BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/5 f. 10-15
  • Përkushtoju leximit!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Përkushtoju leximit!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «I lumtur është ai që lexon me zë»
  • Mendo aktivisht dhe medito!
  • Lidhi pikat e reja me ato që ke mësuar më parë!
  • Përfytyro ngjarjet biblike!
  • Nxjerrja e mësimeve të çmuara
  • Dobitë e leximit të Biblës si familje
  • Leximi dhe shërbimi i krishterë
  • Kushtoju leximit
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Dobitë e leximit të përditshëm të Biblës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Leximi i Biblës dobiprurës dhe i kënaqshëm
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Gjej kënaqësi në Fjalën e Perëndisë
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/5 f. 10-15

Përkushtoju leximit!

«Derisa të vij, vazhdo t’i përkushtohesh leximit publik, këshillimit, mësimit!»​—1. TIMOTEUT 4:13, BR.

1. Si mund të përfitojmë nga leximi i Biblës?

PERËNDIA JEHOVA i ka dhuruar njerëzimit aftësinë e mrekullueshme për mësim, shkrim e këndim. Përveç kësaj, ai ka siguruar Fjalën e tij, Biblën, me qëllim që të mund të jemi të mësuar mirë. (Isaia 30:20, 21) Në mënyrë figurative, faqet e saj na mundësojnë «të ecim» me patriarkët me frikë Perëndie, si Abrahami, Isaku dhe Jakobi. Mund «të shohim» gra të tilla të devotshme si Sara, Rebeka dhe moabitja besnike, Rutha. Po, mund «të dëgjojmë» Jezu Krishtin gjatë Predikimit të tij në Mal. Gjithë kjo kënaqësi dhe gjithë ky mësim i madh nga Shkrimet e Shenjta, mund të bëhet i yni, nëse jemi lexues të mirë.

2. Ç’gjë tregon se Jezui dhe apostujt e tij lexonin mirë?

2 Pa dyshim, njeriu i përsosur Jezu Krishti, kishte aftësi të shkëlqyera në lexim dhe me siguri i njihte shumë mirë Shkrimet Hebreje. Për këtë, kur Djalli e tundoi, Jezui u referohej vazhdimisht atyre dhe thoshte: «Është shkruar.» (Mateu 4:4, 7, 10) Në një rast, kur ishte në sinagogën në Nazaret, ai lexoi në publik dhe i zbatoi vetes një pjesë nga profecia e Isaisë. (Luka 4:16-21) Ç’mund të thuhet për apostujt e Jezuit? Në shkrimet e tyre, ata cituan shpesh Shkrimet Hebreje. Edhe pse sundimtarët hebrenj e shikonin Pjetrin dhe Gjonin si të pashkollë dhe të rëndomtë, për shkak se nuk ishin arsimuar në shkollat e larta hebreje, letrat e tyre të frymëzuara në mënyrë hyjnore dëshmojnë qartë se ata lexonin dhe shkruanin mirë. (Veprat 4:13) Por, a është vërtet e rëndësishme aftësia për të lexuar?

«I lumtur është ai që lexon me zë»

3. Përse është kaq e rëndësishme të lexosh Shkrimet dhe botimet e krishtere?

3 Marrja dhe zbatimi i njohurisë së saktë mbi Shkrimet, mund të çojë në jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se është me rëndësi jetësore të lexojnë e të studiojnë Shkrimet e Shenjta dhe botimet e krishtere, që na siguron Perëndia përmes klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur të të krishterëve të mirosur. (Mateu 24:45-47) Në fakt, duke përdorur botimet e Shoqatës Watch Tower të përgatitura posaçërisht për këtë, mijëra njerëz kanë mësuar të lexojnë e në këtë mënyrë të marrin njohurinë jetëdhënës të Fjalës së Perëndisë.

