BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/8 f. 23-25
  • Kullota për njerëzit ngjashëm deleve në tokën e navajos

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kullota për njerëzit ngjashëm deleve në tokën e navajos
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Duke sjellë lajmin e mirë në tokën navajo
  • Ngritja e një «kampi për delet»
  • Përgjigje madhështore ndaj mesazhit të Mbretërisë
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/8 f. 23-25

Kullota për njerëzit ngjashëm deleve në tokën e navajos

HÓZHÓNÍ, në gjuhën e indianëve navajo, do të thotë «i bukur» e në këtë mënyrë e përshkruajnë navajot tokën e tyre. Që nga viti 1868, qeveria e Shteteve të Bashkuara u ka ndarë navajove rreth 62.000 km katror në një rezervat në Arizonën verilindore, përreth vendit të quajtur katër qoshet, ku katër shtete, Arizona, Kolorado, Nju Meksiko dhe Utah, takohen së bashku. Lugina Monument, e famshme për filmat uestern, tashmë ruhet si Parku i Fisit Navajo dhe tërheq turistë nga e gjithë bota. Lugina karakterizohet nga monolitë me gurë zhavorri të kuq të lartë 300 metra, të cilët lartohen në një vetmi të shkëlqyer mbi fushat e gjera e të shkreta. Në mënyrë të përshtatshme, termi që në gjuhën navajo përdoret për luginë, do të thotë «hapësira mes shkëmbinjve».

Në përgjithësi, navajot janë të njohur për përulësinë e tyre, mikpritjen e ngrohtë dhe për familjet e tyre të mëdha të lidhura ngushtë. Të 170.000 banorët e rezervatit jetojnë kryesisht në fshatra të izoluar, duke ndjekur zakonet tradicionale. Disa prej tyre ende merren me rritjen e dhënve dhe banojnë nëpër kasolle druri të mbuluara me dhe, të quajtura hogane. Artizanati dhe mjeshtëritë e navajove kanë fituar një popullaritet të përhapur. Veçanërisht të çmuara janë qilimat dhe velenxat e tyre me vizatime gjeometrike apo tradicionale plot ngjyra, të endura me lesh deleje. Po kaq të njohura janë edhe argjendurinat navajo me bruzë dhe materiale të tjera natyrale.

Duke sjellë lajmin e mirë në tokën navajo

Për më shumë se 30 vjet, Dëshmitarët e Jehovait kanë shkuar në tokën e navajove, jo vetëm për të soditur panoramën, por edhe për t’u çuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë njerëzve të asaj zone të thellë. (Mateu 24:14) Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë si pionierë të rregullt dhe specialë kanë marrë drejtimin në veprën e predikimit. Shumë prej tyre kanë shkuar në përgjigje të thirrjeve të mbikëqyrësve udhëtues dhe Dëshmitarëve lokalë, për të ndihmuar aty ku nevoja ka qenë më e madhe. Disa kanë ardhur nga kongregacionet e afërta, ndërsa të tjerë, duke përfshirë edhe pjesëtarë të fiseve të ndryshme të amerikanëve vendas, kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Këta burra dhe gra me frymë vetësakrifice, e kanë krahasuar shërbimin e tyre këtu me një caktim misionar. Përse? Para së gjithash, gjuhët e vendit janë tejet të vështira për t’u mësuar, për shkak të tingujve, strukturës dhe shprehjeve të tyre të ndërlikuara. Pastaj, vendasit, në përgjithësi, janë të ngjitur pas mënyrave të tyre tradicionale fetare, strukturës familjare dhe bëjnë një jetë të lidhur ngushtë pas tokës. Veç kësaj, mundësitë për të gjetur shtëpi dhe punë për dikë që nuk është indian, janë të pakta, duke e vështirësuar qëndrimin për ata që janë transferuar këtu. Së fundi, historia e gjatë e keqtrajtimit të këtyre njerëzve nga dora e njerëzve të bardhë, ka ngulitur në mënyrë të kuptueshme në ta një masë mosbesimi tek të huajt.a

Fillimisht, kur Dëshmitarët shkuan shtëpi më shtëpi të veshur mirë e me kravata, u morën gabimisht për mormonë dhe shumë veta nuk i hapnin dyert. Kur i ndërruan veshjet në më pak formale, ata u mirëpritën brenda, shpesh për një orë a më shumë. Tani, njerëzit i njohin Dëshmitarët e Jehovait, edhe pse në shërbim përdoren përsëri veshjet formale.

Vetëm të shkosh tek njerëzit që jetojnë në rezervatin navajo është një sfidë e vërtetë. Është normale të udhëtosh me makinë për shumë kilometra, nëpër rrugë të pashtruara, të cilat zakonisht janë shkëmbore, ranishte dhe me baltë. Natyrisht që kjo rëndon edhe më shumë mbi makinat dhe mbi pasagjerët. Gjithashtu, makinat mund të ngecin, por kalimtarët janë zakonisht të gatshëm për të dhënë një dorë. Për të rivizituar ndonjë të interesuar, për të vajtur në ndonjë studim biblik në shtëpi apo për të marrë dikë në mbledhjet e krishtere, shpesh lypset një udhëtim vajtje-ardhje prej disa orësh. Por Dëshmitarët me gatishmëri ofrojnë vetveten, duke treguar kështu dashurinë e tyre për vendasit.​—Krahaso 1. Selanikasve 2:8.

Navajot i kanë qejf bisedat biblike. Zakonisht, ata mblidhen së bashku si familje, fëmijët, prindërit dhe gjyshërit, për të dëgjuar shpresën e një shtëpie të ardhshme parajsore për njerëzimin. Kur e pyetën se si e mendonte ai Parajsën, një burrë navajo u përgjigj: «Të gjelbër, me shumë dele.» Në këtë mënyrë, ai pasqyroi dashurinë e navajove për tokën dhe kopetë. Ata e vlerësojnë edhe literaturën biblike, hera-herës duke dhuruar rruaza, një kallëp sapuni, një çanak me qumësht e gjëra të tilla, në mbështetje të shërbimit të Mbretërisë. Një pionier special mori 200 abonime në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, duke përfshirë edhe dy nga një kalorës.

Ngritja e një «kampi për delet»

Kur vjen vera, është koha që barinjtë navajo t’i çojnë kopetë e tyre në një kamp për delet. Kjo shtëpi verimi për delet, e zgjedhur pranë kullotave të gjelbra dhe një burimi të mirë me ujë, e ndihmon kopenë të lulëzojë. Në kuptimin frymor, një Sallë Mbretërie mund të krahasohet me një kamp të tillë: një kullotë frymore dhe një burim me ujërat e së vërtetës. Njerëzit që vijnë, mund të gjejnë freskimin frymor që i bën të shëndetshëm e të fortë frymësisht.

Për disa kohë, mbledhjet mbaheshin në një klasë të shkollës në Keinta, Arizona. Më vonë, në gusht 1992, me ndihmën e qindra Dëshmitarëve vullnetarë nga shtete të ndryshme, në Keinta u ndërtua një Sallë e re Mbretërie. Kjo Sallë Mbretërie dhe disa të tjera në rajon, i japin një ndjenjë qëndrueshmërie veprës së predikimit në mendjet e njerëzve lokalë. Salla të tjera Mbretërie që shërbejnë në këtë territor të gjerë, përfshijnë ato në Tuba Siti dhe Çinli, që të dyja në rezervat, një në Kenionin Kims në tokat e fisit Hopi brenda rezervatit navajo dhe disa të tjera në qytetet që kufizohen me rezervatin. Cili ka qenë rezultati?

