Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Vepra të shkëlqyera që lavdërojnë Jehovain
NË PREDIKIMIN e tij në mal, Jezui u tha dishepujve të tij: «Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që ata të mund të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:16, BR) Ngjashëm, edhe të krishterët e vërtetë sot angazhohen në «vepra të shkëlqyera» që lavdërojnë Jehovain.
Cilat janë këto vepra të shkëlqyera? Ato përfshijnë predikimin e lajmit të mirë, por edhe sjellja jonë shembullore është, gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e tyre. Shpeshherë, është sjellja jonë e mirë ajo që i tërheq fillimisht njerëzit në kongregacionin e krishterë. Përvoja e mëposhtme tregon se si Dëshmitarët e Jehovait në Martinikë po e lënë ‘dritën e tyre të shndritë para njerëzve’.
◻ Gjatë veprës së predikimit nga shtëpia më shtëpi, një Dëshmitare e Jehovait vizitoi një grua katolike. Kjo grua kishte 25 vjet që jetonte me një burrë me të cilin nuk ishte martuar. Ajo i njihte mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait, pasi rreth shtatë vjet më parë, kishte marrë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë.a Gruaja i tha Dëshmitares: «Ka shumë fe. Nuk di kë të besoj mes gjithë kësaj rrëmuje.» Dëshmitarja i shpjegoi se e vërteta mund të gjendet vetëm në Bibël dhe se për ta gjetur atë, ajo duhej t’i studionte Shkrimet me kujdes dhe t’i lutej Perëndisë për frymën dhe drejtimin e tij.
Për një periudhë kohe, megjithëse ishte e interesuar në studimin e Biblës, gruaja nuk pranoi disa ftesa për të marrë pjesë në mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait. Përse? Sepse ishte jashtëzakonisht e ndrojtur. Megjithatë, pasi mori ftesën për në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, ajo e mposhti ndrojtjen dhe mori pjesë.
Ajo që i la më shumë mbresa në mbledhje, ishte atmosfera e dashur në Sallën e Mbretërisë. Kurrë nuk e kishte përjetuar këtë miqësi të sinqertë në kishën e saj. Pas asaj mbledhjeje, ajo filloi të frekuentonte të gjitha mbledhjet që drejtoheshin nga Dëshmitarët lokalë dhe menjëherë u martua me burrin me të cilin jetonte. Tani, ajo është një anëtare e pagëzuar e kongregacionit.
◻ Veprat e shkëlqyera të një Dëshmitareje tjetër sollën rezultat. Ajo kishte një pozitë të rëndësishme në një zyrë. Pasi një burrë nga ishulli Réunion u pajtua në punë, disa nga punëtorët filluan ta tallnin për shtatin e tij të shkurtër. Ai u bë tabelë talljesh. Përkundrazi, Dëshmitarja ishte gjithmonë e sjellshme dhe tregonte respekt për të. Pas pak, ai e pyeti përse ishte kaq e ndryshme nga të tjerët.
Dëshmitarja i shpjegoi se sjellja e saj e respektueshme ishte pasojë e parimeve biblike, që ajo kishte mësuar prej Dëshmitarëve të Jehovait. I tregoi, gjithashtu, atij se çfarë thonë Shkrimet për qëllimin e Perëndisë dhe për shpresën e një bote të re. Ai burrë pranoi një studim biblik, filloi të merrte pjesë në mbledhjet e krishtere dhe u martua me gruan me të cilën kishte jetuar.
Përfundimisht, ai u kthye në Réunion. Në të kaluarën, ai kishte pasur vështirësi me të afërmit, veçanërisht me familjen e të shoqes. Ndërsa tani, atyre u la shumë mbresë sjellja e tij e shkëlqyer e krishterë. Ai u pagëzua dhe aktualisht është një shërbëtor ndihmës. Edhe disa anëtarë të familjes, duke përfshirë gruan dhe dy vajzat, shërbejnë në kongregacionin e krishterë si lajmëtare të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.