Një kryetar shqyrton të ardhmen e tij
NË AFRIKËN Perëndimore jetonte një kryetar shumë i dashur dhe i respektueshëm në bashkësinë e tij. Me rastin e 78-vjetorit të lindjes, miqtë e tij, familja dhe të tjerë u mblodhën për ta uruar. Në një fjalim, kryetari zgjodhi një temë jo të zakonshme për një rast të tillë. Foli për idetë e tij për jetën pas vdekjes.
Ai tha se përtej kësaj bote «ekziston një botë e re pa mashtrim, smirë dhe lakmi». Ai e përshkroi atë si një botë të «fshehur në mister», të populluar vetëm nga të drejtë që do të bashkëpunojnë me Perëndinë.
Besime të tilla janë të përhapura midis njerëzve kudo në Afrikë. Sipas fesë tradicionale në Afrikë, vdekja nuk është fundi i jetës, por thjesht një moment ndryshimi, një kalim i jetës në mbretërinë frymore. Në vdekje, thuhet se një person kalon nga bota e dukshme në të padukshmen. Si një frymë, individi hyn në një zonë të banuar nga stërgjyshërit e tij apo të saj.
Shumë afrikano-perëndimorë besojnë se stërgjyshërit apo frymërat stërgjyshore, sigurojnë mirëqenien e familjeve të tyre këtu në tokë. Libri West African Traditional Religion deklaron: «Nuk ka dallim të fortë midis ndikimit të ushtruar nga anëtarët e bashkësisë që janë akoma në tokë dhe atyre që janë në botën e përtejme. Kur ishin në tokë, stërgjyshërit ishin pleq të familjeve të tyre. Tani që janë të padukshëm për ne, janë akoma pleq në botën e frymërave. Nuk pushojnë së interesuari për mirëqenien e përgjithshme të familjeve të tyre.»
Si rrjedhim, kryetari i moshuar i përmendur në fillim, priste të bashkohej me stërgjyshërit e tij dhe të punonte bashkë me ta në mbretërinë frymore. Ai tha: «Unë kam një bindje të fortë në jetën pas vdekjes dhe në mundësinë për të vazhduar së shërbyeri si një plak apo kryetar edhe pas vdekjes.»
Por, për shkak të asaj që kryetari tha më vonë, gazeta Sunday Times sugjeroi se ai «nuk dukej plotësisht i bindur» për jetën përtej varrit. Ai i tha grupit të mbledhur se kishte dëgjuar për një libër që bënte fjalë për jetën pas vdekjes. Udhëheqësi kishte pesë vjet që e kërkonte këtë libër. Kishte kaq shumë dëshirë për ta lexuar, saqë ofroi një shumë prej rreth 1.500$ (U.S.) për atë që do t’i sillte një kopje.
Kryetari mund të kishte shpëtuar nga ky telash, duke u konsultuar me një libër që nuk është vështirë të gjendet, i prodhuar jo nga njeriu, por nga Krijuesi i të gjithë njerëzimit. (1. Selanikasve 2:13) Ky libër është Bibla. Çfarë thotë ajo për jetën pas vdekjes?