A pritet që të japësh?
NDOSHTA ti e di mirë se dhënia e dhuratave shpesh diktohet nga zakonet. Në shumicën e kulturave ka raste në të cilat pritet që të bëhen dhurata. Dhurata të tilla mund të jenë shenjë respekti apo shprehje të dashurisë. Shumë prej tyre as që nuk përdoren kurrë nga ai që i merr; të tjera ndihmojnë për plotësimin e nevoja reale dhe vlerësohen shumë.
Në Danimarkë, kur lind një fëmijë, miqtë dhe të afërmit shkojnë për vizitë dhe çojnë dhurata, për të cilat shpresojnë se do t’i vlejnë të sapolindurit. Në vende të tjera, miqtë mund të shtrojnë ndonjë festë, në të cilën këto dhurata jepen përpara lindjes.
Në shumë raste, mundësitë kur pritet të jepen dhurata janë të përvitshme. Edhe pse festime të tilla nuk praktikoheshin mes të krishterëve të hershëm, ato janë bërë shumë të përhapura mes të ashtuquajturve të krishterë dhe atyre që nuk janë të tillë. Në disa kultura, dhënia e dhuratave për ditëlindjen e humbet rëndësinë e saj me rritjen e fëmijës, por tek grekët zakoni është ndryshe. Në Greqi, ditëlindjeve u kushtohet shumë kujdes. Gjithashtu, ata bëjnë dhurata edhe kur një person ka «ditën e emrit». Ç’është kjo? E pra, zakonet fetare i bashkëngjisin çdo dite të vitit «shenjtorë» të ndryshëm dhe shumë njerëz kanë emrat e «shenjtorëve». Kur vjen dita e «të shenjtëve», ata që mbajnë atë emër marrin dhurata.
Përveç festimit të ditëlindjes së fëmijëve të tyre, koreanët kanë një festë kombëtare e njohur si Dita e Fëmijëve. Ajo është kohë kur familjet bëjnë një shëtitje dhe prindërit u bëjnë dhurata fëmijëve, pavarësisht nga data e lindjes së tyre. Koreanët kanë edhe Ditën e Prindërve, në të cilën fëmijët u japin prindërve, si edhe Ditën e Mësuesit, në të cilën studentët nderojnë mësuesit dhe u bëjnë atyre dhurata. Sipas zakonit korean, kur një person mbush 60 vjeç, mbahet një festë e madhe. Familja dhe miqtë së bashku e urojnë për jetëgjatësi e lumturi dhe i japin dhurata atij që ka arritur në atë moshë.
Dasma mund të jetë një rast tjetër, në të cilin zakonet popullore kërkojnë që të bëhen dhurata. Kur martohet një çift në Kenia, pritet që familja e burrit t’i bëjë një dhuratë familjes së gruas. Edhe të ftuarit sjellin dhurata. Sikur nusja dhe dhëndri të ndjekin zakonin, ata duhet të ulen në një platformë, ndërsa të ftuarit sjellin dhuratat para tyre. Kur secili paraqitet, bëhet një lajmërim: «Filani solli një dhuratë për çiftin.» Shumë prej dhuruesve ndihen keq nëse nuk bëhet një lajmërim i tillë.
Për libanezët, kur martohet dikush, miqtë dhe komshinjtë, madje edhe njerëz që nuk e njohin mirë çiftin, fillojnë të sjellin dhurata pas dasmës. Që nga fëmijëria, ata janë mësuar se dhënia e dhuratave është një përgjegjësi, si pagimi i një borxhi. «Nëse nuk e bën, nuk ndihesh rehat me veten,—thotë një libanez.—Kjo është tradita.»
Megjithatë, nga të gjitha rastet kur priten dhuratat, në shumë vende Krishtlindjet janë rasti më i madh. A nuk është kështu aty ku jeton edhe ti? Jo më larg se viti 1990, u llogarit se çdo vit amerikanët harxhojnë më shumë se 40 miliardë dollarë për dhuratat e Krishtlindjeve. Me pasion të madh kjo festë kremtohet edhe nga budistët dhe shintoistët në Japoni dhe forma të ndryshme festimi hasen në Evropë, Amerikën Jugore dhe në pjesë të Afrikës.
Krishtlindjet janë një periudhë kur shumë njerëz presin të jenë të lumtur, por shumë prej tyre nuk janë. Jo pak prej tyre zbulojnë se psonisja e shfrenuar për dhuratat dhe ankthi për pagimin e parave, errësojnë çdo moment kënaqësie që provojnë.
Megjithatë, Bibla thotë se ka lumturi në të dhënë. Në fakt ashtu është, në varësi të frymës me të cilën bëhet kjo dhënie.—Veprat 20:35.