A e kërkon Perëndia mbajtjen e agjërimit?
LIGJI i Perëndisë i dhënë nëpërmjet Moisiut, e kërkonte mbajtjen e agjërimit vetëm në një rast, në ditën vjetore të shlyerjes. Ligji urdhëronte që atë ditë izraelitët ‘të përulnin shpirtrat e tyre’, me të cilën nënkuptohej se ata agjëronin. (Levitiku 16:29-31; 23:27; Psalmi 35:13) Megjithatë, ky agjërim nuk ishte thjesht një formalitet. Respektimi i ditës së shlyerjes e nxiste popullin e Izraelit që të bëhej më i vetëdijshëm për gjendjen e tij mëkatare dhe për nevojën e shpengimit. Atë ditë ata agjëronin, gjithashtu, për të shprehur keqardhjen për mëkatet e tyre dhe pendimin para Perëndisë.
Megjithëse ky ishte i vetmi agjërim i detyrueshëm nën Ligjin e Moisiut, izraelitët e mbajtën agjërimin edhe në raste të tjera. (Dalja 34:28; 1. Samuelit 7:6; 2. Kronikave 20:3; Ezdra 8:21; Estera 4:3, 16) Mes këtyre ishin të përfshira edhe agjërimet vullnetare, si mjet për shfaqjen e pendimit. Jehovai e nxiti popullin e Judës, i cili kishte gabuar: «Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime.» Kjo nuk duhej të ishte një shfaqje në dukje, pasi Perëndia vazhdon të thotë: «Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja.»—Joeli 2:12-15.
Me kalimin e kohës, shumë njerëz agjëronin si për një formalitet në dukje. Jehovai ndjente neveri për agjërime të tilla të pasinqerta dhe prandaj i pyeti izraelitët hipokritë: «A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri? A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit [Jehovait, BR]?» (Isaia 58:5) Në vend që të bënin një agjërim për të rënë në sy, këtij populli kokëfortë i ishte kërkuar të prodhonte veprat që i përshtateshin pendimit.
Disa agjërime të vendosura nga judenjtë hasën që në fillim në mosaprovimin e Perëndisë. Për shembull, dikur populli i Judës kishte katër agjërime në vit për të përkujtuar ngjarjet e tmerrshme që shoqëruan rrethimin e Jerusalemit dhe shkretimin e tij në shekullin e shtatë p.e.s. (2. Mbretërve 25:1-4, 8, 9, 22-26; Zaharia 8:19) Pasi hebrenjtë u liruan nga robëria në Babiloni, nëpërmjet profetit Zaharia Jehovai tha: «Kur keni agjëruar . . . , gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?» Perëndia nuk i aprovoi ato agjërime, sepse hebrenjtë po agjëronin dhe po mbanin zi lidhur me gjykimet që kishin ardhur nga vetë Jehovai. Ata po agjëronin për shkak të mjerimit që kishte rënë mbi ta, jo për shkak të sjelljes së tyre të gabuar që çoi në atë mjerim. Pas rivendosjes në vendlindjen e tyre, për ta ishte koha që të gëzonin, në vend që të vajtonin për të kaluarën.—Zaharia 7:5.
A është agjërimi për të krishterët?
Edhe pse Jezu Krishti nuk i urdhëroi kurrë dishepujt e tij që të agjëronin, ai dhe ithtarët e tij agjëruan ditën e shlyerjes, sepse ishin nën ligjin e Moisiut. Përveç kësaj, përderisa Jezui nuk i udhëzoi që ta shmangnin plotësisht praktikimin, disa nga dishepujt e tij agjëruan vullnetarisht në disa raste të tjera. (Veprat 13:2, 3; 14:23) Megjithatë, ata kurrë nuk duhej ‘të shpërfytyroheshin për t’u treguar njerëzve se agjërojnë’. (Mateu 6:16) Një shfaqje e tillë devocioni, e jashtme, mund të sjellë vështrime admiruese dhe shprehje aprovimi nga njerëz të tjerë, por Perëndia nuk kënaqet me një shfaqje të tillë për të rënë në sy.—Mateu 6:17, 18.
Jezui foli, gjithashtu, për agjërimin e ithtarëve të tij në kohën e vdekjes së tij, por nëpërmjet kësaj ai nuk po vendoste një ritual agjërimi. Përkundrazi, ai po tregonte një reagim ndaj dhimbjes së thellë që ata do të përjetonin. Kur të ringjallej, ai do të ishte përsëri me ta dhe ata s’do të kishin më arsye për të agjëruar.—Luka 5:34, 35.
Ligji i Moisiut mori fund kur «Krishti u dha vetëm një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve». (Hebrenjve 9:24-28) Bashkë me marrjen fund të Ligjit, mori fund edhe urdhri për të agjëruar në ditën e shlyerjes. Kështu, i vetmi agjërim i detyrueshëm i përmendur në Bibël, u hoq.
Ç’mund të thuhet për kreshmët?
Cila është, pra, baza për praktikimin e agjërimit gjatë kreshmëve, nga ana e të ashtuquajturit krishterim? Si kishat katolike, ashtu edhe ato protestante, pranojnë kreshmët, megjithëse mënyra e mbajtjes së tyre ndryshon nga kisha në kishë. Disa hanë vetëm një vakt në ditë, gjatë periudhës 40-ditore që paraprin Pashkët. Të tjerë agjërojnë plotësisht vetëm të mërkurën e përhime dhe të premten e zezë. Për disa, kreshmët kërkojnë të përmbajturit nga ngrënia e mishit, peshkut, vezëve dhe produkteve të qumështit.
Mendohet se kreshmët e kanë bazën tek 40 ditët e agjërimit të Jezuit pas pagëzimit të tij. A ishte ai duke themeluar një ritual që duhej ndjekur çdo vit? Aspak. Kjo është e dukshme nga fakti që Bibla nuk tregon për asnjë praktikë të tillë mes të krishterëve të hershëm. Për herë të parë, kreshmët u mbajtën në shekullin e katërt pas Krishtit. Ashtu si shumë mësime të tjera të të ashtuquajturit krishterim, ai u adoptua nga burime pagane.
Nëse kreshma është një imitim i agjërimit të Jezuit në shkretëtirë pas pagëzimit të tij, përse mbahet gjatë javëve që çojnë drejt pashkës, e cila mendohet se është koha e ringjalljes së tij? Jezui nuk agjëroi gjatë ditëve para vdekjes së tij. Tregimet e ungjillit tregojnë se ai dhe dishepujt e tij bënë vizita nëpër shtëpi dhe hëngrën në Betani vetëm pak ditë para se të vdiste. Natën para vdekjes së tij, ai hëngri darkën e Pashkës.—Mateu 26:6, 7; Luka 22:15; Gjoni 12:2.
Nga agjërimi i Jezuit pas pagëzimit të tij, ka diçka për të mësuar. Ai ishte duke ndërmarrë një shërbim jetësor. Në të përfshiheshin shfajësimi i sovranitetit të Jehovait dhe e ardhmja e krejt racës njerëzore. Kjo ishte një kohë për meditim të thellë dhe lutje të shumta, duke iu drejtuar Jehovait për ndihmë dhe udhëheqje. Gjatë kësaj kohe, në mënyrë të përshtatshme, Jezui agjëroi. Kjo tregon se agjërimi mund të sjellë dobi kur bëhet për një arsye të drejtë dhe në një rast të përshtatshëm.—Krahaso Kolosianëve 2:20-23.
Kur agjërimi mund të sjellë dobi
Le të shqyrtojmë disa raste në ditët e sotme, kur një adhurues i Perëndisë mund të agjërojë. Një person që ka kryer një mëkat mund të mos ketë dëshirë të hajë për një periudhë kohe. Kjo nuk duhet të ndodhë për t’u bërë përshtypje të tjerëve apo sepse zemërohet lidhur me disiplinimin që ka marrë. Sigurisht, agjërimi në vetvete nuk do të rregullojë çështjet lidhur me Perëndinë. Megjithatë, një person me të vërtetë i penduar, do të ndiejë keqardhje të thellë për lëndimin që i ka shkaktuar Jehovait e ndoshta edhe miqve dhe familjes së tij. Ankthi dhe lutja e zjarrtë për falje mund të frenojnë dëshirën për ushqim.
Mbreti i Izraelit, Davidi, pati një përvojë të ngjashme. Kur u ndodh përballë perspektivës për të humbur birin e tij nga Beth-sheba, ai i përqendroi të gjitha përpjekjet në lutjen drejtuar Jehovait që të fitonte mëshirën për fëmijën. Ndërkohë që ishte krejtësisht i përpirë nga lutjet e tij, ai agjëroi. Ngjashëm, në ditët e sotme të ushqehesh mund të mos duket e përshtatshme kur ndodhesh nën disa kushte stresuese.—2. Samuelit 12:15-17.
Gjithashtu, mund të ketë periudha kohore kur një person i perëndishëm dëshiron të përqendrohet në disa çështje të thella frymore. Për këtë mund të jetë e nevojshme kërkimi në Bibël dhe në botimet e krishtere. Mund t’i nevojitet një periudhë kohe për meditim. Gjatë një periudhe të tillë studimi të thellë, një person mund të zgjedhë që të mos shpërqendrohet për të ngrënë.—Krahaso Jereminë 36:8-10.
Ka shembuj biblikë të shërbëtorëve të Perëndisë, të cilët kanë agjëruar kur u është dashur të marrin vendime serioze. Në ditët e Nehemisë, i duhej bërë një betim Jehovait dhe hebrenjtë do të mbanin përgjegjësinë për mallkimin nëse do ta thyenin atë. Ata duhej të premtonin se do të divorcoheshin nga gratë e tyre të huaja dhe se do të mbaheshin të ndarë nga kombet rrethues. Para se të bënin këtë betim dhe gjatë rrëfimit të fajit të tyre, i tërë kongregacioni agjëroi. (Nehemia 9:1, 38; 10:29, 30) Prandaj, kur një i krishterë gjendet përballë një vendimi të rëndësishëm, mund të vazhdojë pa ngrënë për një periudhë të shkurtër kohe.
Marrja e vendimeve nga trupat e pleqve në shekullin e parë, disa herë shoqërohej nga agjërimi. Sot, pleqtë e kongregacioneve kur përballohen me vendime të vështira, ndoshta lidhur me ndonjë rast gjyqësor, mund të mos hanë ndërsa merren me shqyrtimin e çështjes.
Zgjedhja për të agjëruar në disa rrethana është një vendim personal. Një person nuk duhet ta gjykojë tjetrin lidhur me këtë çështje. Ne nuk dëshirojmë që «nga jashtë t’u paraqitemi njerëzve si të drejtë»; as nuk duhet ta konsiderojmë ushqimin aq të rëndësishëm saqë ai të na pengojë në përkujdesjen tonë për detyrimet serioze. (Mateu 23:28; Luka 12:22, 23) Bibla tregon se Perëndia nuk na e kërkon dhe as na e ndalon agjërimin.
[Figura në faqen 7]
A e di se përse Jezui agjëroi për 40 ditë pas pagëzimit të tij?