BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/1 f. 11-20
  • «Forconi zemrat tuaja»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Forconi zemrat tuaja»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shembulli i besimit të Abrahamit
  • Të dëgjojmë Perëndinë
  • Të flasim me Perëndinë
  • Dëshmi të besimit të sotëm
  • Kultivo besimin sot
  • Një shpresë që do të përmbushet së shpejti
  • Jehovai e quajti ‘miku im’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
  • A ke një besim si ai i Abrahamit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Kush ishte Abrahami?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
  • «Të ecim me anë të besimit, jo me anë të shikimit»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/1 f. 11-20

«Forconi zemrat tuaja»

«Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit.»—HEBRENJVE 10:36, BR.

1, 2. (a) Çfarë i ndodhi një numri të krishterësh në shekullin e parë? (b) Pse është e lehtë që të dobësohet besimi?

NGA të gjithë shkrimtarët e Biblës, asnjëri nuk e ka përmendur më shpesh besimin sesa apostulli Pavël. Shpesh ai foli edhe për ata, besimi i të cilëve ishte dobësuar ose kishte vdekur. Për shembull, Imeneu dhe Aleksandri «përjetuan fundosje për sa i përket besimit të tyre». (1. Timoteut 1:19, 20, BR) Dema e braktisi Pavlin, sepse «donte sistemin e tanishëm të gjërave». (2. Timoteut 4:10, BR) Disa, me anë të veprimeve të tyre jo të krishtere e të papërgjegjshme e ‘mohuan besimin’. Të tjerë u mashtruan nga mençuria e rreme dhe ‘devijuan nga besimi’.—1. Timoteut 5:8; 6:20, 21, BR.

2 Pse ata të krishterë të mirosur dështuan në mënyra të tilla? E pra, «besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, shfaqja e dukshme e realiteteve edhe pse nuk janë parë». (Hebrenjve 11:1, BR) Ne ushtrojmë besim në diçka që nuk mund ta shohim. Ai nuk na duhet për gjërat që janë parë. Është më e lehtë të punosh për pasuritë e dukshme sesa për pasuritë e padukshme frymore. (Mateu 19:21, 22) Shumë gjëra të dukshme, siç janë «dëshira e mishit dhe dëshira e syve», e tërheqin shumë mishin tonë të papërsosur dhe mund të na e dobësojnë besimin.—1. Gjonit 2:​16, BR.

3. Çfarë lloj besimi duhet të kultivojë një i krishterë?

3 Megjithatë, Pavli thotë se «ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me zell». Moisiu kishte një besim të tillë. Ai «vështroi ngultasi drejt pagimit të shpërblimit» dhe «vazhdoi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm». (Hebrenjve 11:6, 24, 26, 27, BR) Një i krishterë ka nevojë për këtë lloj besimi. Siç është vërejtur në artikullin pararendës, Abrahami ishte një shembull i shkëlqyer në këtë aspekt.

Shembulli i besimit të Abrahamit

4. Si u ndikua drejtimi që mori jeta e Abrahamit nga besimi i tij?

4 Abrahami ishte në Ur kur mori premtimin e Perëndisë se do të bëhej ati i një fare që do të ishte një bekim për njerëzit e të gjitha kombeve. (Zanafilla 12:1-3; Veprat 7:2, 3) Në bazë të këtij premtimi, Abrahami iu bind Jehovait, duke u transferuar fillimisht në Haran e pastaj në Kanaan. Atje, Jehovai i premtoi se do t’ia jepte atë vend farës së Abrahamit. (Zanafilla 12:7; Nehemia 9:7, 8) Gjithsesi, një pjesë e madhe e asaj që premtoi Jehovai do të përmbushej pas vdekjes së Abrahamit. Fjala vjen, Abrahami vetë nuk zotëroi kurrë ndonjë pjesë të Kanaanit, përveç shpellës së Makpelahut, të cilën e bleu si një vend varrimi. (Zanafilla 23:1-20) Prapëseprapë, ai pati besim në fjalën e Jehovait. Mbi të gjitha, ai pati besim në një «qytet [të ardhshëm] që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia». (Hebrenjve 11:10, BR) Ky besim e mbështeti atë gjatë gjithë jetës së tij.

5, 6. Në ç’mënyrë u sprovua besimi i Abrahamit për sa i përket premtimit të Jehovait?

5 Kjo shihet veçanërisht në lidhje me premtimin se fara e Abrahamit do të bëhej një komb i madh. Që të ndodhte kjo gjë, Abrahami duhej të kishte një bir dhe ai priti një kohë të gjatë para se të bekohej me një të tillë. Nuk e dimë se ç’moshë kishte ai kur dëgjoi për herë të parë premtimin e Perëndisë, por kur bëri udhëtimin e gjatë për në Haran, Jehovai nuk i kishte dhënë ende një fëmijë. (Zanafilla 11:30) Ai qëndroi në Haran një kohë të mjaftueshme për të ‘akumuluar të mira materiale dhe për të blerë shpirtra’, dhe kur u transferua në Kanaan ishte 75 vjeç, ndërsa Sara 65 vjeçe. Por akoma nuk kishin asnjë bir. (Zanafilla 12:4, 5) Kur ishte rreth të 75-ave, Sara nxori përfundimin se tani ishte tepër e moshuar për t’i dhënë një fëmijë Abrahamit. Kështu, duke ndjekur një zakon të kohës, ajo i dha Abrahamit skllaven e saj Agarin dhe ai pati një bir prej saj. Por ky nuk ishte fëmija i premtuar. Agarin dhe fëmijën e saj, Ismaelin, me kalimin e kohës i larguan. Megjithatë, kur Abrahami u lut për ata, Jehovai i premtoi se do ta bekonte Ismaelin.—Zanafilla 16:1-4, 10; 17:15, 16, 18-20; 21:8-21.

6 Në kohën e duhur të Perëndisë, shumë, shumë kohë pasi kishin dëgjuar për herë të parë premtimin, Abrahami 100⁠-⁠vjeçar dhe Sara 90-vjeçare patën një djalë, Isakun. Sa e mrekullueshme duhet të ketë qenë kjo gjë! Për këtë çift të moshuar, ishte gati-gati si një ringjallje kur trupat e tyre «të vdekur» sollën në dritë jetë të re. (Romakëve 4:19-21) Pritja qe e gjatë, por kur u përmbush më në fund premtimi, u duk qartë se pritja ia vlente.

7. Si lidhet besimi me qëndrueshmërinë?

7 Shembulli i Abrahamit na sjell ndër mend se besimi nuk duhet të jetë vetëm për një afat të shkurtër. Pavli e lidhi besimin me qëndrueshmërinë, kur shkroi: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit. . . . Ne nuk jemi lloji që sprapset në shkatërrim, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.» (Hebrenjve 10:36-39, BR) Shumë veta kanë pritur për një kohë të gjatë përmbushjen e premtimit. Disa kanë pritur një jetë të tërë. Besimi i tyre i fortë i ka mbështetur ata. Dhe, ashtu si Abrahami, ata do të marrin shpërblimin në kohën e duhur të Jehovait.—Habakuku 2:3.

Të dëgjojmë Perëndinë

8. Si e dëgjojmë Perëndinë sot dhe pse kjo gjë do ta forcojë besimin tonë?

8 Besimin e Abrahamit e forcuan të paktën katër gjëra e po këto gjëra mund të na ndihmojnë edhe ne. Së pari, ai e demonstroi ‘besimin [e tij] se Perëndia është’, duke u vënë veshin fjalëve të Jehovait. Kështu, ai ishte i ndryshëm nga hebrenjtë e ditëve të Jeremisë, të cilët besonin në Jehovain, por nuk kishin besim në fjalët e tij. (Jeremia 44:15-19) Sot, Jehovai na flet nëpërmjet faqeve të Biblës, Fjalës së tij të frymëzuar, për të cilën Pjetri tha se është si «një llambë që shkëlqen në një vend të errët . . . në zemrat tuaja». (2. Pjetrit 1:19, BR) Kur e lexojmë me vëmendje Biblën, ne po ‘ushqehemi me fjalët e besimit’. (1. Timoteut 4:6, BR; Romakëve 10:17) Më tej, në këto ditë të fundit, «skllavi i besueshëm dhe i matur» po siguron «ushqim [frymor] në kohën e duhur», udhëheqje në zbatimin e parimeve të Biblës dhe kuptueshmëri të profecive të saj. (Mateu 24:45-47, BR) Të dëgjojmë Jehovain nëpërmjet këtyre mjeteve është e domosdoshme për të pasur besim të fortë.

9. Cili do të jetë rezultati, nëse i besojmë me të vërtetë shpresës së krishterë?

9 Besimi i Abrahamit ishte i lidhur ngushtë me shpresën e tij. «I bazuar në shpresën ai pati besim, që të mund të bëhej ati i shumë kombeve.» (Romakëve 4:18, BR) Kjo është një gjë e dytë që mund të na ndihmojë. Nuk duhet të harrojmë kurrë se Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me zell». Apostulli Pavël tha: «Ne po punojmë shumë dhe po përpiqemi energjikisht, sepse e kemi mbështetur shpresën tonë në një Perëndi të gjallë.» (1. Timoteut 4:10, BR) Nëse me të vërtetë i besojmë shpresës së krishterë, e gjithë jeta jonë do të jetë një demonstrim i besimit tonë, siç ishte në rastin e Abrahamit.

Të flasim me Perëndinë

10. Çfarë lloj lutjeje do ta forcojë besimin tonë?

10 Abrahami foli me Perëndinë dhe kjo ishte një gjë e tretë që e forcoi besimin e tij. Sot, edhe ne mund të flasim me Jehovain, duke përdorur dhuratën e lutjes nëpërmjet Jezu Krishtit. (Gjoni 14:6; Efesianëve 6:18) Pikërisht pasi tregoi një shëmbëlltyrë që theksonte nevojën për lutje të vazhdueshme, Jezui bëri pyetjen: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë me të vërtetë besim në tokë?» (Luka 18:8, BR) Lutjet që ndërtojnë besimin nuk janë të pamenduara ose mekanike. Ato janë thellësisht domethënëse. Për shembull, lutjet me gjithë zemër janë jetësore kur kemi për të marrë vendime të rëndësishme ose kur jemi nën një stres të madh.—Luka 6:12, 13; 22:41-44.

11. (a) Si u forcua Abrahami kur ia hapi zemrën Perëndisë? (b) Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Abrahamit?

11 Kur Abrahami po plakej dhe Jehovai ende nuk i kishte dhënë farën e premtuar, ai foli me Perëndinë në lidhje me shqetësimin që kishte. Jehovai i dha atij siguri. Rezultati? Abrahami «vuri besim në Jehovain dhe ai vazhdoi t’ia llogariste si drejtësi». Pastaj, Jehovai i dha një shenjë për të vërtetuar fjalët e tij siguruese. (Zanafilla 15:1-18, BR) Nëse ia hapim zemrën Jehovait në lutje, nëse pranojmë siguritë që na jep Jehovai në Fjalën e tij, Biblën dhe i bindemi atij me besim të plotë, atëherë edhe Jehovai do ta forcojë besimin tonë.—Mateu 21:22; Juda 20, 21.

12, 13. (a) Si u bekua Abrahami kur ndoqi udhëheqjen e Jehovait? (b) Cilat lloj përvojash do ta forcojnë besimin tonë?

12 Një gjë e katërt që forcoi besimin e Abrahamit ishte mbështetja që i dha Jehovai kur ai ndoqi udhëheqjen e Tij. Kur Abrahami shkoi për ta çliruar Lotin nga mbretërit pushtues, Jehovai i dha atij fitoren. (Zanafilla 14:16, 20) Ndërsa Abrahami jetonte si banor i përkohshëm në vendin që do të trashëgonte fara e tij, Jehovai e bekoi atë materialisht. (Krahaso Zanafillën 14:21-23.) Jehovai udhëhoqi përpjekjet e ekonomit të Abrahamit për të gjetur një grua të përshtatshme për Isakun. (Zanafilla 24:10-27) Po, Jehovai «e bekoi Abrahamin në çdo gjë». (Zanafilla 24:1) Kaq i fortë ishte besimi i tij si rezultat i kësaj dhe kaq e ngushtë ishte marrëdhënia e tij me Perëndinë Jehova, saqë Jehovai e quajti ‘miku im’.—Isaia 41:8; Jakovit 2:23.

