Një rast i lumtur: Diplomimi i klasës së 104-t të Galaadit
«KJO është një ditë e lumtur dhe të gjithë ne gëzojmë.» Me këto fjalë, Carey Barber, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, hapi programin e bukur të diplomimit të klasës së 104-t të Shkollës biblike Watchtower të Galaadit, më 14 mars 1998. Auditori prej 4.945 vetash u ftua ta fillonte këtë rast duke kënduar këngën e Mbretërisë me numër 208, të titulluar «Një këngë gëzimi».
Këshilla praktike për të qëndruar të lumtur
Pjesa hapëse e programit, një seri fjalimesh të shkurtra të bazuara në Bibël, siguroi disa këshilla praktike se si të mbahet fryma e gëzueshme që përshkon ditën e diplomimit.
Fjalimi i parë u mbajt nga Xhozef Ems i Repartit të Shkrimit. Ai foli mbi temën «Imitoni frymën e besnikëve», bazuar në tregimin biblik në 2. Samuelit, kapitujt 15 dhe 17, ku Absalomi, biri i Davidit, duke nxitur një revoltë, komplotoi për t’ia hequr babait të tij mbretërinë që i kishte dhënë Perëndia. Megjithatë, pati nga ata që i mbetën besnikë të mirosurit të Jehovait, mbretit David. Çfarë mësimi mund të nxirrnin misionarët e rinj nga kjo? «Kudo që të shkoni në caktimin tuaj misionar, përkrahni besnikërisht frymën e bashkëpunimit dhe të respektit për autoritetin teokratik. Ndihmojini të tjerët të veprojnë po kështu»,—përfundoi vëllai Ems.
Më pas, në program ishte David Sinkler, i cili theksoi dhjetë kërkesa të përmendura në Psalmin 15, për të qenë mysafirë në ‘tendën e Jehovait’. Fjalimi i tij, i titulluar «Vazhdoni si mysafirë në tendën tuaj misionare», i inkurajoi studentët që po diplomoheshin t’ia aplikonin këtë psalm caktimeve të tyre misionare, ku do të ishin mysafirë. Vëllai Sinkler nxori në pah nevojën për të jetuar sipas standardeve hyjnore në çdo kohë. Rezultati? Psalmi 15:5 deklaron: «Ai që i bën këto gjëra, nuk do të lëkundet kurrë.»—BR.
Më pas, John Barr, anëtar i Trupit Udhëheqës, e tërhoqi vëmendjen tek efekti fuqizues që ka të kënduarit nëpër mbledhjet e krishtere. Por cila është kënga më e gëzueshme që po këndohet sot anembanë tokës? Është lajmi i mirë i Mbretërisë Mesianike të Perëndisë. Çfarë po rezulton nga e gjithë kjo e kënduar apo predikim për Mbretërinë? Strofa e dytë e këngës 208 e shpreh përmbledhtas: «Nëpërmjet predikimit të Mbretërisë dhe mësimit të krishterë, shumë tërhiqen në anën e Jehovait. Edhe këta këndojnë këngë gëzimi, duke i bërë ato të kumbojnë kudo!» Po, çdo ditë pagëzohen rreth 1.000 dishepuj të rinj. Vëllai Barr, e mbylli fjalimin me fjalët: «A nuk është e mrekullueshme, vëllezër, të mendoni se po dërgoheni nëpër territore, për të takuar ato lloje njerëzish që po presin vetëm të dëgjojnë këngën tuaj të lavdërimit?»
«Dëgjoni zërat e përvojës» ishte titulli i fjalimit që mbajti më pas vëllai Xhejms Mants nga Reparti i Shkrimit. Ai vuri në dukje se disa gjëra mund të mësohen vetëm nga përvoja personale. (Hebrenjve 5:8) Megjithatë, Fjalët e urta 22:17 na inkurajojnë ta ‘pririm veshin tonë dhe të dëgjojmë fjalët e të mençurve’ apo të atyre që kanë fituar përvojë. Studentët që po diplomohen mund të mësojnë shumë nga ata që kanë shkuar para tyre. «Ata dinë se si të bëjnë pazar me shitësit e zonës. Dinë se cilat zona të qytetit duhen shmangur për shkak të rreziqeve fizike ose morale. Njohin ndjeshmërinë e njerëzve të asaj zone. Misionarët prej një kohe të gjatë e dinë se për çfarë keni nevojë që të jeni të lumtur dhe të suksesshëm në caktimin tuaj»,—tha vëllai Mants.
Duke folur mbi temën «Çmoni caktimin tuaj teokratik», Wallas Livërëns, sekretar administrativ në Shkollën e Galaadit, shpjegoi se ndonëse misionarë të tillë, si: Pavli, Timoteu dhe Barnaba, i morën caktimet e tyre nga Perëndia nëpërmjet frymës së shenjtë ose ndonjë shfaqjeje të mrekullueshme, misionarët e stërvitur në Galaad caktohen në një vend të fushës mbarëbotërore, me anë të «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Ai i krahasoi caktimet e misionarëve me vendet ku Gideoni caktoi njerëzit e tij, që do të luftonin me midianitët. (Gjykatësit 7:16-21) «Çmoni caktimin tuaj misionar. Ashtu si ushtarët e Gideonit ‘vazhduan të qëndronin secili në vendin e tij’, konsiderojeni caktimin tuaj si vendin ku duhet të jeni. Kini besim se Jehovai mund t’ju përdorë ashtu siç përdori treqind njerëzit e Gideonit!»—nxiti vëllai Livërëns.
Me mendjen te njerëzit rezultati është lumturia
Një herë, Kulla e Rojës komentonte: «Në vend se interesat dhe jetën tonë ta ndërtojmë rreth mallrave dhe pajisjeve të këtij rendi të tanishëm, gjëra që s’është e sigurt nëse do të mbeten apo jo, sa më mirë dhe më e mençur është t’i bëjmë njerëzit interesimin tonë të vërtetë dhe të mësojmë të gjejmë gëzim të plotë duke bërë gjëra për të tjerët.» Në harmoni me këtë, vëllai Mark Numar, një prej instruktorëve të Shkollës së Galaadit, trajtoi me një grup studentësh përvojat e tyre të shërbimit në fushë dhe komentoi: «Tregoni interesim personal për të tjerët; kjo është ajo që do t’ju bëjë misionarë të suksesshëm.»
Çelësa drejt lumturisë në fushën e huaj
Cilët janë disa çelësa drejt suksesit dhe lumturisë në veprën misionare? Vëllezërit Çarls Udi i Repartit të Shërbimit dhe Harold Xhekson, një ish-misionar në Amerikën Latine dhe asistent në Komitetin e Mësimit, intervistuan anëtarë të Komiteteve të Degëve të ndryshme, të cilët po ndiqnin klasën e nëntë të shkollës për personelin e degës. Këtu jepet një model i këshillave që ofruan këta:
Albert Musonda nga Zambia vërejti: «Kur misionari merr iniciativën për të shkuar dhe për të përshëndetur vëllezërit, kjo prodhon një frymë të mirë, sepse vëllezërit do të afrohen me misionarin dhe misionari do të afrohet me ta.»
Rolando Morales nga Guatemala sugjeroi se kur misionarëve të rinj u ofrohet diçka për të pirë nga njerëz miqësorë, me mirësjellje dhe me takt, mund të përgjigjen: «Jam i ri në këtë vend. Do të desha ta merrja, por trupi im nuk ka atë mbrojtje natyrore që ka trupi juaj. Shpresoj që një ditë të mund ta pranoj dhe do të më pëlqente ta merrja.» Cilat janë dobitë e një lloji të tillë përgjigjeje? «Njerëzit nuk do të ofendohen dhe misionarët do të jenë treguar të sjellshëm ndaj të tjerëve.»
Ç’gjë mund t’i ndihmojë misionarët të qëndrojnë në caktimet e tyre? Vëllai Pol Krudas, i diplomuar në klasën e 79 të Galaadit, që 12 vjetët e fundit ka shërbyer në Liberi, vërejti: «E di që është e vërtetë se prindërit i merr malli për fëmijët e tyre. Por ka periudha kur misionari përpiqet të mësohet me vendin, ambientin, kulturën dhe njerëzit. Ndoshta ndjen sikur do ta lërë caktimin e tij. Nëse nga shtëpia merr një letër, ku thuhet: ‘Na ka marrë shumë malli; nuk dimë si do t’ia bëjmë pa ty’, kjo mund të jetë më se e mjaftueshme që ai të bëjë gati valixhet dhe të shkojë në shtëpi. Është shumë e rëndësishme që të afërmit e pranishëm sot këtu, të mos e harrojnë këtë.»
Pas intervistave, fjalimi i fundit në program ishte ai i mbajtur nga vëllai Theodore Jaracz, anëtar i Trupit Udhëheqës. Tema e tij: «Mbajeni Mbretërinë të parën në jetën tuaj.» Si munden misionarët të qëndrojnë të përqendruar dhe të mos shpërqendrohen prej veprës së tyre? Ai i inkurajoi të kenë një program për studimin personal të Biblës, i cili do t’i ndihmojë t’i mbajnë interesat e Mbretërisë të parat në jetë. Gjithashtu, u dha ky përkujtues me vend: «Disa misionarë e kanë lënë pas dore studimin personal, sepse janë dhënë pas pajisjeve elektronike, postës elektronike dhe kompjuterit. Ne duhet të kemi gjykim të shëndoshë, për të qenë të drejtpeshuar në përdorimin e çdo pajisjeje dhe të mos shpenzojmë një sasi të tepruar kohe për diçka që mund ta cënojë studimin tonë personal të Fjalës së Perëndisë.»
Pas fjalimit të vëllait Jaracz, i erdhi radha dhënies së diplomave dhe leximit të letrës së çmueshmërisë nga klasa. Përfaqësuesi i klasës i shprehu ndjenjat e të gjithëve me këto fjalë: «Ne pamë një dëshmi konkrete të dashurisë, për të cilën Jezui tha se do të karakterizonte dishepujt e tij dhe kjo na dha sigurinë që pavarësisht se ku jemi, ekziston një organizatë e ngrohtë, e dashur, si një nënë, e cila na përkrah. Me një mbështetje të tillë, jemi gati të shkojmë deri në skajet e tokës.» Për klasën e 104-t të Galaadit, kjo ishte një mbyllje prekëse e ditës së lumtur të diplomimit.
[Kutia në faqen 24]
Statistikat e klasës
Numri i shteteve të përfaqësuara: 9
Numri i shteteve ku u caktuan: 16
Numri i studentëve: 48
Numri i çifteve të martuara: 24
Mosha mesatare: 33
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16
Mesatarja e viteve në shërbim të plotë kohor: 12
[Figura në faqen 25]
Diplomimi i klasës së 104-t të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht
(1) Romero, M.; Howarth, J.; Blackburne-Kane, D.; Hohengasser, E.; West, S.; Thom, S. (2) Colon, W.; Glancy, J.; Kono, Y.; Drews, P.; Tam, S.; Kono, T. (3) Tam, D.; Zechmeister, S.; Gerdel, S.; Elwell, J.; Dunec, P.; Tibaudo, H. (4) Taylor, E.; Hildred, L.; Sanches, M.; Anderson, C.; Bucknor, T.; Hohengasser, E. (5) Howarth, D.; Ward, C.; Hinch, P.; McDonald, Y.; Sanches, T.; Thom, O. (6) Drews, T.; Tibaudo, E.; Elwell, D.; Dunec, W.; Blackburne-Kane, D.; Ward, W. (7) Anderson, M.; Zechmeister, R.; McDonald, R.; Bucknor, R.; Glancy, S.; Gerdel, G. (8) Romero, D.; Hinch, R.; Hildred, S.; Taylor, J.; Colon, A.; West, W.
[Figura në faqen 26]
Vëllezër që morën pjesë në instruktimin e klasës së 104-t: (nga e majta) W. Livërëns, U. Glas, K. Adams, M. Numar