Prapë në pluhur: Në ç’mënyrë?
«TI JE pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» Kur njeriu i parë, Adami, dëgjoi këto fjalë, ai e dinte se çfarë e priste. Ai ishte bërë nga pluhuri i dheut dhe s’do të kthehej në diçka tjetër, veçse në pluhur. Do të vdiste, sepse nuk ishte bindur ndaj Krijuesit të tij, Perëndisë Jehova.—Zanafilla 2:7, 15-17; 3:17-19.
Bibla tregon se njerëzit janë bërë prej pluhurit. Ajo thotë, gjithashtu: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezekieli 18:4; Psalmi 103:14) Vdekja u ka sjellë pikëllim miliona vetave dhe ka bërë që vazhdimisht të lindin pyetje se ç’duhet bërë me trupat e të vdekurve.
Praktika të shkuara e të tashme
Çfarë bëhej me trupat e të vdekurve në popullin e Perëndisë në kohët e lashta? Në faqet e saj të para, Bibla përmend mënyra të ndryshme të trajtimit të të vdekurve, duke përfshirë edhe varrosjen në tokë. (Zanafilla 35:8) Patriarku Abraham dhe gruaja e tij, Sara, si dhe djali i tyre, Isaku dhe djali i madh, Jakovi, u varrosën në shpellën e Makpelahut. (Zanafilla 23:2, 19; 25:9; 49:30, 31; 50:13) Gjykatësit izraelitë, Gideoni dhe Samsoni, u varrosën ‘në varret e etërve të tyre’. (Gjykatësit 8:32; 16:31) Kjo të lë të kuptosh, se ndërmjet popullit të lashtë të Perëndisë parapëlqeheshin vendet e varreve familjare. Kur Jezu Krishti vdiq në shekullin e parë të e.s., trupi i tij u vendos në një varr të ri të hapur në shkëmb. (Mateu 27:57-60) Në përgjithësi, pra, mbetjet njerëzore groposeshin në dhe ose varroseshin. Kjo gjë praktikohet ende në shumë vende përqark tokës.
Sot, megjithatë, në disa zona të tokës, mungesa serioze e hapësirës dhe kostoja e lartë e tokës po rrisin gjithnjë e më shumë vështirësinë për të pasur vende varrimi. Prandaj, disa njerëz po përdorin mënyra të tjera trajtimi me mbetjet njerëzore.
Shpërndarja e hirit pas djegies së mbetjeve njerëzore po bëhet më e zakonshme. Në Angli, rreth 40 përqind e të vdekurve tashmë përfundojnë në këtë mënyrë. Në Suedi, ku mbi 80 përqind e të vdekurve në zonat urbane digjen, janë caktuar disa zona pyjore për shpërndarjen e hirit. Ndërsa në Shangai dhe në disa qytete bregdetare të Kinës, qeveritarët e qyteteve sponsorizojnë shpërndarje masive në det, në periudha të ndryshme të vitit.
Ku mund të shpërndahet hiri? Jo kudo. Disa mund të kenë frikë se mos shpërndarja e hirit është e dëmshme për ambientin. Megjithatë, faktikisht çdo rrezik i mundshëm i epidemive asgjësohet me anë të djegies. Disa varreza në Angli dhe parqe përkujtimore në Shtetet e Bashkuara, veçojnë zona livadhore apo kopshte me lule si zona për shpërndarjen e hirit. Natyrisht, të krishterët janë veçanërisht të interesuar në lidhje me pikëpamjen biblike mbi djegien dhe shpërndarjen e hirit.
Cila është pikëpamja e Shkrimeve?
Në një shpallje kundër «mbretit të Babilonisë», profeti Isaia tha: «Ty, përkundrazi, të hodhën larg varrit tënd.» (Isaia 14:4, 19) A duhet krahasuar shpërndarja e hirit me një rast të tillë poshtërimi? Jo, sepse në këto vargje s’ka asnjë referim mbi djegien dhe ruajtjen ose shpërndarjen e hirit që mbetet.
Jezu Krishti foli për ringjalljen tokësore të të vdekurve, e cila do të ndodhë gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, kur tha: «Të gjithë ata që janë në varre [përkujtimore, BR] do ta dëgjojnë zërin [tim] dhe do të dalin prej tyre.» (Gjoni 5:28, 29) Megjithatë, fakti që një varr specifik nuk është një kërkesë e nevojshme për të ringjallur dikë, vërtetohet në një përshkrim tjetër profetik të ringjalljes. Zbulesa 20:13 thotë: «Deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta.» Pra, ajo që ka rëndësi nuk është vendi apo si ‘kthehet në pluhur’ një person. Përkundrazi, është e rëndësishme nëse ai person është në kujtesën e Perëndisë dhe do të ringjallet. (Jobi 14:13-15; krahaso Lukën 23:42, 43.) Sigurisht që Jehovai s’ka nevojë për varre që të lënë përshtypje e ta ndihmojnë për të kujtuar njerëzit. Djegia nuk e pengon ringjalljen e një personi. Nëse shpërndarja e hirit bëhet me një motiv të drejtë dhe pa ceremoni të fesë së rreme, atëherë nuk bie në kundërshtim me Shkrimet.
Ata që vendosin për të shpërndarë hirin, do të kenë nevojë t’i kushtojnë kujdes ligjit të vendit. Gjithashtu, do të ishte e përshtatshme që të mbanin parasysh edhe ndjenjat e njerëzve të pikëlluar të familjes dhe të të tjerëve. Shërbëtorët e Jehovait bëjnë mirë të tregojnë kujdes që ushtrimi i lirisë së tyre biblike në këtë drejtim, të mos sjellë sharje mbi emrin e mirë që mbajnë të krishterët. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në vendet, ku djegia dhe shpërndarja e hirit janë të lejuara me ligj, por ende nuk janë të pranuara plotësisht nga bashkësia. Natyrisht, një i krishterë do të qëndrojë larg çdo riti apo zakoni që bazohet në besimin e pavdekshmërisë së shpirtit të njeriut.
Liri e plotë nga varret!
Disa nga ata që janë në favor të shpërndarjes së hirit, thonë se kjo do të thotë liri nga groposja në varr. Megjithatë, lehtësim më të madh do të sjellë përmbushja e premtimit të Biblës, që «si armik i fundit, do të asgjësohet vdekja».—1. Korintasve 15:24-28, BR.
Kjo do të thotë se çdo lloj varri, madje edhe djegia dhe shpërndarja e hirit, do të bëhen gjëra të së shkuarës. Po, vdekja s’do të ekzistojë më! Nën frymëzimin hyjnor, apostulli Gjon shkroi: «Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ‘Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.’»—Zbulesa 21:3, 4.
E gjithë kjo do të ndodhë, kur vdekja e njerëzve, që ka ardhur nga mëkati i Adamit, të mos jetë më nën Mbretërinë e Perëndisë. Në atë kohë, njerëzimi i bindur nuk do të ketë më perspektivën për t’u rikthyer në pluhur.
[Figurat në faqen 29]
Metoda të zakonshme trajtimi për mbetjet njerëzore
[Figura në faqe 31]
Shpërndarja e hirit në gjirin Sagami, Japoni
[Burimi]
Me mirësjelljen e Koueisha, Tokyo