Të kremtojmë Përkujtimin denjësisht
JEZUI e vendosi Përkujtimin në darkën e 14 nisanit 33 të e.s.a Ai sapo kishte mbaruar kremtimin e Pashkës hebreje bashkë me 12 apostujt, prandaj mund të jemi të sigurt për datën. Pasi përjashtoi tradhëtarin, Judën, Jezui «mori bukë, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre, duke thënë: ‘Merrni, hani; ky është trupi im.’ Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj. Atëherë u tha: ‘Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.’».—Marku 14:22-24.
Jezui i urdhëroi dishepujt që të përkujtonin vdekjen e tij, për shkak të rëndësisë së saj. (Luka 22:19; 1. Korintasve 11:23-26) Sakrifica e tij ishte e vetmja që mund ta riblente njerëzimin nga rruga e trashëguar e mëkatit dhe e vdekjes. (Romakëve 5:12; 6:23) Buka dhe vera që përdori ai, ishin simbole të trupit të tij të përsosur dhe të gjakut të tij. Duke ditur datën origjinale, ne mund ta kremtojmë këtë rast në ditën korresponduese çdo vit, pikërisht ashtu siç bëhej me Pashkën hebreje. Por këtë duhet ta bëjmë denjësisht. Përse?
Apostulli Pavël tha se ata që merrnin emblemat e bukës e të verës ‘do të vazhdonin të shpallnin vdekjen e Zotërisë, derisa ai të vinte’. (1. Korintasve 11:26, BR) Vëmendja e përkujtimit do të binte, pra, mbi vdekjen e Jezuit dhe mbi domethënien e saj për njerëzimin. Do të ishte një rast serioz, një kohë për të medituar mbi mirësinë e Perëndisë dhe mbi vlerësimin që duhet të kemi për Jehovain dhe për Birin e tij. (Romakëve 5:8; Titit 2:14; 1. Gjonit 4:9, 10) Për këtë, Pavli paralajmëroi: «Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.»—1. Korintasve 11:27.
Denjësisht: në ç’mënyrë?
Sigurisht, Perëndia s’mund të jetë i kënaqur nëse ne dhunojmë këtë rast, duke u dhënë pas praktikave të diskutueshme ose duke adoptuar zakone pagane. (Jakovit 1:27; 4:3, 4) Kjo nuk përjashton edhe festimet popullore të kohës së Pashkës. Duke ndjekur udhëzimin e Jezuit ‘për ta bërë këtë në përkujtimin [e tij]’, ne duam ta kremtojmë Përkujtimin pikërisht ashtu siç e vendosi ai. (Luka 22:19; 1. Korintasve 11:24, 25) Kjo do të përjashtojë të gjitha zbukurimet që i kanë shtuar kremtimit kishat e të ashtuquajturit krishterim. «Mesha e sotme ndryshon shumë nga ceremonia tepër e thjeshtë që bënë Krishti dhe Apostujt e Tij»,—pohon New Catholic Encyclopedia. Gjithashtu, duke e bërë Meshën vazhdimisht, madje përditë, i ashtuquajturi krishterim ka devijuar nga ajo që kishte ndër mend Jezui dhe e ka shndërruar në një ngjarje të zakonshme.
Pavli u shkroi të krishterëve në Korint në lidhje me pjesëmarrjen e padenjë, për shkak të një problemi që kishte lindur në kongregacion për Darkën e Zotërisë. Disa nuk e respektonin shenjtërinë e saj. Ata e merrnin darkën me vete dhe hanin para ose gjatë mbledhjes. Shpesh, ata hanin e pinin jashtë mase. Kjo i përgjumi dhe u ngathtësoi ndjenjat. Pasi nuk ishin mendërisht e frymësisht zgjuar, ata ‘nuk e dallonin trupin’ e në këtë mënyrë bëheshin ‘fajtorë të trupit dhe të gjakut të Zotit’. Në të njëjtën kohë, ata që s’kishin për të ngrënë i merrte uria e kështu s’e kishin mendjen. Pothuajse asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje t’i merrte emblemat me çmueshmëri e me kuptueshmëri të plotë për seriozitetin e rastit, pra, që kremtimi ishte në përkujtim të vdekjes së Zotërisë. Si rezultat, kjo sillte mbi ta gjykimin, pasi tregonin mungesë respekti, madje edhe përçmim për të.—1. Korintasve 11:27-34.