4. (a) Përse lumturia vjen nga leximi, studimi dhe zbatimi i Fjalës së Perëndisë? (b) Çfarë i tha Pavli Timoteut, në lidhje me leximin?

4 Lumturia vjen si rezultat i leximit, i studimit dhe i zbatimit të Fjalës së Perëndisë. Është kështu, sepse me anë të kësaj ne i pëlqejmë Perëndisë dhe e nderojmë atë, marrim bekimin e tij dhe ndiejmë gëzim. Jehovai dëshiron që shërbëtorët e tij të jenë të lumtur. Për këtë arsye, ai i urdhëroi priftërinjtë, që t’ia lexonin Ligjin e tij popullit të Izraelit të lashtë. (Ligji i përtërirë 31:9-12) Kur kopisti Ezdra dhe të tjerë lexonin Ligjin para gjithë popullit të mbledhur në Jerusalem, domethënia e tij bëhej e qartë dhe si pasojë kishte «hare të madhe». (Nehemia 8:6-8, 12) Më vonë, apostulli i krishterë, Pavli, i tha bashkëpunëtorit të tij, Timoteut: «Derisa të vij, vazhdo t’i përkushtohesh leximit publik, këshillimit, mësimit.» (1. Timoteut 4:13, BR) Një përkthim tjetër thotë: «Përkushtoju leximit publik të Shkrimeve!»​—New International Version.

5. Si e lidh Zbulesa 1:3 lumturinë me leximin?

5 Në Zbulesën 1:3 bëhet e qartë se lumturia jonë varet nga leximi dhe zbatimi i Fjalës së Perëndisë. Aty thuhet: «I lumtur është ai që lexon me zë dhe ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e që ruajnë gjërat e shkruara në të; sepse koha e caktuar është afër.» (BR) Po, duhet të lexojmë me zë dhe të dëgjojmë fjalët profetike të Perëndisë, që gjenden në Zbulesë dhe në gjithë Shkrimet. Një njeri vërtet i lumtur është ai, «kënaqësia [e të cilit] është në ligjin e Jehovait dhe në ligjin e tij ai lexon nën zë ditë e natë». Me çfarë rezultati? «Çdo gjë që ai bën do të ketë mbarësi.» (Psalmi 1:1-3, BR) Prandaj, organizata e Jehovait ka arsye që nxit secilin prej nesh të lexojë dhe të studiojë Fjalën e tij personalisht, si familje dhe me miqtë.

Mendo aktivisht dhe medito!

6. Çfarë u udhëzua Josiu të lexonte dhe në ç’mënyrë kjo ishte e dobishme?

6 Si mund të përfitosh sa më shumë nga leximi i Fjalës së Perëndisë dhe i botimeve të krishtere? Ndoshta do të jetë e dobishme për ty që të bësh ashtu siç bëri Josiu, një burrë me frikë Perëndie, udhëheqës i Izraelit të lashtë. Atij iu dha ky urdhër: «Ky libër i ligjit nuk duhet të largohet nga goja jote dhe duhet të lexosh nën zë ditë e natë në të, me qëllim që të mund të kujdesesh për të vepruar sipas gjithë asaj që është shkruar në të; sepse atëherë do ta bësh rrugën tënde të suksesshme dhe atëherë do të veprosh me mençuri.» (Josiu 1:8, BR) ‘Leximi nën zë’ do të thotë që t’ia thuash fjalët vetes me zë të ulët. Kjo është një ndihmë për kujtesën, sepse ngulit materialin në mendje. Josiu duhej të lexonte «ditë e natë» ose rregullisht në Ligjin e Perëndisë. Kjo ishte mënyra për të qenë i suksesshëm dhe për të vepruar me mençuri në plotësimin e përgjegjësive të dhëna nga Perëndia. Po kështu, ky lexim i rregullt i Fjalës së Perëndisë, mund të të ndihmojë edhe ty.

