BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/2 f. 27-31
  • Shpresa e gjithë jetës sime: Të mos vdes kurrë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Shpresa e gjithë jetës sime: Të mos vdes kurrë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përse vdiq Regu?
  • Përqafoj të vërtetën biblike
  • Organizimi i veprës së predikimit
  • Përvoja nga koha e luftës
  • Duroj sprovat e besimit
  • Duke pritur të ardhmen me besim
  • Jehovai tërheq njerëz të përulur drejt së vërtetës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • Peripecitë e luftës më përgatitën për jetën
    Zgjohuni!—2004
  • Vendimet e duhura më sollën bekime gjithë jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Të rritja tetë fëmijë në rrugët e Jehovait ishte sfidë, por edhe gëzim
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/2 f. 27-31

Shpresa e gjithë jetës sime: Të mos vdes kurrë

TREGUAR NGA HECTOR R. PRIEST

«Kanceri është i pashërueshëm,—tha doktori.—Ne nuk kemi ç’të të bëjmë më.» Kjo diagnozë u bë më se dhjetë vjet më parë. Megjithatë, unë akoma ruaj shpresën e bazuar në Bibël për jetën e përhershme mbi tokë, pa vdekur kurrë.​—Gjoni 11:26.

PRINDËRIT e mi ishin metodistë të sinqertë, që ndiqnin rregullisht kishën në një fshat të vogël, jo larg nga ferma e familjes sonë. Unë linda në luginën e bukur bujqësore të Uirarapas, rreth 130 km në verilindje të Uellingtonit, në Zelandën e Re. Atje kënaqeshim me pamjen e maleve me majat me dëborë, me lumenjtë e kulluar malorë, me kodrat e valëzuara dhe me fushat pjellore.

Kisha Metodiste na kishte mësuar se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell, kurse të këqinjtë shkojnë në ferr, një vend me mundime të zjarrta. Unë s’arrija të kuptoja përse Perëndia nuk i kishte vendosur njerëzit qysh në fillim në qiell, nëse dëshironte që ata të jetonin atje. Gjithmonë kisha pasur frikë nga vdekja dhe shpesh pyesja veten përse duhej të vdisnim. Në vitin 1927, kur unë isha 16 vjeç, familja jonë pësoi një tragjedi. Kjo më shtyu të kërkoja përgjigje për pyetjet e mia.

Përse vdiq Regu?

Kur vëllai im, Reg, ishte 11 vjeç u sëmur rëndë. Mjeku nuk mundi të përcaktonte arsyen dhe nuk qe në gjendje ta ndihmonte. Mamaja thirri një shërbëtor kulti metodist. Ai u lut mbi Regun, por kjo nuk e ngushëlloi mamanë. Në fakt, ajo i tha se lutjet e tij ishin të kota.

Pas vdekjes së Regut, mamaja fliste me të gjithë, duke u përpjekur të shuante etjen për përgjigjen e vërtetë se përse duhej të vdiste djali i saj. Duke folur me një biznesmen në qytet, ajo e pyeti nëse ai dinte diçka mbi gjendjen e të vdekurve. Ai s’kishte ndonjë mendim, por tha: «Dikush ka lënë këtu një libër e të lutem ta marrësh.»

Mamaja e mori librin në shtëpi dhe filloi ta lexonte. Nuk mund ta linte. Pak nga pak, krejt gjendja e saj ndryshoi. I tha familjes: «Kjo është; kjo është e vërteta.» Libri titullohej Plani hyjnor i kohërave, volumi i parë i Studime mbi Shkrimet. Në fillim unë isha skeptik dhe u përpoqa të argumentoja kundër paraqitjes që i bënte libri qëllimit të Krijuesit. Më në fund, argumentat e mia pushuan.

Përqafoj të vërtetën biblike

Mendova: ‘Imagjino të jetosh përgjithmonë, të mos vdesësh kurrë!’ Kjo është shpresa që dikush mund të presë nga një Perëndi i dashur. Një tokë parajsore! Po, kjo ishte për mua.

Pasi mësuan këto të vërteta të mrekullueshme, mamaja dhe tri motra të krishtere nga Uellingtoni, motrat Tompson, Barton dhe Xhons, herë pas here iknin për ditë të tëra, duke përhapur farën e Mbretërisë anembanë vendit. Edhe pse babai nuk kishte këtë frymë misionare si mamaja, ai e mbështeti atë në aktivitetin e saj.