Përgjigje madhështore ndaj mesazhit të Mbretërisë

Në Keinta, më shumë se dymbëdhjetë vendas janë pagëzuar që nga ndërtimi i Sallës së Mbretërisë, duke treguar bekimin e Jehovait mbi këtë vend të adhurimit të pastër. Salla jep dëshmi se Dëshmitarët e Jehovait janë këtu për të qëndruar dhe ndërton besimin në lajmin e mirë të Mbretërisë që ata predikojnë. Kohët e fundit, atje është dhënë fjalimi i parë publik në gjuhën navajo. Të 40 pjesëtarët e kongregacionit ishin të kënaqur t’u jepnin mirëseardhjen 245 personave në fjalimin që fliste mbi përgjegjësitë e prindërve. Me zemrat plot mirënjohje, një familje prej tetë vetësh kishte udhëtuar tri orë vetëm ardhje për të dëgjuar këtë fjalim; ishte vizita e tyre e parë në një Sallë Mbretërie.

Një tjetër vegël e dobishme që Jehovai ka siguruar është broshura në gjuhën navajo Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Përkthimi i broshurës në navajo, një gjuhë tejet e ndërlikuar, ishte një sfidë e stërmadhe. Të gjithë së bashku, përkthyesit harxhuan më shumë se 1.000 orë, për t’u siguruar që broshura të përcillte siç duhet mesazhin e Mbretërisë. Që prej daljes së saj në fund të vitit 1995, Dëshmitarët lokalë kanë shpërndarë disa mijëra kopje të saj, duke pasur si rezultat dhjetëra studime biblike me persona në kërkim të së vërtetës.

Gjithnjë e më shumë, gjuha navajo po përdoret në shërbim, ndërkohë që lajmëtarët e Mbretërisë e mësojnë. Kongregacionet në atë zonë kanë filluar ta përdorin gjuhën navajo në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe për të stërvitur lajmëtarët po mbahen klasa në këtë gjuhë. Veç kësaj, programi në asambletë lokale përkthehet në navajo. Të gjitha këto përpjekje do të sjellin patjetër një përgjigje edhe më të madhe në rezervat.

Për të mos u nënvlerësuar ndërmjet fryteve të Mbretërisë në këtë rezervat indian janë edhe cilësitë e larta frymore të shfaqura nga vëllezërit tanë navajo. Për shtatë vjet, Xhimi dhe Sandra i merrnin pesë fëmijët e tyre 120 km larg vetëm ardhje, për të ndjekur mbledhjet javore. Familja ka kujtime të ngrohta të këngëve të Mbretërisë dhe të studimit të Biblës së bashku gjatë udhëtimeve të tyre të gjata. Dashuria dhe zelli i prindërve për të vërtetën i ka nxitur fëmijët që të ndjekin shembullin e tyre, për t’u bërë lavdërues të dedikuar të Jehovait. Katër prej tyre shërbejnë tani si pionierë të rregullt dhe Xhimi është një plak kongregacioni. Sa për të shtuar gëzimin e kësaj familjeje, motra e Xhimit, Elsi, u bë kohët e fundit personi i parë që flet vetëm navajo që u pagëzua.

Barinjtë vendas dhe kopetë e tyre u shtojnë një ngjyrim të qetësisë baritore monumenteve prej guri që zbukurojnë rezervatin navajo. Shumë kohë më parë, profeti Isaia paratha për Jehovain: «Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjlit e tyre.» (Isaia 40:11) Me anë të Bariut të tij të Shkëlqyer, Jezu Krishtit, Jehovai po mbledh në kullotën e tij frymore të gjithë ata persona në rezervatin navajo që dëshirojnë të dëgjojnë lajmin e mirë të Mbretërisë dhe që të kenë mundësinë për të marrë bekimet e tij të përhershme.

[Shënimi]

a Shiko revistën Zgjohuni! (anglisht), numrat 8 maj 1948; 22 shkurt 1954 dhe 8 shtator 1996.

[Figura në faqen 24]

Barinjtë navajo dëgjojnë lajmin e mirë

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo