Libri i preferuar me këngë i Irinës
JO SHUMË kohë më parë, Irina, një vajzë nëntëvjeçare nga Sofia, Bullgari, u pagëzua si një Dëshmitare e Jehovait. Asaj i pëlqen të këndojë dhe veçanërisht ka qejf këngët në librin Këndojini lavdi Jehovait. Prandaj, Irina kishte si pikësynim të mësonte disa këngë përmendësh çdo muaj.
Një nga lëndët që i pëlqen më shumë Irinës në shkollë është muzika. Mësuesja e muzikës u shtang kur Irina nuk e pranoi ftesën për të kënduar në korin e shkollës. Përse nuk e pranoi? Ajo e dinte se shumë nga muzika që do t’i kërkonin të këndonte lavdëronte heronjtë kombëtarë dhe ditët festive me origjinë pagane. Madje, disa këngë përkrahin rebelimin dhe dhunën, për të mbështetur idealet kombëtare. Mësuesja nuk arriti të kuptonte pozitën e Irinës në këtë çështje. Së fundi, Irina i shkroi mësueses një letër, duke parashtruar bindjet e saj fetare, por nuk pati sukses.
Babai i Irinës kishte një ide. Ai i dha mësueses një kopje të librit Këndojini lavdi Jehovait, që përmban këngë që Irinës i pëlqejnë t’i këndojë. Mbas disa ditësh, mësuesja e thirri Irinën në dhomën e muzikës. Ajo i kërkoi Irinës të këndonte përpara nxënësve të klasës disa nga këngët që i pëlqenin shumë, ndërsa mësuesja e shoqëronte në piano. Shfaqja zgjati për më shumë se një orë! Mësuesja ishte e detyruar të pranonte se libri me këngë që i pëlqente Irinës kishte disa melodi shumë të bukura.