Ata bënë vullnetin e Jehovait
Jezui përshëndetet si Mesi dhe Mbret!
TURMA e zhurmshme që po hynte në Jerusalem më 9 nisan të vitit 33 e.s., çuditi shumë judenj. Megjithëse nuk ishte e pazakontë të shihnin njerëz që vërshonin në qytet përpara Pashkëve, këta vizitorë ishin të ndryshëm. Figura qendrore mes tyre ishte një burrë që ngiste kërriçin e një gomareje. Burri ishte Jezu Krishti dhe njerëzit po shtronin mantele dhe degë palme para tij, ndërsa thërrisnin: «Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vende shumë të larta!» Duke parë turmën, shumë prej atyre që ndodheshin tashmë në Jerusalem, u nxitën për t’u bashkuar me procesionin.—Mateu 21:7-9; Gjoni 12:12, 13.
Edhe pse tani po përshëndetej, Jezui e dinte se e prisnin sprova. E pra, vetëm brenda pesë ditësh, ai do të dënohej me vdekje në po këtë qytet! Po, Jezui e dinte se Jerusalemi ishte një territor armiqësor dhe ai e organizoi hyrjen e tij të spikatshme në qytet, pikërisht me këtë mendim në kokë.
Një profeci e lashtë e përmbushur
Në vitin 518 p.e.s., Zaharia paratha hyrjen triumfale të Jezuit në Jerusalem. Ai shkroi: «Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomartëri [kërriç gomareje, BR] . . . . Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.»—Zaharia 9:9, 10.
Pra, hyrja e Jezuit në Jerusalem më 9 nisan përmbushi profecinë biblike. Ajo nuk ishte një ngjarje e rastësishme, por ishte planifikuar me kujdes. Më parë, ndërsa ndodhej pikërisht jashtë Jerusalemit, Jezui kishte udhëzuar dy prej dishepujve të tij: «Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush dhe menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur dhe bashkë me të një kërriç gomareje; zgjidhini dhe drejtojini për tek unë dhe nëse dikush ju thotë ndonjë gjë, duhet t’i thoni: ‘Zotëria ka nevojë për to’. Atëherë ai do t’i dërgojë menjëherë.» (Mateu 21:1-3, BR) Por, përse Jezui pati dëshirë që të hynte në Jerusalem mbi një gomare dhe cila ishte domethënia e reagimit të turmës?
Një mesazh në lidhje me mbretërimin
Një pamje e dukshme, shpesh është më e fuqishme se fjala e shqiptuar. Prandaj, herë pas here Jehovai ka bërë që profetët e tij ta vënë mesazhin në skenë për të përforcuar mesazhin e tyre profetik. (1. Mbretërve 11:29-32; Jeremia 27:1-6; Ezekieli 4:1-17) Ky mjet komunikimi shumë i dukshëm la një përshtypje të pashlyeshme në mendjen qoftë edhe të vëzhguesit më zemërgur. Në mënyrë të ngjashme, duke ngarë një gomare në qytetin e Jerusalemit, Jezui vuri në skenë një mesazh të fuqishëm. Si?
Në kohët biblike, gomari përdorej për qëllime fisnike. Për shembull, për t’u vajosur si mbret, Solomoni i hipi një «mushke» të të atit, një pasardhës hibrid i një gomari.a (1. Mbretërve 1:33-40) Kështu, hyrja e Jezuit në Jerusalem mbi një gomare, do të thoshte se ai po e paraqiste veten si një mbret. Veprimet e turmës e përforcuan këtë mesazh. Grumbulli, i përbërë pa dyshim në pjesën më të madhe nga galileas, shtroi mantelet para Jezuit, një gjest që të sjell ndër mend njoftimin publik të mbretërimit të Jehut. (2. Mbretërve 9:13) Referimi i tyre ndaj Jezuit si «Birit të Davidit», theksonte të drejtën e tij ligjore për të sunduar. (Luka 1:31-33, BR) Përdorimi prej tyre i degëve të palmave, siç duket tregonte nënshtrimin e tyre ndaj autoritetit të tij mbretëror.—Krahaso Zbulesën 7:9, 10.
Kështu, procesioni që ndodhi në Jerusalem më 9 nisan, nxori në pah mesazhin e qartë se Jezui ishte Mesia dhe Mbreti i emëruar nga Perëndia. Sigurisht, jo të gjithë ishin të lumtur tek shihnin Jezuin të paraqitej në këtë mënyrë. Sidomos farisenjtë mendonin se ishte krejtësisht e papërshtatshme për Jezuin që të mbulohej me një nderim të tillë mbretëror. «Mësues,—i kërkuan ata, pa dyshim me zemërim në zërat e tyre,—qorto dishepujt e tu!» Jezui u përgjigj: «Unë po ju them se nëse këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.» (Luka 19:39, 40) Po, Mbretëria e Perëndisë ishte tema e predikimit të Jezuit. Ai do ta shpallte me guxim këtë mesazh, pavarësisht nëse e pranonin apo jo njerëzit.
Mësim për ne
Jezuit iu desh një guxim i madh për të hyrë në Jerusalem në mënyrën e parathënë nga profeti Zaharia. Ai e dinte se duke vepruar kështu po merrte mbi vete zemërimin e armiqve të tij. Përpara ngjitjes së tij në qiell, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij që të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe «të bënin dishepuj nga të gjitha kombet». (Mateu 24:14; 28:19, 20) Për të kryer këtë vepër duhet, gjithashtu, guxim. Jo të gjithë janë të lumtur që ta dëgjojnë mesazhin. Disa janë indiferentë ndaj tij, ndërkohë që të tjerë e kundërshtojnë. Disa qeveri kanë vendosur kufizime për veprën e predikimit ose e kanë ndaluar plotësisht atë.
Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se lajmi i mirë i Mbretërisë së vendosur të Perëndisë duhet predikuar, pavarësisht nëse njerëzit e dëgjojnë apo refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë. (Ezekieli 2:7) Ndërsa vazhdojnë ta kryejnë këtë vepër jetëshpëtuese, ata janë të siguruar nga premtimi i Jezuit: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundim të sistemit të gjërave.»—Mateu 28:20, BR.
[Shënimi]
a Tregimi i Markut shton se ishte një kërriç, ‘mbi të cilin akoma nuk kishte hipur askush’. (Marku 11:2) Është e dukshme se një kafshë që ende nuk ishte vendosur në përdorim, ishte veçanërisht e përshtatshme për qëllime të shenjta.—Krahaso Numrat 19:2; Ligjin e përtërirë 21:3; 1. Samuelin 6:7.