Nevojitej aftësi shquese
Disa i merrnin emblemat e Përkujtimit, megjithëse, më vonë, kuptuan se nuk duhej ta kishin bërë. Ata që me të drejtë i marrin emblemat e Përkujtimit janë zgjedhur nga Perëndia dhe si rezultat kanë dëshminë e frymës së Perëndisë. (Romakëve 8:15-17; 2. Korintasve 1:21, 22) Nuk është vendimi apo vendosmëria e tyre personale që i bën të denjë për këtë. Perëndia e ka kufizuar numrin e atyre që do të sundojnë me Krishtin në qiell, në 144.000, relativisht një numër i vogël në krahasim me të gjithë ata që përfitojnë nga shpërblimi i Jezuit. (Zbulesa 14:1, 3) Zgjedhja filloi në ditët e Jezuit dhe ka vazhduar vazhdimisht, derisa sot ka vetëm pak pjesëmarrës. E ndërsa vdekja rrëmben disa prej tyre, ky numër duhet të zvogëlohet.
Përse dikush mund t’i marrë gabimisht emblemat? Ndoshta, për shkak të pikëpamjeve të mëparshme fetare, sipas së cilave të gjithë besimtarët shkojnë në qiell. Apo ndoshta për shkak të ambicies ose egoizmit, nga ndjenja se dikush e meriton më shumë se të tjerët dhe nga dëshira për të rënë në sy. Ndoshta vjen si pasojë e emocioneve të forta që vijnë prej problemeve të vështira apo nga ndonjë tragjedi, e cila mund ta shtyjë dikë të humbë interesin për jetën mbi tokë. Ndoshta mund të vijë edhe nga miqësia e ngushtë që dikush mund të ketë me dikë që ka thirrjen qiellore. Të gjithë nuk duhet të harrojmë se vendimi i takon vetëm Perëndisë, jo neve. (Romakëve 9:16) Prandaj, nëse një person, pasi ‘të ketë shqyrtuar vetveten’ zbulon se në të vërtetë nuk duhet t’i marrë emblemat, tashmë duhet të ndalet.—1. Korintasve 11:28.
Shpresa që ka vënë Perëndia përpara pjesës më të madhe të njerëzimit është jeta e përhershme mbi një tokë parajsore. Ky është një bekim i madh për të cilin mund të shpresojmë dhe që mund të na tërheqë me lehtësi. (Zanafilla 1:28; Psalmi 37:9, 11) Këtu mbi tokë, njerëzit me besim do të bashkohen përsëri me të dashurit e tyre që do të ringjallen e do të takojnë besimtarët e kohëve të lashta, si Abrahamin, Sarën, Moisiun, Rahabën, Davidin dhe Gjon Pagëzorin, të gjithë ata që vdiqën përpara se Jezui të hapte rrugën për jetën qiellore.—Mateu 11:11; krahaso 1. Korintasve 15:20-23.
Njerëzit me shpresë tokësore e kremtojnë Darkën e Zotërisë denjësisht, duke qenë të pranishëm e duke u përqendruar me respekt, edhe pse nuk marrin bukën dhe verën. Edhe ata nxjerrin dobi prej sakrificës së Krishtit, e cila u jep mundësinë të kenë një qëndrim të favorshëm përpara Perëndisë. (Zbulesa 7:14, 15) Duke dëgjuar fjalimin që mbahet, vlerësimi i tyre për gjërat e shenjta forcohet dhe dëshira për të mbetur të bashkuar me popullin e Perëndisë, kudo qoftë, rritet.
Këtë vit, pas perëndimit të diellit, të martën më 2 prill, Përkujtimi do të kremtohet gjithandej në më shumë se 78.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës. A do të jesh i pranishëm?
[Shënimi]
a Dita për hebrenjtë fillon në mbrëmje. Sipas kalendarit tonë, ai 14 nisan shkon nga fillimi i së enjtes mbrëma, 31 mars, deri në perëndim të diellit, më 1 prill të premten mbrëma. Përkujtimi u vendos në mbrëmjen e së enjtes dhe vdekja e Jezuit ndodhi të premten pasdite të po asaj dite hebreje. Ai u ringjall ditën e tretë, herët në mëngjesin e së dielës.
[Figura në faqen 8]
Dëshmitarët e Jehovait e kremtojnë Përkujtimin një herë në vit