A je viktimë e paragjykimit?
Ç’KANË të përbashkët dhuna etnike, racizmi, diskriminimi, dallimi dhe gjenocidi? Të gjitha janë pasoja të një prirjeje të përhapur njerëzore: paragjykimit.
Çfarë është paragjykimi? Fjalori i gjuhës së sotme shqipe e përcakton këtë fjalë si një «mendim i padrejtë, që është formuar që më parë për dikë a për diçka pa e njohur mirë». Si njerëz të papërsosur, ne kemi prirjen për të paragjykuar deri në njëfarë mase. Ndoshta, mund të sjellësh ndër mend raste, kur ke gjykuar pa njohur të gjitha faktet. Bibla bën dallimin midis këtyre prirjeve për të paragjykuar, me mënyrën në të cilën gjykon Perëndia Jehova. Ajo thotë: «Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.»—1. Samuelit 16:7.
Paragjykimi mund të dëmtojë
S’ka dyshim që kushdo është gjykuar ndonjëherë shtrembër nga dikush. (Krahaso Eklisiastiun 7:21, 22.) Në përgjithësi, secili prej nesh është viktimë e paragjykimit. Megjithatë, kur largohen menjëherë, ka të ngjarë që paragjykimet të shkaktojnë pak ose aspak dëm. Ajo që mund të shkaktojë dëm, është ushqimi i këtyre ndjenjave tek vetja. Kjo gjë mund të na mashtrojë të besojmë një gënjeshtër. Për shembull, nën ndikimin e paragjykimit, disa njerëz kanë besuar me të vërtetë se një person mund të jetë lakmitar, përtac, budalla ose krenar, thjesht sepse i përket një grupi të caktuar fetar, etnik apo kombëtar.
Në shumë raste, ky gjykim i gabuar i jep shkas trajtimit të të tjerëve në mënyrë të padrejtë, abuzive dhe madje të dhunshme. Miliona njerëz kanë humbur jetën në masakra, në gjenocide, në vrasje etnike dhe në forma të tjera të paragjykimit ekstrem.
Në mbarë botën, qeveritë e kanë luftuar paragjykimin, duke garantuar ligjërisht të drejtat e padhunueshme për liri, siguri dhe barazi. Nëse lexon kushtetutën ose serinë e ligjeve kryesore të vendit ku jeton, me siguri që do të gjesh një nen apo një amendament që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga raca, gjinia apo feja. Megjithatë, paragjykimi dhe diskriminimi në një shkallë botërore janë të pafrenueshëm.
A je viktimë e paragjykimit? A të kanë vënë damkën si lakmitar, përtac, budalla apo krenar, thjesht për shkak të racës, moshës, gjinisë, kombësisë apo bindjeve fetare? A të janë mohuar mundësitë për arsimim, punësim, strehim dhe shërbime shoqërore të përshtatshme, për shkak të paragjykimit? Nëse po, si mund ta përballosh?
[Figura në faqen 3]
Të ushqyerit e paragjykimit nxit urrejtje raciale
[Burimi]
Nina Berman/Sipa Press