BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/8 f. 26-30
  • Përse të raportojmë atë që është e keqe?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Përse të raportojmë atë që është e keqe?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të çmojmë vlerën e qortimit
  • Përgjegjësi e kujt është?
  • Trajtimi i çështjes
  • Të ruajmë shenjtërinë në kongregacion
  • Ndihmë për ata që kanë gabuar
  • Një veprim i dashurisë parimore
  • Pranoje gjithmonë disiplinën e Jehovait!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Të ruajmë paqen dhe pastërtinë e kongregacionit
    Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait
  • Pleq—Përgjigjjuni mëkatit me dashuri e mëshirë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/8 f. 26-30

Përse të raportojmë atë që është e keqe?

«KUSH nxjerr në shesh një çështje, bëhet armik i njerëzve»,​—është një thënie në Afrikën Perëndimore. Kjo ndodhi me Olun, kur akuzoi vëllanë e tij më të madh se kishte kryer incest me motrën e tij. «Ti je një gënjeshtar!»​—çirrej i vëllai. Më pas, ai e rrahu keq Olun, e flaku nga shtëpia e familjes dhe dogji të gjitha rrobat e Olut. Fshatarët i dolën krah vëllait. Duke mos qenë më i mirëpritur në fshat, Olu u detyrua të largohej. Vetëm pasi u vërejt se vajza ishte shtatzënë, njerëzit e kuptuan se Olu kishte thënë të vërtetën. Vëllai rrëfeu dhe Olu gjeti përsëri favor. Por, punët mund të kishin vajtur krejt ndryshe. Olun mund ta kishin vrarë.

Qartë, ata që s’kanë dashuri për Jehovain ka të ngjarë të mos u pëlqejë dalja në dritë e gabimeve të tyre. Prirja mëkatare e njerëzve është të kundërshtojnë qortimin e t’i mbajnë mëri kujtdo që ia jep këtë qortim. (Krahaso Gjonin 7:7.) S’kemi shumë për t’u habitur, pra, nëse shumë veta janë më të heshtur se gurët, kur vjen puna për t’u zbuluar gabimet e të tjerëve atyre që kanë autoritet për t’i korrigjuar.

Të çmojmë vlerën e qortimit

Mes popullit të Jehovait, megjithatë, ekziston një qëndrim i ndryshëm kundrejt qortimit. Burra e gra me devotshmëri e vlerësojnë thellësisht rregullimin që Jehovai ka bërë për të ndihmuar ata që gabojnë brenda kongregacionit të krishterë. Ata e pranojnë këtë disiplinë si një shprehje të dashamirësisë së tij të dashur.​—Hebrenjve 12:6-11.

Kjo mund të ilustrohet me një ndodhi në jetën e mbretit David. Edhe pse që nga rinia e tij kishte qenë një njeri i drejtë, erdhi një kohë në të cilën ai ra në keqbërje serioze. Së pari, kreu tradhti bashkëshortore. Më pas, në përpjekje për të mbuluar keqbërjen e tij, bëri të mundur vrasjen e burrit të gruas. Por Jehovai ia zbuloi profetit Natan mëkatin e Davidit dhe Natani me guxim e përballoi Davidin mbi këtë çështje. Duke përdorur një ilustrim të fuqishëm, Natani e pyeti Davidin se çfarë duhej bërë me një njeri të pasur që kishte shumë dele, por i cili, për të zbavitur miqtë e tij, rrëmbeu dhe theri të vetmin qengj, një motak të dashur, të një njeriu të varfër. Davidi, i cili kishte qenë vetë një bari, u mbush me indinjatë dhe zemërim. Ai tha: «Ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë!» Atëherë, Natani ia aplikoi Davidit ilustrimin, duke thënë: «Ti je ai njeri!»​—2. Samuelit 12:1-7.

Davidi nuk u zemërua me Natanin; nuk u përpoq të mbronte veten, as nuk iu drejtua me kundërakuza. Përkundrazi, qortimi i rëndë i Natanit e tronditi thellë ndërgjegjen e tij. I prekur në zemër, Davidi rrëfeu: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.»​—2. Samuelit 12:13, BR.

Demaskimi i mëkatit të Davidit nga Natani, i pasuar nga një qortim hyjnor, solli rezultate të mira. Edhe pse Davidi nuk u shpëtoi pasojave të keqbërjes së tij, ai u pendua dhe u pajtua me Jehovain. Si ndihej Davidi për atë qortim? Ai shkroi: «Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar.»​—Psalmi 141:5.

