BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/12 f. 5-7
  • A ke frymën e dhënies?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A ke frymën e dhënies?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • A po kërkon favorin e dikujt?
  • A vjen dhurata nga një zemër e gatshme?
  • Cili është shqetësimi yt kryesor: rasti apo shprehja e dashurisë?
  • Frymë bujarie gjatë gjithë vitit
  • Në kërkim të dhuratës më të mirë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
  • «Ishte dhurata më e mirë që kam marrë ndonjëherë!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
  • Dhurata më e madhe e Perëndisë—Pse kaq e çmuar?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/12 f. 5-7

A ke frymën e dhënies?

A KE vërejtur se ekzistojnë shumë arsye që i nxisin njerëzit për të dhënë? Një dhuratë mund të jetë shprehje e dashurisë, e bujarisë, e vlerësimit. Por, a s’ke vërejtur që një dhuratë mund të vijë nga dëshira e një personi për të pasur favorin e dikujt? Ose mund të dhurohet thjesht nga një ndjenjë detyrimi apo ngaqë dhënësi kërkon diçka në këmbim.

Dhurata mund të jetë brenda një pakoje të lidhur me një kordele të bukur. Por, a s’është e vërtetë se një dhuratë e shkëlqyer mund të jetë edhe një tufë me lule, një pjatë me ushqim apo një veprim i sjellshëm? Në fakt, dhuratat që çmohen më shumë përfshijnë shpesh dhënien e vetvetes.

A po kërkon favorin e dikujt?

S’është e jashtëzakonshme që një person t’i bëjë dhurata dikujt, për favorin e të cilit ka nevojë. Në disa vende, një djalë që kërkon të fitojë zemrën e gruas së ardhshme, mund t’i çojë asaj lule. Gruaja e mençur do të shikojë përtej asaj dhurate. Ajo do të shqyrtojë nëse fryma që fshihet prapa dhuratës së të riut është e dashur, gjë që mund ta bëjë atë edhe një burrë të mirë. Një dhuratë e tillë, nëse pasqyron një frymë hyjnore, mund të sjellë shumë lumturi për dhuruesin dhe për marrësin.

Bibla tregon për një rast kur Abigaila, gruaja e Nabalit, përgatiti me të shpejtë një dhuratë bujare për Davidin, të cilin ajo e pranoi se ishte i zgjedhuri i Perëndisë për të qenë mbreti i ardhshëm i Izraelit. Edhe ajo kërkonte favor. Burri i saj e kishte përbuzur Davidin dhe kishte lëshuar me qortim të bërtitura ndaj njerëzve të Davidit. Në krye të një bande prej 400 burrash të armatosur, Davidi kishte dalë për të shkatërruar Nabalin dhe shtëpinë e tij. Abigaila ndërhyri, duke dërguar me të shpejtë për Davidin dhe njerëzit e tij një dhuratë me ushqime. Ajo vetë vajti pas dhuratave dhe pasi me përulësi kërkoi falje për atë që kishte bërë i shoqi, dha dëshmi se kishte aftësi të mëdha shquese, ndërsa arsyetonte me Davidin.

Objektivi i saj ishte i fisshëm dhe rezultati ishte i mirë. Davidi e pranoi dhuratën e saj dhe i tha: «Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko, unë dëgjova zërin tënd dhe pata respekt për personin tënd.» Më vonë, pas vdekjes së Nabalit, Davidi i propozoi Abigailës të martoheshin dhe ajo pranoi me gëzim.—1. Samuelit 25:13-42.

Megjithatë, në disa raste favori që kërkon një person mund të përfshijë shfaqjen e njëanësisë, madje edhe shtrembërimin e drejtësisë. Në raste të tilla, dhurata kthehet në një rryshfet. Dhuruesi mendon se do të përfitojë, por i heq vetes paqen mendore. Ekziston gjithmonë rreziku se të tjerët do ta zbulojnë, se do t’i kërkojnë llogari. Edhe nëse favori i dëshiruar plotësohet, ai që e kërkon mund të shohë se tani ka reputacionin e dikujt, motivet e të cilit janë të dyshimta. Duke pasqyruar mençuri hyjnore, Bibla na paralajmëron për dhurata të tilla.—Ligji i përtërirë 16:19; Eklisiastiu (Predikuesi) 7:7.

A vjen dhurata nga një zemër e gatshme?

Nuk ka dyshim mbi këtë pikë: kur i jep dikujt ngaqë ti dëshiron të bësh kështu, të sjell më shumë gëzim, sesa kur jep ngaqë të tjerët të shtrëngojnë se duhet të japësh.

Në lidhje me mbledhjen e ndihmave për të bashkëkrishterët që kishin nevojë materiale, apostulli Pavël la disa parime të shkëlqyera të dhënies hyjnore. «Në qoftë se ekziston gatishmëria për të dhënë,—shkroi ai,—ai është i mirëpritur sipas asaj që ka dhe jo sipas asaj që nuk ka.» Ai shtoi: «Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje, as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.» (2. Korintasve 8:12; 9:7) Pra, shumë varet nga ti. Në vend se të futesh në borxhe nga një dëfrim me dhurata, a shtrin këmbët sa ke jorganin? Në vend se të ndihesh i shtyrë për të dhënë më tepër për shkak të presionit social apo tregtar, a bën atë që ke vendosur në zemrën tënde? Për të krishterët e hershëm që zbatonin parime të tilla hyjnore, Pavli shkroi: «Na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët.»—2. Korintasve 8:4.

Në kontrast me këtë, fletushka Royal Bank Letter e nëntor/dhjetorit 1994, thoshte në lidhje me javët përpara Krishtlindjeve: «Sezoni mund të shihet si një nxitje artificiale e zgjuar nga interesat e biznesit, për t’i shtyrë konsumatorët që të blejnë ato gjëra që s’do t’i blenin në ndonjë mënyrë tjetër.» Nëse blerja është bërë me kredi, çdo kënaqësi që vjen nga dhënia e dhuratës mund të zbehet shpejt kur të vijë data për pagimin e faturave.

Cili është shqetësimi yt kryesor: rasti apo shprehja e dashurisë?

A të duket se i bën dhuratat sidomos në ato raste që duket se kërkojnë një të tillë? Nëse po, ndoshta mund të humbësh shumë nga gëzimi që mund të sjellë dhënia spontane.

Ka shumë njerëz që nuk kënaqen me rezultatet e dhënies së dhuratave në ditë të veçanta. Një nënë, që është edhe shkrimtare, pranoi se lakmia shfaqet tek fëmijët e saj, ndërsa afrohet dita e pritjes së dhuratave. Ajo pranoi se edhe vetë gëzimi i saj për një dhuratë të bukur u zbeh, pasi kishte pritur diçka tjetër. Raporte të ndryshme thonë se festat që kanë karakteristikë kremtimet dhe shkëmbimin e dhuratave, janë edhe kohë e një depresioni të madh emocional dhe e abuzimit me alkoolin.

Pasi vëzhgoi se theksi i madh që u jepet dhuratave në kohë festash disa herë bën ndikimin e kundërt mbi fëmijët, një profesor psikologjie i cituar nga The New York Times rekomandon: «Konsiderojeni dhënien e disa dhuratave në ditë të tjera si një mënyrë për të zvogëluar stresin.» A mendon se kjo do të kishte një ndikim të mirë?

Temi, një 12-vjeçare që jeton në një familje ku nuk festohen Krishtlindjet dhe ditëlindjet, shkroi: «Është më e këndshme kur i merr dhuratat atëherë kur nuk e pret.» Ajo tha se në vend që t’i jepnin dhurata vetëm një apo dy herë në vit, prindërit i bënin të tilla asaj dhe vëllait gjatë gjithë vitit. Por për të ka diçka shumë të rëndësishme se ato dhurata. Siç tha ajo: «Kam një jetë familjare vërtet të lumtur.»

Një libër pohon me sinqeritet: «Shumë prej nesh harxhojnë kohë dhe para disa herë gjatë vitit, duke zgjedhur dhuratën e duhur për ditëlindjet, përvjetorët apo festat e njerëzve që i duam. Dhurata më e mirë nga të gjitha nuk do të na kushtonte asnjë grosh. Atë nuk të duhet ta mbështjellësh. Nëse ti beson, si edhe shumë njerëz të tjerë, se jeta jote është pasuria më e madhe që ke, atëherë një pjesë e jetës sate është dhurata më e çmuar që ke për të ofruar. E japim këtë dhuratë të çmuar sipas sasisë së kohës sonë që u japim njerëzve tanë të dashur.»—Secrets of Strong Families.

Ti mund të bësh që kjo dhënie të shkojë përtej familjes sate. E dhëna spontane për të plotësuar një nevojë të dukshme që kanë të tjerët mund të sjellë kënaqësi të veçantë. Jezu Krishti na nxiti të tregojmë një kujdes të tillë të dashur për të varfërit, për të çalët dhe për të verbërit, duke shtuar: «Do të jesh i lumtur, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin.»—Luka 14:12-14.

Gazeta Rockland Journal-News (SHBA) raportoi kohët e fundit një shembull të kësaj lloj dhënieje. Kur shtëpia e një gruaje plakë të verbër u shemb, miqtë i ndërtuan asaj një të re. U bënë dhurata nga firma të ndryshme lokale dhe një sasi parash iu akorduan nga një agjenci lokale shtetërore. «Por më e rëndësishmja,—thoshte gazeta,—150 a më shumë njerëzit, shumica e të cilëve ndiqnin mbledhjet e kongregacionit Haverstrou të Dëshmitarëve të Jehovait, dhuruan kohën për të ndërtuar shtëpinë.»

Artikulli vazhdonte: «Në vendin e ndërtimit kishte grumbuj me materiale pranë tryezave plot me ushqim. Në dy ditë, punëtorët ndërtuan shtëpi me dy apartamente, tri kate të lartë. . . . Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur për aftësinë e tyre për të ndërtuar me shpejtësi. . . . Kjo shpejtësi, ama, është në kontrast me kohëzgjatjen e misionit të tyre: të sigurojnë qëndrueshmëri në veprën e dashurisë. Zonja Blekli mund të mos jetë në gjendje ta shohë shtëpinë e saj të re, por duart e saj mund ta prekin atë dhe zemra e saj e di ndjenjën që e ka prekur nga ky veprim altruist.»

Frymë bujarie gjatë gjithë vitit

Ata që janë vërtet bujarë në frymë, nuk presin ditë të veçanta. Jeta e tyre nuk është ndërtuar vetëm rreth vetvetes. Kur marrin diçka të mirë, ata kanë gëzim ta ndajnë atë me të tjerët. Kjo nuk do të thotë se janë të detyruar të bëjnë dhurata. Nuk do të thotë as që japin kaq shumë, saqë harrojnë familjen e tyre. Nuk do të thotë se japin pa menduar për ndikimin që do të ketë mbi atë që merr. Megjithatë, ata janë njerëz që ‘praktikojnë të dhënët’, siç i mësoi Jezui dishepujt e tij.—Luka 6:38, BR.

Ata i kanë parasysh rrethanat e miqve dhe të komshinjve që janë të moshuar, të sëmurë apo në ndonjë nevojë tjetër për inkurajim. «Dhurata» e tyre mund të jetë duke u bërë pazarin apo duke i ndihmuar me punët e shtëpisë. Mund të jetë prerja e druve apo pastrimi i dëborës. Mund të jetë një tas me ushqim apo një orë e kaluar duke i vizituar e duke lexuar së bashku. Në jetën e tyre mund të kenë shumë punë, por jo aq shumë sa të mos ndihmojnë. Ata kanë mësuar nga përvoja se me të vërtetë «ka më shumë lumturi të japësh, sesa të marrësh».—Veprat 20:35.

Natyrisht, Dhuruesi më i madh është Krijuesi ynë, Perëndia Jehova. Ai «u jep të gjithëve jetën, frymën e çdo gjë tjetër». (Veprat 17:25, DSF) Në Bibël, ai na siguron edhe njohurinë në lidhje me qëllimin e tij për t’i dhënë fund ligësisë, sëmundjeve e vdekjes dhe se do ta bëjë këtë tokë një parajsë. (Psalmi 37:10, 11; Zbulesa [Apokalipsi] 21:4, 5) Pasi e kanë mësuar këtë, ata që janë bujarë në frymë nuk e mbajnë për vete këtë lajm të mirë. Një nga kënaqësitë e tyre më të mëdha është ta ndajnë atë me të tjerët. Fryma e tyre është me të vërtetë një frymë hyjnore dhënieje. A është kjo fryma që po kultivon ti?

[Figurat në faqen 7]

Disa nga dhuratat më të çmuara nuk kushtojnë asnjë grosh

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo