Pyetje nga lexuesit
Çfarë thotë Bibla për dënimin kapital, atë me vdekje, të kriminelëve?
Kuptohet që për këtë secili prej nesh mund të ketë mendimin e vet personal të bazuar në përvojën apo situatën tonë në jetë. Megjithatë, si Dëshmitarë të Jehovait, ne duhet të përpiqemi të jemi në përputhje me mendimet e Perëndisë, për sa i përket dënimit kapital, ndërkohë që qëndrojmë asnjanës lidhur me qëndrimet politike që marrin shumë njerëz për sa i përket kësaj çështjeje.
Për t’u shprehur qartë, në Fjalën e tij të shkruar, Perëndia nuk tregon se dënimi kapital është i gabuar.
Kohë më parë në historinë njerëzore, Jehovai shprehu mendimet e tij lidhur me këtë çështje, siç lexojmë në kreun 9 të Zanafillës. Ky tregim përfshin Noen dhe familjen e tij, të cilët u bënë paraardhësit e gjithë familjes njerëzore. Pasi dolën nga arka, Perëndia u tha se mund të hanin kafshë, domethënë të vriteshin, t’u hiqej gjaku e të haheshin. Më pas, në Zanafillën 9:5, 6, Perëndia tha: «Përveç kësaj, do të kërkoj të më kthehet gjaku i shpirtrave tuaj. Do ta kërkoj të më kthehet nga dora e çdo krijese të gjallë; nga dora e njeriut, nga dora e secilit që është vëllai i tij, do ta kërkoj të më kthehet. Kushdo që derdh gjakun e njeriut, nga njeriu do t’i derdhet gjaku i tij, sepse ai e bëri njeriun sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.» (BR) Kështu, Jehovai autorizoi dënimin kapital në rastin e vrasjeve.
Ndërsa Perëndia e trajtonte Izraelin si popullin e tij, të tjera shkelje të ndryshme serioze kundër ligjit hyjnor dënoheshin me vdekje. Në Numrat 15:30 lexojmë këtë shpallje me fushë të gjerë zbatimi: «Shpirti që bën diçka me qëllim, qoftë vendas apo i huaj, që flet në mënyrë fyese për Jehovain, në atë rast, ai shpirt duhet të këputet nga mesi i popullit të tij.»—BR.
Por, ç’mund të themi për kohën pas vendosjes së kongregacionit të krishterë? Faktikisht, ne e dimë se Jehovai autorizoi ekzistencën e qeverive njerëzore dhe i quajti ato si autoritete më të larta. Në fakt, pasi i nxit të krishterët që të jenë të bindur ndaj autoriteteve të tilla qeveritare, Bibla thotë se një autoritet i tillë shërben si «shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirën tënde. Por nëse bën të keqen, ki frikë, sepse jo pa qëllim ai mban shpatën; sepse është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës për të shprehur zemërimin mbi atë që praktikon të keqen».—Romakëve 13:1-4, BR.
A do të thotë kjo se qeveritë janë të autorizuara që të marrin madje edhe jetën e atyre që kryejnë krime serioze? Nga fjalët e 1. Pjetrit 4:15, dalim në përfundimin se po. Në atë fragment apostulli u bëri thirrje vëllezërve të tij: «Le të mos vuajë asnjë prej jush si një vrasës, hajdut, keqbërës apo një që përzihet në punët e të tjerëve.» (BR) A e vure re thënien «le të mos vuajë asnjë prej jush si një vrasës»? Pjetri nuk sugjeroi se qeveritë nuk kishin të drejtë që ta bënin të vuante një vrasës për krimin e tij. Përkundrazi, ai tregoi se një vrasës me të drejtë mund të marrë dënimin e merituar. A do të përfshinte kjo dënimin me vdekje?
Mundet. Kjo është e qartë nga fjalët e Pavlit në kreun 25 të Veprave. Judenjtë e kishin akuzuar Pavlin për shkelje kundër Ligjit të tyre. Kur e dërgoi të burgosurin e tij, Pavlin, tek guvernatori romak, komandanti ushtarak raportoi siç vërehet në Veprat 23:29: «Pashë se ishte akuzuar për çështje të ligjit të tyre, por i pangarkuar me asnjë gjë të vetme që meriton vdekjen ose që ta lidhim.» Pas dy vjetësh, Pavli u gjend përpara guvernatorit Fest. Në Veprat 25:8 lexojmë: «Pavli, në mbrojtje të tij, tha: ‘Nuk kam kryer asnjë mëkat as kundër Ligjit të judenjve, as kundër tempullit e as kundër Cezarit.’» (BR) Por, tani përqendroje vëmendjen në vërejtjet e tij rreth dënimit, madje edhe atij kapital. Në Veprat 25:10, 11 lexojmë:
«Pavli tha: ‘Ndodhem përpara gjyqit të Cezarit, ku duhet të gjykohem. Nuk u kam bërë asgjë të keqe judenjve, siç po e shihni fare mirë edhe vetë. Nëse, nga njëra anë, jam me të vërtetë një keqbërës dhe kam kryer ndonjë gjë që meriton vdekjen, nuk kërkoj të shpëtoj nga vdekja; nëse, nga ana tjetër, nuk ekziston asnjëra prej atyre gjërave, për të cilat këta burra më akuzojnë, asnjë njeri s’mund të më dorëzojë tek ata si një favor. Unë i apelohem Cezarit!’»—BR.
Pavli, duke qëndruar përpara një autoriteti të caktuar siç duhet, pranoi se Cezari kishte të drejtën t’i ndëshkonte keqbërësit e madje edhe t’i ekzekutonte. Ai nuk do ta kundërshtonte dënimin, në rast se do të ishte fajtor. Për më tepër, ai nuk tha se Cezari mund ta përdorte dënimin kapital vetëm për vrasësit.
Pa diskutim, sistemi gjyqësor romak nuk ishte i përsosur, ashtu siç nuk janë edhe sistemet e sotme gjyqësore. Disa të pafajshëm, atëherë dhe sot, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar. Edhe Pilati tha për Jezuin: «Në të nuk gjeta asgjë që të meritojë vdekjen; prandaj, do ta ndëshkoj dhe do ta liroj.» Po, edhe pse autoriteti qeveritar e pranoi se Jezui ishte i pafajshëm, ky njeri i pafajshëm u ekzekutua.—Luka 23:22-25, BR.
Padrejtësi të tilla nuk e bënë Pavlin apo Pjetrin të thoshin se dënimi kapital ishte rrënjësisht i pamoralshëm. Përkundrazi, mendimi i Perëndisë në lidhje me këtë çështje, është që për sa kohë të ekzistojnë autoritetet më të larta të Cezarit, ato ‘mbajnë shpatën për të shprehur zemërimin mbi ata që praktikojnë të keqen’. Kjo përfshin përdorimin e shpatës në kuptimin e zbatimit të dënimit kapital. Por, kur është fjala për çështje të diskutueshme, lidhur me faktin nëse një qeveri e kësaj bote duhet ta ushtrojë të drejtën për të ekzekutuar vrasësit, të krishterët e vërtetë me kujdes qëndrojnë asnjanës. Ndryshe nga kleri i të ashtuquajturit krishterim, ata qëndrojnë larg çdo debati mbi këtë çështje.