Edhe në ditët tona, shërbëtorët e Jehovait mund të përfshihen në keqbërje serioze, madje edhe ata që kanë qenë besimplotë për shumë vite. Duke pranuar faktin se pleqtë mund t’i ndihmojnë, shumë marrin iniciativën për t’iu afruar për ndihmë. (Jakovit 5:13-16) Por nganjëherë, një keqbërës mund të përpiqet ta mbulojë mëkatin e tij, siç bëri mbreti David. Çfarë duhet të bëjmë ne, nëse mësojmë për keqbërje serioze në kongregacion?

Përgjegjësi e kujt është?

Kur pleqtë marrin vesh keqbërje serioze, ata i afrohen individit të përfshirë, për t’i dhënë ndihmën dhe korrigjimin e nevojshëm. Është përgjegjësi e pleqve të gjykojnë njerëz të tillë brenda kongregacionit të krishterë. Duke mbajtur sytë hapur mbi gjendjen frymore të kongregacionit, ata ndihmojnë dhe paralajmërojnë këdo që po ndërmerr ndonjë hap të pamençur apo të gabuar.​—1. Korintasve 5:12, 13; 2. Timoteut 4:2; 1. Pjetrit 5:1, 2.

Por ç’të themi, nëse ti nuk je një plak dhe mëson mbi njëfarë keqbërjeje serioze nga ana e një të krishteri tjetër? Udhëzime mund të gjejmë në Ligjin që Jehovai i dha kombit të Izraelit. Ligji thoshte që nëse një person ishte dëshmitar i veprimeve apostate, rebelimit, vrasjes apo i çfarëdolloj krimi tjetër serioz, ishte përgjegjësi e tij të raportonte dhe të dëshmonte për sa dinte. Levitiku 5:1 (BR) thotë: «Tani, në rast se një shpirt mëkaton, pasi ka dëgjuar një mallkim publik dhe është dëshmitar apo e ka parë, apo e ka mësuar atë, nëse ai nuk e raporton, atëherë ai duhet të përgjigjet për gabimin e tij.»​—Krahaso Ligjin e përtërirë 13:6-8; Esterën 6:2; Proverbat 29:24.

Edhe pse nuk janë nën Ligjin e Moisiut, të krishterët e sotëm mund të drejtohen nga parimet që gjenden në të. (Psalmi 19:7, 8) Pra, nëse mëson ndonjë keqbërje serioze të një bashkë të krishteri, çfarë duhet të bësh?

Trajtimi i çështjes

Para së gjithash, është e rëndësishme që të ekzistojnë arsye të vlefshme për të besuar se ka ndodhur vërtet një keqbërje serioze. Mos u bë dëshmitar kundër të afërmit tënd pa asnjë bazë,​—thoshte një njeri i mençur.​—Përndryshe, do të të duhet të jesh i pamend me buzët e tua.»​—Proverbat 24:28, BR.

Ndoshta mund të vendosësh të shkosh menjëherë te pleqtë. Nuk është e gabuar të veprosh kështu. Megjithatë, zakonisht, rruga më e dashur është t’i afrohesh personit të përfshirë. Mbase faktet nuk janë ashtu si duken. Ose ndoshta gjendja është tashmë duke u trajtuar nga pleqtë. Me qetësi bisedo për çështjen me personin. Nëse akoma mbeten arsye të vlefshme për të besuar se është kryer një keqbërje serioze, inkurajoje t’u afrohet pleqve për ndihmë dhe shpjegoji përse kjo është e mençur. Mos fol me të tjerët mbi këtë çështje, pasi do të ishte thashetheme.

Nëse personi nuk u raporton pleqve brenda një periudhe të arsyeshme kohore, atëherë duhet ta bësh ti. Paskëtaj, një apo dy pleq do të flasin me personin për këtë çështje. Pleqtë duhet ‘të bëjnë hetime, kërkime dhe të marrin me kujdes në pyetje’, për të parë nëse ka ndodhur keqbërja. Nëse po, ata do ta trajtojnë rastin sipas udhëzimeve të Shoqatës.​—Ligji i përtërirë 13:12-14.

Duhen të paktën dy dëshmitarë, për të vendosur një padi për keqbërje. (Gjoni 8:17; Hebrenjve 10:28) Nëse personi e mohon padinë dhe dëshmia jote është e vetmja, çështja do të lihet në duart e Jehovait. (1. Timoteut 5:19, 24, 25) Kjo bëhet në bazë të kuptueshmërisë se të gjitha gjërat janë «lakuriq dhe të zbuluara» para Jehovait dhe se, nëse personi është fajtor, më në fund mëkatet e tij ‘do ta gjejnë’.​—Hebrenjve 4:13; Numrat 32:23.

Por ta zëmë se personi e mohon padinë dhe ti je i vetmi dëshmitar kundër tij. A mund të jesh i ekspozuar ndaj një kundërpadije për shpifje? Jo, përderisa nuk ke bërë thashetheme me persona që nuk janë të përfshirë në çështje. Nuk është shpifje t’u raportosh situata që ndikojnë mbi kongregacionin, atyre që kanë autoritet dhe përgjegjësi për të mbikëqyrur dhe korrigjuar çështjet. Në fakt, është në përputhje me dëshirën tonë për të bërë gjithmonë çfarë është e drejtë dhe besnike.​—Krahaso Lukën 1:74, 75.

Të ruajmë shenjtërinë në kongregacion

Një arsye për të raportuar keqbërjet është se kjo vepron për të mbrojtur pastërtinë e kongregacionit. Jehovai është një Perëndi i pastër, një Perëndi i shenjtë. Ai kërkon nga të gjithë ata që e adhurojnë, që të jenë të pastër frymësisht dhe moralisht. Fjala e tij e frymëzuar paralajmëron: «Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.’» (1. Pjetrit 1:14-16) Individët që praktikojnë papastërtinë apo keqbërjen mund të sjellin ndotjen dhe mospëlqimin e Jehovait mbi tërë kongregacionin, derisa të ndërmerret një veprim për ta korrigjuar apo për ta hequr atë.​—Krahaso Josiun, kreu 7.

Letrat e apostullit Pavël drejtuar kongregacionit të Korintit, tregojnë se si veproi raportimi i keqbërjes në drejtim të pastërtisë së popullit të Perëndisë atje. Në letrën e tij të parë, Pavli shkroi: «Kudo po dëgjohet [është raportuar, BR] se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet.»​—1. Korintasve 5:1.

Bibla nuk na thotë se nga kush e mori Pavli këtë raport. Mbase Pavli mund të ketë mësuar për këtë situatë nga Stefana, Fortunati dhe Akaiku, të cilët kishin udhëtuar nga Korinti për në Efes, ku qëndronte Pavli. Gjithashtu, Pavli kishte marrë një letër me pyetje nga kongregacioni në Korint. Cilido qoftë burimi, sapo iu raportua situata nga dëshmitarë të besueshëm, Pavli pati mundësi të jepte drejtim në lidhje me çështjen. «Nxirreni të ligun nga vetja juaj»,​—shkroi ai. Ai burrë u përjashtua nga kongregacioni.​—1. Korintasve 5:13; 16:17, 18.

A sollën rezultate të mira udhëzimet e Pavlit? Në fakt, po! Me sa duket, keqbërësi erdhi në vete. Në letrën e tij të dytë drejtuar korintasve, Pavli e nxiti kongregacionin që me dashamirësi ‘ta falte dhe ta ngushëllonte’ të penduarin. (2. Korintasve 2:6-8) Pra, raportimi i keqbërjes çoi në veprime, të cilat sollën si rrjedhojë pastrimin e kongregacionit dhe rivendosjen në favorin e Jehovait të një personi që kishte dëmtuar marrëdhënien e tij me Perëndinë.

Në letrën e parë të Pavlit drejtuar kongregacionit në Korint, gjejmë një shembull tjetër. Kësaj radhe, apostulli na jep emrat e atyre që raportuan çështjen. Ai shkroi: «Sepse më është treguar për ju, o vëllezër, nga ata të shtëpisë së Kloes, se mes jush ka grindje.» (1. Korintasve 1:11) Pavli e dinte se kjo grindje, bashkë me nderimin jo të duhur drejtuar njerëzve, kishte krijuar një qëndrim sektar, i cili kërcënonte të shkatërronte unitetin e kongregacionit. Prandaj, i nxitur nga interesimi i thellë për mirëqenien frymore të bashkëbesimtarëve të tij atje, Pavli veproi me të shpejtë dhe shkroi këshilla korrigjuese për kongregacionin.

Sot, pjesa më e madhe e vëllezërve dhe e motrave nëpër kongregacionet anekënd tokës punojnë fort për të ruajtur pastërtinë frymore të kongregacionit, duke mbajtur individualisht një qëndrim të miratuar para Perëndisë. Disa vuajnë për të vepruar kështu; të tjerë kanë vdekur për të mbajtur integritetin. Sigurisht, lejimi apo mbulimi i keqbërjes do të tregonte një mungesë vlerësimi për këto përpjekje.

Ndihmë për ata që kanë gabuar

Përse disa që kanë rënë në mëkate të rënda, nuk u afrohen pleqve të kongregacionit? Shpesh, kjo ndodh ngaqë ata nuk janë të vetëdijshëm për dobitë e vajtjes tek pleqtë. Gabimisht, disa besojnë se po të rrëfejnë, mëkati i tyre do të ekspozohet para gjithë kongregacionit. Të tjerë, gënjejnë veten në lidhje me seriozitetin e rrugës së tyre. Të tjerë akoma, mendojnë se mund të ndreqin vetveten pa ndihmën e pleqve.

Por keqbërës të tillë kanë nevojë për ndihmën e dashur të pleqve të kongregacionit. Jakovi shkroi: «A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës [kongregacionit, BR] dhe ata të luten përmbi të dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit [Jehovait, BR] dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.»​—Jakovit 5:14, 15.

Sa masë e mrekullueshme për të ndihmuar ata që kanë gabuar në mëkëmbjen e gjendjes së tyre frymore! Duke zbatuar këshilla lehtësuese nga Fjala e Perëndisë dhe duke u lutur për të, pleqtë mund t’i ndihmojnë të sëmurët frymësisht që të shërohen nga rrugët e tyre të gabuara. Në këtë mënyrë, në vend se të ndihen të dënuar, të penduarit shpesh ndihen të freskuar e të lehtësuar, kur takohen me pleqtë e dashur. Një i ri nga Afrika Perëndimore, kishte kryer kurvëri dhe e kishte mbuluar mëkatin e tij për disa muaj. Pasi mëkati i tij u bë i dukshëm, ai u tha pleqve: «Sa do të doja që dikush të më kishte pyetur mbi lidhjen time me atë vajzë. Sa lehtësim është që këto gjëra të dalin hapur.»​—Krahaso Psalmin 32:3-5.

Një veprim i dashurisë parimore

Shërbëtorët e pagëzuar të Perëndisë kanë «kaluar nga vdekja në jetë». (1. Gjoni 3:14) Por, nëse kryejnë mëkate serioze, ata janë kthyer prapa në rrugën e vdekjes. Nëse nuk ndihmohen, ata mund të ngurtësohen në keqbërjet e tyre, duke mos dëshiruar të pendohen e të kthehen në adhurimin e Perëndisë së vërtetë.​—Hebrenjve 10:26-29.

Raportimi i keqbërjes është një veprim i merakosjes së sinqertë për keqbërësin. Jakovi shkroi: «Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen, le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.»​—Jakovit 5:19, 20.

Kështu, pra, përse të raportojmë atë që është e keqe? Sepse kjo sjell rezultate të mira. Vërtet, raportimi i keqbërjeve është një veprim i dashurisë së krishterë parimore të treguar kundrejt Perëndisë, kongregacionit dhe keqbërësit. Ndërkohë që çdo pjesëtar i kongregacionit përkrah besnikërisht normat e drejta të Perëndisë, Jehovai do ta bekojë me bollëk kongregacionin në përgjithësi. Apostulli Pavël shkroi: «Ai [Jehovai] do t’ju bëjë, gjithashtu, të vendosur që ju të jeni të hapur pa asnjë akuzë në ditën e Zotërisë tonë, Jezu Krishtit.»​—1. Korintasve 1:8.

[Figura në faqen 26]

Është tregues i dashurisë, po të inkurajojmë një Dëshmitar që ka gabuar, për të folur me pleqtë

[Figura në faqen 28]

Pleqtë ndihmojnë që i gabuari të rivendoset në favorin e Perëndisë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo