Ai ishte pararendësi i Mesias
NJË rrip i gjerë lëkure e theksonte akoma më shumë ngjyrën e errët të lëkurës së tij. I veshur me një rrobë prej leshi deveje, dukej me të vërtetë si një profet. Shumë tërhiqeshin drejt tij në lumin Jordan. Atje, ky burrë magjepsës shpallte me guxim se ishte gati të pagëzonte mëkatarët e penduar.
Njerëzit ishin të habitur! Kush ishte ky burrë? Cili ishte qëllimi i tij?
Jezu Krishti tha për të: «Atëherë, pra, ç’dolët të shikoni? Një profet? Po, ju them: ai është më shumë se një profet. . . . Ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori.» (Mateu 11:9-11) Pse Gjoni ishte një njeri kaq i jashtëzakonshëm? Sepse ishte pararendësi i Mesisë.
Misioni i tij u paratha
Më shumë se 700 vjet para lindjes së tij, Jehovai lajmëroi se Gjoni do të thërriste në shkretëtirë: «Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë.» (Isaia 40:3; Mateu 3:3) Mbi 400 vjet para lindjes së Gjonit, Perëndia i Plotfuqishëm deklaroi: «Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.» (Malakia 4:5) Fakti që Gjon Pagëzori lindi afërsisht gjashtë muaj para Krishtit, nuk ishte thjesht një rastësi, as nuk ndodhi thjeshtë për shkak të faktorëve natyralë. Ashtu si lindja e fëmijës së premtuar, Isakut, edhe lindja e Gjonit ishte një mrekulli, sepse të dy prindërit e tij, Zaharia dhe Elizabeta e kishin kaluar moshën normale për të pasur fëmijë.—Luka 1:18.
Edhe para se Gjoni të kuptonte detyrën e tij, veprën dhe mënyrën e tij të të jetuarit, këto ishin zbuluar nga engjëlli Gabriel. Me forcën dhe frymën e Elias, Gjoni do të kthente të pabindurit nga rruga e vdekjes dhe do t’i përgatiste ata që ta pranonin Jezuin si Mesinë. Që nga lindja, Gjoni duhej të ishte nazareas, plotësisht i devotshëm ndaj Perëndisë dhe nuk duhej të pinte verë apo pije të forta. Në fakt, ushqimi i tij në shkretëtirë përbëhej nga, ‘karkaleca dhe mjaltë i egër’. (Marku 1:6; Numrat 6:2, 3; Luka 1:13-17) Ashtu si Samueli, që nga fëmijëria Gjoni ishte caktuar për t’i bërë shërbim të lavdishëm Perëndisë Më të Lartë.—1. Samuelit 1:11, 24-28.
Edhe emri Gjon u zgjodh nga Perëndia. Emri hebre i përkthyer «Gjon», do të thotë «Jehovai ka treguar favor; Jehovai ka qenë i mëshirshëm».
Kur fëmija u rrethpre në ditën e tetë, babai i tij Zaharia u frymëzua të thoshte: «Dhe ti, o fëmijë i vogël do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij, për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre; për hir të thellësisë së mëshirës të Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar.» (Luka 1:76-78) Shërbimi publik i Gjonit duhej të zinte vendin e parë në jetën e tij. Në krahasim me të, të gjitha gjërat e tjera duhej të zinin vendin e dytë. Kështu, Shkrimet i përmbledhin të 30 vitet e para të jetës së Gjonit në një varg të vetëm: «Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t’i zbulohej Izraelit.»—Luka 1:80.
Zë në shkretëtirë
Në vitin e 15 të mbretërimit të Tiberio Çesarit, kur Ponc Pilati ishte guvernator i Judesë, Gjon Pagëzori u shfaq në shkretëtirë me këtë lajm tronditës: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër.» (Mateu 3:2; Marku 1:4; Luka 3:1, 2) Masat e popullit nga të gjitha rajonet u nxitën. Ajo deklaratë e guximshme preku zemrat e njerëzve që kishin dëshirë për një shpresë të sigurt. Lajmërimi i Gjonit vuri në provë përulësinë e personave, sepse ai bënte thirrje për pendim të sinqertë. Sinqeriteti dhe bindja e tij, i nxiti turmat e njerëzve të ndershëm dhe të sinqertë, që ta konsideronin atë si një njeri të dërguar nga Perëndia.
Fama e Gjonit u përhap si agimi i një dite të re. Si profet i Jehovait, ishte e lehtë të njihej për veshjen dhe devotshmërinë e tij. (Marku 1:6) Edhe priftërinjtë dhe Levitët udhëtuan nga Jeruzalemi për të zbuluar se çfarë e kishte ndezur gjithë këtë interes. Pendohem? Pse e për çfarë? Kush ishte ky njeri? Donin ta njihnin. Gjoni u shpjegoi: «‘Unë nuk jam Krishti.’ Atëherë ata e pyetën: ‘Kush je, pra? A je Elia?’ Ai tha: ‘Nuk jam!’ ‘Je ti profeti?’Dhe ai përgjigjej: ‘Jo!’ Atëherë ata i thanë: ‘Kush je ti, që t’u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç’thua për veten tënde?’ Ai u përgjigj: ‘Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia.’ Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë; ata e pyetën dhe i thanë: ‘Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as Profeti?’»—Gjoni 1:20-25.
Pendimi dhe pagëzimi ishin hapa të nevojshëm për ata që do të hynin në Mbretëri. Prandaj, Gjoni iu përgjigj: «Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr. Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet.» (Luka 3:15-17; Veprat 1:5) Në të vërtetë, mbi ithtarët e Mesisë do të zbriste fryma e shenjtë, por armiqtë e tij do të përjetonin zjarrin e shkatërrimit.
«Njerëz të të gjitha llojeve» paralajmërohen
Shumë hebrenj të sinqertë u prekën thellësisht nga fjalët e Gjonit dhe i pranuan hapur mëkatet e tyre në lidhje me pabesinë ndaj besëlidhjes së Ligjit. Ata e treguan publikisht pendimin e tyre duke e lejuar Gjonin që t’i pagëzonte në Lumin Jordan. (Mateu 3:5, 6) Si rezultat, zemrat e tyre ishin në një gjendje të përshtatshme për të pranuar Mesinë. Duke shuar etjen e tyre për njohurinë mbi kërkesat e drejta të Perëndisë, Gjoni me gëzim i mësoi ata si dishepuj të tij, duke i mësuar madje se si të luteshin.—Luka 11:1.
Në lidhje me këtë pararendës të Mesisë, apostulli Gjon shkroi: «Ky njeri erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që njerëzit e të gjitha llojeve të mund të besojnë nëpërmjet tij.» (Gjoni 1:7, BR) Qe kështu, që njerëzit e të gjitha llojeve erdhën për të dëgjuar Gjon Pagëzorin, ndërsa ai «predikoi një pagëzim pendimi për të gjithë popullin e Izraelit». (Veprat 13:24) Ai i paralajmëroi tagrambledhësit që të mos përdorin forcën për të marrë paratë. Ai i paralajmëroi ushtarët që të mos ngacmojnë ndonjë apo të bëjnë akuza të rreme. Dhe u tha farisenjve dhe saducenjve hipokritë: «Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen? Jepni pra frute të denja të pendesës! Dhe mos t’ju shkojë mendja të thoni me vete: ‘Ne kemi Abrahamin për atë’, sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.»—Mateu 3:7-9; Luka 3:7-14.
Si një klasë, udhëheqësit fetarë të ditëve të Gjonit, refuzuan ta besonin atë dhe në mënyrë të rreme e akuzuan sikur ishte i demonizuar. Ata e flakën rrugën e drejtësisë që të çon në jetë të përjetshme. Në anën tjetër, mëkatarë si tagrambledhësit dhe prostitutat që e besuan dëshminë e Gjonit u penduan dhe u pagëzuan. Ndërkohë, ata e pranuan Jezu Krishtin si Mesinë.—Mateu 21:25-32; Luka 7:31-33.
Paraqitja e Mesisë
Për gjashtë muaj, nga pranvera deri në vjeshtën e vitit 29 të e.s., dëshmitari besnik i Perëndisë, Gjoni, e drejtoi vëmendjen e hebrenjve në ardhjen e Mesisë. Ishte koha që Mbreti Mesianik të shfaqej. Por kur erdhi, zbriti në po ato ujëra të Jordanit dhe kërkoi të pagëzohej. Në fillim Gjoni kundërshtoi, por pastaj u bind. Imagjino gëzimin e tij kur fryma e shenjtë zbriti mbi Jezuin dhe zëri i Jehovait u dëgjua duke shprehur aprovimin për Birin e Tij.z—Mateu 3:13-17; Marku 1:9-11.
Gjoni ishte i pari që e njohu Jezuin si Mesinë dhe ua prezantoi dishepujve të tij këtë të Mirosur. «Ja,—tha Gjoni,—Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!» Gjithashtu, ai deklaroi: «Ky është ai për të cilin unë thashë: ‘Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!’ Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t’i zbulohet Izraelit.»—Gjoni 1:29-37.
Vepra e Gjonit vazhdoi paralel me shërbimin e Jezuit për rreth gjashtë muaj. Secili e kuptonte veprën që po kryente tjetri. Gjoni e konsideronte veten si mikun e Dhëndrit dhe gëzohej tek e shihte veprën e Krishtit që rritej, ndërsa e tija po shkonte në rënie.—Gjoni 3:22-30.
Jezui e identifikoi Gjonin si pararendësin e tij, të përshkruar nga Elia. (Mateu 11:12-15; 17:12) Në një rast Jezui tha: «Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty.»—Luka 16:16.
Besnik deri në fund
Gjoni u arrestua dhe u burgos sepse ai shpalli me guxim të vërtetën. Nuk iu shmang përgjegjësisë së tij për të zbuluar madje mëkatin e Mbretit Herod. Duke e dhunuar ligjin e Perëndisë, ai mbret jetonte me gruan e vëllait të tij, Herodiadën, duke bërë kështu kurorëthyerje. Gjoni foli me guxim, në mënyrë që mbreti të pendohej dhe të përfitonte mëshirën e Perëndisë.
Çfarë shembulli i shkëlqyer dashurie dhe besimi ishte Gjoni! Duke sakrifikuar lirinë e tij personale, ai provoi besnikërinë e tij ndaj Perëndisë Jehova dhe dashurinë e tij për njerëzit. Pas një viti që ndodhej në burg, Gjonit iu pre koka, për shkak të një plani djallëzor të sajuar nga Herodiada e ligë, e cila «ushqente zemërim» kundër tij. (Marku 6:16-19; Mateu 14:3-12) Por, pararendësi i Mesisë e ruajti integritetin e tij ndaj Jehovait dhe shpejt do të ngrihet nga vdekja për të gëzuar jetën në botën e re e të drejtë të Perëndisë.—Gjoni 5:28, 29; 2. Pjetrit 3:13.