BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/3 f. 4-7
  • Familje të suksesshme me njerk apo njerkë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Familje të suksesshme me njerk apo njerkë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Cilësia themelore
  • Prindi natyror
  • Disiplina: Një çështje delikate
  • Prindërit duhet të komunikojnë
  • Të forcojmë unitetin e familjes
  • Problemet e veçanta të familjeve me njerk apo njerkë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Ç’të bëj kur njëri nga prindërit martohet përsëri?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
  • Si të përshtatem kur njëri nga prindërit martohet përsëri?
    Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, Vëllimi 1
  • Vështirësitë unike të familjeve me njerk
    Zgjohuni!—2012
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/3 f. 4-7

Familje të suksesshme me njerk apo njerkë

A MUND TË JENË TË SUKSESSHME FAMILJET ME NJERK APO NJERKË? PO, VEÇANËRISHT NËSE TË GJITHË ATA QË PËRFSHIHEN NË KËTË SITUATË MBAJNË NË MEND se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi». (2. Timoteut 3:16) Kur të gjithë zbatojnë parimet e Biblës, suksesi është pothuajse i sigurt.

Cilësia themelore

Bibla ka vetëm pak ligje të mirëfillta për të udhëhequr marrëdhëniet njerëzore. Më shumë ajo inkurajon kultivimin e cilësive dhe qëndrimeve të mira, të cilat na udhëheqin për të vepruar me mençuri. Këto qëndrime dhe cilësi të mira janë baza për një jetë të lumtur familjare.

Mund të duket se është e qartë, por gjithsesi ia vlen të themi se cilësia themelore që duhet për një familje të suksesshme është dashuria. Apostulli Pavël tha: «Dashuria le të mos jetë me hipokrizi. . . . Duani njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore.» (Romakëve 12:9, 10) Fjala «dashuri» shumë herë keqpërdoret, por cilësia së cilës i referohet Pavli këtu është e veçantë. Ajo është dashuri hyjnore dhe «nuk dështon kurrë». (1. Korintasve 13:8, BR) Bibla e përshkruan atë si altruiste dhe gati për të shërbyer. Ajo vepron në mënyrë aktive për të mirën e të tjerëve. Është e duruar dhe dashamirëse, nuk bëhet kurrë xheloze, mburravece ose e krekosur. Ajo nuk kërkon përfitimin e vet. Është gjithnjë gati të marrë parasysh rrethanat, të besojë, të shpresojë dhe të durojë çfarëdo gjëje që të lindë.—1. Korintasve 13:4-7.

Dashuria e sinqertë ndihmon për të sheshuar dallimet dhe bashkon njerëz me edukim dhe personalitete shumë të ndryshme. Ajo ndihmon edhe për t’u bërë ballë pasojave dërrmuese të një divorci ose të vdekjes së një prindi natyror. Një burrë që u bë njerk përshkruan problemet e tij që janë shumë reale: «Shpesh isha tepër i shqetësuar me ndjenjat e mia për të analizuar ndjenjat e fëmijëve të gruas sime ose edhe ndjenjat e gruas sime. M’u desh të mësoja të isha më pak i ndjeshëm. E ç’është më e rëndësishme, m’u desh të mësoja të isha i përulur.» Dashuria e ndihmoi atë për të bërë ndryshimet e duhura.

Prindi natyror

Dashuria mund të ndihmojë në trajtimin e marrëdhënies së fëmijëve me prindin e tyre natyror që tani mungon. Një njerk pranon: «Doja të zija vendin e parë në ndjenjat e fëmijëve të gruas sime. Kur ata shkonin të vizitonin babanë e tyre natyror, e kisha të vështirë t’i rezistoja tundimit për ta kritikuar atë. Kur ktheheshin pas një dite të këndshme me të, ndihesha përtokë. Kur kalonin një ditë të keqe, isha më se i lumtur. Në fakt, kisha frikë se mos i humbja. Një nga gjërat më të vështira ishte të kuptoja dhe të pranoja rëndësinë e rolit që kishte babai natyror në jetën e fëmijëve të gruas sime.»

Dashuria e sinqertë e ndihmoi këtë njerk që të përballonte faktin se nuk ishte realiste të priste dashuri «të menjëhershme». Ai nuk duhej të ndihej i hedhur poshtë, kur fëmijët nuk e pranuan menjëherë. Ai arriti të kuptonte se mund të mos e zëvendësonte kurrë plotësisht babanë natyror në zemrat e fëmijëve të tij. Fëmijët e kishin njohur babanë natyror që nga ditët e para të jetës së tyre, kurse njerku ishte një i sapoardhur, të cilit do t’i duhej të punonte për të fituar dashurinë e fëmijëve. Kërkuesja Elizabet Ajnshtajn tregon përvojën e shumë vetave kur thotë: «Prindi natyror nuk mund të zëvendësohet kurrë, kurrë. Edhe një prind që ka vdekur ose që i ka braktisur fëmijët, ka një vend të rëndësishëm në jetën e tyre.»

Disiplina: Një çështje delikate

Bibla tregon se disiplina e dashur është thelbësore për të rinjtë dhe se kjo disiplinë përfshin edhe fëmijët e gjetur. (Fjalët e urta 8:33) Një numër profesionistësh po i afrohen asaj që thotë Bibla në lidhje me këtë çështje. Profesoresha Sirez Alves de Araozho tha: «Prej natyre, askujt nuk i pëlqejnë kufizimet, por ato janë të nevojshme. ‘Jo’ është një fjalë që përdoret për t’u mbrojtur.»

Megjithatë, në një familje me njerk apo njerkë pikëpamjet mbi disiplinën mund të çojnë në përçarje të rënda. Fëmijët e gjetur janë modeluar pjesërisht nga një i rritur që tani mungon. Ka të ngjarë që ata të kenë huqe ose zakone që mund ta irritojnë njerkun apo njerkën. Ka mundësi që ata të mos e kuptojnë se përse njerku apo njerka i merr disa çështje kaq seriozisht. Si mund të trajtohet me sukses kjo situatë? Pavli u bën thirrje të krishterëve: «Ndiqni . . . dashurinë, qëndrueshmërinë, butësinë e temperamentit.» (1. Timoteut 6:11, BR) Dashuria e krishterë ndihmon si njerkun apo njerkën, ashtu edhe fëmijët, për të qenë të butë dhe të durueshëm, ndërsa mësojnë të kuptojnë njëri-tjetrin. Nëse njerku apo njerka është i paduruar, ‘inati, zemërimi dhe i foluri fyes’ mund ta shkatërrojnë me shpejtësi çdo marrëdhënie që mund të jetë krijuar.—Efesianëve 4:31, BR.

Mendjehollësi në lidhje me atë që mund të ndihmojë në këtë aspekt u sigurua nga profeti Mikea. Ai tha: «Çfarë kërkon Jehovai nga ti, përveçse të ushtrosh drejtësinë e të duash dashamirësinë dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?» (Mikea 6:8, BR) Drejtësia është jetësore kur jepet disiplina. Por, çfarë të themi për dashamirësinë? Një plak i krishterë tregon se shpesh kishte vështirësi për t’i ngritur fëmijët e tij të gjetur të dielave në mëngjes, që të merrnin pjesë në adhurimin në kongregacion. Në vend se t’i qortonte, ai u përpoq të tregonte dashamirësi. Ngrihej vetë herët në mëngjes, përgatiste mëngjesin e pastaj i çonte secilit prej tyre ndonjë gjë të ngrohtë për të pirë. Si rezultat, ata ishin shumë më të prirur t’ia vinin veshin kërkesës së tij për t’u ngritur nga shtrati.

Profesoresha Ana Luiza Vieira de Matos bëri këtë koment interesant: «Nuk është lloji i familjes ajo që ka më shumë rëndësi, por cilësia e marrëdhënies. Në studimet që kam bërë, kam vërejtur se të rinjtë që kanë probleme me sjelljen pothuaj gjithmonë vijnë nga familje ku mbikëqyrja prindërore ishte e dobët, ku mungonin rregullat dhe komunikimi.» Ajo tha, gjithashtu: «Asnjëherë nuk mund të thuhet mjaft se rritja e fëmijëve nënkupton edhe nevojën për të thënë jo.» Përveç kësaj, dr. Emili dhe dr. Xhon Visher thonë: «Kryesisht, disiplina hyn në veprim vetëm kur ai që e merr disiplinën, do t’ia dijë për reagimin dhe marrëdhënien që ka me personin, i cili po e disiplinon.»

Këto konstatime prekin çështjen se kush duhet ta japë disiplinën në familjet me njerk apo njerkë. Kush duhet të jetë ai që thotë jo? Pasi kanë folur për këto çështje, disa prindër kanë vendosur që, sa për të filluar, disiplinuesi kryesor të jetë prindi natyror, me qëllim që t’i japë kohë njerkut apo njerkës për të krijuar një marrëdhënie më të ngushtë me fëmijët. Fëmijët duhet të mësojnë të ndihen të sigurt se njerku apo njerka i do, para se të marrin disiplinën prej tij ose prej saj.

Po në rastin kur babai është njerk? A nuk thotë Bibla se babai është kreu i familjes? Po. (Efesianëve 5:22, 23; 6:1, 2) Megjithatë, një njerk mund të dojë t’ia delegojë gruas çështjen e disiplinës për njëfarë kohe, veçanërisht nëse kjo disiplinë përfshin ndëshkimin. Ai mund t’i lejojë fëmijët t’i binden ‘ligjit të nënës së tyre’, ndërkohë që vendos një themel, ku ata të ‘dëgjojnë disiplinën e atit të tyre [të ri]’. (Fjalët e urta 1:8; 6:20; 31:1) Dëshmitë tregojnë se në fund të fundit, kjo nuk vepron kundër parimit të kryesisë. Përveç kësaj, një njerk thotë: «Mbajta në mendje se disiplina përfshin këshillimin, korrigjimin dhe qortimin. Kur kjo jepet në një mënyrë të drejtë, të dashur e të dhimbsur dhe mbështetet nga shembulli prindëror, zakonisht bën punë.»

Prindërit duhet të komunikojnë

Në Fjalët e urta 15:22 thuhet: «Planet prishen aty ku nuk ka të folur me mirëbesim.» (BR) Në një familje me njerk apo njerkë, i foluri i qetë e i hapur me mirëbesim mes prindërve është jetësor. Një redaktore në gazetën O Estado de S. Paulo vërejti: «Fëmijët kanë gjithnjë prirjen të vënë në provë kufijtë e vendosur nga prindërit e tyre.» Kjo mund të jetë dyfish e vërtetë në familjet me njerk apo njerkë. Prandaj, prindërit duhet të bien dakord mbi çështjet e ndryshme, në mënyrë që fëmijët të shohin se ata janë të bashkuar. Po sikur një njerk apo njerkë të veprojë në një mënyrë që prindi natyror mendon se është e padrejtë? Në këtë rast, ata të dy duhet t’i zgjidhin gjërat veças, jo në sy të fëmijëve.

Një nënë, që u martua për herë të dytë tregon: «Gjëja më e vështirë për një nënë është të shohë njerkun që disiplinon fëmijët e saj, veçanërisht nëse mendon se ai po vepron ashpër ose nuk është i paanshëm. Asaj i thyhet zemra dhe dëshiron t’i mbrojë fëmijët e saj. Në momente të tilla, është vështirë t’i mbetesh e nënshtruar burrit dhe ta mbështetësh atë.

Një herë, dy djemtë e mi, me moshë 12 dhe 14-vjeçare, i kërkuan leje njerkut për të bërë diçka. Menjëherë ai refuzoi dhe doli nga dhoma, pa u dhënë mundësi djemve të shpjegonin se përse kjo kërkesë ishte e rëndësishme për ta. Djemtë i mbushën sytë me lot dhe unë mbeta pa fjalë. Më i madhi shikoi nga unë dhe më tha: ‘Mami, e pe çfarë bëri?’ Iu përgjigja: ‘Po, e pashë. Por prapëseprapë ai është kreu i shtëpisë dhe Bibla na thotë ta respektojmë kryesinë.’ Ata ishin djem të mirë, prandaj e pranuan këtë arsyetim dhe u qetësuan pak. Po atë mbrëmje, ia shpjegova gjërat burrit tim dhe ai e kuptoi se kishte qenë tepër autoritar. Shkoi drejt e në dhomën e djemve dhe u kërkoi falje.

Të gjithë mësuam shumë nga ky incident. Burri im mësoi të dëgjojë para se të marrë vendime. Unë mësova të mbështetja parimin e kryesisë, edhe kur kjo gjë më lëndonte. Djemtë mësuan rëndësinë e nënshtrimit. (Kolosianëve 3:18, 19) Ndërsa kërkesa me gjithë zemër për falje nga ana e burrit tim na dha të gjithëve një mësim të rëndësishëm në përulësi. (Fjalët e urta 29:23) Sot, që të dy djemtë janë pleq të krishterë.»

Gabime do të bëhen. Fëmijët do të thonë ose do të bëjnë gjëra që lëndojnë. Presionet e momentit do t’i bëjnë njerkun apo njerkën që të veprojnë në mënyrë të paarsyeshme. Por, fjalët e thjeshta «më vjen keq, të lutem më fal» mund të bëjnë shumë për të shëruar plagët.

Të forcojmë unitetin e familjes

Për të krijuar një marrëdhënie të ngrohtë në një familje me njerk apo njerkë duhet kohë. Nëse je njerk apo njerkë, duhet të tregosh empati. Ji mirëkuptues, gati për të kaluar kohë me fëmijët. Luaj me të vegjlit. Përgatitu për të folur me më të rriturit. Kërko raste që të kaloni kohë së bashku, për shembull, ftoji fëmijët të të ndihmojnë në punët e shtëpisë, si për të përgatitur darkën ose për të larë makinën. Ftoji të vijnë me ty dhe të të ndihmojnë kur bën pazarin. Përveç këtyre, gjeste të vogla përzemërsie mund ta bëjnë të qartë dashurinë që ke për ta. (Sigurisht, njerkët duhet të jenë të kujdesshëm për të ruajtur kufijtë e duhur me vajzat që kanë gjetur nga gruaja dhe të mos i bëjnë të ndihen në siklet. Njerkat, gjithashtu, duhet të kujtojnë se edhe djemtë kanë kufij.)

Familjet me njerk apo njerkë mund të jenë të suksesshme. Shumë prej tyre janë tashmë të tilla. Më të suksesshmet janë ato ku të gjithë pjesëtarët e në veçanti prindërit, kultivojnë qëndrime të duhura dhe pritje realiste. Apostulli Gjon shkroi: «Shumë të dashur, le të vazhdojmë ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia.» (1. Gjonit 4:7, BR) Po, dashuria e sinqertë është sekreti i vërtetë i një familjeje të lumtur me njerk apo njerkë.

[Figurat në faqen 7]

FAMILJET E LUMTURA ME NJERK APO NJERKË

kalojnë kohë së bashku . . .

studiojnë Fjalën e Perëndisë së bashku . . .

flasin së bashku . . .

punojnë së bashku . . .

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo