Monedha që mbajnë emrin e Perëndisë
VËSHTROJI me kujdes monedhat prej argjendi që janë treguar këtu. Janë prerë nga monarku gjerman Vilhelmi V, gjatë mbretërimit të tij nga viti 1627 deri në 1637-ën. Në atë kohë, Evropa Qendrore ishte përfshirë në Luftën Tridhjetë Vjeçare, një betejë midis katolikëve dhe protestantëve. Vilhelmi V mbante anën e protestantëve. Për të përballuar koston e stërmadhe të konfliktit, ai mori të gjithë arin dhe me të preu monedha.
Në mënyrë interesante, mbi shumë nga ato monedha paraqitet dielli i qarkuar nga emri i Perëndisë, Jehova, në formën e tetragramatonit hebre. Ka edhe një pemë palme, e cila paraqet forcë. Ideja është se ajo pemë, edhe pse e përkulur nga era, nuk thyhet, sepse është nën mbrojtjen e Perëndisë. Shkrimi latin përqark perimetrit të monedhës thotë: «Për sa kohë do të dëshirojë Jehovai, unë do të mbetem e drejtë.»
Në vend se të ketë mbrojtjen e Perëndisë, ky përdorim i emrit të Perëndisë në të vërtetë është i kotë, pasi Jehovai nuk merr anën e askujt nëpër konfliktet e dhunshme të njerëzimit. Në fakt, Lufta Tridhjetë Vjeçare nuk mund të ishte në harmoni me miratimin e Perëndisë. «Sipas vlerësimeve të kujdesshme,—thotë Funk & Wagnalls New Encyclopedia,—jo më pak se gjysma e popullsisë gjermane humbi jetën në atë luftë. Në Gjermani, qytete, lokalitete, fshatra dhe ferma të panumërta u shkatërruan plotësisht. Afërsisht dy të tretat e ndërmarrjeve industriale, bujqësore dhe tregtare të Gjermanisë shkuan në rrënojë.»
Përdorimi i emrit të Jehovait mbi këto monedha na sjell në mendje urdhrin që iu dha Izraelit: «Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit [Jehovait, BR], të Perëndisë tënd, kot.» (Të Dalët 20:7) Megjithatë, këto monedha japin dëshmi se emri hyjnor, Jehova, prej kohësh ka qenë i njohur nga populli në Gjermani. Sa mirë e njeh ti Perëndinë që mban këtë emër?