Një fushatë e suksesshme me fletushkën Lajmërim i Mbretërisë
«PËRSE jeta është plot me probleme? A është e mundur një parajsë pa probleme?» Ky ishte titulli i fletushkës katër faqëshe, Lajmërim i Mbretërisë nr. 34, që u shpërnda përreth botës në 139 gjuhë, gjatë muajve prill dhe maj të vitit të kaluar. Dëshmitarët në Xhamajka e përshkruan këtë fushatë shërbimi si «një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit». Dëshmitarët në Belgjikë e quajtën «një burim i madh gëzimi për vëllezërit». Në Republikën Çeke kjo ishte e para herë që Dëshmitarët e Jehovait patën mundësinë të merrnin pjesë në shpërndarjen e një fletushke Lajmërim i Mbretërisë. Dega raporton: «Fushata solli një frymë zelli dhe entuziazmi.» Ndjenja të ngjashme u shprehën nga shumë vende të tjera.
Lajmërim i Mbretërisë nr. 34 kishte një mesazh të veçantë për ata që psherëtijnë dhe rënkojnë për shkak të gjërave të neveritshme të kryera në emër të fesë. (Ezekieli 9:4) Ajo përmbante ngushëllim për ata persona, jeta e të cilëve është e shqetësuar për shkak të ‘kohëve kritike të vështirë për t’u trajtuar’, mbi të cilat ata nuk kanë asnjë kontroll. (2. Timoteut 3:1, BR) Duke u bazuar në Bibël, fletushka tregonte se problemet e jetës do të zgjidhen shumë shpejt. Një parajsë pa probleme është një gjë e sigurt. (Luka 23:43) Shumë që e lexuan fletushkën Lajmërim i Mbretërisë u bindën nga mesazhi i saj. Një burrë në Togo i tha një Dëshmitari: «Ajo që ke deklaruar është e padiskutueshme.»
Në mënyrë të pamohueshme, shpërndarja e fletushkës Lajmërim i Mbretërisë tërhoqi një vëmendje të jashtëzakonshme. Një pronar shtëpie në Danimarkë, iu përgjigj një Dëshmitari që i ofroi fletushkën: «Sapo u ktheva nga Shtetet e Bashkuara. Pak para se të largohesha, dikush më ofroi këtë fletushkë. Tani sapo kam mbërritur dhe menjëherë e njëjta fletushkë po më jepet në gjuhën daneze!»
Mbështetje entuziaste për fushatën
Dëshmitarët e Jehovait përreth botës me entuziazëm u bashkuan në veprën e shpërndarjes së fletushkës. Austria, El Salvadori, Haiti, Hungaria, Italia, Kaledonia e Re, ishin vetëm disa nga vendet e shumta që raportuan maksimumin e të gjithë kohërave në lajmëtarë, gjatë muajve kur po shpërndahej fletushka Lajmërim i Mbretërisë.
Në Zambia, një mbikëqyrës qarkor e ka mësuar vajzën e tij të vogël trevjeçare, Deborën, të ofrojë literaturë nga shtëpia në shtëpi. Gjatë fushatës me fletushkën Lajmërim i Mbretërisë nr. 34, Debora shpërndau më shumë se 45 kopje të kësaj fletushke. Nëna e saj filloi studime biblike me disa persona që e kishin pranuar fletushkën nga Debora.
Në Afrikën e Jugut, një adoleshente i ofroi fletushkën një shoqes së saj të shkollës që quhej Kashia. Kashia e lexoi fletushkën dhe tha: «Është kaq e mrekullueshme, të jetosh përgjithmonë në një parajsë mbi tokë! Përse nuk ma kanë treguar një gjë të tillë më përpara?» Filluan një studim biblik. Brenda një jave, Kashia mori një fletushkë tjetër. E dyta erdhi nga një shoqja e saj katolike që banonte në Qipro, me të cilën kishin vetëm korrespondencë. Ajo i shpjegoi Kashias se përse mësimet e Kishës Katolike janë të rreme dhe i tha se kishte ndër mend të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Sigurisht, kjo e forcoi shumë vendosmërinë e Kashias për të vazhduar studimin e saj.