7. Përse nuk duhet të shqetësohemi në lidhje me shpejtësinë?

7 Mos u përqendro shumë tek shpejtësia gjatë leximit të Fjalës së Perëndisë! Nëse ke planifikuar të harxhosh një sasi kohe, duke lexuar Biblën apo disa botime të krishtere, ndoshta duhet të mos ngutesh. Kjo gjë është veçanërisht e rëndësishme, kur studion me synimin për të kujtuar pikat kryesore. Gjithashtu, gjatë leximit mendo aktivisht! Analizo deklaratat e shkrimtarit të Biblës! Pyet veten: «Cili është qëllimi i shkrimtarit? Si mund ta zbatoj tek vetja këtë informacion?»

8. Përse është e dobishme të meditosh gjatë leximit të Shkrimeve?

8 Gjej kohë për të medituar gjatë leximit të Shkrimeve të Shenjta! Kjo gjë do të të ndihmojë të kujtosh tregimet biblike dhe të zbatosh parimet që gjenden në Shkrime. Meditimi mbi Fjalën e Perëndisë dhe fiksimi i pikave në mendje, do të të mundësojë, gjithashtu, të flasësh nga zemra, duke u dhënë përgjigje të sakta atyre që pyesin me sinqeritet dhe jo duke u thënë diçka, për të cilën më vonë mund të të vijë keq. Një proverb i frymëzuar në mënyrë hyjnore, thotë: «Zemra e të drejtit mendon thellë [mediton, BR] se si duhet të përgjigjet.»​—Proverbat 15:28.

Lidhi pikat e reja me ato që ke mësuar më parë!

9, 10. Si mund të përmirësohet leximi yt i Biblës, duke i lidhur pikat e reja biblike me ato që tashmë njeh?

9 Shumica e të krishterëve duhet të pranojë se njëherë e një kohë dinin shumë pak mbi Perëndinë, Fjalën dhe qëllimet e tij. Megjithatë, sot, këta shërbëtorë të krishterë, duke filluar me krijimin dhe rënien e njeriut në mëkat, mund të shpjegojnë qëllimin e sakrificës së Krishtit, mund të flasin për shkatërrimin e këtij sistemi të lig gjërash dhe mund të tregojnë se si njerëzimi i bindur do të bekohet me jetën e përhershme në një tokë parajsore. Në një masë të madhe, kjo ka qenë e mundur, sepse këta shërbëtorë të Jehovait kanë marrë «vetë njohurinë e Perëndisë», duke studiuar Biblën dhe botimet e krishtere. (Proverbat 2:1-5, BR) Pak nga pak, ata i kanë lidhur pikat e reja që kanë mësuar me ato të mëparshmet që tashmë kishin kuptuar.

10 Lidhja e pikave të reja nga Shkrimet me ato që tashmë di, është e dobishme dhe e çmuar. (Isaia 48:17) Kur paraqiten ligje biblike, parime, apo edhe ndonjë ide abstrakte, lidhi këto me ato që tashmë di. Harmonizoje informacionin me atë që ke mësuar për «modelin e fjalëve të shëndosha». (2. Timoteut 1:13) Kërko informacion që mund të të ndihmojë për të forcuar marrëdhënien tënde me Perëndinë, për të përmirësuar personalitetin tënd të krishterë apo që të ndihmon për të folur me të tjerët mbi të vërtetat biblike.

11. Çfarë duhet të bësh, kur të lexosh në Bibël diçka mbi sjelljen? Ilustro.

11 Kur lexon në Bibël diçka mbi sjelljen, përpiqu të dallosh parimin që përfshihet në të. Medito mbi të dhe vendos çfarë do të bëje në rrethana të tilla. Biri i Jakobit, Jozefi, vazhdimisht refuzoi të kryente imoralitet seksual me gruan e Potifarit, duke bërë këtë pyetje: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:7-9) Në këtë tregim prekës, gjen një parim themelor: imoraliteti seksual është një mëkat kundër Perëndisë. Mund ta lidhësh në nivel mendor këtë parim me deklarata të tjera, që gjenden në Fjalën e Perëndisë dhe do të kesh dobi nga kjo njohuri, nëse tundohesh për të bërë një gabim të tillë.​—1. Korintasve 6:9-11.

Përfytyro ngjarjet biblike!

12. Përse duhen përfytyruar tregimet biblike gjatë leximit të tyre?

12 Për të ngulitur në mendje pikat gjatë leximit, përfytyro ndodhinë. Shiko me sytë e mendjes vendin, shtëpitë dhe njerëzit. Dëgjo zërat e tyre! Nuhat aromën e bukës së pjekur në furrë. Rijeto skenat! Atëherë leximi do të jetë prekës, sepse mund të shohësh një qytet të lashtë, të ngjitësh një mal të lartë, të mahnitesh me mrekullitë e krijimit apo të rrish me burra e gra me besim të madh.

13. Si do ta përshkruaje atë që thuhet në Gjykatësit 7:19-22?

13 Ta zëmë se po lexon Gjykatësit 7:19-22. Përfytyro çfarë po ndodh! Gjykatësi Gideon dhe treqind trima izraelitë kanë zënë vendet e tyre në anë të kampit midianit. Është gati ora dhjetë e mbrëmjes dhe «rojet e mesnatës» sapo kanë filluar shërbimin. Rojet midianite sapo kanë zënë vendet e tyre dhe fushimin e armiqve të përgjumur të Izraelit e mbulon errësira. Shiko! Gideoni dhe burrat e tij mbajnë nga një bori. Në dorën e majtë mbajnë pishtarë, të cilët i kanë mbuluar me qypa të mëdhenj uji. Befas, tri grupet e burrave me nga njëqind veta secili u bien borive, thyejnë qypat, ngrenë pishtarët lart dhe thërrasin me zë të lartë: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit.» Ti hedh një shikim mbi kampin. Ja, midianitët ia mbathin me të katra dhe fillojnë britmat. Ndërsa treqind burrat vazhdojnë t’u bien borive, Perëndia i kthen shpatat e midianitëve kundër njëri-tjetrit. Midianitët detyrohen të marrin arratinë dhe Jehovai i jep Izraelit fitoren.

Nxjerrja e mësimeve të çmuara

14. Si mund të përdoret kreu 9 i Gjykatësve për t’i mësuar një fëmije nevojën për të qenë i përulur?

14 Ne mund të nxjerrim shumë mësime nga leximi i Fjalës së Perëndisë. Për shembull, ndoshta dëshiron të ngulitësh tek fëmijët nevojën për të qenë të përulur. Në fakt, duhet të jetë e lehtë të përfytyrohet dhe të kuptohet domethënia e asaj që thuhet në profecinë e birit të Gideonit, Jotamit. Fillo të lexosh Gjykatësit 9:8! «Një ditë,—tha Jotami,—drurët u nisën për të vajosur një mbret që të mbretëronte mbi ta.» Ulliri, fiku dhe hardhia nuk pranuan të sundonin. Kurse ferrës së vogël ia kishte qejfi të bëhej sundimtare. Pasi t’ua kesh lexuar me zë tregimin fëmijëve, mund t’u shpjegosh se pemët me vlerë paraqisnin persona të denjë, të cilët nuk kërkonin pozitë për të mbretëruar mbi izraelitët e tjerë. Ferra, e cila vlente vetëm për lëndë djegëse, paraqiste mbretërimin e Abimelekut krenar, një vrasës që dëshironte të sundonte mbi të tjerët, por që i erdhi fundi sipas profecisë së Jotamit. (Gjykatësit, kreu 9) Cili fëmijë do të donte të rritej e të bëhej si një ferrë?

