Problemet e veçanta të familjeve me njerk apo njerkë
FAMILJET ME NJERK APO NJERKË MUND TË JENË TË LUMTURA! SI?
Familjet me njerk apo njerkë janë bërë të zakonshme në shumë pjesë të botës. Megjithëkëtë, ato kanë probleme unike. Ajo që paraqet më shumë sfida është padyshim rritja e fëmijëve. Sidoqoftë, siç do të përpiqen ta tregojnë dy artikujt që vijojnë, edhe në ambientin e një familjeje me njerk apo njerkë është e mundur të rriten fëmijët me sukses.
Tradicionalisht, njerkët dhe njerkat kanë pasur një nam të keq. kur ishim fëmijë, shumë prej nesh kemi dëgjuar një version të përrallës së Hirushes, e cila vuajti shumë nga njerka e saj mizore. Gjithashtu, fëmijët në Evropë dinë edhe përrallën Borëbardha dhe shtatë xhuxhët. Njerka e Borëbardhës aty paraqitet si një shtrigë e keqe!
A japin këto përralla një pikëpamje të saktë të familjeve me njerk apo njerkë? A janë vërtet kaq të këqinj të gjithë njerkët apo njerkat? Jo. Pjesa më e madhe e tyre dëshiron vetëm atë që është më e mira për fëmijët që fitojnë nga martesa. Por, atyre u duhet të përballojnë disa probleme të vështira që janë të pandashme në jetën e familjeve me njerk apo njerkë.
Problemet e rritjes së fëmijëve
Kur prishet një martesë e parë, shpesh shkaku është papjekuria e bashkëshortëve. Në martesën për herë të dytë, marrëdhënien mund ta tensionojë mënyra se si trajtohen fëmijët. Disa raporte tregojnë se më shumë se 4 në 10 familje me njerk apo njerkë përfundojnë me divorc brenda pesë vjetëve të parë.
Të sapomartuarit mund të mos e kuptojnë turbullimin emocional, konfliktin e besnikërisë dhe ndjenjat e xhelozisë e të inatit që ngjall mbërritja e një njerku apo e një njerke te fëmijët e gjetur. Këta të fundit mund të mendojnë se njerku apo njerka ka zënë vendin e tyre në zemrën e prindit natyror. Për më tepër, një prind natyror i braktisur nga bashkëshorti mund ta ketë të vështirë të kuptojë vazhdimin e lidhjes së fëmijëve me bashkëshortin e mëparshëm. Një djalë u përpoq t’ia shpjegonte mamasë së tij marrëdhënien e mirë që kishte me babanë natyror, duke i thënë: «Mami, unë e di se babi të trajtoi keq, por ai është sjellë mirë me mua!» Një frazë e tillë, edhe pse është e sinqertë, mund ta bëjë një nënë që të ndiejë zemërim të hidhur për të atin e fëmijës.
Një njerk pranoi: «Nuk isha në të vërtetë i përgatitur për të përballuar të gjitha problemet lidhur me rritjen e fëmijëve që gjeta te gruaja. Hyra në këtë situatë me mendimin se tani që isha martuar me nënën e tyre, isha babai i tyre. Për mua ishte shumë e thjeshtë! Nuk e kuptoja lidhjen e fëmijëve me babanë e tyre natyror dhe bëra shumë gabime.»
Tensionet mund të krijohen veçanërisht në çështjen e disiplinimit. Fëmijët kanë nevojë për disiplinë të dhënë me dashuri, por shpesh ata rebelohen kundër disiplinës, edhe kur ajo vjen nga një prind natyror. Sa më të vështirë e kanë ta pranojnë disiplinën nga një njerk apo njerkë! Zakonisht, kur has këtë disiplinë, një fëmijë i gjetur thotë diçka, të tillë si: «Ti nuk je babai im i vërtetë!» Sa dërrmuese mund të jenë këto fjalë për një njerk që niset nga qëllime të mira!
A mund të rriten me sukses fëmijët në një familje me njerk apo njerkë? A mund të luajnë njerkët apo njerkat një rol pozitiv në ndërtimin e një familjeje të suksesshme? Përgjigjja e të dyja pyetjeve është po, nëse të gjithë ata që përfshihen në këtë situatë ndjekin këshillat që gjenden në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël.
[Figura në faqen 3]
«Ti nuk je babai im i vërtetë!»