Jehovai: Burimi i drejtësisë dhe i së drejtës së vërtetë
«Shkëmbi, e përsosur është veprimtaria e tij, sepse të gjitha rrugët e tij janë drejtësi. Perëndi besueshmërie, tek i cili nuk ka padrejtësi.»—LIGJI I PËRTËRIRË 32:4, BR.
1. Pse kemi një nevojë të brendshme për drejtësi?
ASHTU si kushdo ka një nevojë të lindur për dashuri, kështu, të gjithë ne dëshirojmë fort të trajtohemi me drejtësi. Siç shkroi një burrë shteti amerikan, Tomas Xheferson, «[drejtësia] është instinkt dhe e lindur, . . . po aq pjesë e natyrës sonë, sa edhe ajo e ndjenjave, e shikimit ose e dëgjimit». Kjo nuk është e çuditshme, përderisa Jehovai na krijoi në shëmbëllim të atij vetë. (Zanafilla 1:26) Në të vërtetë, ai na dha cilësi që pasqyrojnë personalitetin e tij, një prej të cilave është drejtësia. Ja sepse kemi një nevojë të brendshme për drejtësi dhe se përse jemi të dëshiruar për të jetuar në një botë drejtësie dhe të drejte të vërtetë.
2. Sa e rëndësishme është për Jehovain drejtësia dhe pse duhet ta kapim domethënien e drejtësisë hyjnore?
2 Në lidhje me Jehovain, Bibla na siguron: «Të gjitha rrugët e tij janë drejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4, BR) Por në një botë ku ka pllakosur padrejtësia, nuk është e lehtë ta kapësh domethënien e drejtësisë hyjnore. Megjithatë, nëpërmjet faqeve të Fjalës së Perëndisë, mund të shquajmë se si e administron Perëndia drejtësinë dhe mund të arrijmë t’i çmojmë edhe më shumë rrugët e mrekullueshme të Perëndisë. (Romakëve 11:33) Është e rëndësishme ta kuptojmë drejtësinë në kuptimin biblik, sepse ideja jonë për drejtësinë mund të jetë mjaft e ndikuar nga konceptet njerëzore. Nga një këndvështrim njerëzor, drejtësia mund të konsiderohet si asgjë më shumë sesa një aplikim i thjeshtë i rregullit të ligjit. Ose, siç shkroi filozofi Frensis Bekën, «drejtësia konsiston në faktin që t’i japësh çdo njeriu atë që meriton». Megjithatë, drejtësia e Jehovait përfshin shumë më tepër se kaq.
Drejtësia e Jehovait të ngroh zemrën
3. Çfarë mund të mësohet nga shqyrtimi i fjalëve në gjuhën origjinale, që janë përdorur në Bibël për drejtësi dhe e drejtë?
3 Shtrirja e drejtësisë së Perëndisë mund të kuptohet më mirë duke shqyrtuar se si janë përdorur në Bibël fjalët në gjuhën origjinale.a Interesant është fakti që në Shkrimet nuk ka ndonjë ndryshim domethënës mes drejtësisë dhe së drejtës. Në fakt, disa herë fjalët hebraike janë përdorur paralelisht, siç e shohim në Amosin 5:24, ku Jehovai nxit popullin e tij: «Drejtësia le të rrokulliset ashtu si ujërat dhe e drejta si një përrua që rrjedh pa pushim.» (BR) Për më tepër, disa herë termat «drejtësi dhe e drejtë», shfaqen së bashku për hir të emfazës.—Psalmi 33:5; Isaia 33:5; Jeremia 33:15; Ezekieli 18:21; 45:9, BR.
4. Ç’do të thotë të ushtrosh drejtësi dhe cili është standardi maksimal i drejtësisë?
4 Cili kuptim përcillet me anë të këtyre fjalëve hebraike dhe greke? Të ushtrosh drejtësi në kuptimin biblik, do të thotë të bësh atë që është e drejtë dhe e paanshme. Përderisa Jehovai është ai që vendos ligjet dhe parimet morale apo atë që është e drejtë dhe e paanshme, mënyra se si i bën Jehovai gjërat është standardi maksimal i drejtësisë. Një libër shpjegon se fjala hebraike e përkthyer e drejtë (tseʹdheq), «i referohet një standardi etik, moral dhe sigurisht që në B[esëlidhjen] e V[jetër] ky standard është natyra dhe vullneti i Perëndisë». (Theological Wordbook of the Old Testament) Kështu, mënyra në të cilën i aplikon parimet e tij Perëndia dhe sidomos mënyra se si vepron me njerëzit e papërsosur, zbulon domethënien e saktë të drejtësisë dhe të së drejtës së vërtetë.
