Ata bënë vullnetin e Jehovait
Një ofertë vullnetare për të çuar përpara adhurimin e pastër
IZRAELITËT qenë dëshmitarë okularë të fuqisë shpëtuese të Jehovait. Ata panë ndarjen e mrekullueshme të ujërave të Detit të Kuq, gjë që u lejoi ta kapërcenin detin në tokë të thatë dhe të shpëtonin nga ushtria egjiptiane. Kur kaluan në anën tjetër, ata panë nga një distancë e sigurt sesi të njëjtat ujëra binin rrëmbyeshëm mbi ndjekësit e tyre. Jehovai u kishte shpëtuar jetën!—Eksodi 14:21-31.
Por mjerisht, disa izraelitë nuk e vlerësuan sa ç’duhej atë që kishte bërë Perëndia i tyre. Ndërsa Moisiu ishte në malin Sinai, ata i paraqitën Aaronit bizhuteritë e tyre prej ari dhe kërkuan që t’u bënte një idhull për ta adhuruar. Kur u kthye, Moisiu e gjeti këtë turmë rebelësh duke ngrënë, duke pirë, duke vallëzuar dhe duke iu përkulur një viçi të artë. Me urdhrin e Jehovait, u vranë rreth 3.000 veta, që ndoshta ishin nxitësit kryesorë të rebelimit. Atë ditë, populli i Perëndisë mori një mësim të rëndësishëm rreth nevojës për t’i dhënë Jehovait devocion ekskluziv.—Eksodi 32:1-6, 19-29.
Jo shumë kohë pas këtij incidenti, Moisiu u përgatit për të zbatuar urdhrin e Perëndisë lidhur me ndërtimin e një tabernakulli, të një tende adhurimi që mund të transportohej. Ky projekt ndërtimi do të kërkonte materiale të kushtueshme dhe punëtorë të kualifikuar. Nga do të vinin këto? Veç kësaj, çfarë mund të mësojmë ne nga ky tregim biblik?
Kontribut në materiale dhe aftësi
Nëpërmjet Moisiut, Jehovai i urdhëroi izraelitët: «Merrni ndërmjet jush një ofertë për Zotin. Kushdo që ka zemër bujare do t’i çojë një ofertë Zotit.» Çfarë lloj oferte ose kontributi? Mes materialeve që radhiti Moisiu kishte ar, argjend, bakër, fije, stofra, lëkurë, dru dhe gurë të çmuar.—Eksodi 35:5-9.
Izraelitët kishin mjete mëse të mjaftueshme për të bërë një kontribut kaq bujar. Mos harro, kur u larguan nga Egjipti, ata morën me vete sende prej ari dhe argjendi, bashkë me shumë veshje. Në fakt, ata «i zhveshën egjiptianët».a (Eksodi 12:35, 36) Më parë, izraelitët i kishin shkrirë me gatishmëri bizhuteritë e tyre për të bërë një idhull për adhurimin e rremë. A do të tregoheshin tani po kaq të gatshëm për të bërë një ofertë për çuarjen përpara të adhurimit të vërtetë?
Vër re se Moisiu nuk vendosi një sasi të përcaktuar të asaj që duhet të jepte gjithsecili dhe as nuk përdori ndjenjat e fajit ose të turpit për të motivuar dhënien. Në vend të kësaj, ai thjesht i bëri thirrje ‘kujtdo me zemër bujare’. Nga sa duket, Moisiu nuk e pa të nevojshme të detyronte popullin e Perëndisë. Ai ishte i sigurt se secili do të jepte gjithçka që ai ose ajo mundej.—Krahaso 2. Korintasve 8:10-12.
Megjithatë, projekti i ndërtimit do të kërkonte më tepër sesa dhurimin e materialeve. Jehovai u tha, gjithashtu, izraelitëve: «Kushdo ndërmjet jush që është i aftë, le të vijë dhe të bëjë tërë ato gjëra që Zoti ka urdhëruar.» Pra, ky projekt ndërtimi kërkonte punë me mjeshtëri. Në fakt, për të përfunduar këtë projekt do të duheshin «gjithfarë aftësish», duke përfshirë punimin e drurit, punimin e metaleve dhe të gurëve të çmuar. Sigurisht, Jehovai do t’i drejtonte talentet e punëtorëve dhe me të drejtë merita për suksesin e projektit do t’i shkonte atij.—Eksodi 35:10, 30-35; 36:1, 2.
Izraelitët iu përgjigjën me zell ftesës për të dhënë si nga burimet e tyre financiare, ashtu edhe nga aftësitë. Tregimi biblik thotë: «Tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën e tyre Zotit për veprën e çadrës së mbledhjes, për të gjitha shërbimet e tij dhe për rrobat e shenjta. Erdhën burra dhe gra, ata që kishin zemër bujare.»—Eksodi 35:21, 22.
Mësim për ne
Sot, vepra madhështore e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë kryhet me anë të kontributeve vullnetare. Shpeshherë, këto kontribute janë monetare. Në raste të tjera, vëllezërit e krishterë dhe motrat e krishtere përdorin bagazhin e madh të përvojës së tyre, duke ndihmuar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asambleve dhe të ndërtesave të degës. Gjithashtu, është puna që bëhet në më shumë se njëqind shtëpitë Bethel përreth botës, punë që përfshin shumë aftësi të ndryshme. Të gjithë personat me zemër bujare që kanë bërë këto oferta mund të jenë të sigurt se Jehovai nuk do ta harrojë punën e tyre të palodhur!—Hebrenjve 6:10.
E njëjta gjë thuhet për pjesën që bën secili prej nesh në shërbimin e krishterë. Të gjithë janë të nxitur për të blerë kohë, që të kenë një pjesëmarrje të zellshme në predikim. (Mateu 24:14; Efesianëve 5:15-17) Disa e bëjnë këtë si ungjilltarë në kohë të plotë ose pionierë. Për shkak të rrethanave, të tjerë nuk kanë mundësi të dedikojnë po aq kohë në shërbim sa një pionier. Megjithatë, edhe ata po e kënaqin Jehovain. Ashtu si me kontributet për tabernakullin, Jehovai nuk specifikon ndonjë sasi të caktuar që duhet të japë gjithsecili. Gjithsesi, ajo çka kërkon ai është që secili prej nesh t’i shërbejë me gjithë zemër, shpirt, mendje dhe forcë. (Marku 12:30) Nëse po e bëjmë këtë, mund të jemi të sigurt se ai do të na shpërblejë për ofertat vullnetare që bëjmë për të çuar përpara adhurimin e vërtetë.—Hebrenjve 11:6.
[Shënimi]
a Kjo nuk ishte vjedhje. Izraelitët u kërkuan egjiptianëve kontribute dhe këta ua dhanë lirisht. Përveç kësaj, meqë egjiptianët pikësëpari nuk kishin pasur të drejtë të mbanin në skllavëri Izraelin, ata kishin detyrimin t’i jepnin popullit të Perëndisë pagën për vitet e punës robtuese që këta kishin bërë.