Një vendim në favor të zgjedhjes
ASKUSH tjetër nuk e përkrah zgjedhjen e informuar më shumë sesa Personi më i shquar në të gjithë universin. Ai është Krijuesi ynë. Duke zotëruar një njohuri të pakufishme në lidhje me nevojat e njeriut, me bujari ai jep udhëzime, paralajmërime dhe udhëheqje për sa i përket drejtimit të mençur që duhet ndjekur. E megjithatë, ai nuk e shpërfill vullnetin e lirë me të cilin pajisi krijesat e tij inteligjente. Profeti i tij Moisiu pasqyroi pikëpamjen e Perëndisë: «Të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën, që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu.»—Ligji i përtërirë 30:19.
Ky parim prek edhe fushën e mjekësisë. Koncepti i zgjedhjes së informuar ose i miratimit të informuar po fiton gradualisht pranim në Japoni dhe në vende të tjera ku në të kaluarën nuk ishte aq i përhapur. Dr. Mikitaro Nakamura dha këtë përshkrim në lidhje me miratimin e informuar: «Koncepti është që mjeku t’i shpjegojë pacientit, me një gjuhë që kuptohet lehtë, sëmundjen, prognozën, metodën e mjekimit dhe efektet e mundshme dytësore, duke respektuar të drejtën e pacientit për të zgjedhur vetë metodën e mjekimit.»—Japan Medical Journal.
Për vite me radhë, mjekët në Japoni kanë paraqitur arsye të ndryshme për ta kundërshtuar këtë mënyrë të trajtimit të pacientëve dhe gjykatat kanë pasur tendencën të respektojnë traditën mjekësore. Prandaj, ishte një pikë kthese kur kryegjyqtari Takeo Inaba i Gjykatës së Lartë të Tokios, më 9 shkurt 1998 dha një vendim në favor të zgjedhjes së informuar. Cili qe ai vendim dhe cila ishte ngjarja që e solli çështjen në gjyq?
Në korrik të vitit 1992, Misae Takeda 63-vjeçare, një Dëshmitare e Jehovait, kontaktoi Spitalin e Fakultetit të Shkencës së Mjekësisë në Universitetin e Tokios. Asaj i kishte dalë diagnoza e një tumori malinj në mëlçi dhe kishte nevojë për një ndërhyrje kirurgjike. Duke dëshiruar me gjithë shpirt t’i bindej urdhrit biblik kundër keqpërdorimit të gjakut, ajo ia bëri të qartë mjekëve të saj dëshirën për të pasur vetëm mjekim pa gjak. (Zanafilla 9:3, 4; Veprat 15:29) Mjekët pranuan një formular për shfajësim nga përgjegjësia, ku shfajësoheshin mjekët dhe spitali nga çdo përgjegjësi që vinte si pasojë e vendimit të saj. Ata e siguruan motrën se do t’i përmbaheshin këtij formulari.
Por, pas ndërhyrjes kirurgjike dhe ndërsa Misae ishte ende nën efektin e qetësuesve, asaj iu bë transfuzion gjaku, tamam në kundërshtim me dëshirat e saj të shprehura qartë. Përpjekjet për ta mbajtur të fshehtë transfuzionin e paautorizuar u zbuluan kur një punonjës i spitalit ia tregoi çështjen një reporteri të lajmeve. Siç mund ta kuptoni, kjo e krishterë e sinqertë u trondit tepër kur mori vesh për transfuzionin e paautorizuar. Ajo i kishte zënë besë ekipit mjekësor, duke menduar se ata do ta mbanin fjalën dhe do të respektonin bindjet e saj fetare. Për shkak të angështimit emocional që pësoi për këtë dhunim flagrant të marrëdhënies mjek-pacient dhe me shpresa për të vendosur një precedent, i cili do të kursente të tjerët nga një keqtrajtim i tillë mjekësor, ajo e hodhi çështjen në gjyq.
Rendi publik dhe normat morale
Tre gjyqtarë të Gjykatës Krahinore të Tokios dëgjuan çështjen dhe morën vendim në favor të mjekëve, duke dalë kështu kundër të drejtës për miratim të informuar. Në marrjen e vendimit, të dhënë më 12 mars 1997, ata pohuan se çdo përpjekje për të bërë një kontratë për mjekim absolut pa gjak ishte e pavlefshme. Ata arsyetonin se do të ishte një dhunim i kojo ryozokua ose ndryshe i standardeve shoqërore, nëse një mjek do të bënte një marrëveshje të veçantë për të mos i dhënë gjak pacientit edhe po të zhvillohej një situatë kritike. Opinioni i tyre ishte se detyrimi kryesor i një mjeku është të shpëtojë jetën në mënyrën më të mirë që mundet, kështu që një kontratë do të ishte e pavlefshme që nga fillimi, pavarësisht nga bindjet fetare të pacientit. Ata dhanë vendimin se në fund të fundit, opinioni profesional i një mjeku duhet të ketë përparësinë mbi çdo kërkesë mjekësore të bërë më përpara nga ndonjë pacient.
