A ke një besim si ai i Abrahamit?
«Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë me të vërtetë besim në tokë?»—LUKA 18:8, BR.
1. Pse sot është e vështirë ta mbash të fortë besimin?
SOT nuk është e lehtë ta mbash të fortë besimin. Bota bën shumë presion mbi të krishterët, me qëllim që ta largojë vëmendjen e tyre nga gjërat frymore. (Luka 21:34; 1. Gjonit 2:15, 16) Shumë veta duhet të përpiqen me mundim për të mbijetuar nga luftërat, katastrofat, sëmundjet ose uria. (Luka 21:10, 11) Në një numër kombesh, ekziston një kulturë mbizotëruese jofetare dhe kushdo që jeton sipas besimit të tij konsiderohet si i paarsyeshëm e madje fanatik. Më tej, shumë të krishterë persekutohen për besimin e tyre. (Mateu 24:9) Pyetja e Jezuit, e bërë pothuajse 2.000 vjet më parë, është me siguri e përshtatshme: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë me të vërtetë besim në tokë?»—Luka 18:8, BR.
2. (a) Pse besimi i fortë është jetësor për një të krishterë? (b) Shembullin e besimit të kujt bëjmë mirë të marrim në shqyrtim?
2 Por, fakti është se besimi i fortë është jetësor nëse duam ta bëjmë të suksesshme jetën tani dhe të marrim jetën e përhershme të premtuar në të ardhmen. Duke cituar fjalët e Jehovait drejtuar Habakukut, apostulli Pavël shkroi: «‘I drejti im do të jetojë për arsye të besimit’ dhe ‘nëse ai sprapset, shpirti im nuk ka kënaqësi në të’. . . . Pa besim është e pamundur që t’i pëlqejmë [Perëndisë].» (Hebrenjve 10:38–11:6, BR; Habakuku 2:4) Pavli i tha Timoteut: «Lufto luftën e shkëlqyer të besimit, kapu fort pas jetës së përhershme për të cilën u thirre.» (1. Timoteut 6:12, BR) Mirëpo, si mund të kemi një besim të pathyeshëm? Në konsiderimin e kësaj pyetjeje, bëjmë mirë të marrim në shqyrtim një njeri që jetoi rreth 4.000 vjet më parë, e megjithatë besimi i të cilit akoma vlerësohet shumë në tri fetë më të mëdha: në islamizëm, judaizëm dhe krishterim. Ky njeri është Abrahami. Pse besimi i tij ishte kaq i shquar? A mund ta imitojmë ne sot atë?
Bindje ndaj drejtimit të Perëndisë
3, 4. Pse Terahu e transferoi familjen e tij nga Uri në Haran?
3 Abrahami (fillimisht i quajtur Abram) përmendet për herë të parë që në fillim të Biblës. Në Zanafillën 11:26 lexojmë: «Terahu . . . u bë baba i Abramit, Nahorit dhe Haranit.» (BR) Terahu dhe familja e tij jetonin në Urin e kaldeasve, një qytet lulëzues në Mesopotaminë Jugore. Megjithatë, ata nuk qëndruan aty. «Terahu mori Abramin birin e tij dhe Lotin, birin e Haranit, nipin e tij dhe Sarajn [Sarën] nusen e djalit të tij, gruan e Abramit birit të tij dhe ata dolën me të nga Uri i kaldeasve për të shkuar në vendin e Kanaanit. Me kohë ata erdhën në Haran dhe u vendosën me banim atje.» (Zanafilla 11:31, BR) Edhe vëllai i Abrahamit, Nahori, e transferoi familjen e tij në Haran. (Zanafilla 24:10, 15; 28:1, 2; 29:4) Por, pse Terahu u transferua nga Uri i begatshëm në Haranin e largët?