Unë isha i bindur për të vërtetën, por për njëfarë kohe bëra pak në lidhje me bindjet e mia. Në vitin 1935 u martova me Rovena Korlet dhe më pas u bekuam me një vajzë, Enidën, e pas saj me një djalë, Berin. Merresha me blerjen e gjedhit, duke marrë mijëra kokë nga fermerët fqinj. Kur ata diskutonin për politikën, unë ndihesha i lumtur kur u thosha: «Asnjë nga këto përpjekje të njeriut s’do të ketë sukses. Mbretëria e Perëndisë është e vetmja qeveri që do t’ia dalë.»

Mjerisht, u dhashë pas duhanit; vazhdimisht mbaja një cigare në buzë. Me kohë, shëndeti im u keqësua dhe u shtrova në spital me dhimbje të forta stomaku. Më thanë se kisha gastroenteritis të mprehtë (pezmatim të stomakut dhe të zorrëve), të shkaktuar nga pirja e duhanit. Edhe pse e lashë atë zakon, për mua ishte e zakonshme të shihja në ëndërr sikur po pija një puro apo një cigare të përhershme. Sa ves i tmerrshëm mund të bëhet duhani!

Pasi lashë duhanin, bëra edhe një tjetër rregullim të rëndësishëm. Në vitin 1939, kur isha 28 vjeç, u pagëzova në lumin Mangatai, pranë shtëpisë sonë në fushë. Robert Lezënbi, i cili më vonë mbikëqyri veprën e predikimit në Zelandën e Re, bëri gjithë atë rrugë nga Uellingtoni për të bërë fjalimin në shtëpinë tonë e për të më pagëzuar. Qysh prej asaj kohe, u bëra një Dëshmitar i guximshëm i Jehovait.

Organizimi i veprës së predikimit

Pasi u pagëzova, u emërova mbikëqyrës në kongregacionin e Eketahunas. Ime shoqe, Rovena, nuk e kishte përqafuar ende të vërtetën e Biblës. Megjithatë, i bëra të ditur se do të ftoja Alf Brajant, që të vinte nga Pahiatua e të më tregonte që të predikoja siç duhej nga shtëpia në shtëpi. Dëshiroja të organizoja veprën e predikimit e të mbuloja territorin tonë rregullisht.

Rovena tha: «Hektor, nëse shkon për të dëshmuar nga shtëpia në shtëpi, kur të kthehesh nuk do të më gjesh këtu. Do të të lë. Përgjegjësia jote është këtu, në shtëpi, me familjen tënde.»

Nuk dija ç’të bëja. Duke ngurruar, fillova të vishesha. ‘Duhet ta bëj,—vazhdoja të mendoja me vete.—Nga kjo varet jeta ime dhe jeta e familjes sime.’ Prandaj, e sigurova Rovenën se nuk doja ta lëndoja në asnjë mënyrë. I thashë se e doja shumë, por meqë në këtë mes hynte emri dhe sovraniteti i Jehovait, si edhe vetë jeta jonë, duhej të predikoja në këtë mënyrë.

Alfi dhe unë shkuam në derën e parë dhe ai filloi të fliste i pari. Por më pas, edhe unë u futa në bisedë, duke i treguar të zotit të shtëpisë se ajo që ndodhi në ditët e Noes është një paralele me atë që po ndodh në ditët tona dhe ne duhet të bëjmë diçka që të sigurojmë shpëtimin tonë. (Mateu 24:37-39) Atje lashë edhe disa broshura.

Pasi kishim ikur, Alfi tha: «Ku e ke gjetur gjithë këtë njohuri? Ti s’ke nevojë për mua. Ik vetë dhe kështu do të bëjmë dy herë më shumë territor.» E kështu bëmë.

Rrugës për t’u kthyer në shtëpi, unë s’e dija se ç’do të na priste. Për habinë dhe gëzimin tim, Rovena na kishte bërë gati nga një filxhan me çaj. Dy javë më vonë, ime shoqe u bashkua me mua në shërbimin publik dhe u bë një shembull i shkëlqyer i zellit të krishterë.

Ndër të parët që u bënë Dëshmitarë të Jehovait në luginën tonë bujqësore, ishin Mod Mansër, biri i saj, Uilliam dhe vajza Rubi. Burri i Modit ishte një burrë i ashpër, me një pamje të jashtme të vrazhdë. Një ditë, Rovena dhe unë shkuam në fermën e tyre për të marrë Modin e të dilnim në shërbim. Uilliami i ri e kishte rregulluar që ne të përdornim makinën e tij, por i ati kishte tjetër mendim.

