Familja: Një çështje urgjente!
«DHE jetuan përgjithmonë të lumtur.» Ky fund i mrekullueshëm përrallash, sot i aplikohet gjithnjë e më pak martesave. Premtimi martesor për ta dashur njëri-tjetrin «në të mirë e në të keq» për sa të kenë jetë, tepër shpesh është thjesht retorik. Mundësia për të pasur një familje të lumtur duket se është një aventurë, e cila nuk i ka në favor të saj probabilitetet.
Mes viteve 1960 dhe 1990, në shumicën e vendeve të industrializuara perëndimore, divorci u vlerësua si më shumë se i dyfishuar. Në disa vende është rritur katërfish. Për shembull, në Suedi, çdo vit lidhen rreth 35.000 martesa dhe pothuajse gjysma e tyre prishen, duke përfshirë më shumë se 45.000 fëmijë. Çiftet që bashkëjetojnë pa qenë të martuara, marrin fund në një masë edhe më të madhe, duke ndikuar kështu në dhjetëra mijë fëmijë të tjerë. Një prirje e ngjashme po shfaqet nëpër vendet anembanë botës, siç mund të shihet nga kutia në faqen 5.
Vërtet, familjet e shkatërruara dhe zgjidhjet e martesave nuk janë diçka e re në histori. Kodi i Hamurabit i shekullit të 18-të p.e.s., përmbante ligje që e lejonin divorcin në Babiloni. Edhe Ligji i Moisiut, i vendosur në shekullin e 16-të p.e.s., e lejonte divorcin në Izrael. (Ligji i përtërirë 24:1) Megjithatë, lidhjet familjare nuk kanë qenë kurrë më të dobëta se në këtë shekull të 20-të. Më shumë se një dekadë më parë, reporteri i një gazete shkroi: «Pas pesëdhjetë vjetësh, mund të mos kemi as edhe ndonjë familje në kuptimin tradicional. Ato mund të jenë zëvendësuar nga grupe të tipeve të ndryshme.» Prirja që prej asaj kohe, duket se vërteton idenë e tij. Institucioni i familjes është keqësuar me kaq shpejtësi, saqë pyetja «a do të mbijetojë?» po bëhet gjithnjë e më me vend.
Pse për shumë çifte është kaq e vështirë të lidhen fort me njëri-tjetrin dhe të mbajnë një familje të bashkuar? Cili është sekreti i atyre që janë lidhur fort së bashku për një jetë të gjatë, duke kremtuar me lumturi 25 dhe 50-vjetorin e martesës? Meqë ra fjala, në vitin 1983 u mor vesh se një burrë dhe një grua në ish-republikën sovjetike të Azerbajxhanit, kremtuan 100-vjetorin e martesës së tyre, në moshat përkatëse 126 dhe 116 vjeç.
Cili është kërcënimi?
Në shumë vende, disa prej arsyeve për divorc ligjor janë tradhtia bashkëshortore, mizoria mendore ose fizike, braktisja, alkoolizmi, impotenca, çmenduria, bigamia dhe narkomania. Megjithatë, një shkak më i përgjithshëm është se qëndrimi themelor ndaj martesës dhe jetës tradicionale familjare ka ndryshuar në mënyrë radikale, sidomos gjatë dekadave të fundit. Respekti për një institucion që për shumë kohë është konsideruar i shenjtë, është gërryer. Prodhuesit lakmitarë të muzikës, të filmave, të telenovelave dhe të literaturës moderne, kanë ngritur në qiell të ashtuquajturën liri seksuale, imoralitetin, sjelljen e shthurur dhe një mënyrë jetese të përqendruar te vetja. Ata i kanë dhënë shtytje një kulture që ka ndotur mendjet dhe zemrat e të rinjve dhe të të moshuarve bashkë.
Një anketë e vitit 1996 tregoi se 22 për qind e amerikanëve thonë se një marrëdhënie jashtëmartesore hera-herës mund t’i bëjë mirë martesës. Një numër i veçantë i një prej gazetave më të mëdha të Suedisë, Aftonbladet, i nxiste gratë të divorcoheshin, sepse, «mund t’u dilte vetëm për më mirë». Disa psikologë dhe antropologë të modës kanë spekuluar madje me faktin se njeriu është «i programuar» me anë të evolucionit, për t’i ndryshuar partnerët vazhdimisht pas pak vitesh. Me fjalë të tjera, ata po hedhin idenë se marrëdhëniet jashtëmartesore dhe divorcet janë të natyrshme. Madje disa argumentojnë se një divorc i prindërve mund të jetë diçka e mirë për fëmijët, sepse i përgatit që një ditë të përballojnë divorcin e atyre vetë.
Shumë të rinj nuk dëshirojnë më të bëjnë një jetë familjare tradicionale, me baba, nënë dhe fëmijë. «Nuk e imagjinoj dot ta kaloj tërë jetën me të njëjtin partner», është një pikëpamje e përhapur. «Martesa është si Krishtlindjet, tamam një përrallë e mrekullueshme. Unë s’e besoj fare atë»,—tha një 18-vjeçare daneze. «Puna është se përse dreqin u dashka të jetosh me burrat dhe t’u lash çorapet,—u shpreh Norën Bërn e Këshillit Kombëtar të Grave në Irlandë.—Dil me ta dhe bëj qejfin tënd . . . Shumë gra po vendosin se nuk kanë nevojë për burra, që të mbijetojnë.»
Në rritje familjet me një prind
Në mbarë Evropën, ky qëndrim ka çuar në një rritje të shpejtë të numrit të nënave beqare. Disa prej këtyre prindërve beqarë janë adoleshente që mendojnë se një shtatzëni e paplanifikuar nuk është një gabim. Disa janë gra që dëshirojnë t’i rritin vetë fëmijët e tyre. Shumica janë nëna që bashkëjetojnë me babain e fëmijës për njëfarë kohe, pa asnjë plan për t’u martuar me të. Vitin e kaluar, revista Newsweek botoi një artikull që mbante titullin e kopertinës, mbi pyetjen «Vdekja e martesës?». Aty pohohej se përqindja e lindjeve jashtë martese në Evropë, po rritet me shpejtësi dhe se duket që askush nuk do t’ia dijë për këtë. Suedia mund të jetë në krye të listës, me gjysmën e foshnjave të lindura jashtë martese. Në Danimarkë dhe në Norvegji është pothuajse gjysma, ndërsa në Francë dhe në Angli rreth 1 në 3.
Në Shtetet e Bashkuara, familjet me dy prindër kanë rënë në mënyrë dramatike në pak dekadat e fundit. Një raport thotë: «Në vitin 1960, . . . 9 për qind e të gjithë fëmijëve jetonin në familje me një prind. Deri në vitin 1990, ky numër arriti në 25 për qind. Sot, 27,1 për qind e të gjithë fëmijëve amerikanë kanë lindur në shtëpi me një prind, një numër që është në rritje. . . . Që prej vitit 1970, numri i familjeve me një prind është bërë më shumë se dyfishi. Sot, familja tradicionale është kaq e kërcënuar, sa mund të jetë në prag të shfarosjes, thonë disa bërës kërkimesh.»
Në vendet ku Kisha Katolike Romake ka humbur një pjesë të madhe të autoritetit të saj moral, familjet me një prind janë në rritje. Më pak se gjysma e familjeve italiane përbëhen nga nëna, babai dhe fëmijët, ndërsa familja tradicionale po zëvendësohet nga çiftet pa fëmijë dhe nga familjet me një prind.
Sistemi i asistencës sociale në disa vende i inkurajon, në fakt, njerëzit që të mos martohen. Nënat beqare që marrin asistencë shtetërore, do ta humbnin këtë nëse martohen. Nënat beqare në Danimarkë marrin subvencione shtesë, për t’u kujdesur për fëmijët dhe në disa vende, nënat nën 18 vjeç marrin para plus dhe u paguhet qiraja. Pra, këtu përfshihet paraja. Alf B. Svenson deklaron se një divorc në Suedi u kushton paguesve të taksave nga 250 mijë deri në 375 mijë dollarë për subvencionet, pagesën për strehimin dhe asistencën sociale.
Kishat e të ashtuquajturit krishterim duket se po bëjnë pak ose aspak për t’u përpjekur që ta sprapsin këtë prirje shkretuese mes familjeve. Shumë pastorë dhe klerikë po luftojnë me krizat brenda familjeve të atyre vetë, duke u ndier kështu të paaftë për t’i ndihmuar të tjerët. Madje disa duket se e përkrahin divorcin. Aftonbladet e 15 prillit 1996 raportonte se pastori Stiven Allen nga Bradfordi, Angli, organizoi një ceremoni të veçantë divorci, për të cilën ai sugjeroi se duhej të shërbente si një akt zyrtar në të gjitha kishat britanike. «Është një shërbim shërimi, për ta ndihmuar dikë që ta pranojë atë që i ka ndodhur. Ky shërbim i ndihmon të kuptojnë se Perëndia i do ende dhe i çliron nga lëndimi që kanë.»
Pra, ku po shkon institucioni i familjes? A ka shpresë për mbijetesë? A mund ta ruajnë unitetin e tyre familje të veçanta, ndonëse nën një kërcënim të tillë masiv? Të lutemi të shqyrtosh artikullin vijues.
[Tabela në faqen 5]
MARTESAT NË VIT NË KRAHASIM ME DIVORCET NË DISA VENDE
SHTETI VITI MARTESAT DIVORCET
Angli 1992 356.013 174.717
Australi 1993 113.255 48.324
Çeki 1993 66.033 30.227
Danimarkë 1993 31.507 12.991
Estoni 1993 7.745 5.757
Francë 1991 280.175 108.086
Gjermani 1993 442.605 156.425
Japoni 1993 792.658 188.297
Kanada 1992 164.573 77.031
Kubë 1992 191.837 63.432
Moldavi 1991 4.065 2.659
Norvegji 1993 19.464 10.943
Porto Riko 1992 34.222 14.227
Rusi 1993 1.106.723 663.282
Suedi 1993 34.005 21.673
Sh.B.A 1993 2.334.000 1.187.000
(Bazuar në Librin vjetor demografik 1994, Kombet e Bashkuara, Nju Jork 1996)