5. Cilat cilësi lidhen ngushtë me drejtësinë e Perëndisë?
5 Shkrimet e tregojnë qartë se drejtësia hyjnore të ngroh zemrën, në vend se të jetë e ashpër dhe e paepur. Davidi këndoi: «Jehovai është dashurues i drejtësisë dhe nuk do t’i lërë besnikët e tij.» (Psalmi 37:28, BR) Drejtësia e vet e shtyn Perëndinë të tregojë besueshmëri dhe dhembshuri kundrejt shërbëtorëve të tij. Drejtësia hyjnore është e ndjeshme ndaj nevojave tona dhe merr parasysh papërsosmëritë tona. (Psalmi 103:14) Kjo nuk do të thotë se Perëndia mbyll sytë përpara ligësisë, sepse duke vepruar kështu do të inkurajonte padrejtësinë. (1. Samuelit 3:12, 13; Eklisiastiu [Predikuesi] 8:11) Jehovai i shpjegoi Moisiut se Ai është «i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur dhe në të vërtetë». Edhe pse është i gatshëm të shfajësojë gabimin dhe shkeljen, Perëndia nuk do t’i lërë pa ndëshkuar ata që e meritojnë këtë.—Dalja (Eksodi) 34:6, 7, BR.
6. Si vepron Jehovai me fëmijët e tij tokësorë?
6 Kur meditojmë mbi mënyrën se si e ushtron Jehovai drejtësinë, nuk duhet ta mendojmë atë si një gjykatës të rreptë, të cilit i intereson vetëm të shpallë dënimin për keqbërësit. Përkundrazi, duhet ta mendojmë si një atë të dashur, por të prerë, që me fëmijët e tij vepron gjithmonë në mënyrën më të mirë të mundshme. «O Jehova, ti je Ati ynë»,—tha profeti Isaia. (Isaia 64:8, BR) Si një Atë i drejtë dhe me drejtësi, Jehovai drejtpeshon patundshmërinë për atë që është e drejtë me dhembshurinë e butë ndaj fëmijëve të tij tokësorë, të cilët kanë nevojë për ndihmë ose falje, si rezultat i rrethanave të vështira ose i dobësive të mishit.—Psalmi 103:6, 10, 13.
Të sqarojmë çfarë është drejtësia
7. (a) Çfarë mësojmë për drejtësinë hyjnore nga profecia e Isaisë? (b) Çfarë roli pati Jezui për t’i mësuar kombet mbi drejtësinë?
7 Natyra e dhembshur e drejtësisë së Jehovait u nxor në pah me ardhjen e Mesisë. Jezui u mësoi të tjerëve drejtësinë hyjnore dhe jetoi në harmoni me të, siç ishte parathënë nga profeti Isaia. Qartë, drejtësia e Perëndisë përfshin trajtimin me butësi të njerëzve të shtypur. Në këtë mënyrë, ata nuk ndihen aq të dërrmuar sa të mos e marrin më veten. Jezui, «shërbëtori» i Jehovait, erdhi në tokë që t’u «bëjë të qartë kombeve» këtë aspekt të drejtësisë së Perëndisë. Ai e bëri këtë, mbi të gjitha, duke na dhënë një shembull të gjallë të asaj se ç’do të thotë drejtësi hyjnore. Si «filizi i drejtë» i mbretit David, Jezui ishte i paduruar të ‘kërkonte drejtësinë dhe ishte gati për të drejtën’.—Isaia 16:5; 42:1-4; Mateu 12:18-21; Jeremia 33:14, 15.
8. Pse drejtësia dhe e drejta e vërtetë ishin errësuar në shekullin e parë?
8 Një sqarim i tillë i natyrës së drejtësisë së Jehovait ishte i domosdoshëm veçanërisht në shekullin e parë të e.s. Pleqtë judenj dhe krerët fetarë: skribë, farisenj dhe të tjerë, deklaronin dhe ishin shembull i një pikëpamjeje të shtrembëruar mbi drejtësinë dhe të drejtën. Si rezultat, njerëzit e thjeshtë, që e kishin të pamundur të jetonin në lartësinë e kërkesave të vëna nga skribët dhe farisenjtë, ka të ngjarë që mendonin se e drejta sipas Perëndisë as që mund të arrihej. (Mateu 23:4; Luka 11:46) Jezui tregoi se nuk ishte kështu. Ai i zgjodhi dishepujt e tij nga këta njerëz të thjeshtë dhe u mësoi standardet e drejta të Perëndisë.—Mateu 9:36; 11:28-30.
9, 10. (a) Si u përpoqën ta demonstronin drejtësinë e tyre skribët dhe farisenjtë? (b) Si dhe pse zbuloi Jezui se praktikat e skribëve dhe të farisenjve ishin të kota?
9 Farisenjtë, nga ana tjetër, kërkonin raste për të shfaqur faktin që ishin «të drejtë», duke u lutur dhe duke bërë kontribute në sytë e njerëzve. (Mateu 6:1-6) Gjithashtu, ata u përpoqën të demonstronin se ishin të drejtë, duke iu përmbajtur ligjeve dhe parimeve të panumërta, shumë prej të cilave i kishin shpikur ata vetë. Përpjekje të tilla i bënë të ‘linin të kalonte drejtësia dhe dashuria e Perëndisë’. (Luka 11:42, BR) Nga jashtë mund të dukeshin të drejtë, por përbrenda ishin ‘plot paligjshmëri’ apo padrejtësi. (Mateu 23:28, BR) E shprehur thjesht, ata në të vërtetë e kuptonin fare pak drejtësinë e Perëndisë.
10 Për këtë arsye, Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Nëse drejtësia juaj nuk është më e bollshme se ajo e skribëve dhe e farisenjve, patjetër që nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.» (Mateu 5:20, BR) Kontrasti i thellë mes drejtësisë hyjnore, shembull i së cilës është Jezui, dhe drejtësisë ‘së tepërt’ mendjengushtë të skribëve dhe farisenjve, ishte shkaku i debateve të shpeshta mes tyre.
Drejtësia hyjnore kundër drejtësisë së shtrembëruar
11. (a) Pse e pyetën farisenjtë Jezuin në lidhje me shërimin në sabat? (b) Çfarë zbuloi përgjigjja e Jezuit?
11 Gjatë shërbimit të tij në Galile në pranverën e vitit 31 të e.s., Jezui vuri re një burrë me dorë të tharë në një sinagogë. Meqenëse ishte sabat, farisenjtë e pyetën Jezuin: «A është e ligjshme të shërosh në sabat?» Në vend që të ndienin një merak të sinqertë për këtë burrë të varfër që vuante, ata patën dëshirë të gjenin një pretekst për ta dënuar Jezuin, siç e zbuloi pyetja e tyre. S’është për t’u habitur që Jezui u hidhërua për zemrat e tyre të pandjeshme! Atëherë, në mënyrë domethënëse, ai ua ktheu farisenjve me një pyetje të ngjashme: «A është e ligjshme të bësh në sabat një vepër të mirë?» Kur ata qëndruan të heshtur, Jezui iu përgjigj pyetjes së vet, duke i pyetur nëse nuk do ta shpëtonin një dele që kishte rënë në gropë në sabat.b «Sa më shumë vlen një njeri se një dele!» Jezui arsyetoi me një logjikë të pakundërshtueshme. «Kështu, është e ligjshme [apo e drejtë] të bëjmë një gjë të shkëlqyer në sabat»,—përfundoi ai. Drejtësia e Perëndisë nuk duhet penguar kurrë nga tradita njerëzore. Pasi e bëri të qartë këtë çështje, Jezui shkoi përpara dhe shëroi dorën e atij burri.—Mateu 12:9-13; Marku 3:1-5.
12, 13. (a) Në kontrast me skribët dhe farisenjtë, si e tregoi Jezui interesimin e tij për të ndihmuar mëkatarët? (b) Cili është ndryshimi mes drejtësisë hyjnore dhe drejtësisë ‘së tepërt’ personale?
12 Nëse farisenjtë nuk donin t’ia dinin për ata që kishin paaftësi fizike, aq më tepër nuk donin t’ia dinin për ata që ishin të varfëruar frymësisht. Pikëpamja e tyre e shtrembëruar mbi drejtësinë, i bëri t’i shpërfillnin dhe t’i përçmonin mbledhësit e taksave dhe mëkatarët. (Gjoni 7:49) Megjithatë, shumë nga këta të fundit iu përgjigjën mësimit të Krishtit, duke ndjerë pa dyshim dëshirën e tij për të ndihmuar, në vend se për të gjykuar. (Mateu 21:31; Luka 15:1) Megjithatë, farisenjtë i nxinë përpjekjet e Jezuit për të shëruar të sëmurët frymësisht. «Ky njeri mirëpret mëkatarët dhe ha me ta»,—murmuritnin në mënyrë sharëse. (Luka 15:2, BR) Në përgjigje të akuzës së tyre, Jezui përdori përsëri një ilustrim baritor. Ashtu si një bari gëzon kur gjen një dele të humbur, kështu gëzojnë engjëjt në qiell kur pendohet një mëkatar. (Luka 15:3-7) Vetë Jezui u gëzua kur mundi ta ndihmonte Zakeun të pendohej nga rruga e tij e mëparshme mëkatare. «Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur»,—tha ai.—Luka 19:8-10, BR.
13 Këto përplasje mendimesh zbulojnë qartë dallimin mes drejtësisë hyjnore, e cila kërkon të shërojë dhe të shpëtojë, dhe drejtësisë ‘së tepërt’ personale, e cila kërkon të lartësojë të paktët dhe të dënojë të shumtët. Tradita rituale boshe dhe e bërë nga njeriu i kishte çuar skribët dhe farisenjtë në arrogancë dhe krekosje, por Jezui, me vend, vuri në dukje se ata kishin «përbuzur çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë». (Mateu 23:23, BR) Le të imitojmë Jezuin në ushtrimin e drejtësisë së vërtetë në gjithçka bëjmë, si dhe të ruhemi nga kurthet e drejtësisë ‘së tepërt’ personale!
14. Si e ilustron një nga mrekullitë e Jezuit faktin që drejtësia hyjnore merr parasysh rrethanat e një personi?
14 Ndonëse Jezui shpërfilli rregullat arbitrare të farisenjve, ai respektoi Ligjin e Moisiut. (Mateu 5:17, 18) Në bërjen e kësaj, ai nuk lejoi që formulimi i atij Ligji të drejtë të dilte mbi parimet e tij. Kur një grua, e cila prej 12 vjetësh vuante nga rrjedhja e gjakut, preku rrobat e tij dhe u shërua, Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të bëri mirë; shko në paqe.» (Luka 8:43-48, BR) Fjalët me empati të Jezuit vërtetuan faktin që drejtësia e Perëndisë kishte marrë parasysh rrethanat e saj. Megjithëse formalisht ishte e papastër dhe në këtë mënyrë, duke qenë mes turmës, kishte dhunuar Ligjin e Moisiut në aspektin teknik, besimi i saj meritoi të shpërblehej.—Levitiku 15:25-27; krahaso Romakëve 9:30-33.
Drejtësia është për këdo
15, 16. (a) Çfarë na mëson mbi drejtësinë ilustrimi i Jezuit me të afërmin samaritan? (b) Pse duhet ta shmangim të qenët «të drejtë së tepërmi»?
15 Përveçse nxori në pah natyrën e dhembshur të drejtësisë, Jezui u mësoi dishepujve të tij edhe se drejtësia hyjnore duhet të përfshijë të gjithë njerëzit. Ishte vullneti i Jehovait që ai ‘të bënte të dilte drejtësi për kombet’. (Isaia 42:1, BR) Kjo ishte ideja kryesore e një prej ilustrimeve më të famshme të Jezuit, ajo e të afërmit samaritan. Ilustrimi ishte një përgjigje për pyetjen e ngritur nga një njeri ekspert në Ligj, i cili dëshironte «të tregohej i drejtë». «Kush është me të vërtetë i afërmi im?»—pyeti ai, pa dyshim, duke dashur t’i kufizonte përgjegjësitë e tij prej të afërmi vetëm për popullin jude. Samaritani në ilustrimin e Jezuit shfaqi drejtësi hyjnore, sepse ishte i gatshëm të shpenzonte paratë dhe kohën e tij për të ndihmuar një të huaj nga një komb tjetër. Jezui e mbylli ilustrimin e tij, duke e këshilluar atë që i bëri pyetjen: «Bëj të njëjtën gjë.» (Luka 10:25-37, BR) Nëse ne, ngjashëm, u bëjmë mirë të gjithë njerëzve, pavarësisht nga prejardhja e tyre raciale ose etnike, do të jemi duke imituar drejtësinë e Perëndisë.—Veprat 10:34, 35.
16 Shembulli i skribëve dhe i farisenjve, nga ana tjetër, na kujton se nëse duam të ushtrojmë drejtësi hyjnore, nuk duhet të jemi «të drejtë së tepërmi». (Eklisiastiu 7:16, BR) Përpjekja për t’u bërë përshtypje të tjerëve, duke shfaqur një drejtësi sa për të rënë në sy apo dhënia e një rëndësie të tepruar rregullave të bëra nga njeriu, nuk do të na sjellë miratimin e Perëndisë.—Mateu 6:1.
17. Pse është kaq e rëndësishme të shfaqim drejtësi hyjnore?
17 Një arsye se përse Jezui ua bëri të qartë kombeve natyrën e drejtësisë së Perëndisë, ishte që të gjithë dishepujt e tij të mësonin ta shfaqnin këtë cilësi. Pse është kaq e rëndësishme kjo? Shkrimet na nxitin të ‘bëhemi imitues të Perëndisë’ dhe të gjitha rrugët e Perëndisë janë drejtësi. (Efesianëve 5:1) Ngjashëm, Mikea 6:8 shpjegon se një prej kërkesave të Perëndisë është që të ‘ushtrojmë drejtësi’, ndërsa ecim me Perëndinë tonë. (BR) Më tepër akoma, Sofonia 2:2, 3 na kujton se nëse duam të jemi të fshehur gjatë ditës së zemërimit të Perëndisë, duhet të ‘kërkojmë drejtësinë’ përpara se të vijë ajo ditë.
18. Cilave pyetje do t’u jepet përgjigje në artikullin vijues?
18 Prandaj, këto ditë të fundit kritike janë një «kohë veçanërisht e pranueshme» për të ushtruar drejtësi. (2. Korintasve 6:2, BR) Mund të jemi të sigurt se nëse, ashtu si Jobi, e bëjmë ‘të drejtën, veshjen tonë’ dhe ‘drejtësinë, xhyben tonë pa mëngë’, Jehovai do të na bekojë. (Jobi 29:14, BR) Si do të na ndihmojë besimi në drejtësinë e Jehovait, që të shohim me siguri drejt së ardhmes? Për më tepër, ndërsa presim «tokën e re» të drejtë, si na mbron frymësisht drejtësia hyjnore? (2. Pjetrit 3:13) Artikulli vijues do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
[Shënimet]
a Në Shkrimet Hebraike, përfshihen tri fjalë kryesore. Njëra prej këtyre (mishpatʹ) shpesh përkthehet «drejtësi». Dy të tjerat, (tseʹdheq dhe fjala e lidhur me të tsedhaqahʹ), në shumicën e rasteve përkthehen «e drejta». Fjala greke e përkthyer «e drejtë» (dikaiosyʹne), përkufizohet si «cilësia e të qenët i drejtë».
b Shembulli i Jezuit ishte i zgjedhur mirë, sepse ligji gojor i judenjve i lejonte ata në mënyrë specifike që në sabat ta ndihmonin një kafshë në hall. Në disa raste të tjera, po për këtë çështje kishte përplasje mendimesh, domethënë, nëse ishte apo jo e ligjshme të shëroje në sabat.—Luka 13:10-17; 14:1-6; Gjoni 9:13-16.
A mund të shpjegosh?
◻ Cila është domethënia e drejtësisë hyjnore?
◻ Si ua mësoi Jezui drejtësinë kombeve?
◻ Pse ishte e shtrembëruar drejtësia e farisenjve?
◻ Pse duhet të ushtrojmë drejtësi?
[Figura në faqen 8]
Jezui bëri të qartë shtrirjen e drejtësisë hyjnore