Gjendja ishte e nderë. I kërkova Rovenës të mbante vajzën tonë të vogël, Enidën. Kërceva në makinën e Uilliamit dhe e nxora nga garazhi, ndërkohë që zoti Mansër u përpoq me shpejtësi të mbyllte derën e garazhit përpara se të dilja. Por nuk mundi. Pasi eca pak, ndaluam dhe unë dola nga makina për të takuar zotin Mansër që ishte tërbuar. I thashë: «Ne po shkojmë në shërbim dhe zonja Mansër do të vijë me ne.» Unë iu luta dhe zemërimi i tij u zbut disi. Duke e menduar mirë, ndoshta duhej të kisha vepruar ndryshe, por më vonë ai u bë më i favorshëm kundrejt Dëshmitarëve të Jehovait, edhe pse vetë nuk u bë kurrë një Dëshmitar.

Në ato vite kishte vetëm disa shërbëtorë të Jehovait dhe ne me të vërtetë gëzonim dhe përfitonim prej vizitave të shërbëtorëve në kohë të plotë, të cilët qëndronin me ne në fermën tonë. Ndërmjet tyre ishin Adrian Tompson dhe motra e tij, Moli, të cilët ndoqën të dy klasat e hershme të Shkollës Biblike të Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead) për misionarë dhe shërbyen në caktime të huaja, në Japoni dhe në Pakistan.

Përvoja nga koha e luftës

Në shtator të vitit 1939 filloi Lufta II Botërore dhe në tetor 1940 qeveria e Zelandës së Re e ndaloi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Shumë prej vëllezërve tanë të krishterë u çuan nëpër gjyqet e vendit. Disa u vunë nëpër kampet e punës dhe u izoluan prej grave dhe fëmijëve të tyre. Ndërsa lufta vazhdonte, edhe pse ne kishim një baxho, unë pyesja veten nëse do të më thërrisnin për shërbimin ushtarak. Në atë kohë u bë lajmërimi se fermerët nuk do të linin më tokat e tyre për të shkuar ushtarë.

Rovena dhe unë vazhduam në shërbimin tonë të krishterë, duke bërë secili mbi 60 orë në muaj në veprën e predikimit. Gjatë asaj kohe, pata privilegjin të ndihmoja Dëshmitarët e rinj që mbanin asnjanësinë e tyre të krishterë. Dola në përkrahje të tyre përpara gjykatave të Uellingtonit, Palmerstonit Verior, Pahiatuas dhe Mastertonit. Zakonisht, në bordin e atyre që merrnin rekrutët kishte edhe nga një pjesëtar të klerit dhe ishte kënaqësi të zbuloje mbështetjen e tyre jo të krishterë ndaj përpjekjeve për luftën.​—1. Gjonit 3:10-12.

Një natë, ndërsa Rovena dhe unë po studionim Kullën e Rojës, në shtëpinë tonë u futën me forcë detektivët. Në shtëpinë tonë gjetën literaturë biblike. «Mund të përfundoni në burg për këto»,—na thanë. Kur hipën në makinë për të ikur, vunë re se frenat ishin bllokuar dhe makina s’mund të lëvizte. Uilliam Mansër i ndihmoi të rregullonin makinën dhe ne nuk dëgjuam kurrë për ata njerëz.

Gjatë kohës së ndalimit, literaturën biblike e fshihnim në një ndërtesë në vend të largët të fermës. Në mesnatë, vizitoja zyrën e degës së Zelandës së Re dhe e ngarkoja makinën me literaturë. E sillja në shtëpi dhe e çonim në vendin e izoluar. Një natë, kur mbërrita në zyrën e degës për të marrë ngarkesën sekrete, e gjithë zona u ndriçua! Policët thirrën: «Ju kapëm!» Por, për habi, ata më lanë të shkoja pa bërë shumë zhurmë.

Në vitin 1949, Rovena dhe unë e shitëm fermën dhe vendosëm të ishim pionierë derisa të na mbaronin paratë. U transferuam në një shtëpi në Masterton dhe shërbyem si pionierë në kongregacionin e atjeshëm. Brenda dy vjetësh, u formua kongregacioni në Featherston, me 24 lajmëtarë aktivë dhe unë shërbeva si mbikëqyrës drejtues. Më pas, në vitin 1953, gëzova privilegjin të udhëtoja për në Shtetet e Bashkuara, për të ndjekur kongresin ndërkombëtar tetëditor të Dëshmitarëve të Jehovait, në «Yankee Stadium» të Nju Jorkut. Rovena nuk mundi të më shoqëronte, sepse duhej të kujdesej për vajzën tonë, Enidën, që vuante nga paraliza cerebrale.

Pasi u ktheva në Zelandën e Re, m’u desh të filloja punë. U kthyem në kongregacionin në Masterton, ku më caktuan mbikëqyrës drejtues. Rreth kësaj kohe, Uilliam Mansër bleu atë që në Mansterton quhej «Little Theater» dhe ky u bë Salla e parë e Mbretërisë në Uirarapa. Gjatë viteve ’50, kongregacioni ynë gëzoi një rritje të madhe frymore dhe numerike. Prandaj, kur mbikëqyrësi qarkor na vizitonte, shpesh ai inkurajonte të pjekurit që të shkonin në pjesë të tjera të vendit për të ndihmuar atje veprën e predikimit dhe disa vepruan kështu.

Familja jonë qëndroi në Masterton dhe gjatë dhjetëvjeçarëve që pasuan unë pata privilegje të shumta jo vetëm në kongregacion, por gëzova edhe caktime nëpër kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare. Rovena shërbeu me zell në shërbimin në fushë, duke ndihmuar vazhdimisht të tjerë që të bënin njësoj.

Duroj sprovat e besimit

Siç keni vënë re në fillim, në vitin 1985 më vunë diagnozën me kancer të pashërueshëm. Sa shumë dëshironte gruaja ime besnike, Rovena, por edhe unë e fëmijët tanë, që të isha midis atyre të gjallëve tani që nuk do të vdesin kurrë! Por mjekët më nisën në shtëpi që të vdisja. Por, së pari, ata më pyetën si e konsideroja diagnozën.

«Do të vazhdoj të mbaj një zemër të qetë e të jem optimist»,—u thashë. Në fakt, proverbi biblik u bë qetësuesi im: «Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin.»​—Proverbat 14:30.

Specialisët e kancerit e lavdëruan këshillën e Biblës. «Pikëpamja mendore përbën 90 për qind të kurës për pacientët me kancer»,—thanë ata. Gjithashtu, më rekomanduan shtatë javë me trajtim me rreze. Lumturisht, në fund pata sukses në luftën kundër kancerit.

Gjatë kësaj kohe shumë të vështirë, pësova një goditje të tmerrshme. Gruaja ime e bukur dhe besnike pësoi një hemorragji në tru dhe vdiq. Gjeta ngushëllim në shembujt e besnikëve të cituar nëpër Shkrime dhe në faktin se si Jehovai i zgjidhi problemet, ndërsa ata mbajtën integritetin e tyre. Prandaj, shpresa ime për botën e re mbeti e kthjellët.​—Romakëve 15:4.

Gjithsesi, kalova në depresion dhe desha të mos shërbeja më si plak. Vëllezërit lokalë më inkurajuan, derisa gjeta përsëri forca për të vazhduar. Si rrjedhojë, kam mundur të shërbej vazhdimisht si plak dhe mbikëqyrës i krishterë gjatë 57 vjetëve të shkuar.

Duke pritur të ardhmen me besim

Shërbimi ndaj Jehovait gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë një privilegj i paçmuar. Sa shumë bekime kam pasur! Më duket sikur s’ka kaluar shumë kohë, qysh kur mamaja bërtiti: ‘Kjo është; kjo është e vërteta!’ Mamaja qëndroi një Dëshmitare besnike dhe e zellshme derisa vdiq, në vitin 1979, kur ishte më se 100 vjeçe. Vajza e saj dhe gjashtë djem u bënë edhe ata Dëshmitarë.

Dëshira ime e zjarrtë është të jetoj e të shoh emrin e Jehovait të pastruar nga çdo sharje. A do ta plotësoj shpresën time për të mos vdekur kurrë? Natyrisht, kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë, kam besim se shumë, po, miliona veta më në fund do ta provojnë këtë bekim. Pra, për aq kohë sa të jem gjallë, do ta vlerësoj shumë perspektivën për të qenë midis atyre që nuk do të vdesin kurrë.​—Gjoni 11:26.

[Figura në faqen 28]

Mamaja

[Figura në faqen 28]

Me gruan dhe me fëmijët

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo