Një atmosferë rritjeje në Guinenë Ekuatoriale
BIMËSIA e harlisur është përshtypja e parë që merr një udhëtar, kur ulet me aeroplan në aeroportin ndërkombëtar të Guinesë Ekuatoriale. Pista e aerodromit rrethohet nga pemë madhështore, të cilat i bëjnë ndërtesat e tjera të aeroportit të duken si xhuxhe. Bimësia e bulbërt lulëzon nga bregdeti deri në majat e maleve, e nxitur nga reshjet e shumta të shiut dhe nga temperatura që gjatë gjithë vitit arrin rreth 80°C.
Në Guinenë Ekuatoriale po ndodh edhe një lloj tjetër rritjeje e fuqishme, «rritja që jep Perëndia». (Kolosianëve 2:19, BR) Ashtu si zyrtari etiopas, i cili kërkoi ndihmë nga Filipi, shumë persona këtu janë të paduruar për të fituar kuptueshmëri mbi Shkrimet. (Veprat 8:26-39) Nuk është e pazakontë që Dëshmitarëve të Jehovait t’u afrohet ndonjë në rrugë dhe t’u kërkojë një studim biblik. Përafërsisht 325 Dëshmitarët e Guinesë Ekuatoriale po drejtojnë mbi një mijë studime biblike.
Mbjellja e farës në ditët e hershme
Guinea Ekuatoriale, vendi më i vogël i Afrikës, gjendet në jug të Nigerisë dhe Kamerunit. (Shiko hartën.) Lajmi i mirë u soll për herë të parë këtu, nga Dëshmitarë nigerianë, të cilët erdhën për të gjetur punë në plantacionet e kakaos. Megjithëse u formuan disa kongregacione në gjuhën angleze, më vonë ato u shpërndanë, kur këta vëllezër duhej të ktheheshin në Nigeri. Në 1968-n, menjëherë sapo vendi fitoi pavarësinë, atje u caktuan tri çifte misionarësh të Shoqatës Watchtower. Edhe pse nuk mundën të qëndronin gjatë, për shkak të vështirësive politike, dëshmia e tyre solli rezultate të shkëlqyera.
Santiago, një nga misionarët, takoi Buenaventurën, një burrë të gjatë e gjithë muskuj, të cilin të gjithë vendasit e thërrisnin «divi». Ai ishte një njeri fetar, që e respektonte Biblën, por që kishte një temperament të dhunshëm. Mjaftonte fyerja më e vogël, dhe ai të godiste. Kur u zemërua njëherë në një bar, të gjithë personat që ishin aty u shpërndanë, madje duke kapërcyer nga dritaret për të shpëtuar pa ngrënë ndonjë grusht. Në fakt, ndërsa dëgjonte Santiagon, kishte ndërmend ta rrihte, po të mos i jepte prova bindëse nga Shkrimet për atë që thoshte. «Askush nuk ia hedh dot divit»,—i thoshte ai vetes. U magjeps nga ajo që dëgjoi, sidomos për shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore, kështu që pranoi një studim biblik.
Ndërsa studimi vazhdonte, dëshira e Buenaventurës për të jetuar përgjithmonë në parajsë u bë gjithnjë e më e fortë dhe ai mësoi se për ta fituar këtë çmim, duhej ta përshtaste jetën e tij me normat e Perëndisë. Duke kuptuar se të krishterët e vërtetë nuk duhet ‘ta kthejnë të keqen me të keqe’, ai filloi të bënte përpjekje të mëdha për të mbajtur nën kontroll temperamentin e tij.—Romakëve 12:17.
Një ditë u vu vërtet në provë, kur pa dashur rrëzoi përtokë gotën e një klienti në një bar. Burri u inatos dhe e qëlloi. Në moment, personat e tjerë që ishin në bar u shpërndanë menjëherë, duke pritur që të plaste grushti. Por, Buenaventura, pagoi me butësi gotën e thyer, i solli burrit një gotë tjetër dhe i kërkoi atij të falur që ishte treguar i ngathët. Kur fqinjët vërejtën se studimi i Biblës kishte bërë këto ndryshime tek ai, disa prej tyre shprehën dëshirën për të studiuar me të. Në kohën kur u pagëzua, Buenaventura drejtonte tashmë pesë studime biblike. Ai ka shërbyer si plak për këta pesë vjetët e fundit dhe megjithëse njerëzit akoma e thërrasin divi, tani e thonë duke bërë shaka.
«Të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore»
Gjatë viteve ’70 ata pak Dëshmitarë lokalë vazhduan të predikonin dhe të mblidheshin së bashku sa të ishte e mundur për ta. Më vonë, disa çifte misionarësh nga Spanja vajtën për t’i ndihmuar. Andrés Boteja, i cili ka shërbyer për 12 vjet me radhë në Guinenë Ekuatoriale, kujton se menjëherë pasi arriti atje, i bëri përshtypje fakti se si njerëzit ishin vërtet «të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore». (Mateu 5:3, BR) «Ka qenë kënaqësi e vërtetë të studioje Biblën me këta njerëz që tregonin çmueshmëri»,—thotë ai.
Meri, një motër nga Spanja, studionte Biblën me një grua të re, që quhej María. María zuri me gojë se edhe prindërit e saj, Françisko dhe Fausta, kishin interes të studionin. Duke qenë se Meri po drejtonte 15 studime dhe prindërit e Marías banonin pak larg, kaluan disa javë para se ajo të mund t’i vizitonte.
Kur Meri dhe i shoqi, Serafini, i takuan më në fund prindërit e saj, ata kishin tashmë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokëa dhe një Bibël e prisnin me padurim që të fillonin studimin. Kështu që filluan pa u vonuar. Serafini vërejti se prindërit e Marías e njihnin materialin shumë mirë. E njëjta gjë ndodhi gjatë vizitës së dytë, kur studiuan kapitullin e dytë. «Ishte gati sikur të studioje me dy Dëshmitarë të pagëzuar»,—kujton Serafini. Gjatë vizitës së tretë, pasi dukej se ata e njihnin materialin shumë mirë, Serafini sugjeroi që ta bënin studimin me pyetje dhe përgjigje, për të parë se sa kuptonin në të vërtetë. Ai kuptoi se Françisko dhe Fausta e kishin studiuar gjithë librin vetë.
Si kishte ndikuar mbi ta njohuria e sapogjetur? Në harmoni me atë që kishin mësuar, ata tashmë nuk merrnin më pjesë në mbledhjet spiritiste dhe kishin prerë të gjitha lidhjet me Kishën Katolike. Përveç këtyre, Françisko kishte lënë duhanin dhe nuk hanin më mish, të cilit nuk i ishte hequr gjaku siç duhet. Duke qenë se ata kishin zbatuar në mënyrë të dukshme çdo gjë që kishin mësuar, u inkurajuan që të fillonin ta ndanin njohurinë e tyre me të tjerët. Filluan pa vonuar t’u predikonin fqinjëve. Brenda vetëm tre muajve, ata u kualifikuan për pagëzim. Tani Françisko është shërbëtor ndihmës dhe falë zellit dhe shembullit të tyre të shkëlqyer në predikim, tri nga vajzat e tyre tani janë Dëshmitare, dy djem marrin pjesë në mbledhje dhe gjashtë të afërm të tjerë studiojnë.
Jo shumë kohë pasi ishte pagëzuar, Françisko takoi Pablon, një katolik i devotshëm, i cili kryente disa shërbime në kishën e tij. Pablo përdorej për të bërë fjalimin predikues, sa herë që mungonte prifti. Nëse një anëtar i kishës ishte i sëmurë, ai e vizitonte; nëse ndonjë nuk shihej gjatë shërbimeve në kishë, Pablo e vizitonte për ta inkurajuar; dhe nëse ndokush vdiste, ai bënte ç’të ishte e mundur për të ngushëlluar familjen. Kuptohet që Pablon e donin shumë të gjithë famullitarët.
Përderisa Pablo kishte respekt të thellë për Biblën, ai u tregua i gatshëm për të pranuar një studim me Françiskon. Pablo e kuptoi shpejt se sa i arsyeshëm ishte mesazhi i Biblës dhe pas pak studimesh, ai vendosi të përdorte disa nga Shkrimet që kishte mësuar në një nga «vizitat baritore» të tij tek një anëtar i sëmurë i kishës. Pak më pas, në një nga fjalimet e tij predikuese të së Dielës, Pablo shpjegoi rëndësinë e përdorimit të emrit të Perëndisë, Jehova, dhe arsyen përse nuk duhet të përdorim shëmbëlltyrat.
Meqenëse ai vetë e pranoi shumë shpejt të vërtetën, priste që edhe me anëtarët e tjerë të kishës së tij të ndodhte po ashtu. Por pas tri apo katër prej këtyre predikimeve të bazuara në Bibël, Pablo vërejti se njerëzit nuk ishin të lumtur me informacionin që ai u kishte paraqitur. Kështu që vendosi ta linte kishën dhe të shoqërohej rregullisht me Dëshmitarët e Jehovait. Brenda pak muajsh, ai u kualifikua për pagëzim dhe tani është një lajmëtar i zellshëm i lajmit të mirë. Megjithëse i pamundur për të predikuar në kohë të plotë, ai kohët e fundit po drejton dhjetë studime biblike.
Përkrahja e rritjes duke u mbledhur së bashku
Dëshmitarët në Guinenë Ekuatoriale e marrin seriozisht urdhrin biblik për të mos harruar të mbledhurit së bashku. (Hebrenjve 10:25) Që nga viti 1994, kur vepra u pranua përsëri zyrtarisht nga qeveria, vëllezërit mezi kanë pritur të kenë Salla të përshtatshme Mbretërie. Në fakt, shumica e kongregacioneve ka ndërtuar Sallat e veta ose ndërtimi i tyre është akoma në proces e sipër.
Në Mongomo, ku pjesëmarrja në mbledhjet e së dielës shpeshherë arrin dy herë e gjysmë më shumë se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë, kongregacioni po punon pa u lodhur për të ndërtuar një vend të bollshëm për mbledhje. Fetë e tjera në Mongomo, zakonisht pajtojnë punëtorë për të ndërtuar kishat e tyre, kështu që aktiviteti i Dëshmitarëve lokalë nuk kaloi pa u vërejtur. Një ditë, prifti i Kishës së Re Apostolike (Iglesia Nueva Apostólica) ndaloi në vendin ku bëheshin ndërtime për të pyetur një nga pleqtë se sa i paguante këta punëtorë të palodhur. Prifti tha se megjithëse kishte punësuar disa muratorë, të cilët ishin anëtarë të kishës së tij, puna ecte shumë ngadalë. Ai pyeti nëse mund të pajtonte punëtorët që ndërtonin Sallën e Mbretërisë. Kur i thanë se të gjithë Dëshmitarët punonin pa pagesë, ai u largua gojëhapur.
Pjesëmarrja në mbledhje mund të kërkojë sakrifica të konsiderueshme nga ana e atyre që banojnë larg nga Salla e Mbretërisë. Me këtë vështirësi u ndesh edhe Kuani, një burrë i ri që u pagëzua në 1994-n. Ai dëgjoi për të vërtetën në Gabon, ku studioi gjysmën e parë të librit Të jetosh përgjithmonë. Më pas, u kthye në Guinenë Ekuatoriale, në fshatin e tij të lindjes, rreth 100 km larg nga Mongomo. Për të kjo gjë përbënte një sfidë për vazhdimin e studimit. Por ai nuk u spraps. Çdo muaj ai udhëtonte tetë orë me biçikletë për në Mongomo, ku Santiago, një nga pleqtë lokalë, i bënte atij studimin. Qëndronte në Mongomo për disa ditë dhe studionte tri apo katër herë gjatë qëndrimit të tij atje. Në këtë mënyrë, ai arriti ta përfundonte studimin e tij dhe të kualifikohej për pagëzim.
Si u mbajt i fortë frymësisht Kuan, duke u shoqëruar kaq pak me të krishterët e tjerë? Para së gjithash, duke qenë një predikues i zellshëm i lajmit të mirë. Ai u kishte predikuar të gjithë njerëzve në fshatin e tij dhe që nga koha që u pagëzua ai drejton 13 studime biblike. Gjashtë nga studentët e tij erdhën bashkë me të në ditën e asamblesë speciale, në Mongomo për të qenë dëshmitarë të pagëzimit të tij. Ai tani drejton studimin e rregullt të Kullës së Rojës me të interesuarit që gjenden në ato anë dhe zakonisht janë të pranishëm rreth 20 persona.
Duke ujitur farën me durim
Jo e gjithë rritja frymore është e shpejtë. Nganjëherë kërkohet shumë durim për të parë që më në fund fara sjell fryt. Kështu ndodhi në rastin e Pakës, e cila e dëgjoi për herë të parë lajmin e mirë në vitin 1984, kur Edita, një motër pioniere i dha asaj dëshmi në treg. Pas një jave, kur Edita e vizitoi Pakën në shtëpi, ajo pranoi një studim biblik. Edhe pse nuk po bënte shumë përparim, Edita ngulmoi, pasi dallonte cilësi të mira tek Paka. «Ajo dukej si një person ngjashëm deles,—shpjegon Edita,—dhe iu luta Jehovait që ai të mund t’i hapte zemrën.»
Paka e vazhdoi studimin e saj me ndërprerje për katër vjet e gjysmë, por akoma duke bërë shumë pak përparim. Kështu, kur mbaruan librin Të jetosh përgjithmonë, Edita bëri me Pakën një bisedë të hapur mbi faktin se sa e rëndësishme është marrja e së vërtetës seriozisht. Në përpjekjet e saj për të arritur zemrën e Pakës, Editës iu mbushën sytë me lot.
«Ajo këshillë e përzemërt më preku me të vërtetë,—kujton Paka.—Që nga ai moment fillova të bëja ndryshime në jetën time. U regjistrova në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe po atë vit u bëra lajmëtare e papagëzuar. Dita që përfundimisht u pagëzova, ishte dita më e lumtur e jetës sime!» Entuziasmi i tanishëm i Pakës bën një kontrast të madh me apatinë e saj të mëparshme. Ajo tani drejton 13 studime biblike dhe natyrisht që është e durueshme me ata që nuk bëjnë përparim të shpejtë.
Duke ndihmuar njerëzit që të përmirësojnë jetën e tyre
Duke jetuar sipas normave biblike, Dëshmitarët e Jehovait në Guinenë Ekuatoriale kanë fituar një reputacion si njerëz të ndershëm dhe me sjellje të hijshme. Një burrë, të cilit më parë, me sa duket i kishte bërë përshtypje sjellja e tyre, iu afrua një plaku të kongregacionit Bata dhe i tha: «A keni një libër Të arsyetojmë?b Jam i ngopur deri në grykë dhe nuk dua të jem më një person nga bota. Kam dëshirë të bëhem Dëshmitar i Jehovait!»
Antonio, një shërbëtor ndihmës në kongregacionin Malabo, është një shembull tipik i personit nga bota që u bë Dëshmitar. Para se të studionte Biblën, ai bënte një jetë të shthurur. Pjesën më të madhe të parave që fitonte, duke punuar si orëndreqës, e harxhonte duke pirë dhe përveç kësaj bënte një jetë imorale. Ç’gjë e ndihmoi atë për të ndryshuar mënyrën e tij të jetesës? Atij i kishte bërë shumë përshtypje ajo që deklarohet me forcë në 1. Korintasve 6:9, 10: «Mos u gënjeni: as kurvarët, . . . as pijanecët, . . . nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» Ai kuptoi se për të fituar favorin e Perëndisë, duhej të ndryshonte mënyrën e tij të jetesës. Për këtë qëllim, filloi të kishte kujdes nga shoqëria që kishte pasur. (Proverbat 13:20) Kur miqtë e mëparshëm e ftonin për të pirë, ai nuk e pranonte ftesën e tyre, por përkundrazi u jepte dëshmi. Shpejt ata nuk po e mërzisnin më.
A ia vlejti gjithë ajo përpjekje? «Jam shumë i lumtur që e kam ndryshuar mënyrën time të jetesës,—thotë Antonio.—Tani ndihem shumë më mirë me shëndet edhe pse jam rreth të 60-ave, ndërkohë që miqtë e mi të mëparshëm ose kanë vdekur, ose vuajnë nga një shëndet i dobët. Tani në vend të atyre që duan vetëm një shok që është i gatshëm për t’u paguar gotën tjetër, kam gjetur miq të vërtetë. Më e rëndësishme nga të gjitha është se kam një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Tani shërbej si pionier i rregullt dhe bëj një studim biblik me një burrë që ka problem me pijen, e në këtë mënyrë mund të përdor përvojën time për ta ndihmuar.»
Duke u bërë skllevër të Perëndisë
Rreth 200 vjet më parë, njerëzit që banonin përgjatë bregdetit të Guinesë Ekuatoriale, u grumbulluan dhe u transportuan në Amerikë si skllevër. Sot, shumë njerëz atje po bëhen vullnetarisht skllevër, po, skllevër të Perëndisë. Kjo lloj skllavërie u ka sjellë atyre liri të vërtetë, duke i liruar nga doktrinat babilonase dhe praktikat spiritiste. Përveç kësaj, i ka mësuar ata se si të bëjnë një jetë të kënaqshme dhe të frytshme. Ata kanë arritur të përjetojnë atë që premtoi Jezui: «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:23.
Me 1.937 pjesëmarrës në kremtimin e Përkujtimit për vitin 1995, afërsisht gjashtëfishi i numrit të lajmëtarëve në vend, ka perspektiva të shkëlqyera për rritje të mëtejshme frymore. Ndërsa Dëshmitarët në Guinenë Ekuatoriale vazhdojnë të mbjellin dhe të ujitin me zell farat e së vërtetës, ata janë të sigurt se ‘Perëndia do të vazhdojë të bëjë të rriten’. (1. Korintasve 3:6) Pa asnjë dyshim, ekziston një atmosferë ideale për rritjen frymore në Guinenë Ekuatoriale!
[Shënimet]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.