4 Rreth 2.000 vjet pas kohës së Abrahamit, njeriu besimplotë Stefani, duke folur para Sinedrit judaik, e shpjegoi këtë transferim të pazakontë që bëri familja e Terahut. Ai tha: «Perëndia i lavdisë iu shfaq paraardhësit tonë Abrahamit kur ai ishte në Mesopotami, përpara se të vendosej me banim në Haran dhe i tha: ‘Dil prej vendit tënd dhe prej të afërmve të tu dhe eja në vendin që do të të tregoj.’ Atëherë ai doli nga vendi i kaldeasve dhe u vendos në Haran.» (Veprat 7:2-4, BR) Terahu iu nënshtrua vullnetit të Jehovait për Abrahamin kur e transferoi familjen e tij në Haran.
5. Ku shkoi Abrahami pasi i vdiq i ati? Pse?
5 Familja e Terahut u vendos në qytetin e ri. Vite më vonë, kur Abrahami foli për «vendin tim», ai kishte ndër mend zonën e Haranit, jo Urin. (Zanafilla 24:4) Gjithsesi, Harani nuk do të ishte vendbanimi i përhershëm i Abrahamit. Sipas Stefanit, «pasi i vdiq i ati [Abrahamit], Perëndia bëri që ai të ndryshonte banimin e tij në këtë vend, në të cilin ju banoni tani». (Veprat 7:4, BR) Duke iu bindur drejtimit të Jehovait, Abrahami, i shoqëruar nga Loti, kaloi Eufratin dhe hyri në vendin e Kanaanit.a
6. Cilin premtim i tha Jehovai Abrahamit?
6 Pse Jehovai bëri që Abrahami të transferohej në Kanaan? Arsyeja kishte të bënte me qëllimet e Perëndisë për këtë njeri besimplotë. Jehovai i kishte thënë Abrahamit: «Dil prej vendit tënd e prej të afërmve të tu, dhe nga shtëpia e atit tënd në vendin që do të të tregoj, dhe unë do të bëj një komb të madh prej teje, do të të bekoj e do ta bëj të madh emrin tënd; tregohu një bekim. Unë do të bekoj ata që të bekojnë e do të mallkoj atë që thërret të ligën të bjerë mbi ty, dhe të gjitha familjet e dheut do të bekohen sigurisht nëpërmjet teje.» (Zanafilla 12:1-3, BR) Abrahami do të ishte ati i një kombi të madh që do të gëzonte mbrojtjen e Jehovait dhe do të zotëronte tokën e Kanaanit. Një premtim i mrekullueshëm! Por Abrahami duhej të bënte ndryshime rrënjësore në jetën e tij për të trashëguar atë vend.
7. Cilat ndryshime duhet të ishte i përgatitur të bënte Abrahami me qëllim që të trashëgonte premtimin e Jehovait?
7 Kur u largua nga Uri, Abrahami la prapa një qytet të begatshëm dhe ka të ngjarë edhe rrethin familjar të të atit, e këto ishin burime të rëndësishme sigurie në ato kohë patriarkale. Kur u largua nga Harani, ai u nda nga shtëpia e të atit, duke përfshirë edhe familjen e vëllait të tij Nahorit dhe u transferua në një vend të panjohur. Në Kanaan ai nuk kërkoi sigurinë brenda mureve të ndonjë qyteti. Pse jo? Pak kohë pasi Abrahami hyri në atë vend, Jehovai i tha: «Përshkoje vendin në gjatësinë dhe në gjerësinë e tij, sepse unë do të ta jap ty atë.» (Zanafilla 13:17, BR) Abrahami 75-vjeçar dhe gruaja e tij 65-vjeçare, Sara, ndoqën këto udhëzime. «Me anë të besimit ai banoi si i huaj në tokën e premtimit si në një tokë të huaj dhe banoi në tenda.»—Hebrenjve 11:9, BR; Zanafilla 12:4.