Një djalë dhjetëvjeçar në Zvicër, mori pjesë me nënën e tij në shpërndarjen e fletushkës. Ai i dha një kopje një gruaje të re dhe e inkurajoi që ta lexonte me kujdes. Gruaja e pyeti djalin nëse besonte me të vërtetë në atë atë që ilustronte figura në faqen e parë, një jetë të përhershme mbi tokë. Djali u përgjigj: «Oh, po, jam shumë i sigurt.» Pastaj gruaja tregoi se ajo po kërkonte besimin e vërtetë, pasi në fenë e saj kishte kaq shumë kontradikta. Gjatë një rivizite tjetër ajo filloi një studim biblik.
Reagime të menjëhershme
Disa herë, fletushka Lajmërim i Mbretërisë ka shkaktuar reagim të menjëhershëm tek ata që e kanë lexuar. Pas leximit të fletushkës, një vajzë 11-vjeçare në Belgjikë, i tregoi një Dëshmitareje të Jehovait se kishte qenë vjedhëse dyqanesh. Nëna e vajzës nuk donte që ta zbulonte këtë çështje, por ndërgjegjja e vajzës ishte nxitur nga ajo që kishte lexuar dhe insistonte të shkonin të shihnin pronarin e qendrës së pazarit. Më në fund, nëna pranoi ta linte vajzën që të kthehej me Dëshmitaren në qendrën e pazarit. Pronari u habit me rrëfimin e saj. Kur mësoi se ishte fletushka Lajmërim i Mbretërisë që e kishte nxitur të vepronte në këtë mënyrë, ai mori një kopje për vete që të shihte se ç’ishte kjo gjë kaq e fuqishme që përmbante fletushka. Vajza tani po bën një studim biblik që përparon.
Një Dëshmitare në Kamerun i la një burri një kopje të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë dhe tregon: «Kur u kthyem, pamë se tashmë e kishte nënvizuar dhe kishte një sërë pyetjesh për të bërë. Pasi mori përgjigje të kënaqshme, ai deklaroi: ‘Është absolutisht e vërtetë se feja ka kontribuar në prishjen e lumturisë së njerëzimit. Fletushka juaj më ka ndihmuar të kuptoj shumë gjëra, por do të doja të dija edhe më shumë.’» Tani, ai bën një studim të rregullt biblik.
Një Dëshmitar në Uruguaj, gjatë predikimit shtëpi më shtëpi, i la një burri një fletushkë. Ai vazhdoi veprën e tij të predikimit nga shtëpia në shtëpi, duke predikuar rreth atij blloku ndërtesash, derisa u kthye në derën e shtëpisë së atij burri. Dëshmitari u habit kur pa se burri po e priste me fletushkën në dorë. Ai tashmë e kishte lexuar dhe donte më shumë informacion. Menjëherë filluan një studim biblik.
Publiku ndihmon në shpërndarje
Në Japoni, një Dëshmitar i ri iu afrua një burri rreth të 50-ve dhe i prezantoi fletushkën. Burri e pyeti: «Çfarë bëni me broshurën kur takoni njerëz që nuk mund të shohin?» Dëshmitari iu përgjigj se nuk e dinte. Burri i tha të priste një moment dhe shkoi në shtëpinë e tij. Ai u kthye me një kopje të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë dhe tha: «Tashmë e kam marrë këtë fletushkë. Mendoj se ajo përmban informacion shumë interesant dhe të rëndësishëm, prandaj e kopjova në braille. Të lutem, përdore këtë për njerëzit që janë të verbër.» Burri kishte harxhuar shumë orë, duke e kopjuar fletushkën Lajmërim i Mbretërisë në Braille, prandaj të verbërit nuk do të mbeteshin pa marrë dobitë e përmbajtjes së fletushkës.
Një burrë në Sllovaki, e pëlqeu kaq shumë fletushkën, saqë bëri edhe 20 fotokopje të tjera dhe i shpërndau vetë. Një lajmëtar në Zvicër i la një fletushkë Lajmërim i Mbretërisë një familjeje dhe vazhdoi predikimin në katet e mësipërme të ndërtesës. Duke zbritur përsëri shkallët, ai takoi një djalë të ri të asaj familjeje i cili i kërkoi edhe 19 kopje të tjera të kësaj fletushke. Në shkollën e tij studentët ishin caktuar të shkruanin rreth problemeve dhe kërkimeve për zgjidhjen e tyre. Ai donte një kopje të kësaj fletushke për secilin nga shokët e tij të klasës.
Asnjë nuk humbi
Ata që morën pjesë në fushatë u përpoqën shumë për t’u siguruar që asnjë të mos humbte. Në Kaledoninë e Re, dy Dëshmitarë po udhëtonin për në territorin e një fisi të largët me qëllim që të shpërndanin fletushkën Lajmërim i Mbretërisë. Gjatë rrugës vunë re një shteg që dukej i parrahur, por pavarësisht nga kjo vendosën të shihnin se mos banonte dikush në fund të tij. Duke e lënë makinën, ata udhëtuan përgjatë shtegut, duke ecur përmes rrëkeve, derisa më në fund gjetën një shtëpi. Atje jetonte një çift që nuk kishte dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait dhe pranuan një kopje të fletushkës. Më vonë, lajmëtarët bënë një rivizitë dhe për habinë e tyre panë se çifti e kishte rregulluar rrugën si dhe disa ura të vogla në mënyrë që Dëshmitarët t’i jepnin makinës gjatë gjithë rrugës për në shtëpinë e tyre. Me ta fillua një studim biblik.
Në Poloni, një Dëshmitar duhej të ecte përtej një kantieri ndërtimi që t’i ofronte një kopje të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë pronarit të një shtëpie. Punëtorët e panë kur u kthye prapa ndërtesës së kantierit. Së fundi, një nga punëtorët e thërriti duke i kërkuar që të mos i harronte ata. Kur iu afrua atyre, ata e lanë punën dhe e dëgjuan me kujdes, ndërsa ai u prezantonte fletushkën. Ata pranuan kopjet e fletushkës si edhe revistat, ndërsa më vonë gjatë një rivizite edhe librat.
Qindra miliona fletushka Lajmërim i Mbretërisë nr. 34 u shpërndanë në shumë gjuhë. Mesazhi i saj tashmë ka patur një ndikim të fuqishëm. Shumë kanë lexuar se një parajsë pa probleme është e mundur. Ne lutemi që personat me zemër të drejtë të vazhdojnë të përgjigjen dhe së fundi të jenë mes «zemërbutëve» që do të «zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe».—Psalmi 37:11.
[Kutia në faqen 31]
Vazhdoni të shpërndani revistat!
Në prill dhe në maj të vitit 1995, u zhvillua një fushatë shumë e suksesshme në shpërndarjen fletushkës Lajmërim i Mbretërisë nr. 34. Gjatë këtyre dy muajve pati edhe një shpërndarje të mrekullueshme të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Për shembull, një vëlla në Republikën Çeke raportoi se gjatë prillit shpërndau 250 kopje të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë dhe 750 revista. Në Guadalupa, e shtuna e 15 prillit u zgjodh si një ditë speciale për revista. Pothuaj çdo lajmëtar i vendit mori pjesë në shërbim atë ditë! Sllovakia kishte një maksimum të ri në shpërndarjen e revistave gjatë prillit. Raporte të ngjashme erdhën nga shumë vende të tjera.
Prandaj, përse të mos jenë prilli dhe maji i vitit 1996 muaj të veçantë për shpërndarjen e revistave? Kongregacionet mund të organizojnë ditën speciale për shpërndarjen e revistave. Individë të ndryshëm mund të marrin pjesë në shërbimin si pionierë ndihmës. Në këtë mënyrë, si dhe në forma të tjera, mund të inkurajohet shpërndarja e revistave dhe mesazhi jetësor i shpallur në fletushkën Lajmërim i Mbretërisë nr. 34 do të vazhdojë të përhapet. Prandaj, siç ndodhi edhe vitin e kaluar, Jehovai me siguri do të vazhdojë të bekojë frymën e zellshme që tregojmë.—2. Timoteut 4:22.