Më tej, gjyqtarët pohuan se për të njëjtat arsye, edhe pse nga një mjek pritet që të shpjegojë procedurën bazë, efektet dhe rreziqet e një operimi të propozuar, ai «mund të mos e thotë nëse ka ndër mend të japë gjak apo jo». Gjykimi i tyre ishte: «Nuk mund të vendoset që të jetë i paligjshëm dhe as i papërshtatshëm fakti që mjekët si Të pandehur i kuptuan dëshirat e Paditëses për të mos pranuar transfuzion gjaku në çdo rrethanë dhe vepruan sikur do të respektonin dëshirat e saj, duke e bërë që të pranonte operimin në fjalë.» Mendimi ishte se nëse mjekët do të kishin vepruar ndryshe, pacientja mund ta kishte refuzuar ndërhyrjen kirurgjike dhe mund të kishte lënë spitalin.
Ai vendim gjyqi i tronditi dhe i turbulloi përkrahësit e miratimit të informuar. Duke diskutuar mbi vendimin e çështjes Takeda dhe mbi implikimet që solli ai për miratimin e informuar në Japoni, profesor Takao Jamada, një figurë e shquar në fushën e ligjit civil, shkroi: «Nëse lejohet që të qëndrojë arsyetimi i këtij vendimi, refuzimi i transfuzionit të gjakut dhe parimi ligjor i miratimit të informuar do të bëhen një qiri që regëtin në erë.» (Gazeta ligjore Hogaku Kyoshitsu) Duke përdorur fjalë të forta, ai dënoi transfuzionin e detyruar të gjakut si «dhunim flagrant të besimit, i ngjashëm me një sulm tinëzar». Profesor Jamada shtoi se ky veprim që shkatërron besimin «nuk duhet të lejohet kurrë absolutisht».
Natyra e përmbajtur e Misaes e bënte të vështirë për të qenien në qendër të vëmendjes së publikut. Por, duke kuptuar se mund të kishte një pjesë në mbrojtjen e emrit të Jehovait dhe të standardeve të drejta në lidhje me shenjtërinë e gjakut, ajo ishte e vendosur të bënte pjesën e saj. I shkroi këshillit të saj ligjor: «Nuk jam veçse pluhur, madje edhe më pak se aq. Pyes veten pse po përdorem unë që jam kaq e pazonja. Por, kur përpiqem të bëj pikërisht ashtu siç thotë Jehovai, ai që mund të bëjë edhe gurët të bërtasin, ai do të më japë fuqi.» (Mateu 10:18; Luka 19:40) Në bankën e dëshmitarëve gjatë atij gjyqi, ajo përshkroi me një zë të dridhur traumën emocionale që provoi si pasojë e kësaj tradhtie. «U ndjeva e dhunuar, si një grua që e kishin përdhunuar.» Dëshmia e saj i bëri të qajnë shumë veta që ishin në dhomën e gjyqit atë ditë.
Inkurajim surprizë
Për shkak të vendimit të Gjykatës Krahinore, çështja iu apelua menjëherë Gjykatës së Lartë. Diskutimet hyrëse në gjyqin e apelit filluan në korrik të vitit 1997 dhe tani, e ulur në një karrige me rrota, gjendej Misae, e zbehtë, por e vendosur. Kanceri ishte përsëritur dhe ajo po bëhej gjithnjë e më e dobët. Misae mori shumë inkurajim kur kryegjyqtari, me një manovrim të pazakontë, sqaroi drejtimin që kishte ndër mend të merrte gjyqi. Ai e bëri të qartë se gjykata e apelit nuk ishte dakord me vendimin e gjykatës së shkallës së parë: që një mjek kishte të drejtën të shpërfillte dëshirat e pacientit, duke vepruar sikur po i përmbahej dëshirës së këtij të fundit, por duke qenë i vendosur në fshehtësi për të bërë diçka tjetër. Kryegjyqtari tha se gjyqi nuk do të mbështeste parimin e tutelës «Shirashimu bekarazu, yorashimu beshi»,b që do të thotë «Mbajini në padije dhe në varësi» për sa i përket mjekësisë. Më vonë Misae tha: «Jam shumë e lumtur që dëgjoj komentin e ndershëm të gjyqtarit, i cili është krejt ndryshe nga vendimi i mëparshëm i marrë nga Gjykata Krahinore.» Ajo shtoi: «Kjo është ajo për të cilën po i lutesha Jehovait.»
Muajin që pasoi Misae vdiq, e rrethuar nga familja e dashur dhe nga stafi mjekësor i një spitali tjetër, ku bindjet e saj të sinqerta ishin kuptuar dhe respektuar. Edhe pse ishte i trishtuar shumë nga vdekja e nënës së tij, i biri Masami dhe pjesëtarët e tjerë të familjes ishin të vendosur ta ndiqnin çështjen deri në fund, në harmoni me dëshirat e saj.
Vendimi
Më në fund, më 9 shkurt 1998, tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhanë vendimin e tyre, duke hedhur poshtë vendimin e gjykatës më të ulët. Dhoma e vogël e gjyqit ishte mbushur me reporterë, pedagogë dhe të tjerë që e kishin ndjekur besnikërisht gjyqin. Gazetat kryesore dhe stacionet televizive dhanë raporte mbi vendimin e marrë. Disa nga titujt kryesorë ishin: «Gjykata: Pacientët mund ta refuzojnë mjekimin»; «Gjykata e Lartë: Transfuzioni, një dhunim i të drejtave»; «Mjeku që bëri transfuzion gjaku me forcë humbet gjyqin» dhe «Dëshmitarët e Jehovait marrin dëmshpërblimin për transfuzionin».
Raportet e bëra mbi vendimin ishin të sakta dhe tepër të favorshme. Gazeta The Daily Yomiuri raportonte: «Gjyqtari Takeo Inaba tha se ishte e papërshtatshme që mjekët të kryenin procedura, të cilat një pacient i ka refuzuar.» Aty thuhej, gjithashtu, qartë: «Mjekët që bënë [transfuzionin e gjakut] e privuan atë nga mundësia për të zgjedhur mjekimin e saj.»
Gazeta Asahi Shimbun theksoi se, ndërkohë që në këtë rast gjykata mendoi se nuk kishte dëshmi të mjaftueshme që ekzistonte një kontratë, në të cilën të dyja palët ishin dakord të mos përdorej gjaku edhe në situata që vinin në rrezik jetën, gjyqtarët nuk ishin dakord me gjykatën më të ulët për ligjshmërinë e kësaj kontrate: «Nëse ka një marrëveshje të matur mes palëve në lidhje me faktin se nuk duhet të jepet transfuzion gjaku në asnjë rrethanë, kjo Gjykatë nuk e konsideron atë kundër rendit publik e kështu të pavlefshme.» Më tej, kjo gazetë theksonte pikëpamjen e gjyqtarit se «çdo qenie njerëzore është e dënuar të vdesë një ditë dhe procesi në drejtim të momentit të vdekjes mund të vendoset nga secili individ».
Faktikisht, Dëshmitarët e Jehovait kanë studiuar me kujdes këtë çështje dhe janë të bindur se po zgjedhin udhën më të mirë për të jetuar. Kjo gjë përfshin refuzimin e rreziqeve të njohura të transfuzioneve të gjakut dhe në vend të kësaj pranimin e procedurave pa gjak që përdoren gjerësisht në shumë vende dhe janë në harmoni me ligjin e Perëndisë. (Veprat 21:25) Një profesor i mirënjohur japonez i ligjit kushtetues theksoi: «Në realitet, refuzimi i mjekimit [me transfuzion gjaku] në fjalë nuk është një çështje e zgjedhjes ‘se si të vdesësh’, por, përkundrazi, një çështje se si të jetosh.»
Vendimi i marrë nga Gjykata e Lartë duhet t’i bëjë të vetëdijshëm mjekët se të drejtat brenda kompetencës së tyre nuk janë aq të gjithanshme sa mund të mendojnë disa. Dhe duhet të sjellë si rezultat që më shumë spitale të vendosin udhëzime etike. Edhe pse ky vendim gjyqi është pranuar në përgjithësi dhe është inkurajues për pacientët, të cilët në përgjithësi nuk kanë shumë të drejta për të vendosur për trajtimin e tyre, jo të gjitha palët e kanë përqafuar atë me gjithë zemër. Spitali shtetëror i akuzuar dhe tre mjekët e kanë apeluar çështjen në Gjykatën Supreme. Prandaj, duhet të presim për të parë nëse gjykata më e lartë e Japonisë do të mbështetë, gjithashtu, të drejtat e pacientit, ashtu siç bën Sovrani i universit.
[Shënimet]
a Një koncept i papërkufizuar ligjërisht, që i lihet gjyqtarit për ta interpretuar dhe për ta zbatuar.
b Kjo ishte kredoja e lordëve feudalë të periudhës Tokugava në lidhje me mënyrën se si do të sundonin mbi nënshtetasit e tyre.