Aftësia shquese le të jetë për ty një mbrojtje
«Vetë aftësia e të menduarit do të vigjëlojë mbi ty, vetë aftësia shquese do të të mbrojë.»—PROVERBAT 2:11, BR.
1. Nga çfarë mund të na mbrojë aftësia shquese?
JEHOVAI dëshiron që ti të ushtrosh aftësi shquese. Përse? Sepse ai e di që ajo do të të mbrojë nga rreziqet e ndryshme. Proverbat 2:10-19 hapen me thënien: «Kur mençuria të hyjë në zemrën tënde dhe vetë njohuria të bëhet e këndshme për shpirtin tënd, vetë aftësia e të menduarit do të vigjëlojë mbi ty, vetë aftësia shquese do të të mbrojë.» (BR) Nga çfarë do të të mbrojë? Nga gjëra të tilla si: «rruga e keqe», nga ata që largohen prej shtigjeve të drejta dhe nga njerëzit dredharakë në përgjithësi.
2. Çfarë është aftësia shquese dhe cilin lloj të saj dëshirojnë në mënyrë të veçantë të krishterët?
2 Ndoshta të kujtohet se aftësia shquese është aftësia e mendjes, përmes së cilës ajo dallon një gjë nga një tjetër. Një person me aftësi shquese percepton ndryshimet ndërmjet ideve apo sendeve dhe ka gjykim të shëndoshë. Si të krishterë, ne dëshirojmë në mënyrë të veçantë të kemi aftësi shquese frymore, të bazuar në njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë. Kur studiojmë Shkrimet, është njësoj sikur rrëmojmë në blloqet ndërtues të aftësisë shquese frymore. Ajo që mësojmë, mund të na ndihmojë për të marrë vendime që i pëlqejnë Jehovait.
3. Si mund të fitojmë aftësi shquese frymore?
3 Kur Perëndia e pyeti Solomonin, mbretin e Izraelit, se çfarë bekimi dëshironte, sundimtari i ri tha: «Duhet t’i japësh shërbëtorit tënd një zemër të bindur për të gjykuar popullin tënd, për të dalluar të mirën nga e keqja.» Solomoni kërkoi aftësi shquese dhe Jehovai ia dha atë në një shkallë të pazakontë. (1. Mbretërve 3:9, BR; 1Mb 4:30) Për të fituar aftësi shquese, ne duhet të lutemi dhe të studiojmë Fjalën e Perëndisë me ndihmën e botimeve sqaruese, të cilat sigurohen nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Kjo do të na ndihmojë për ta zhvilluar aftësinë shquese frymore, në atë masë që të bëhemi «të pjekur në fuqitë e kuptueshmërisë», të aftë «për të dalluar [apo perceptuar] si të mirën, ashtu edhe të keqen».—1. Korintasve 14:20, BR; Hebrenjve 5:14, BR.
Nevojë e veçantë për aftësi shquese
4. Çfarë do të thotë të kesh një sy «të thjeshtë» dhe si mund të na sjellë ai dobi?
4 Me aftësinë e duhur shquese, ne mund të veprojmë në harmoni me fjalët e Jezu Krishtit: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë [e Perëndisë] dhe të gjitha këto gjëra të tjera [materiale], do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33, BR) Gjithashtu, Jezui tha: «Llampa e trupit është syri yt. Nëse syri yt është i thjeshtë, edhe gjithë trupi yt është i ndriçuar.» (Luka 11:34, BR) Syri është një llampë figurative. Një sy «i thjeshtë» është i sinqertë, i përqendruar në drejtimin e duhur. Me një sy të tillë, ne mund të shfaqim aftësi shquese dhe të ecim pa u penguar frymësisht.
5. Për sa i përket çështjeve të biznesit, çfarë duhet të sjellim ndër mend, lidhur me qëllimin e kongregacionit të krishterë?