Besim si ai i Abrahamit, sot
8. Duke pasur parasysh shembullin e Abrahamit dhe të dëshmitarëve të tjerë të lashtë, çfarë duhet të kultivojmë ne?
8 Abrahami dhe familja e tij janë radhitur mes ‘resë [së madhe] të dëshmitarëve [para krishterimit]’ të përmendur në letrën drejtuar Hebrenjve, kapitulli 11. Duke pasur parasysh besimin e këtyre shërbëtorëve të hershëm të Perëndisë, Pavli i inkurajon të krishterët që të ‘heqin çdo peshë dhe mëkatin [mungesën e besimit] që na ngatërron me lehtësi’. (Hebrenjve 12:1, BR) Po, mungesa e besimit mund të na ‘ngatërrojë me lehtësi’. Por, në ditët e Pavlit dhe në ditët tona, të krishterët e vërtetë kanë qenë në gjendje të kultivojnë një besim të fortë që mund të krahasohet me atë të Abrahamit dhe të të tjerëve në kohët e lashta. Duke folur për vete dhe për bashkë të krishterët, Pavli thotë: «Ne nuk jemi lloji që sprapset drejt shkatërrimit, por lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit.»—Hebrenjve 10:39, BR.
9, 10. Çfarë dëshmie ka se shumë njerëz sot kanë një besim si ai i Abrahamit?
9 Vërtet, bota ka ndryshuar që nga koha e Abrahamit. Megjithatë, ne i shërbejmë ende të njëjtit ‘Perëndi të Abrahamit’ dhe ai nuk ndryshon. (Veprat 3:13; Malakia 3:6) Jehovai meriton të adhurohet sot pikërisht ashtu si në kohën e Abrahamit. (Zbulesa 4:11) Shumë veta i dedikohen plotësisht Jehovait dhe, ashtu si Abrahami, bëjnë çfarëdo ndryshimi që të jetë i nevojshëm në jetën e tyre me qëllim që të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Vitin e kaluar, 316.092 veta dhanë dëshmi publike të dedikimit të tyre, duke bërë pagëzimin në ujë «në emër të Atit e të Birit e të frymës së shenjtë».—Mateu 28:19.
10 Pjesës më të madhe të këtyre të krishterëve të rinj nuk i është dashur të udhëtojnë në vende të huaja të largëta për të përmbushur dedikimin e tyre. Por, në një kuptim frymor shumë prej tyre udhëtuan në një largësi të konsiderueshme. Për shembull, në Mauriki kishte një magjistare që quhej Elsi. Të gjithë kishin frikë prej saj. Një pioniere speciale filloi një studim biblik me vajzën e Elsit dhe kjo hapi rrugën që Elsi ‘të kthehej nga errësira në dritë’. (Veprat 26:18) Duke parë interesin e vajzës së saj, Elsi pranoi të studionte librin Libri im i tregimeve biblike. Studimi bëhej tri herë në javë, sepse ajo kishte nevojë për inkurajim të vazhdueshëm. Praktikat e saj të okultizmit nuk i sillnin lumturi dhe ajo kishte shumë probleme personale. Por, më në fund ajo pati mundësi ta përfundonte udhëtimin e gjatë nga demonizmi për në adhurimin e vërtetë. Kur njerëzit vinin për të kërkuar shërbimet e saj, ajo u shpjegonte se vetëm Jehovai mund t’i mbronte nga e liga. Elsi tani është një Dëshmitare e pagëzuar dhe 14 njerëz nga familja dhe nga të njohurit e saj kanë pranuar të vërtetën.
11. Çfarë rregullimesh janë të gatshëm të bëjnë ata që i dedikohen Jehovait?
11 Shumicës prej atyre që iu dedikuan Perëndisë vitin e kaluar për t’i shërbyer atij, nuk u është dashur të bëjnë ndryshime të tilla kaq rrënjësore. Por të gjithë ata u transferuan nga një gjendje e vdekur frymësisht në një gjendje të gjallë frymësisht. (Efesianëve 2:1) Edhe pse janë ende në botë fizikisht, ata nuk janë më pjesë e saj. (Gjoni 17:15, 16) Ngjashëm të krishterëve të mirosur, «qytetaria [e të cilëve] ekziston në qiej», ata janë si «të huaj dhe banorë të përkohshëm». (Filipianëve 3:20, BR; 1. Pjetrit 2:11, BR) Ata e vunë jetën e tyre në harmoni me standardet e Perëndisë, të motivuar mbi të gjitha nga dashuria për Perëndinë dhe nga dashuria për të afërmin. (Mateu 22:37-39) Ata nuk ndjekin synime egoiste, materialiste ose nuk ndiejnë nevojën për kënaqësi të plotë personale në këtë botë. Në vend të kësaj, ata i fiksojnë sytë e tyre në ‘qiejt e rinj dhe tokën e re [të premtuar], në të cilën duhet të banojë drejtësia’.—2. Pjetrit 3:13, BR; 2. Korintasve 4:18.
