrje në shesh». Çfarë u nxor në shesh ose u zbulua në Zbulesën biblike? A ishte vetëm një mesazh dënimi, paralajmërim për një shfarosje pa asnjë të mbijetuar? Kur u pyet se çfarë mendonte për Apokalipsin, historiani Zhan Dëlymo, anëtar i Institut de France, deklaroi: «Është një libër që të jep ngushëllim dhe shpresë. Njerëzit e kanë dramatizuar përmbajtjen e tij, duke u përqendruar në episodet katastrofike që përmban.»
Kisha e hershme dhe Apokalipsi
Si e konsideronin «të krishterët» e hershëm Apokalipsin dhe shpresën që gjendet aty, për Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit (Mijëvjeçarin) mbi tokë? I njëjti historian pohoi: «Të krishterët e shekujve të parë më duken në përgjithësi se kanë pasur besim te Mijëvjeçari. . . . Mes të krishterëve të shekujve të parë që besonin te Mijëvjeçari dalloheshin: Papiasi, peshkop i Hierapolisit në Azinë e Vogël, . . . Shën Justini, i lindur në Palestinë dhe i martirizuar në Romë rreth vitit 165, Shën Ireneu, peshkop i Lionit, i cili vdiq në vitin 202, Tertuliani që vdiq në vitin 222 dhe . . . shkrimtari i madh, Laktanci.»
Për sa i përket Papiasit, i cili thuhet se u martirizua në Pergam, në vitin 161 ose 165 të erës sonë, The Catholic Encyclopedia pohon: «Peshkopi Papias i Hierapolisit, një dishepull i Shën Gjonit, u shfaq si përkrahës i besimit te Mijëvjeçari. Ai pohoi se e kishte marrë doktrinën e vet nga bashkëkohësit e Apostujve dhe Ireneu tregon se ‘pleqtë’ e tjerë, të cilët kishin parë dhe dëgjuar dishepullin Gjon, mësuan prej tij besimin te Mijëvjeçari si pjesë e doktrinës së Zotërisë. Sipas Eusebit . . . Papiasi në librin e tij pohonte se ringjallja e të vdekurve do të pasohej nga një mijë vjet të një mbretërie të dukshme e të lavdishme tokësore të Krishtit.»
Çfarë tregon kjo rreth efektit që pati libri i Apokalipsit ose i Zbulesës te besimtarët e hershëm? Kishte frymëzuar frikë apo shpresë? Është interesante se historianët i quajnë të krishterët e hershëm kiliastë, nga fjalët greke kiʹlia eʹte (një mijë vjet). Po, shumë prej tyre njiheshin se besonin në Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit, i cili do të sillte kushte parajsore në tokë. I vetmi vend në Bibël ku përmendet në mënyrë specifike shpresa e Mijëvjeçarit është Apokalipsi ose Zbulesa. (Zb 20:1-7) Kështu, në vend që t’i frikësonte besimtarët, Apokalipsi u dha atyre një shpresë të mrekullueshme. Në librin e tij, Early Church and the World, profesori i fesë në Oksford, Sesil Kadu shkruan: «Disa prej autorëve më të respektuar i kanë mësuar pikëpamjet kiliastike, të cilat, edhe pse më vonë u hodhën poshtë, vazhduan gjerësisht në Kishë për një periudhë të konsiderueshme.»
Përse u hodh poshtë shpresa e Apokalipsit?
Meqë është një fakt i pamohueshëm historik se shumë të krishterë të hershëm, për të mos thënë pjesa më e madhe e tyre, shpresonin te Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit mbi një tokë parajsore, si ndodhi që këto «pikëpamje kiliastike» «më vonë u hodhën poshtë»? Njëfarë kritike erdhi me të drejtë, sepse, siç e theksoi studiuesi Robert Mauns, «mjerisht, shumë kiliastë lejuan që imagjinata e tyre të harbohej dhe futën në periudhën mijëvjeçare çdo lloj ekstremi kënaqësish dhe materialist». Gjithsesi, këto pikëpamje ekstremiste mund të ishin korrigjuar, pa hedhur poshtë shpresën e vërtetë të Mijëvjeçarit.
Mjetet e përdorura nga kundërshtarët për të shtypur besimin te Mijëvjeçari ishin vërtet të habitshme. Dictionnaire de Théologie Catholique thotë se kleriku Kajus (nga fundi i shekullit të dytë dhe fillimi i shekullit të tretë), «për të mposhtur besimin te Mijëvjeçari, mohoi prerazi autenticitetin e Apokalipsit [Zbulesës] dhe të Ungjillit të Shën Gjonit». Ky fjalor pohon më tej se Dionisi, peshkopi i Aleksandrisë në shekullin e tretë, shkroi një traktat kundër besimit te Mijëvjeçari, ku «nuk ngurroi ta mohonte autenticitetin e Apokalipsit të Shën Gjonit, me qëllim që të mos lejonte ata që i përmbaheshin këtij opinioni, ta bazonin bindjen e tyre në këtë libër». Ky kundërshtim keqdashës ndaj shpresës së bekimeve të Mijëvjeçarit në tokë, dëshmon për një ndikim të padukshëm që ishte në veprim mes teologëve të asaj kohe.
Në librin e tij, The Pursuit of the Millennium, profesori Norman Kohn shkruan: «Përpjekjet e para për ta diskredituar besimin te Mijëvjeçari u panë në shekullin e tretë, kur Origjeni, i cili ndoshta ka qenë teologu më me influencë i Kishës së lashtë, filloi ta paraqiste Mbretërinë si ngjarje që do të ndodhte jo në një periudhë a në një kohë të caktuar, por vetëm në shpirtin e besimtarëve.» Duke u mbështetur në filozofinë greke në vend të Biblës, Origjeni ia uli efektin shpresës së mrekullueshme të bekimeve tokësore nën Mbretërinë Mesianike, duke e kthyer atë në një «ngjarje [të pakuptueshme] . . . në shpirtin e besimtarëve». Autori katolik Leon Gri shkroi: «Ndikimi mbizotërues i filozofisë greke . . . solli gradualisht rënien e ideve kiliastike.»
«Kisha e ka humbur mesazhin e saj të shpresës»
Pa dyshim, Agustini qe Ati i Kishës që bëri pjesën më të madhe për ta shkrirë filozofinë greke me atë që në kohën e tij ishte vetëm një dukje e krishterimit. Edhe pse fillimisht ishte përkrahës i flaktë i besimit te Mijëvjeçari, së fundi ai hodhi poshtë çdo mendim për një Mbretërim të ardhshëm Mijëvjeçar të Krishtit mbi tokën. Ai i dha kapitullit 20 të Zbulesës një kuptim të shtrembëruar alegorik.
The Catholic Encyclopedia thotë: «Përfundimisht Agustini përvetësoi bindjen se nuk do të ketë asnjë mijëvjeçar. . . . Ai tha se ringjallja e parë, për të cilën flet ky kapitull, i referohet rilindjes frymore pas pagëzimit; sabati prej një mijë vjetësh, pas gjashtë mijë vjetëve të historisë, është e gjithë jeta e përjetshme.» The New Encyclopædia Britannica pohon: «Besimi alegorik i Agustinit te Mijëvjeçari u bë doktrina zyrtare e kishës . . . Reformuesit protestantë luteranë, kalvinistë dhe anglikanë . . . mbetën fortësisht të lidhur me pikëpamjet e Agustinit.» Kështu, anëtarët e kishave të të ashtuquajturit krishterim ngelën pa shpresën e Mijëvjeçarit.
Për më tepër, sipas teologut zviceran, Frederik dë Ruzhmo, «duke hedhur poshtë besimin e tij fillestar te mbretërimi mijëvjeçar, [Agustini] i shkaktoi dëme të pallogaritshme Kishës. Me autoritetin shumë të madh të emrit të tij, ai miratoi një gabim që e privoi [Kishën] nga ideali i saj tokësor». Teologu gjerman, Adolf Harnak ishte dakord se hedhja poshtë e besimit te Mijëvjeçari i privoi njerëzit e thjeshtë nga «feja që e kuptonin», duke zëvendësuar «besimin e mëparshëm dhe shpresat e mëparshme» me «një besim që ata nuk mund ta kuptonin». Në shumë vende, kishat e sotme të boshatisura janë një provë e qartë se njerëzit kanë nevojë për një besim dhe një shpresë të cilën mund ta kuptojnë.
Në librin e tij, Highlights of the Book of Revelation, studiuesi biblik Xhorxh Bizli-Mërrej shkroi: «Kryesisht ndikimi shumë i madh i Agustinit nga njëra anë dhe përvetësimi i besimit te Mijëvjeçari nga sektet e ndryshme në anën tjetër, ka bërë që katolikët dhe protestantët të bashkohen për ta hedhur poshtë këtë besim. Kur i pyesin se çfarë shprese alternative kanë ata për njerëzit në këtë botë, përgjigjja zyrtare është: as edhe një shpresë. Bota do të shkatërrohet me ardhjen e Krishtit, për t’i lënë vendin një parajse dhe ferri të përjetshëm, në të cilët historia do të harrohet. . . . Kisha e ka humbur mesazhin e saj të shpresës.»
Shpresa e mrekullueshme e Apokalipsit është ende e gjallë!
Nga ana e tyre, Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se premtimet e mrekullueshme në lidhje me Mijëvjeçarin do të përmbushen. Kur e intervistuan në një program televiziv francez, me temën «Viti 2000: frika nga Apokalipsi», historiani francez Zhan Dëlymo pohoi: «Dëshmitarët e Jehovait po ndjekin me përpikmëri drejtimin e besimit te Mijëvjeçari, sepse ata thonë që së shpejti . . . do të hyjmë, edhe pse nëpërmjet kataklizmave, në një periudhë njëmijëvjeçare me lumturi.»
Kjo është pikërisht ajo që pa apostulli Gjon në një vizion dhe që e përshkroi në librin e tij, Apokalipsi ose Zbulesa. Ai shkroi: «Pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri . . . Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ‘Ja! Tabernakulli i Perëndisë me njerëzit dhe ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:1, 3, 4.
Dëshmitarët e Jehovait janë angazhuar në një vepër mbarëbotërore arsimimi biblik, për t’u dhënë mundësi sa më shumë njerëzve që ta përqafojnë këtë shpresë. Ata do të të ndihmojnë me kënaqësi të mësosh më shumë për këtë shpresë.
[Figura në faqen 6]
Papiasi pohoi se e kishte marrë doktrinën e Mijëvjeçarit drejtpërdrejt nga bashkëkohësit e apostujve
[Figura në faqen 7]
Tertuliani besonte te Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit
[Burimi]
© Cliché Bibliothèque Nationale de France, Paris
[Figura në faqen 7]
«Duke hedhur poshtë besimin e tij fillestar te mbretërimi mijëvjeçar, [Agustini] i shkaktoi dëme të pallogaritshme Kishës»
[Figura në faqen 8]
Toka parajsore, e premtuar te Apokalipsi, është diçka për të cilën duhet të shpresojmë me zjarr