5 Në vend se ta mbanin të thjeshtë syrin, disa e kanë ndërlikuar jetën e tyre e gjithashtu edhe atë të të tjerëve, duke u joshur nga marrëdhëniet e biznesit. Por, duhet të mos harrojmë se kongregacioni i krishterë është ‘një shtyllë dhe mbështetje e së vërtetës’. (1. Timoteut 3:15) Ashtu si kolonat e një ndërtese, kongregacioni mbështet të vërtetën e Perëndisë dhe jo ndërmarrjen e biznesit të ndokujt. Kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait nuk janë themeluar si vende për shtytjen e interesave tregtare, të mallrave apo të shërbimeve. Ne duhet të përmbahemi nga ndjekja e çështjeve personale të biznesit në Sallën e Mbretërisë. Aftësia shquese na ndihmon për të kuptuar se Sallat e Mbretërisë, Studimet e Librit të Kongregacionit, asambletë dhe kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait janë vende për shoqërimin e krishterë dhe për biseda frymore. Nëse do t’i përdornim marrëdhëniet frymore për nxitjen e ndonjë lloj tregtie, a nuk do të tregonte kjo të paktën njëfarë mungese çmueshmërie për vlerat frymore? Lidhjet brenda përbrenda kongregacionit, nuk duhet të shfrytëzohen në asnjë mënyrë për të nxjerrë fitime financiare.
6. Përse produktet dhe shërbimet tregtare nuk duhen shitur apo përhapur në mbledhjet e kongregacionit?
6 Disa i kanë përdorur lidhjet teokratike për shitjen e ndihmave shëndetësore apo të atyre për zbukurimin e pamjes së jashtme, të produkteve të vitaminave, të shërbimeve të telekomunikacionit, të materialeve të ndërtimit, të planeve për udhëtime turistike, të programeve dhe të pajisjeve për kompjuter e kështu me radhë. Gjithsesi, mbledhjet e kongregacionit nuk janë vende për shitjen apo nxitjen e prodhimeve ose shërbimeve tregtare. Mund të dallojmë parimin që gjendet për këtë, nëse sjellim ndër mend se Jezui «i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat dhe shitësve të pëllumbave u tha: ‘Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!’».—Gjoni 2:15, 16.
Po për investimet?
7. Përse nevojitet aftësi shquese dhe maturi në lidhje me investimet?
7 Si aftësia shquese, ashtu edhe maturia janë të nevojshme, kur kemi ndër mend investimin në aventura biznesi. Ta zëmë se dikush dëshiron të marrë borxh para dhe bën premtime të këtij lloji: «Të garantoj se do të nxjerrësh fitim.» «Nuk ke për të humbur asgjë. Është një investim i sigurt.» Kujdes kur dikush jep siguri të tilla. Ose ai nuk po tregohet realist, ose është i pandershëm, pasi investimi rrallëherë është një gjë e sigurt. Në fakt, disa individë lajkatarë e të paskrupullt kanë mashtruar anëtarë të kongregacionit. Kjo na sjell ndër mend «njerëzit e paperëndishëm», që u futën pa u ndjerë në kongregacionin e shekullit të parë dhe ‘e shndërruan dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në një shfajësim për sjellje të shthurur’. Ata ishin si shkëmbinj të mprehtë nënujorë, që mund të çanin e të vrisnin notarët. (Judës 4, 12) Është e vërtetë që motivet e mashtruesve janë të ndryshme nga ato të apostatëve, por edhe ata gjuajnë mbi anëtarët e kongregacionit.
8. Çfarë ka ndodhur me disa aventura biznesi, në dukje me fitim?
8 Edhe të krishterë të nisur nga qëllime të mira, kanë ndarë me të krishterë të tjerë informacione, lidhur me aventura në dukje me përfitim, vetëm për të kuptuar se ata vetë dhe të tjerët që kanë ndjekur shembullin e tyre, i kanë humbur paratë që kanë investuar. Si rezultat, disa të krishterë kanë humbur privilegjet në kongregacion. Kur aventurat e pasurimit të shpejtë tregojnë se janë veprime mashtruese, i vetmi që përfiton është mashtruesi, i cili shpesh zhduket papritur. Si mund ta ndihmojë aftësia shquese një person, për të shmangur situata të tilla?
