BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/11 f. 3-4
  • A është agjërimi jo i kohës?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A është agjërimi jo i kohës?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Një mjet dhe një ritual
  • Agjërimi​—A të afron më shumë me Perëndinë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Çfarë thotë Bibla për agjërimin?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
  • A e kërkon Perëndia mbajtjen e agjërimit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Pyetet mbi agjërimin
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/11 f. 3-4

A është agjërimi jo i kohës?

«QË KUR isha adoleshente, unë kam agjëruar çdo të hënë»,—thotë Mrudulaben, një grua indiane 78-vjeçare, në gjendje të mirë ekonomike. Kjo gjë ka qenë një pjesë e adhurimit të saj, një mënyrë për t’u siguruar se martesa e saj ishte e mirë dhe se kishte fëmijë të shëndetshëm, si dhe mbrojtje për burrin e saj. Tani një vejushë, ajo vazhdon të agjërojë të hënave për të pasur shëndet të mirë dhe për mbarësinë e fëmijëve të saj. Ngjashëm me të, pjesa më e madhe e grave hindu e konsiderojnë agjërimin e rregullt, pjesë të jetës së tyre.

Prekashi, një biznesmen me moshë mesatare që jeton në një periferi të Mumbait (Bombei), në Indi, thotë se agjëron çdo vit, të hënave të Savanit (Shravanit). Në kalendarin hindu, ky është një muaj me një domethënie të veçantë fetare. Prekashi shpjegon: «Fillova të agjëroja për arsye fetare, por tani e konsideroj si një shtytje më shumë që ta vazhdoj për qëllime shëndetësore. Meqenëse Savani është afërsisht nga fundi i stinës së shirave të mëdha, kjo gjë i jep mundësi organizmit tim që të pastrojë vetveten nga sëmundjet karakteristike për stinën e rreshjeve.»

Disa kanë përshtypjen se agjërimi e ndihmon një person fizikisht, mendërisht dhe frymësisht. Për shembull, Grolier International Encyclopedia pohon: «Kërkimi shkencor i kohëve të fundit sugjeron se agjërimi mund të jetë i shëndetshëm dhe kur i kushton kujdes mund të çojë në gjendje të lartë vetëdijshmërie dhe ndjeshmërie.» Thuhet se filozofi grek, Platoni, duhet të ketë agjëruar dhjetë ditë a më tepër dhe se matematikani Pitagora para se të mësonte studentët e vet, i vinte të agjëronin.

Për disa, agjërimi do të thotë të përmbahesh plotësisht nga ushqimi dhe uji për një periudhë të caktuar kohe, ndërsa të tjerë pijnë lëngje gjatë agjërimit të tyre. Mosngrënia e disa vakteve ose të përmbajturit nga ngrënia e një lloji të veçantë ushqimi, konsiderohet nga shumë persona si agjërim. Por agjërimi për një kohë të gjatë dhe jo nën kontroll, mund të jetë i rrezikshëm. Gazetari Parul Sheth thotë se pasi organizmi ka marrë sasinë e nevojshme të karbohidrateve, ai i kthen proteinat muskulare në glukozë dhe pastaj përqendrohet në yndyrën e trupit. Kthimi i yndyrnave në glukozë çliron prodhime toksike, që quhen trupa acetonikë. Ndërsa akumulohen, ata lëvizin drejt trurit, duke dëmtuar sistemin nervor qendror. «Ky është momenti kur agjërimi bëhet i rrezikshëm,—thotë Shethi.—Mund të bëhesh konfuz, i çorientuar dhe më keq akoma . . . [ai mund të shkaktojë] një gjendje kome dhe së fundi vdekjen.»

Një mjet dhe një ritual

Agjërimi është përdorur si një mjet i fuqishëm për qëllime politike ose shoqërore. Një përdorues i shquar i kësaj arme, ishte Mohandas K. Gandi në Indi. I vlerësuar shumë nga qindra miliona njerëz, ai e ka përdorur atë për të ushtruar një ndikim të fuqishëm mbi njerëzit e thjeshtë hindu të Indisë. Duke përshkruar rezultatin e agjërimit të tij për zgjidhjen e një konflikti industrial ndërmjet punëtorëve të fabrikës dhe pronarëve të saj, Gandi tha: «Rezultati përfundimtar i tij, qe krijimi i një atmosfere dashamirësie ndërmjet personave pjesëmarrës në të. Zemrat e pronarëve të fabrikës u prekën . . . Konflikti u ndërpre pasi kisha agjëruar vetëm tri ditë.» Presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, gjatë viteve që kaloi si i burgosur politik, mori pjesë në një grevë urie pesëditore.

Megjithatë, pjesa më e madhe atyre që kanë praktikuar agjërimin, e kanë bërë një gjë të tillë për arsye fetare. Agjërimi është një ritual që spikat në hinduizëm. Në disa ditë, pohon libri Agjërimi dhe festat e Indisë, «respektohet një agjërim i plotë . . . madje edhe ujë nuk pihet fare. Si burrat, ashtu edhe gratë i përmbahen një agjërimi të rreptë . . . për të siguruar lumturinë, mbarësinë, si dhe faljen e shkeljeve e të mëkateve».

Agjërimi praktikohet gjerësisht edhe në fenë jain. The Sunday Times of India Review raporton: «Një jain muni [i mençur] në Bombei [Mumbai], gjatë 201 ditëve piu vetëm dy gota me ujë të vluar në ditë. Ai humbi 33 kilogram. Disa madje agjërojnë deri në atë pikë sa vdesin nga uria, të bindur se kjo gjë do t’u sjellë shpëtim.

Për të rriturit në përgjithësi që praktikojnë islamizmin, agjërimi është i detyrueshëm gjatë muajit të Ramazanit. Gjatë gjithë muajit, nuk duhet të hahet dhe të pihet ujë, që kur lind dielli e deri sa perëndon. Nëse dikush është i sëmurë apo është në udhëtim gjatë kësaj kohe, duhet që ato ditë agjërimi t’i bëjë një herë tjetër. Kreshmët e mëdha, periudha 40-ditore që paraprin Pashkët, është një kohë agjërimi për disa që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin krishterim dhe shumë bashkësi fetare e mbajnë agjërimin në ditë të tjera të veçanta.

Sigurisht që agjërimi nuk është shuar dhe duke qenë se ai është pjesë e kaq shumë feve, mund të pyesim: A e kërkon Perëndia mbajtjen e agjërimit? A ka raste kur të krishterët mund të vendosin të agjërojnë? A mund të sjellë dobi kjo gjë? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.

[Figura në faqen 3]

Feja jain e konsideron agjërimin si një mënyrë për të arritur shpëtimin e shpirtit

[Figura në faqen 4]

Mohandas K. Gandi e përdori agjërimin si një mjet të fuqishëm për qëllime politike ose shoqërore

[Figura në faqen 4]

Në islamizëm, agjërimi është i detyrueshëm gjatë muajit të Ramazanit

[Burimi]

Garo Nalbandian

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo