Toka frytdhënëse e fisit venda
PËR dhjetë vitet e kaluara, së bashku me gruan time, kemi shërbyer si ungjillëzues në kohë të plotë mes banorëve të fisit venda. Populli venda banon në jug të lumit Limpopo, në veri të Afrikës së Jugut dhe kombi i tyre është i përbërë nga një numër fisesh që kapërcyen Limpopon gjatë shekujve të kaluar. Disa banorë venda deklarojnë se etërit e tyre u vendosën këtu mbi 1.000 vjet më parë.
Në fakt, ky rajon njëherë e një kohë ka qenë pjesë e një civilizimi të vjetër të quajtur mbretëria Mapungubve. Kjo mbretëri ishte ngulimi i parë i madh qytetar i Afrikës së Jugut dhe kontrollonte luginën e gjerë të lumit Limpopo, që nga Botsvana në perëndim e deri në Mozambik në lindje. Duke filluar aty nga viti 900 i e.s. e deri në vitin 1100 të e.s., Mapungubve i furnizoi tregtarët arabë me fildish, bri rinoceronti, lëkurë kafshësh, bakër e madje edhe me ar. Në një kodërvarr mbretëror të quajtur Mapungubve janë gjetur objekte të gdhendura me mjeshtëri dhe të veshura me ar. Një enciklopedi sugjeron se këto objekte janë mes «treguesve më të hershëm të gërmimit të arit në Afrikën Jugore».
Këtu nuk gërmohet më për ar. Sot, toka e fisit venda njihet shumë për faktin se është frytdhënëse. Në jug të maleve Sotpansberg shtrihet një luginë e bleruar, ku rriten me bollëk fruta të tilla, si: avokado, banane, mango dhe guajava. Përveç arrave të tilla si hikoria dhe makadamia, ka edhe një gamë të gjerë perimesh. Këtu përfshihet muroho e egër, e cila ka shijen e spinaqit dhe pëlqehet shumë nga vendasit.
Banorët venda janë paqësorë dhe mikpritës. Nuk është e pazakontë që kreu i shtëpisë të urdhërojë që të gatuhet një pulë për një mysafir të papritur. Pula hahet e shoqëruar me busva, ushqimi bazë që bëhet me misër të ëmbël. Pas vizitës, kreu i familjes do të bëjë pak rrugë bashkë me mysafirin e tij. Kjo është mënyra tradicionale për t’i treguar respekt një vizitori. Fëmijëve u mësohet t’i përshëndetin vizitorët në një mënyrë të hijshme, duke u përkulur dhe duke rrëshqitur njërën dorë mbi tjetrën. Në këtë faqe mund të shihni dy gra venda që përshëndeten në këtë mënyrë tradicionale.
Një gjuhë e vështirë
Gjuha venda nuk është e lehtë për t’u zotëruar nga njerëzit me origjinë evropiane. Një vështirësi është se shumë fjalë shkruhen njësoj, por shqiptohen ndryshe. Një ditë, ndërsa po mbaja një fjalim biblik në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait në gjuhën venda, po përpiqesha ta inkurajoja auditorin që të fliste me çdo njeri. Një person në auditor nuk mundi ta mbante të qeshurën, sepse në vend se të thosha «person më person» unë kisha thënë «gisht më gisht».
Kur u përpoqa për herën e parë të flitja në gjuhën venda në veprën e dëshmisë publike, një zonjë venda më tha: «Unë nuk flas anglisht.» Unë mendoja se kisha folur mirë në gjuhën venda, por ajo mendoi se kisha folur anglisht! Në një rast tjetër, kur iu afrova një shtëpie, i kërkova një djaloshi të thërriste kreun e familjes. Fjala në gjuhën venda për kryefamiljar është tho’ho. Gabimisht unë kisha thënë thoho’, duke kërkuar të flitja me majmunin e shtëpisë! Gabimet si ky më shkurajonin, por me qëndrueshmëri, si unë, ashtu edhe gruaja ime tani kemi mundësi të bisedojmë pak a shumë mirë në gjuhën venda.
Fryte frymore
Toka e fisit venda po provon se është frytdhënëse edhe në kuptimin frymor. Në vitet 50, mes emigrantëve që kishin ardhur nga vendet fqinjë për të punuar në minierën e bakrit në Mesinë, u formua një kongregacion i Dëshmitarëve të Jehovait. Aktiviteti i tyre i zellshëm u hapi rrugën shumë banorëve venda drejt të vërtetave biblike. Një dekadë më vonë, një grup Dëshmitarësh venda po mbanin mbledhje në një shtëpi private në qytetin Sibasa.
Për ta shpejtuar rritjen, dega e Shoqatës Watch Tower në Afrikën e Jugut dërgoi ungjillëzues në kohë të plotë në këtë fushë frytdhënëse. Shumë shpejt, grupi i Sibasas ishte bërë një kongregacion i madh. Në atë kohë mbledhjet e krishtere mbaheshin në një klasë shkolle. Megjithatë, me ndihmën e Dëshmitarëve të Jehovait në zonën e Pitersburgut rreth 160 kilometra në jug, u ndërtua një Sallë Mbretërie në Thohojandou, një qytet fqinj.
Popullsia e gjuhës venda në veri të Afrikës së Jugut numëron mbi 500.000 banorë. Kur filloi vepra e predikimit të Mbretërisë në këtë vend, në vitet 50, nuk kishte Dëshmitarë venda. Tani janë më shumë se 150 të tillë. Por, ka ende shumë zona të paprekura dhe shumë punë për të bërë. Në vitin 1989 filluam të vizitonim një fshat me banorë venda të quajtur Hamutsha. Në atë kohë, atje banonte vetëm një Dëshmitar. Tani në atë fshat banojnë më shumë se 40 lajmëtarë të Mbretërisë. Në këto momente jemi angazhuar duke përfunduar Sallën tonë të Mbretërisë, edhe një herë falë ndihmës së Dëshmitarëve nga kongregacioni i Pitersburgut dhe kontributeve financiare nga vëllezërit në vendet më të pasura.
Ne jetojmë në një rulotë (një dhomë e vogël e rimorkiuar) në një fermë. Duke e mbajtur jetën të thjeshtë, kemi më shumë kohë për të arritur njerëzit vendas me lajmin e mirë. (Marku 13:10) Si rezultat, jemi bekuar në mënyrë të pasur me privilegjin për të ndihmuar shumë persona që t’ia dedikojnë jetën Perëndisë Jehova. Një shembull është një burrë me emrin Majkëll, i cili e pa librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën mbi tokë në shtëpinë e një miku.a Ai filloi ta lexonte dhe menjëherë e kuptoi të vërtetën. Kështu, i shkroi Shoqatës Watch Tower për më shumë literaturë biblike. Në letrën e tij, Majklli shpjegonte se kohët e fundit ishte pagëzuar si anëtar i një kishe vendase apostolike. «Kam zbuluar,—shkroi ai,—se kam marrë rrugën e gabuar për në Mbretërinë e Perëndisë. Kam vendosur të bëhem një nga anëtarët tuaj, por nuk e di se si.» Pastaj kishte shënuar adresën dhe kishte kërkuar që të dërgonin një Dëshmitar të Jehovait për ta ndihmuar. Unë e gjeta se ku banonte Majklli dhe fillova një studim biblik me të. Sot, ai është një Dëshmitar i pagëzuar dhe i shërben me besnikëri Jehovait.
Në dhjetor të vitit 1997, morëm pjesë në Kongresin Krahinor «Besim në Fjalën e Perëndisë» që mbajtën Dëshmitarët e Jehovait në një stadium në Thohojandou. Kishte 634 të pranishëm dhe u pagëzuan 12 persona. Pata privilegjin të mbaja dy fjalime në gjuhën venda. Kjo ishte vërtet një pikë e rëndësishme në dekadën e lumtur që kemi kaluar në këtë tokë frytdhënëse!—Kontribut nga një lexues.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.