9. Përse nevojitet aftësi shquese për të vlerësuar pohimet në lidhje me investimet?
9 Aftësia shquese ka kuptimin e të qenit i aftë, për të kuptuar atë që është e fshehur. Kjo aftësi është e nevojshme për të vlerësuar pohimet lidhur me investimet. Të krishterët kanë besim tek njëri-tjetri dhe disa mund të arsyetojnë se vëllezërit dhe motrat e tyre frymore nuk do të përfshiheshin në ndonjë aventurë, që do të vinte në rrezik të ardhurat e bashkëbesimtarëve. Por fakti që një biznesmen është i krishterë, nuk garanton se ai shquhet në çështjet e biznesit apo se sipërmarrja e tij do të dalë me sukses.
10. Përse disa të krishterë kërkojnë borxhe biznesi nga bashkëbesimtarët dhe çfarë mund të ndodhë me këto investime?
10 Disa të krishterë kërkojnë hua për biznes nga bashkëbesimtarët, pasi agjensitë huadhënëse me reputacion nuk do të jepnin kurrë parapagim për ndërmarrjet e tyre të rrezikshme. Shumë janë mashtruar për të besuar se vetëm me anë të një investimi të parave të tyre, mund t’u ecte mbarë në mënyrë të shpejtë pa u dashur të punojnë shumë apo ndoshta edhe pa punuar fare. Disa janë tërhequr drejt një investimi, për shkak të natyrës joshëse të tij, vetëm për të humbur kursimet e tërë jetës! Një i krishterë investoi një shumë të madhe parash, duke pritur që vetëm brenda dy javësh të merrte 25 për qind fitim prej tyre. Ai i humbi të gjitha ato para, kur kompania ku ai kishte investuar shpalli falimentimin. Në një aventurë tjetër, drejtuesi i një aktiviteti për shitblerje pronash të patundshme, mori hua shuma të mëdha parash nga anëtarët e tjerë të kongregacionit. Ai premtoi fitime jashtëzakonisht të mëdha, por në vend të kësaj, ai falimentoi dhe humbi edhe fondet e marra hua.
Kur aventurat e biznesit dështojnë
11. Çfarë këshille dha Pavli në lidhje me lakminë dhe dashurinë për para?
11 Dështimet në biznes kanë çuar në zhgënjime dhe madje në humbjen e gjendjes frymore nga ana e disa të krishterëve, të cilët janë përfshirë në aventura të pasigurta. Dështimi në lejimin e veprimit të aftësisë shquese si një mbrojtje, ka sjellë si rezultat dëshpërim dhe hidhërim. Lakmia ka zënë në grackë shumë njerëz. «Lakmia as të mos përmendet midis jush, ashtu siç u ka hije njerëzve të shenjtë»,—shkroi Pavli. (Efesianëve 5:3, BR) Përveç kësaj, ai paralajmëroi: «Ata që janë të vendosur për t’u pasuruar, bien në tundim, në grackë dhe në shumë dëshira të paarsyeshme dhe të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e të gjitha gjërave të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë devijuar nga besimi dhe e kanë plagosur veten e tyre me shumë dhimbje.»—1. Timoteut 6:9, 10, BR.
12. Nëse të krishterët bëjnë biznes me njëri-tjetrin, çfarë duhet të mbajnë ata veçanërisht në mendje?
12 Nëse një i krishterë ka zhvilluar dashurinë për para, ai do t’i shkaktonte vetes një dëm të madh frymor. Farisenjtë ishin dashurues të parasë dhe kjo është një nga karakteristikat e shumë njerëzve në këto ditë të fundit. (Luka 16:14; 2. Timoteut 3:1, 2) Në kontrast me këtë, mënyra e jetesës së një të krishteri duhet të jetë «e lirë nga dashuria për para». (Hebrenjve 13:5, BR) Natyrisht, të krishterët mund të bëjnë biznes me njëri-tjetrin apo të nisin një biznes së bashku. Megjithatë, kur e bëjnë këtë, diskutimet dhe bisedimet duhet të mbahen të ndara nga çështjet e kongregacionit. Gjithashtu, mos harro: Edhe ndërmjet vëllezërve frymorë, bëjini gjithmonë me shkrim kontratat e biznesit. Një ndihmesë në këtë aspekt, është artikulli me titull «Bëjeni me shkrim!», botuar në anglisht në Zgjohuni!, 8 shkurtit 1983, në faqet 13 deri 15.
13. Si do t’i zbatoje Proverbat 22:7, në lidhje me aventurat e biznesit?
13 Proverbat 22:7 na thotë: «Huamarrësi është skllav [shërbëtor, BR] i huadhënësit.» Shpesh, nuk është e mençur nga ana jonë që ta vëmë veten apo vëllain tonë në pozitën e një shërbëtori të tillë. Kur dikush na kërkon para hua për një aventurë biznesi, do të ishte e këshillueshme që të merrnim parasysh mundësinë e tij për të na e kthyer përsëri shumën. A njihet ai si person që e mban fjalën dhe që është i besueshëm? Sigurisht që duhet të kuptojmë se dhënia e një borxhi të tillë, mund të nënkuptojë humbjen e parave, sepse shumë aventura biznesi dështojnë. Pasja e një kontrate nuk siguron në vetvete një aventurë të suksesshme. Patjetër që nuk është veprim i matur për askënd, që të rrezikojë më shumë para, duke i dhënë borxh ato për një ndërmarrje, në të cilën mund t’i humbasë.
14. Përse duhet të shfaqim aftësi shquese, nëse i kemi dhënë para hua një bashkë të krishteri, biznesi i të cilit dështon?
14 Ne duhet të tregojmë aftësi shquese, nëse i kemi dhënë fonde borxh një të krishteri, për qëllime biznesi dhe paratë kanë humbur, edhe pse nuk është përfshirë në to asnjë praktikë e pandershme. Nëse dështimi i biznesit nuk ishte për faj të bashkëbesimtarit tonë, i cili ka marrë para hua prej nesh, a mund të themi se na është bërë padrejtësi? Jo, pasi ne e dhamë borxhin vullnetarisht, ndoshta kemi grumbulluar interesa prej tij dhe asgjë e pandershme nuk ka ndodhur. Përderisa nuk ka qenë pandershmëri, nuk kemi asnjë bazë për të ndërmarrë një veprim ligjor kundër huamarrësit. Çfarë dobie do të nxirrnim, duke paditur një bashkë të krishterë të ndershëm, të cilit iu desh t’i shtohej radhës së falimentimeve, ngaqë dështoi një aventurë biznesi me qëllime të mira?—1. Korintasve 6:1.
15. Çfarë faktorësh duhen marrë në shqyrtim, nëse është shpallur falimentimi?
15 Ata që përjetojnë dështime në biznes, shpeshherë kërkojnë të çlirohen, duke shpallur falimentimin. Përderisa të krishterët nuk duhet të jenë të pakujdesshëm lidhur me detyrimin, edhe pasi janë çliruar në mënyrë ligjore nga ca borxhe, disa janë ndier të detyruar që të përpiqen për të paguar detyrimet tashmë të fshira nga ligjet e falimentimit, nëse kreditorët do të pranonin pagimin e tyre. Por, ç’mund të themi nëse një huamarrës humbet paratë e vëllait të tij dhe pas falimentimit bën një jetë luksoze? Apo, ç’të themi nëse huamarrësi siguron fonde të mjaftueshme për të kthyer shumën e marrë borxh, por shpërfill detyrimin moral, që mund të ketë ndaj vëllait të tij nga ana financiare? Në të tilla rrethana, do të kishte dyshime rreth kualifikimeve të huamarrësit për të shërbyer në pozita përgjegjësie brenda kongregacionit.—1. Timoteut 3:3, 8; shiko Kullën e Rojës së 15 janarit 1995, faqet 30-31.
Po nëse ka mashtrim?
16. Çfarë hapash mund të merren, nëse na duket se kemi qenë viktima të mashtrimit në biznes?
16 Aftësia shquese na ndihmon të kuptojmë se nuk nxirren fitime nga çdo lloj investimi. Por, ç’mund të thuhet nëse është përfshirë edhe mashtrimi? Mashtrimi përkufizohet si «përdorimi me qëllim i hiles, i dredhisë apo shtrembërimi i së vërtetës, me qëllim që ta nxitë personin tjetër të heqë dorë nga diçka e vlefshme që i përket apo nga ndonjë e drejtë ligjore». Jezu Krishti theksoi hapat që mund të merren, kur një person mendon se ka qenë i mashtruar nga një bashkadhurues. Sipas Mateut 18:15-17, Jezui tha: «Nëse vëllai yt kryen një mëkat, shko dhe zbuloje hapur gabimin e tij, vetëm midis teje dhe atij. Nëse të dëgjon, ti e ke fituar vëllanë tënd. Por nëse ai nuk të dëgjon, merr me vete një ose dy të tjerë, në mënyrë që nga goja e dy apo tre dëshmitarëve, të mund të vendoset çdo gjë. Nëse ai nuk i dëgjon ata, foli kongregacionit. Nëse ai nuk e dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ju, tamam si një njeri i kombeve dhe si një tagrambledhës.» (BR) Ilustrimi që bëri më pas Jezui, tregon se ai kishte ndër mend mëkate të tilla si ato që kanë të bëjnë me çështjet financiare, duke përfshirë edhe mashtrimin.—Mateu 18:23-35.
17, 18. Si mund të na mbrojë aftësia shquese, nëse një i krishterë që pohon se është i tillë na mashtron?
17 Natyrisht, nuk do të ketë asnjë bazë biblike për ndërmarrjen e hapave të theksuar në Mateun 18:15-17, nëse nuk ekziston asnjë provë apo edhe një shenjë mashtrimi. Megjithatë, ç’mund të thuhet nëse një i krishterë, i cili pohon se është i tillë, na ka mashtruar me të vërtetë? Aftësia shquese mund të na mbrojë nga ndërmarrja e veprimeve që do të dëmtonin reputacionin e kongregacionit. Pavli i këshilloi bashkë të krishterët që më mirë të lejojnë t’u bëhet atyre ndonjë padrejtësi e madje edhe të mashtrohen, sesa të hedhin një vëlla në gjyq.—1. Korintasve 6:7.
18 Vëllezërit dhe motrat tona të vërteta nuk janë ‘plot me mashtrim dhe poshtërsi’, si magjistari Bar-Jesus. (Veprat 13:6-12, BR) Prandaj, le të përdorim aftësinë shquese, kur humbasim paratë në aventurat e biznesit, ku janë përfshirë bashkëbesimtarët tanë. Nëse mendojmë të ndërmarrim veprime ligjore, duhet të shqyrtojmë efektet e mundshme mbi ne personalisht, mbi personin tjetër apo të tjerët, mbi kongregacionin dhe mbi personat e jashtëm. Kërkimi i kompensimit mund të na harxhojë shumë kohë, energji dhe të ardhura të tjera. Kjo gjë mund të rezultojë vetëm në pasurimin e prokurorëve dhe të profesionistëve të tjerë. Mjerisht, disa të krishterë kanë sakrifikuar privilegjet teokratike, sepse janë dhënë së tepërmi pas këtyre gjërave. Devijimi ynë në këtë mënyrë, duhet ta bëjë Satanain të lumtur, ndërkohë që ne dëshirojmë të gëzojmë zemrën e Jehovait. (Proverbat 27:11) Nga ana tjetër, pranimi i humbjes mund të na ndihmojë në shmangien e dëshpërimeve dhe mund të na kursejë shumë kohë neve dhe pleqve. Kjo gjë do të ndihmojë në ruajtjen e paqes së kongregacionit dhe do të na mundësojë të vazhdojmë të vendosim në vend të parë Mbretërinë.
Aftësia shquese dhe marrja e vendimeve
19. Çfarë mund të bëjë për ne aftësia shquese frymore dhe lutja, kur marrim vendime stresuese?
19 Marrja e vendimeve lidhur me çështjet financiare apo ato të biznesit mund të jetë mjaft stresuese. Por, aftësia shquese frymore mund të na ndihmojë, për të vlerësuar faktorët e për të marrë vendime të mençura. Për më tepër, mbështetja me lutje në Jehovain, mund të na sjellë ‘paqen e Perëndisë’. (Filipianëve 4:6, 7) Paqja e Perëndisë është qetësia, që vjen nga një marrëdhënie e ngushtë personale me Jehovain. Sigurisht, kjo paqe mund të na ndihmojë për të mbajtur ekuilibrin tonë, kur gjendemi përballë vendimeve të vështira.
20. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë, lidhur me çështjet e biznesit dhe kongregacionin?
20 Le të jemi të vendosur për të mos lejuar që debatet e biznesit të përçajnë paqen tonë apo atë të kongregacionit. Duhet të mbajmë parasysh se kongregacioni i krishterë ka si funksion që të na ndihmojë frymësisht, e jo që të shërbejë si qendër për qëllime tregtare. Çështjet e biznesit duhen mbajtur gjithmonë të ndara nga aktivitetet e kongregacionit. Kur i hyjmë një aventure biznesi, ne duhet të përdorim aftësinë shquese dhe maturinë. Le të mbajmë gjithnjë një pikëpamje të ekuilibruar mbi të tilla çështje, duke kërkuar në radhë të parë interesat e Mbretërisë. Nëse një aventurë biznesi, në të cilën janë përfshirë bashkadhuruesit tanë dështon, le të përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira për të gjithë ata që janë të përfshirë.
21. Si mund të përdorim aftësi shquese dhe të veprojmë në harmoni me Filipianëve 1:9-11?
21 Në vend se të shqetësohemi së tepërmi për çështjet financiare dhe për gjëra të tjera më pak të rëndësishme, le t’i prijmë zemrat tona drejt aftësisë shquese, të lutemi për drejtimin e Perëndisë dhe të mbajmë në vend të parë interesat e Mbretërisë. Në harmoni me lutjen e Pavlit, ‘dashuria jonë le të teprojë në njohurinë e saktë dhe në aftësinë e plotë shquese, në mënyrë që të mund të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme e të mos pengojmë të tjerët’ apo vetveten. Tani që Krishti Mbret është në fronin e tij qiellor, le të tregojmë aftësi shquese frymore në çdo aspekt të jetës. Veç kësaj, ‘le të jemi plot fryte drejtësie nëpërmjet Jezu Krishtit, në lavdi dhe lavdërim të Perëndisë sonë’, Zotërisë Sovran Jehova.—Filipianëve 1:9-11, BR.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë është aftësia shquese?
◻ Përse ekziston një nevojë e veçantë për të treguar aftësi shquese, lidhur me çështjet e biznesit ndërmjet të krishterëve?
◻ Si mund të na ndihmojë aftësia shquese, nëse mendojmë se një bashkëbesimtar na ka mashtruar?
◻ Çfarë roli duhet të luajë aftësia shquese në marrjen e vendimeve?
[Figura në faqen 18]
Aftësia shquese do të na ndihmojë për të zbatuar këshillën e Jezuit, që të vazhdojmë të kërkojmë më parë Mbretërinë
[Figurat në faqen 20]
Bëjini gjithmonë me shkrim kontratat e biznesit