12. Cili aktivitet i raportuar vitin e kaluar jep dëshmi se Jezui gjatë pranisë së tij ka gjetur «besim në tokë»?
12 Kur u transferua në Kanaan, Abrahami dhe familja e tij ishin të vetëm atje dhe kishin vetëm Jehovain që t’i mbështeste dhe t’i mbronte. Megjithatë, këta 316.092 të krishterë të sapopagëzuar nuk janë aspak vetëm. Vërtet, Jehovai i mbështet dhe i mbron ata me anë të frymës së tij, siç bëri me Abrahamin. (Proverbat [Fjalët e urta] 18:10) Gjithsesi, përveç kësaj ai i mbështet me anë të një «kombi» ndërkombëtar plot gjallëri që ka më shumë popullsi se disa kombe të sotme të botës. (Isaia 66:8) Vitin e kaluar, një maksimum prej 5.888.650 qytetarësh të këtij kombi dhanë dëshmi të besimit të tyre aktiv, duke u folur të afërmve të tyre për premtimet e Perëndisë. (Marku 13:10) Ata harxhuan sasinë e jashtëzakonshme të 1.186.666.708 orëve në këtë vepër, duke kërkuar personat e interesuar. Si rezultat u drejtuan 4.302.852 studime biblike me ata që dëshirojnë të kultivojnë besimin. Si një demonstrim i mëtejshëm i zellit të tyre, 698.781 veta në këtë «komb» morën pjesë në shërbimin si pionier qoftë në kohë të plotë, qoftë për një muaj ose më shumë. (Hollësi për aktivitetin e Dëshmitarëve të Jehovait gjatë vitit të kaluar gjenden në faqet 12 deri në 15.) Këto raporte të jashtëzakonshme janë një përgjigje e gjallë e pozitive ndaj pyetjes së Jezuit: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë me të vërtetë besim në tokë?»
Besimplotë pavarësisht nga sprovat
13, 14. Përshkruaj disa nga vështirësitë që hasi Abrahami dhe familja e tij në Kanaan.
13 Në Kanaan lindnin shpesh situata të vështira për Abrahamin dhe familjen e tij. Të paktën në një rast, ra një zi e rëndë buke që e detyroi atë të dilte nga Kanaani e të zbriste në Egjipt. Për më tepër, si sundimtari i Egjiptit, ashtu edhe sundimtari i Gerarit (afër Gazës) u përpoqën të merrnin për vete gruan e Abrahamit, Sarën. (Zanafilla 12:10-20; 20:1-18) Gjithashtu, pati konflikte mes barinjve të kopesë së Abrahamit dhe barinjve të kopesë së Lotit e kjo gjë shkaktoi një ndarje mes dy familjeve. Me altruizëm, Abrahami i dha Lotit mundësinë të zgjidhte i pari tokën dhe Loti zgjodhi të jetonte në krahinën e Jordanit, e cila kishte pamje edenike me pjellorinë dhe bukurinë e saj.—Zanafilla 13:5-13.
14 Pastaj, Loti u përfshi në një luftë mes mbretit të Elamit të largët dhe aleatëve të tij kundër mbretërve të pesë qyteteve të Ultësirës së Sidimit. Mbretërit e huaj i mundën mbretërit vendas dhe morën shumë plaçkë, duke përfshirë edhe Lotin e të mirat e tij materiale. Kur Abrahami mori vesh çfarë kishte ndodhur, i ndoqi pa frikë mbretërit e huaj dhe qe në gjendje të rimerrte prapë Lotin dhe familjen e tij, si edhe të mirat materiale të mbretërve vendas. (Zanafilla 14:1-16) Megjithatë, kjo nuk ishte përvoja më e keqe e Lotit në Kanaan. Për një arsye që nuk dihet, ai u vendos me banim në Sodomë, pavarësisht nga reputacioni imoral i qytetit.b (2. Pjetrit 2:6-8) Kur u paralajmërua nga dy engjëj se qyteti do të shkatërrohej, Loti iku bashkë me gruan dhe dy vajzat e tij. Por, gruaja e Lotit i shpërfilli udhëzimet specifike të engjëjve dhe si rezultat vdiq e mbështjellë nga kripa. Loti u katandis të jetonte për një kohë në një shpellë në Zoar bashkë me dy vajzat e tij. (Zanafilla 19:1-30) Këto ngjarje duhet ta kenë shqetësuar shumë Abrahamin, veçanërisht pasi Loti kishte ardhur në Kanaan si pjesë e familjes së Abrahamit.
15. Me gjithë problemet që hasi Abrahami kur jetonte në tenda në një tokë të huaj, cilat mendime negative duket se shmangu ai?
15 A e pyeti ndonjëherë veten Abrahami nëse ai dhe Loti duhej të kishin qëndruar në sigurinë e Urit me rrethin familjar të të atit ose në Haran me vëllain e tij Nahorin? A dëshiroi ndonjëherë ai të kishte hedhur rrënjë në sigurinë e një qyteti me mure, në vend se të jetonte në tenda? A e vuri ndoshta në dyshim mençurinë e sakrificave që bëri, duke qenë një kalimtar në një tokë të huaj? Duke folur për Abrahamin dhe për familjen e tij, apostulli Pavël vërejti: «Nëse ata në fakt do të kishin vazhduar ta kujtonin atë vend nga i cili kishin dalë, do të kishin pasur rastin për t’u kthyer.» (Hebrenjve 11:15, BR) Megjithatë, ata nuk u kthyen. Pa u stepur nga vështirësitë, ata qëndruan aty ku Jehovai donte që të ishin.
Qëndrueshmëri sot
16, 17. (a) Çfarë vështirësish hasin shumë të krishterë sot? (b) Cilin qëndrim pozitiv kanë të krishterët? Pse?
16 Një qëndrueshmëri e ngjashme shihet te të krishterët sot. Edhe pse shërbimi ndaj Perëndisë është një burim i madh gëzimi për ta, jeta nuk është e lehtë për të krishterët e vërtetë në këto ditë të fundit. Edhe pse jetojnë në një parajsë frymore, ata vuajnë të njëjtat presione ekonomike si të afërmit e tyre. (Isaia 11:6-9) Shumë janë bërë viktima të pafajshme në luftërat e kombeve dhe disa janë katandisur në varfëri të plotë, jo për fajin e tyre. Përveç kësaj, ata durojnë probleme për faktin se janë një pakicë që nuk pëlqehet shumë. Në shumë vende ata e predikojnë lajmin e mirë përballë apatisë mbizotëruese. Në vende të tjera ata vuajnë nga sulmet mashtruese të atyre që ‘kurdisin trazira me anë të dekretit’ dhe «e shpallin të lig madje edhe gjakun e të pafajshmit». (Psalmi 94:20, 21, BR) Edhe në vende ku të krishterët nuk pësojnë sulme dhe ku disa i lavdërojnë për standardet e tyre të larta, ata janë të vetëdijshëm se janë të ndryshëm nga shokët e shkollës dhe të punës, ngjashëm Abrahamit, i cili jetoi në tenda kur pjesa më e madhe e njerëzve përreth tij banonin në qytete. Po, nuk është e lehtë të jetosh në botë e megjithatë të ‘mos jesh pjesë’ e saj.—Gjoni 17:14.
17 Atëherë, a na vjen keq për dedikimin që i kemi bërë Perëndisë? A dëshirojmë që të kishim mbetur pjesë e botës, të ishim si të gjithë të tjerët? A ankohemi për sakrificat që kemi bërë në shërbimin e Jehovait? Në asnjë mënyrë! Në vend se të shohim prapa me dëshirim, ne e pranojnë se çdo gjë që mund të kemi sakrifikuar nuk kishte vlerë të vërtetë në krahasim me bekimet që gëzojmë tani dhe ato që do të gëzojmë në të ardhmen. (Luka 9:62; Filipianëve 3:8) Përveç kësaj, a janë të lumtur njerëzit në botë? E vërteta është se shumë prej tyre po kërkojnë përgjigje që ne tashmë i kemi marrë. Ata vuajnë pasi nuk ndjekin udhëheqjen që ndjekim ne nga Perëndia nëpërmjet faqeve të Biblës. (Psalmi 119:105) Shumë prej tyre janë të etur për llojin e shoqërisë së krishterë dhe të miqësisë së këndshme që ne gëzojmë me bashkëbesimtarët tanë.—Psalmi 133:1; Kolosianëve 3:14.
18. Cili është rezultati përfundimtar kur të krishterët tregojnë guxim si ai i Abrahamit?
18 Vërtet, disa herë ne duhet të jemi të guximshëm si Abrahami kur u ra pas grabitësve të Lotit. Por kur jemi të tillë, Jehovai bekon rezultatin. Për shembull, në Irlandën e Veriut urrejtjet janë gërshetuar si rezultat i dhunës sektare dhe duhet guxim për të qenë asnjanës. Megjithatë, të krishterët besimplotë kanë ndjekur fjalët e Jehovait drejtuar Josiut: «Ji i guximshëm dhe i fortë. Mos pëso tronditje dhe mos u tmerro, sepse Jehovai, Perëndia yt është me ty kudo që të shkosh.» (Josiu [Jozueu] 1:9, BR; Psalmi 27:14) Përgjatë viteve qëndrimi i tyre i patrembur ka fituar respektin e të tjerëve dhe sot ata mund të predikojnë lirisht në të gjitha komunitetet e atij vendi.
19. Ku janë të lumtur të jenë të krishterët dhe cilin rezultat presin ata të sigurt kur ndjekin drejtimin e Jehovait?
19 Asnjëherë nuk duhet të dyshojmë se çfarëdolloj situate të ndeshim, po të ndjekim drejtimin e Jehovait, rezultati përfundimtar do të jetë për lavdinë e tij dhe për dobinë tonë afatgjatë. Me gjithë sfidat dhe sakrificat, nuk ka vend tjetër ku do të donim të ishim përveçse në shërbim të Jehovait, duke gëzuar miqësinë me vëllezërit tanë të krishterë dhe duke pritur të sigurt të ardhmen e përjetshme që Perëndia ka premtuar.
[Shënimet]
a Ka të ngjarë që Abrahami ta ketë adoptuar nipin e tij Lotin kur i ati i Lotit, vëllai i Abrahamit, vdiq.—Zanafilla 11:27, 28; 12:5.
b Disa kanë sugjeruar se Loti u vendos me banim në një qytet për të pasur më shumë siguri, pasi kishte qenë pjesë e plaçkës së katër mbretërve.
A të kujtohet?
◻ Pse besimi i fortë është thelbësor?
◻ Si e tregoi Abrahami se kishte besim të fortë?
◻ Në ç’mënyrë dedikimi shoqërohet me ndryshime në jetën e një personi?
◻ Pse jemi të lumtur t’i shërbejmë Perëndisë pavarësisht nga problemet që hasim?
[Figurat në faqen 7]
Abrahami ishte i gatshëm të bënte ndryshime të mëdha në jetën e tij me qëllim që të trashëgonte premtimin
[Figurat në faqen 9]
Dëshmitë tregojnë se Jezui ka gjetur «besim në tokë», gjatë pranisë së tij