13 A mund të kemi ne sot një besim të tillë të fortë? Po. Nëse, ashtu si Abrahami, e vëmë në provë Jehovain duke iu bindur urdhrave të tij, ai do të na bekojë edhe ne, e kjo gjë do të na e forcojë besimin. Për shembull, një shikim shkurtimisht i Raportit për Vitin e Shërbimit 1998 tregon se shumë veta u bekuan në një mënyrë të mrekullueshme kur iu bindën urdhrit të Jehovait për të predikuar lajmin e mirë.—Marku 13:10.

Dëshmi të besimit të sotëm

14. Si e bekoi Jehovai fushatën me Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35?

14 Në tetor të vitit 1997, fushata mbarëbotërore me Lajmërim i Mbretërisë Nr. 35 pati një sukses të jashtëzakonshëm, falë zellit dhe entuziazmit të miliona Dëshmitarëve. Ajo që ndodhi në Gana është tipike e kësaj. Atje u shpërndanë pothuajse 2,5 milionë kopje në katër gjuhë dhe si rezultat u kërkuan afro 2.000 studime biblike. Në Qipro, dy Dëshmitarë, duke shpërndarë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë vunë re një prift që po i ndiqte. Pas pak, ata i ofruan atij një kopje të Lajmërim i Mbretërisë. Ai e kishte marrë tashmë një kopje dhe tha: «Më ka lënë kaq shumë mbresa mesazhi i saj, saqë dua të uroj njerëzit që e kanë përgatitur atë.» Në Danimarkë, u shpërndanë 1,5 milionë kopje të Lajmërim i Mbretërisë me rezultate të shkëlqyera. Atje, një zonjë që punon në lidhjet me publikun tha: «Fletushka ka një mesazh për këdo. Ajo kuptohet me lehtësi dhe të nxit, të jep një dëshirë për të ditur më shumë. Ajo me të vërtetë godet në shenjë!»

15. Cilat përvoja tregojnë se Jehovai e bekoi përpjekjen për të arritur njerëzit kudo qofshin?

15 Në vitin 1998 u bë një përpjekje për t’u predikuar njerëzve, jo vetëm në shtëpitë e tyre, por kudo qofshin. Në Bregun e Fildishtë, një çift misionarësh vizituan 322 anije që ishin nëpër doke. Ata lanë 247 libra, 2.284 revista, 500 broshura dhe qindra fletushka, si edhe video për marinarët që t’i shihnin kur ishin në det. Në Kanada, një Dëshmitar shkoi në një dyqan riparimi automjetesh. Pronari ishte i interesuar dhe vëllai qëndroi aty katër orë e gjysmë, edhe pse koha që kaloi duke u dëshmuar klientëve ishte pak a shumë vetëm një orë. Në fund, u bënë rregullimet për një studim biblik në orën 10.00 të mbrëmjes. Por, disa herë studimi nuk fillonte pa kaluar mesnata dhe zgjaste deri në orën dy të mëngjesit. Programi paraqiste disa sfida, por u arritën rezultate të mira. Burri vendosi ta mbyllte dyqanin e tij të dielave që të merrte pjesë në mbledhje. Pas pak kohe, ai dhe familja e tij po bënin një përparim të shkëlqyer.

16. Cilat përvoja tregojnë se broshura Çfarë kërkon? dhe libri Njohuria janë mjete të fuqishme në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies?

16 Broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme vazhdojnë të jenë mjete të fuqishme në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Në Itali, një murgeshë që po priste autobusin pranoi një kopje të Lajmërim i Mbretërisë. Ditën tjetër, asaj iu afrua përsëri një Dëshmitar që i dha broshurën Çfarë kërkon?, të cilën ajo e pranoi. Çdo ditë pas kësaj, ajo pati një studim biblik 10 deri në 15 minuta në stacionin e autobusit. Pas një muaji e gjysmë, ajo vendosi të linte manastirin dhe të shkonte në shtëpi, në Guatemalë për të vazhduar studimin. Në Malavi, një frekuentuese e zjarrtë e kishës me emrin Lobina, mbeti e pakënaqur kur vajzat e saj filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, vajzat sa herë që kishin mundësi e ndanin të vërtetën biblike me nënën e tyre. Në qershor të vitit 1997, Lobina pa librin Njohuria dhe e tërhoqi shumë shprehja «Njohuria që të çon». Në korrik ajo pranoi një studim biblik. Në gusht mori pjesë në kongresin krahinor dhe dëgjoi me kujdes të gjithë programin. Në fund të atij muaji ajo e kishte lënë kishën dhe ishte kualifikuar si një lajmëtare e papagëzuar. U pagëzua në nëntor 1997.

17, 18. Si kanë dalë të dobishme videot e Shoqatës, duke i ndihmuar individët për të «parë» gjërat frymore?

17 Videot e Shoqatës i kanë ndihmuar shumë veta për t’i «parë» gjërat frymore. Në Mauriki një burrë e la kishën për shkak të përçarjes që kishte atje. Një misionar i tregoi atij unitetin e Dëshmitarëve të Jehovait, duke përdorur videon Të bashkuar nga mësimi hyjnor. I habitur, burri tha: «Ju Dëshmitarët e Jehovait jeni tashmë në parajsë!» Ai pranoi një studim biblik. Një motër në Japoni i tregoi burrit të saj jobesimtar videon Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit dhe ai u nxit për të pasur një studim të rregullt biblik. Pasi pa videon Të bashkuar nga mësimi hyjnor, ai donte të ishte një Dëshmitar i Jehovait. Seria tri-pjesëshe e videove Bibla: Një libër me fakte dhe profeci e ndihmoi atë për të zbatuar parimet e Biblës në jetën e tij. Përfundimisht, videoja Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur kundër sulmit nazist i tregoi se Jehovai e forcon popullin e Tij kundër sulmeve të Satanait. Burri u pagëzua në tetor 1997.

18 Këto janë vetëm disa nga përvojat e shumta që u përjetuan gjatë vitit të kaluar të shërbimit. Ato tregojnë se Dëshmitarët e Jehovait kanë një besim aktiv dhe se Jehovai po e forcon atë besim, duke bekuar aktivitetin e tyre.—Jakovit 2:17.

Kultivo besimin sot

19. (a) Si jemi ne në një situatë më të mirë se Abrahami? (b) Sa u mblodhën vitin e kaluar për të përkujtuar vdekjen flijuese të Jezuit? (c) Cilat vende patën një prani të jashtëzakonshme në Përkujtim vitin e kaluar? (Shiko tabelën në faqet 12 - 15.)

19 Në shumë aspekte sot ne jemi në një situatë më të mirë se në atë që jetoi Abrahami. Ne e dimë se Jehovai i përmbushi të gjitha premtimet që i bëri Abrahamit. Pasardhësit e tij e trashëguan Kanaanin dhe u bënë vërtet një komb i madh. (1. Mbretërve 4:20; Hebrenjve 11:12) Për më tepër, rreth 1.971 vjet pasi Abrahami u largua nga Harani, një pasardhës i tij, Jezui, u pagëzua në ujë nga Gjon Pagëzuesi dhe më pas me frymën e shenjtë nga vetë Jehovai për t’u bërë Mesia, Fara e Abrahamit në kuptimin e plotë frymor. (Mateu 3:16, 17; Galatasve 3:16) Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui e ofroi jetën e tij si shpërblesë për ata që do të ushtronin besim në të. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Miliona njerëz tani mund të bekoheshin nëpërmjet tij. Vitin e kaluar 13.896.312 veta u mblodhën më 14 nisan për të përkujtuar këtë akt të mrekullueshëm dashurie. Çfarë shfajësimi i Jehovait, Mbajtësit të Madh të premtimeve!

20, 21. Si u bekuan njerëz nga të gjitha kombet nëpërmjet Farës së Abrahamit në shekullin e parë dhe si po bekohen sot?

20 Në shekullin e parë, shumë njerëz nga të gjitha kombet, duke filluar me Izraelin natyror, ushtruan besim në këtë Farë të Abrahamit dhe u bënë bij të mirosur të Perëndisë, anëtarë të një ‘Izraeli të Perëndisë’ të ri frymor. (Galatasve 3:26-29; 6:16; Veprat 3:25, 26) Ata patën një pritje të sigurt të jetës së pavdekshme frymore në qiej si bashkësundimtarë në Mbretërinë e Perëndisë. Vetëm 144.000 veta do të bekoheshin në këtë mënyrë dhe pak prej tyre kanë mbetur. (Zbulesa 5:9, 10; 7:4) Vitin e kaluar, 8.756 veta dhanë dëshmi të bindjes së tyre se ishin pjesë e këtij numri, duke marrë nga emblemat gjatë kremtimit të Përkujtimit.

21 Gati të gjithë Dëshmitarët e Jehovait sot janë të «shumicës së madhe» të profetizuar në Zbulesën 7:9-17, BR. Duke qenë se bekohen nëpërmjet Jezuit, ata kanë shpresën e jetës së përjetshme në një tokë parajsore. (Zbulesa 21:3-5) Të 5.888.650 lajmëtarët që morën pjesë në veprën e predikimit në vitin 1998 përbëjnë një dëshmi se kjo shumicë është vërtet «e madhe». Ishte veçanërisht rrëqethëse të shihje që si Rusia, ashtu edhe Ukraina raportuan për herë të parë më shumë se 100.000 lajmëtarë. I jashtëzakonshëm ishte edhe raporti nga Shtetet e Bashkuara, në fakt, në gusht atje kishte 1.040.283 lajmëtarë. Këto ishin vetëm tri prej 19 vendeve që raportuan më shumë se 100.000 lajmëtarë vitin e kaluar.

Një shpresë që do të përmbushet së shpejti

22, 23. (a) Pse duhet t’i forcojmë zemrat tona sot? (b) Si mund të provojmë se jemi si Abrahami e jo si njerëzit pa besim të përmendur nga Pavli?

22 Të pranishmëve në Përkujtim iu bë edhe një herë e ditur se deri ku kemi arritur në përmbushjen e premtimeve të Jehovait. Në vitin 1914, Jezui u kurorëzua si Mbreti i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, duke filluar praninë e tij në fuqinë e Mbretërisë. (Mateu 24:3; Zbulesa 11:15) Po, Fara e Abrahamit tani mbretëron në qiell! Jakovi u tha të krishterëve të ditëve të tij: «Ushtroni durim, forconi zemrat tuaja, sepse prania e Zotërisë është afruar.» (Jakovit 5:8, BR) E pra, ajo prani tani është një realitet! Sa arsye më shumë kemi për t’i forcuar zemrat tona!

23 Besimi ynë në premtimet e Perëndisë u përtëriftë vazhdimisht nga studimi i rregullt i Biblës dhe nga lutjet domethënëse! Mos pushofshim kurrë se përjetuari bekimin e Jehovait, ndërkohë që i bindemi Fjalës së tij! Atëherë do të jemi si Abrahami, jo si ata besimi i të cilëve u dobësua dhe vdiq, siç përmendi Pavli. Asgjë nuk do të na ndajë nga besimi ynë më i shenjtë. (Judës 20) Lutemi që kjo të jetë e vërtetë për të gjithë shërbëtorët e Jehovait gjatë vitit të shërbimit 1999 e duke vazhduar në një të ardhme të përjetshme.

A e di?

◻ Si mund ta dëgjojmë Perëndinë sot?

◻ Cilat dobi vijnë nga lutjet domethënëse që i drejtohen Perëndisë?

◻ Nëse me bindje ndjekim udhëheqjen e Jehovait, si do të forcohet besimi ynë?

◻ Cilat aspekte të raportit vjetor (faqet 12 - 15) t’u dukën veçanërisht interesante?

[Tabela në faqet 12-15]

RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 1998

(Për tekstin e kompozuar shiko botimin.)

[Figura në faqen 16]

Nëse dëgjojmë Fjalën e Jehovait, besimi ynë në premtimet e tij do të përtërihet

[Figura në faqen 18]

Besimi ynë forcohet kur marrim pjesë në shërbim

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo