Studentët e diplomuar të Fjalës së Perëndisë
DUKE imituar të krishterët e shekullit të parë, Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në botën mbarë për predikimin e tyre derë më derë. Kjo vepër u theksua në komentet e hapjes së programit të diplomimit të klasës së 102-të të Shkollës Biblike të Galaadit.
Më 1 mars 1997, Albert Schroeder, anëtar i Trupit Udhëheqës së Dëshmitarëve të Jehovait, tërhoqi vëmendjen drejt një artikulli të fundit të gazetës franceze Le Point. Në të përmendeshin planet e Kishës Katolike të Romës për të filluar predikimin shtëpi më shtëpi në Itali. «Që [misionarët e Vatikanit] të mos shkojnë duarbosh, ndërsa bëjnë konkurrencë në territorin e Dëshmitarëve të Jehovait,—thoshte artikulli,—Vatikani ka shkuar deri atje sa të marrë masat për të pasur të shtypura një milion kopje të Ungjillit të Shën Markut, ndërsa të dërguarit e tij ballafaqohen me ekspertët [Dëshmitarë] në ‘lënien’ e fjalës së mirë derë më derë.»
48 të diplomuarit janë ndër ata që kanë imituar metodat eksperte të predikimit të Jezuit në përhapjen e Fjalës së Perëndisë. Ata kanë ardhur nga tetë vende në Qendrën Edukative Watchtower, në Paterson, Nju Jork. Gjatë pesë muajve të shkollimit të tyre, ata studiuan Biblën nga fillimi në fund. Kursi i tyre përfshinte edhe historinë e organizatës së Perëndisë, aspekte praktike të jetës misionare dhe frytin e frymës së Perëndisë. E gjithë kjo ishte me një synim në mendje: Për t’i përgatitur ata për shërbimin misionar në vende të huaja, në 17 vendet ku do të dërgoheshin. Gjatë diplomimit të tyre, një auditor ndërkombëtar prej 5.015 personash mori pjesë në gëzimin e atij rasti. Çfarë këshille të fundit praktike morën ata studentë të Galaadit?
Inkurajim në kohë për misionarët e rinj
Pas komenteve hapëse të drejtuesit, Ralf Ualls, një ndihmës i Komitetit të Personelit të Trupit Udhëheqës, bëri fjalimin e parë të shkurtër me këshilla praktike për misionarët e rinj. Tema e tij ishte «Kujtoni të tregoni dashuri». Ai nxori në pah se në 2. Timoteut kapitulli 3, Bibla parathoshte se bota do të bëhej gjithnjë e më e padashur. Ai u ofroi këtë përkujtesë në kohë misionarëve të rinj, në harmoni me përshkrimin e dashurisë që gjejmë në 1. Korintasve 13:1-7: «Si misionarë, ju mund ta tejkaloni kuotën tuaj të orëve. Mund të keni njohuri me bollëk nga stërvitja juaj në Galaad. Ose mund të punojmë me zell jashtë orarit të punës në caktimet tona në degë. Por të gjitha përpjekjet dhe sakrificat tona kthehen në hiç, nëse harrojmë të tregojmë dashuri.»
Pas tij në program ishte Carey Barber, i Trupit Udhëheqës, i cili trajtoi temën «Jehovai po na drejton drejt fitores». Që nga fillimet e vogla pas Luftës I Botërore, Perëndia Jehova i ka drejtuar shërbëtorët e tij besimplotë drejt fitores në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë së tij, pavarësisht nga persekutimet. Në 1931-shin, Studentët Biblikë, siç ishin të njohur atëherë, adoptuan emrin Dëshmitarë të Jehovait, gjë që acaroi klerin e të ashtuquajturit krishterim. «Klasa e 102-të e misionarëve të stërvitur në Galaad tani ka privilegjin e shkëlqyer për të marrë pjesë në veprën e lavdishme të dhënies së mundësisë për t’ua mësuar atë emër të shenjtë sa më shumë njerëzve»,—tha vëllai Barber. Ata i shtohen listës së gjatë të 7.131 misionarëve, të cilët janë stërvitur në Shkollën e Galaadit dhe kanë ndihmuar në shtrirjen e predikimit të Fjalës së Perëndisë nga 54 vende në 233 vende sot.
Oratori tjetër, Lloyd Barry, gjithashtu i Trupit Udhëheqës, ka qenë një i diplomuar në klasën e 11-të të Galaadit dhe ka shërbyer si misionar në Japoni për më shumë se 25 vjet. Ai dha inkurajim me temën e tij «Qëndroni në këto gjëra». «Një pjesë e mirë e gëzimit tuaj do të gjendet tek qëndrueshmëria»,—u tha ai studentëve. Çfarë shpërblimesh vijnë nga qëndrueshmëria në veprën misionare apo në çfarëdo caktimi teokratik? «Mbi të gjitha, qëndrueshmëria jonë e bën të gëzuar zemrën e Jehovait . . . Ka kënaqësi të madhe në mbajtjen e integritetit nën sprovë . . . E bën shërbimin misionar karrierën tonë në jetë . . . Shpërblimi do të jetë një ‘të lumtë’ që të ngroh zemrën.» (Mateu 25:21; Proverbat 27:11) Në përfundim të prezantimit të tij, vëllai Barry u sugjeroi përzemërsisht misionarëve të rinj që «të qëndronin në këto gjëra», duke qenë të vendosur që fusha misionare të bëhet vetë jeta e tyre.—1. Timoteut 4:16.
«Çfarë do të shikoni?» ishte pyetja e ngritur nga Karl Adams, i cili kishte marrë pjesë në arsimimin e shumë klasave të Galaadit. Ai theksoi se ajo që do të shihnin misionarët e rinj në caktimet e tyre nuk varet vetëm nga sytë e tyre fizikë, por edhe nga sytë e zemrës së tyre. (Efesianëve 1:18) Kjo ilustrohet nga ajo që panë spiunët izraelitë, kur këqyrën Tokën e Premtuar. Të 12 spiunët panë të njëjtat gjëra për nga pikëpamja fizike, por vetëm dy prej tyre e panë Tokën e Premtuar nga këndvështrimi i Perëndisë. Edhe misionarët mund t’i shohin gjërat në mënyra të ndryshme. Në disa vende, ku do të shërbejnë, ata mund të shohin varfërinë, vuajtjet dhe mungesën e shpresës. Por nuk duhet të reagojnë negativisht dhe të braktisin caktimin e tyre. Vëllai Adams tregoi për një misionar nga një klasë e fundit, i cili tha: «Këto përvoja më bënë të kuptoj se duhet të qëndroj këtu. Këta njerëz kanë nevojë për një shpresë për të ardhmen. Unë dua të bëj një kthesë në jetën e tyre.» Vëllai Adams përfundoi duke i inkurajuar misionarët e rinj për t’i parë vendet, në të cilat janë caktuar si zona që Jehovai ka vendosur t’i bëjë pjesë të Parajsës së Tij globale dhe t’i shohin njerëzit e atjeshëm si anëtarë të ardhshëm të shoqërisë së botës së re.
Fjalimi i fundit në këtë pjesë të programit ishte nga Uallas Liverens, i cili para se të bëhej instruktor në Galaad, ka shërbyer për disa vjet në fushën misionare. «Veproni me mendjehollësi në veprat e mrekullueshme të Perëndisë» ishte tema e tij. Të veprosh me mendjehollësi përfshin të veprosh me urtësi, maturi dhe gjykim të shëndoshë. Kjo ishte një gjë, të cilën mbreti Saul i Izraelit, dështoi për ta bërë.—1. Samuelit 13:9-13; 15:1-22.
Një mënyrë për të vepruar me mendjehollësi është duke pranuar sfidat e përshtatjes me një mënyrë të re jetese, përfshirë këtu edhe mësimin e një gjuhe të re dhe njohjen me njerëzit. Përvojat që kanë misionarët në përballimin e sfidave dhe në kapërcimin e pengesave mund t’i forcojnë ata frymësisht, ashtu siç u forcua Josiu dhe Kalebi kur pushtuan tokën që u kishte caktuar Perëndia.
Intervista
Pjesa tjetër e programit përfshinte një sërë intervistash. Harold Xhekson intervistoi Ulysses Glass, regjistrues dhe instruktor për një kohë të gjatë në Shkollën e Galaadit, i cili tani është 85 vjeç. Shumë misionarë që janë akoma në fushë i kujtojnë mirë vitet e tij të mësimit dhe të stërvitjes së besueshme. Pas tij ishte Mark Numar, një instruktor i Galaadit, i cili para se të bashkohej me kuadrin e Shkollës së Galaadit, shërbeu 11 vjet si misionar në Afrikë. Ai i intervistoi studentët lidhur me shërbimin e tyre gjatë pesë muajve të shkollimit të tyre. Përvojat që kishin pasur treguan qartë se në territorin lokal ka njerëz të interesuar për Fjalën e Perëndisë.
Më pas, Robert Siranko dhe Çarls Molohan folën me vëllezër me përvojë, të cilët po merrnin pjesë në një tjetër shkollë në këto ambiente, një shkollë për personelin e degës. Këshilla e tyre për klasën e diplomuar përfshinte nevojën për të qenë të përulur dhe për t’i kontribuar unitetit të kongregacionit. Ata u sugjeruan të diplomuarve se nuk duhet të formojnë opinione që më parë mbi atë se çfarë do të ndodhë në veprën misionare, por përkundrazi të jenë të gatshëm për të pranuar çdo situatë që mund të vijë. Zbatimi i kësaj këshille pa dyshim që do t’i ndihmojë misionarët e rinj të përmbushin caktimet e tyre si mësues të Fjalës së Perëndisë.
Në fund, Theodore Jaracz, anëtar i Trupit Udhëheqës, e drejtoi auditorin mbi temën «Cilët po ndikohen?» Ai shpjegoi se kur ne si të krishterë shfaqim frytin e frymës, mund të jemi një ndikim i mirë për njerëzit e tjerë. «Misionarët që janë dërguar nga organizata e Jehovait, kanë dhënë një dëshmi të lavdërueshme të ndikimit të njerëzve në një mënyrë të shëndetshme, frymore»,—vërejti ai. Më pas, ai citoi disa komente të bëra nga individë, të cilët janë ndihmuar për t’i shërbyer Perëndisë, si rezultat i shembullit të mirë të lënë nga misionarët. «Mbajeni, pra, reputacionin që populli i Jehovait ka fituar dhe vazhdoni të trokisni në ato dyer në caktimin tuaj në vend të huaj, në kërkim të atyre që e meritojnë . . . Gjithashtu, me anë të sjelljes suaj të drejtë e të pastër, rezistojini frymës së kësaj bote dhe qofshi një ndikim për mirë për lavdi dhe nder të Jehovait»,—përfundoi ai.
Në përmbledhje të programit, drejtuesi dha përshëndetje nga larg e nga afër dhe më pas, prezantoi diplomat e njoftoi caktimet misionare. Pas kësaj, një nga të diplomuarit lexoi një rezolutë duke shprehur falënderimet për arsimimin e siguruar. Qartë, programi i diplomimit të klasës së 102-të i bëri të gjithë të pranishmit më të vendosur për të shkuar përpara në shpalljen e Fjalës së Perëndisë.
[Figura në faqen 31]
Diplomimi i klasës së 102-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë rreshtuar nga e majta në të djathtë të çdo rreshti.
(1) Duffy, C.; Alexis, D.; Harff, R.; Lee, J.; Corey, V.; Nortum, T.; Mora, N.; Journet, F. (2) Djupvik, L.; Singh, K.; Hart, B.; Kirkoryan, M.; Lee, S.; Rastall, S.; Zoulin, K.; Kollat, K. (3) Singh, D.; Pitteloud, J.; Pitteloud, F.; Bokoch, N.; Torma, C.; Muxlow, A.; Richardson, C.; Nortum, D. (4) Harff, J.; Journet, K.; Barber, A.; Loberto, J.; Loberto, R.; Muxlow, M.; Mora, R.; Hart, M. (5) Torma, S.; Rastall, A.; Diaz, R.; Diaz, H.; Weiser, M.; Weiser, J.; Kirkoryan, G.; Zoulin, A. (6) Alexis, R.; Barber, D.; Djupvik, H.; Duffy, C.; Kollat, T.; Richardson, M.; Bokoch, S.; Corey, G.