Duke vizituar fushën misionare të vendit tonë
GRUPI i kongregacioneve të krishtere që vizitoj, më çoi nga Portugalia në Kinë, ose kështu duket. Megjithatë, gruaja ime, Olivia dhe unë, nuk largohemi kurrë nga Britania.
Ne vizitojmë një numër në rritje kongregacionesh në gjuhë të huaja të Dëshmitarëve të Jehovait, të shpërndara në të katër anët e vendit. Që nga ishulli i Xherseit, pothuajse 20 kilometra larg bregdetit normand të Francës, ku kemi një grup portugez, deri në qytetin e Sëndërlandit në veri të Anglisë, ku vizitojmë njerëz të interesuar që flasin në gjuhën kineze, ne marrim pjesë në një fushë shumëgjuhëshe që ecën mbarë, frymësisht të lulëzuar. Si ndodhi që kemi këtë caktim të pazakontë? Çfarë po ndodh në fushën misionare të vendit tonë? Më lejoni t’jua shpjegoj.
Olivia dhe unë kemi shërbyer për pothuajse 20 vjet në veprën udhëtuese, duke vizituar një kongregacion të ndryshëm çdo javë. Udhëtimet tona na kanë çuar nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, në mbarë Britaninë dhe kohët e fundit, tek vëllezërit tanë të krishterë në ishullin mesdhetar të Maltës, ku përjetuam mikpritjen e shkëlqyer të krishterë. (Krahaso Veprat 28:1, 2.) Pas tre vjetësh në Maltë, filluam të pyesnim veten se ku do të ishte caktimi tjetër. Mendonim se ndoshta do të vizitonim një zonë angleze fshatare dhe kështu filluam ta përgatitnim veten mendërisht për këtë mundësi. Por, çfarë surprize ishte kur morëm caktimin për të shërbyer në këtë qark të ri, të përbërë nga grupe dhe kongregacione që flasin në 23 gjuhë të ndryshme!
Pyesnim veten se si do t’ia dilnim mbanë. Përveç përvojës sonë në Maltë, ne asnjëherë s’ishim përzierë shumë me njerëz të një prejardhjeje dhe kulture të ndryshme. A do të ishim me të vërtetë në gjendje t’i inkurajonim ata, që nuk kuptonin shumë anglisht? Si do të komunikonim pa njohur gjuhë të tjera? Si do t’ia bënim me ushqimin dhe zakonet e ndryshme të të tjerëve? A do të ishim mjaft të adaptueshëm? Pyetje si këto na kalonin nëpër mend, ndërsa e shqyrtonim në lutje përgjigjen ndaj kësaj thirrjeje maqedonase.—Veprat 16:9, 10; 1. Korintasve 9:19-22.
Kapërcimi i pengesës gjuhësore
«Fillimisht ndihesha e paaftë, sepse nuk kisha fare njohuri për gjuhët,—shpjegon Olivia.—Nuk e kuptoja se si mund t’i ndihmoja motrat. Atëherë, kujtoja se si çifti me të cilin studionim fillimisht Biblën, na inkurajonte që të mos e refuzonim kurrë një caktim. Ata na mësuan se Jehovai nuk na kërkon kurrë diçka që s’mund ta bëjmë.» Kështu, të dy së bashku pranuam me gatishmëri caktimin.
Kur bëjmë një rishqyrtim, e kuptojmë se mungesa e njohurisë për një gjuhë tjetër, na ka ndihmuar që ta trajtojmë gjithsecilin tamam në të njëjtën mënyrë. Për shembull, pjesëmarrja çdo javë në mbledhje, të cilat drejtoheshin në një gjuhë të ndryshme, bëri që ta kuptojmë se si ndiheshin vëllezërit, kur u duhej të ndiqnin mbledhje në gjuhën anglisht, edhe pse kuptonin pak prej asaj që thuhej. Vërtet që na duhet të përgatitemi mirë për mbledhjet, në mënyrë që të mund ta kapim kuptimin e asaj që prezantohet. Olivia i përgjigjet gjithmonë njërës prej pyetjeve që drejtohen në mbledhje. Ajo e përgatit përgjigjen në anglisht dhe një motër ia përkthen, duke ia shkruar përkthimin fonetikisht. Ajo pohon që ngurron ca, kur ngre dorën për të komentuar. Hera-herës, përpjekjet e saj shkaktojnë të qeshura. Por kjo nuk e spraps. «Unë e di që vëllezërit e çmojnë përpjekjen time,—thotë ajo.—Në fakt, pjesëmarrja ime me komente, i inkurajon ata që janë më të familjarizuar me gjuhën që të marrin pjesë aktivisht në mbledhje.»
Edhe për mua është diçka e ndryshme të mbaj fjalime, sepse më duhet që pas çdo fjalie, t’i lë kohë përkthyesit. Është shumë e lehtë që ta humbas fillin e mendimit. E shoh se më duhet ta përqendroj dhe ta shkurtoj shumë më tepër materialin tim. Por megjithatë, ndiej kënaqësi.
Shërbimi ynë i ndryshëm
Në shumë zona urbane të Britanisë, njerëzit që flasin gjuhë të huaja janë të shpërndarë sa andej-këtej, ndoshta në një rrugë vetëm dy prej tyre, kështu që të duhet të udhëtosh ca për të gjetur të tjerë. Megjithatë, kur i përshëndet në gjuhën e tyre dhe shikon reagimin, e ndjen se ia vlen ta bësh. Nëse vëllai që po shoqëroj, e prezanton mesazhin e Mbretërisë në gjuhën e të zotit të shtëpisë, shpesh përgjigjja është një kënaqësi e pamasë.
Në të vërtetë, shërbimi në një fushë ku flitet gjuhë e huaj, është njëri prej shërbimeve më emocionues që kemi përjetuar gjatë 40 vjetëve të shërbimit të Mbretërisë. Potenciali për rritje është i jashtëzakonshëm. Nuk ka dyshim që shumë njerëz e mësojnë të vërtetën shumë më shpejt dhe me një çmueshmëri më të thellë, kur ajo u mësohet në gjuhën e nënës. (Veprat 2:8, 14, 41) Emocionalisht është shumë prekëse të shohësh vëllezër e motra me lot gëzimi në sy në fund të një mbledhjeje, duke e pasur, në disa raste, për herë të parë mundësinë për të dëgjuar dhe kuptuar të gjithë programin.
Kur predikojmë nga shtëpia në shtëpi, përpiqemi të bëjmë të paktën një hyrje prezantimi në gjuhën e të zotit të shtëpisë, edhe pse herë pas here zihemi ngushtë. Për shembull, një përshëndetje e zakonshme ndaj një pronari shtëpie gujarati, është Kemcho, që do të thotë thjesht «Si jeni?». Me sa duket, ashtu siç e shqiptova unë njëherë, tingëlloi sikur po reklamoja një markë kafeje. Megjithatë, në një shtëpi, burri dhe gruaja buzëqeshën kur i përshëndeta në gujarati. Menjëherë na ftuan brenda dhe na ofruan me përzemërsi kafe, jo për shkak të ndonjë keqshqiptimi. Doli se ata ishin të afërmit e disa Dëshmitarëve të Jehovait të grupit që po vizitonim dhe treguan një interes të sinqertë për të vërtetën.
Gjatë disa vjetëve, një motër që fliste anglisht i linte rregullisht revistat një zonje që fliste në gjuhën kineze. I kishte ofruar ndonjëherë një studim biblik falas në shtëpi, por ajo nuk kishte pranuar. Një ditë, një motër që po mësonte gjuhën kineze e shoqëroi dhe i ofroi librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë në atë gjuhë, të cilin pronarja e shtëpisë e pranoi menjëherë.a Tani, duke e pasur librin në gjuhën e vet, ajo ra dakort për një studim biblik. Gjithë ndryshimin e sollën ato pak fjalë të thëna në gjuhën e zonjës.
Kultura të ndryshme
Nuk e kishim kuptuar se në disa kultura, burrave nuk u pëlqente që gratë e tyre të dilnin vetëm natën. Kjo gjë e bënte shumë të vështirë për disa motra, ndjekjen e mbledhjeve që mbaheshin në mbrëmje. Disa komunitete aziatike mendojnë se vajzat që zgjedhin të mos martohen dhe vazhdojnë të banojnë në shtëpi, e fyejnë familjen. Babai i një motre të re deshi të helmohej, kur ajo refuzoi të martohej me burrin që i kishte zgjedhur familja. Po, ajo që duhet të durojnë motra të tilla, është krejt e jashtëzakonshme! Megjithatë, kur sheh efektin që ka e vërteta në jetën familjare dhe se si besnikëria e motrave ndaj Jehovait u bën përshtypje prindërve, është vërtet e mrekullueshme.
Me pranimin e këtij caktimi, na është dashur të bëjmë disa ndryshime. Përpara se të nisnim veprën udhëtuese, ushqimi im duhej të ishte gatim njëqind për qind anglez, por tani sa më pikant të jetë, aq më mirë është. Na vjen keq për vitet e shumta që i lamë të na kalonin, para se të fillonim të gëzonim një kuzhinë kaq të ndryshme: që nga peshku i gjallë deri tek mishi me erëza të ardhura nga India.
Perspektiva premtuese
Duket qartë se kjo është koha, që në shumë zona të lulëzojë fusha e gjuhëve të huaja. Tani janë në dispozicion gjithnjë e më shumë botime në gjuhë të ndryshme. Ndërsa organizohen kongregacione të reja, ti mund të ndjesh bekimin e Jehovait. Vëllezërit që kanë njohuri në gjuhë të tjera, vijnë nga fusha shumë të largëta për të ndihmuar.
Një shembull i shkëlqyer ka qenë përgjigjja ndaj predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë në frëngjisht. Shumë refugjatë që flasin frëngjisht, nga Zaireja dhe shtete të tjera afrikane, kanë ardhur vitet e fundit në Britani. Kur në Londër u formua kongregacioni i parë në gjuhën frënge, në të morën pjesë 65 lajmëtarë të Mbretërisë. Një vit më vonë, numri arriti në 117 dhe prej këtyre, 48 shërbyen në kohë të plotë si pionierë të rregullt. Jo shumë kohë më parë, u formua një kongregacion i dytë, që të kujdeset për interesin në rritje. Tani mund t’u kushtohet më shumë vëmendje personave të interesuar, 345 prej të cilëve morën pjesë në kremtimin e Përkujtimit të vitit 1995. Të diplomuarit e mëparshëm të Galaadit, që kishin shërbyer në Benin, në Bregun e Fildishtë, në Moroko dhe Zaire, e përdorin tani përvojën e tyre që të kujdesen për këtë fushë në rritje dhe përgjigjja është mahnitëse.
Gjatë një vizite në kongregacionin francez, mora pjesë në studimin biblik me një grua të re afrikane. Kur duhej të largoheshim, gruaja e re na u lut: «Ju lutem, mos ikni. Rrini edhe ca.» Ajo dëshironte të dinte më shumë. Më solli ndër mend Lidian e shekullit të parë.—Veprat 16:14, 15.
Vepra jonë fillestare ishte të ndihmonim grupet e vogla në gjuhë të huaja, që të bëheshin kongregacione. Në ato grupe ku vëllezërit mbanin çdo javë një Studim të Librit të Kongregacionit, ne futëm një herë në muaj Shkollën e Shërbimit Teokratik, të shkurtuar. Kjo i ndihmon ata që të shprehen mirë në shërbimin në fushë. Më pas, ata punojnë gradualisht drejt mbajtjes së të pesë mbledhjeve të përjavshme të kongregacionit. Tashmë kemi kongregacione të reja që flasin gjuhën kineze (kantoneze), frënge, gujarati, japoneze, portugeze, punjabi, tamil dhe uelsh.
Kemi gëzuar, gjithashtu, edhe privilegjin e marrjes pjesë në mbledhjet e vëllezërve që janë të shurdhër. Të shohësh vëllezërit tek këndojnë me duar, është mjaft prekëse. Duke e kuptuar se në shërbim ata flasin me anë të gjesteve, i çmoj përpjekjet e tyre të shkëlqyeshme për të marrë pjesë në predikimin e Mbretërisë. Madje ka edhe interpretues me shenja për ata që janë njëkohësisht të shurdhër dhe të verbër. Duket se Jehovai është siguruar që askush të mos harrohet.
Nëse do të bënim një kërkesë të veçantë, do të ishte e njëjtë me atë të Jezuit: «Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mateu 9:38) Shumë prej vëllezërve tanë po e pranojnë sfidën e mësimit të gjuhës së grupeve etnike në territorin e kongregacionit të tyre. Ndonëse nuk na është dhuruar mrekullisht aftësia për të folur gjuhë të ndryshme, sigurisht që Jehovai po e shtrin shërbimin në fushën misionare të këtij vendi: një fushë që është gati për korrje. (Gjoni 4:35, 36)—Treguar nga Kolin Seimur.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.