15. Si del në pah rëndësia e besnikërisë në librin e Ruthës?

15 Në librin biblik të Ruthës bëhet e qartë rëndësia e besnikërisë. Ta zëmë se anëtarët e familjes sate po e lexojnë me radhë tregimin me zë dhe po përpiqen të përvetësojnë atë që thuhet në të. Ti sheh moabiten Ruthë në një udhëtim për në Bethlehem me vjehrrën e saj vejushë, Naomin dhe e dëgjon Ruthën tek i thotë asaj: «Populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.» (Rutha 1:16) Sheh Ruthën e palodhur tek mbledh kallëza pas korrësve në fushën e Boazit. E dëgjon atë tek e lëvdon, duke thënë: «Të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë që ti je një grua e virtytshme [e shkëlqyer, BR].» (Rutha 3:11) S’kalon shumë kohë dhe Boazi martohet me Ruthën. Në përputhje me rregullin mbi martesën me kunatin, ajo i jep një bir «Naomit» nga Boazi. Rutha bëhet paraardhëse e Davidit dhe përfundimisht e Jezu Krishtit. Për këtë, ajo mori «një pagë të përsosur». Për më tepër, ata që lexojnë këtë tregim biblik, nxjerrin një mësim të çmuar: Ji besnik ndaj Jehovait dhe do të bekohesh në mënyrë të pasur.​—Rutha 2:12; 4:17-22, BR; Proverbat 10:22; Mateu 1:1, 5, 6.

16. Çfarë sprove kaluan tre hebrenjtë dhe si mund të na ndihmojë ne ky tregim?

16 Tregimi mbi hebrenjtë e quajtur Sadrak, Mesak dhe Abedneg, mund të na ndihmojë që të kemi besim të plotë tek Perëndia gjatë situatave të vështira. Përfytyro ngjarjen, ndërsa lexon me zë kreun 3 të Danielit! Një shëmbëlltyrë e madhe ngrihet përmbi rrafshirën e Durës, ku janë mbledhur zyrtarët e Babilonisë. Nën tingullin e instrumenteve muzikore, ata përkulen dhe adhurojnë figurën që ka ngritur mbreti Nabukodonosor. Të gjithë, pra, përveç Sadrakut, Mesakut dhe Abednegut, bëjnë kështu. Me respekt, por me vendosmëri, ata i thonë mbretit se nuk do t’i shërbejnë perëndive të tij dhe nuk do të adhurojnë shëmbëlltyrën e florinjtë. Këta hebrenj të rinj i hedhin në një furrë të tejnxehur. Por, çfarë ndodh? Kur hedh sytë pas, mbreti shikon katër burra truplidhur, njëri prej të cilëve «i përngjante një biri të perëndive». (Danieli 3:25, BR) I nxjerrin tre hebrenjtë nga furra dhe Nabukodonosori bekon Perëndinë e tyre. Ka qenë i vlefshëm përfytyrimi i tregimit. Ç’mësim të vlefshëm jep, në lidhje me besimin e plotë tek Jehovai nën sprova!

Dobitë e leximit të Biblës si familje

17. Cito shkurtimisht disa nga gjërat e dobishme që familja jote mund të mësojë, duke lexuar Biblën së bashku.

17 Ti dhe familja jote mund të përfitoni shumë, nëse harxhoni kohë rregullisht, duke lexuar Biblën së bashku. Duke filluar nga Zanafilla, mund të përfytyrosh krijimin dhe të shikosh nga afër shtëpinë origjinale parajsore të njeriut. Mund të gëzosh përvojat e patriarkëve plot besim e të familjeve të tyre dhe të ndjekësh izraelitët, ndërsa kalojnë nëpër Detin e Kuq pa iu lagur këmbët. Mund të shohësh bariun e vogël David, duke mundur gjigantin filiste, Goliadin. Familja jote mund të vërejë ndërtimin e tempullit të Jehovait në Jerusalem, mund të shohë rrënimin e tij nga hordhitë babilonase dhe të shikojë rindërtimin e tij nën drejtimin e guvernatorit Zerobabel. Bashkë me barinjtë e thjeshtë afër Bethlehemit, mund të dëgjosh lajmërimin hyjnor mbi lindjen e Jezuit. Mund të gjesh hollësi të pagëzimit dhe të shërbimit të tij, mund ta shohësh tek jep jetën e tij njerëzore si shpërblerje dhe mund të marrësh pjesë në gëzimin e ringjalljes së tij. Më pas, mund të udhëtosh me apostullin Pavël dhe të vëzhgosh formimin e kongregacioneve, ndërsa krishterimi përhapet. Pas kësaj, në librin e Zbulesës familja jote mund të gëzojë vizionin madhështor të apostullit Gjon mbi të ardhmen, duke përfshirë Mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit.

18, 19. Çfarë sugjerimesh jepen në lidhje me leximin familjar të Biblës?

18 Nëse po e lexoni Biblën me zë si familje, lexojeni atë me qartësi dhe entuziazëm! Gjatë leximit të disa pjesëve nga Shkrimet, një anëtar i familjes, mundësisht babai, mund të lexojë fjalët e të gjithë tregimit në përgjithësi. Anëtarët e tjerë të familjes mund të përmbledhin rolet e personazheve biblike, duke i lexuar pjesët me ndjenjë të përshtatshme.

19 Ndërsa merr pjesë në leximin e Biblës si familje, aftësia jote për të lexuar mund të përmirësohet. Në mënyrë të ngjashme, njohuria jote mbi Perëndinë do të rritet dhe kjo gjë duhet të të afrojë më shumë me të. Asafi këndoi: «Sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.» (Psalmi 73:28) Kjo do ta ndihmojë familjen tënde të të jetë si Moisiu, i cili vazhdoi ‘të qëndronte i patundur sikur të shihte të padukshmin’, pra, Perëndinë Jehova.​—Hebrenjve 11:27.

Leximi dhe shërbimi i krishterë

20, 21. Në ç’mënyrë lidhet detyra jonë për të predikuar me aftësinë për të lexuar?

20 Dëshira jonë për të adhuruar «të padukshmin», duhet të na nxisë që të mundohemi të jemi lexues të mirë. Aftësia për të lexuar mirë do të na ndihmojë të japim dëshmi nga Fjala e Perëndisë. Me siguri, ajo na ndihmon të kryejmë veprën e predikimit të Mbretërisë, me të cilën Jezui i ngarkoi ithtarët e tij, kur tha: «Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8) Dëshmia është vepër kryesore e popullit të Jehovait dhe aftësia në të lexuar na ndihmon për ta kryer atë.

21 Duhen përpjekje për të qenë një lexues i mirë dhe një mësues i aftë i Fjalës së Perëndisë. (Efesianëve 6:17) Prandaj, ‘bëj çmos për ta paraqitur veten të miratuar prej Perëndisë, duke e thënë drejt fjalën e së vërtetës’. (2. Timoteut 2:15, BR) Rrite njohurinë tënde mbi të vërtetat në Shkrime dhe aftësinë tënde si Dëshmitar i Jehovait, duke iu përkushtuar leximit!

Si do të përgjigjeshe?

◻ Si varet lumturia nga leximi i Fjalës së Perëndisë?

◻ Përse duhet medituar mbi atë që lexon në Bibël?

◻ Përse duhet përdorur lidhja dhe përfytyrimi gjatë leximit të Shkrimeve?

◻ Çfarë mësimesh mund të nxirren nga leximi i Biblës?

◻ Përse leximi i Biblës si familje, duhet bërë me zë dhe çfarë lidhjeje ka leximi me shërbimin e krishterë?

[Figurat në faqen 13]

Kur lexon Biblën si familje, përfytyro tregimet dhe medito mbi domethënien e tyre

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo