«Ushqeni gojën, jo këmbët»
Një vështrim i zakoneve tradicionale të varrimit në Afrikë
«ATA nuk i varrosin të vdekurit!» Kjo është një deklaratë e zakonshme për Dëshmitarët e Jehovait në Afrikën perëndimore. Megjithatë dihet mirë se në fakt Dëshmitarët i varrosin të vdekurit.
Përse njerëzit thonë se Dëshmitarët e Jehovait nuk i varrosin të vdekurit? Thonë kështu, sepse Dëshmitarët nuk ruajnë shumë zakone tradicionale varrimi të zonës së tyre.
Zakone tradicionale varrimi
Aliu jeton në një fshat të vogël të Nigerisë qendrore. Kur nëna e tij vdiq, ai i njoftoi të afërmit për vdekjen e saj dhe më pas mori masa për mbajtjen e një fjalimi të bazuar në Shkrime në shtëpinë e saj. Fjalimi i mbajtur nga një plak i kongregacionit lokal të Dëshmitarëve të Jehovait, përqendrohej në gjendjen e të vdekurit dhe në shpresën inkurajuese të ringjalljes, të përmendur në Bibël. Pas fjalimit, nëna e Aliut u varros.
Të afërmit u indinjuan thellë. Për ta asnjë varrim nuk është i plotë pa ruajtjen e të vdekurit që zakonisht mbahet një natë pasi personi vdes. Në lokalitetin e Aliut, ruajtja e të vdekurit është një rast për të bërë festë e jo për të mbajtur zi. Kufoma lahet, vishet në të bardha dhe vendoset në një shtrat. Familjarët dërgojnë për të thirrur muzikantë, blejnë arka me birrë e gjyma me verë palme dhe bëjnë përgatitje për të sakrifikuar një dem ose një dhi. Pastaj vijnë miqtë dhe të afërmit duke kënduar, duke kërcyer, duke ngrënë e duke pirë deri në mëngjesin e ditës tjetër.
Gjatë këtyre kremtimeve, vendoset ushqim pranë këmbëve të kufomës. Personit të vdekur i priten dhe vihen mënjanë pjesë nga flokët, thonjtë e duarve dhe të këmbëve për «varrimin e dytë». Një gjë e tillë zgjat me ditë, javë madje edhe vite.
Pas ditës së ruajtjes së të vdekurit, kufoma varroset, por ceremonitë e varrimit vazhdojnë për një javë ose për më tepër. Pastaj bëhet varrimi i dytë. Pjesët e flokëve, të thonjve të duarve dhe të këmbëve mbështillen në një copë të bardhë, e cila lidhet pas një dërrase druri me gjatësi 150-180 centimetra. Në varg, njerëzit me këngë e me valle e çojnë dërrasën në vendin ku ndodhet varri dhe e varrosin pranë personit që ai paraqet. Edhe një herë këndohet, pihet e festohet. Për t’i dhënë fund ritit të varrimit, shtihet një herë me armë në ajër.
Pasi Aliu nuk lejoi asnjërën nga këto gjëra, u akuzua se nuk kishte respekt as për të vdekurit dhe as për traditat që i nderonin ata. Por, përse Aliu, një Dëshmitar i Jehovait nuk pranoi të ndiqte këto tradita? Sepse ai nuk mund të pranonte me ndërgjegje besimet fetare mbi të cilat këto tradita bazoheshin.
Besime tradicionale afrikane
Në të gjithë Afrikën, njerëzit besojnë se të gjithë njerëzit vijnë nga mbretëria frymore dhe do të kthehen atje. Yorubat nigeriane thonë: «Toka është një markatë, ndërsa qielli është shtëpia.» Thënia e igbove është: «Kushdo që vjen në këtë botë do të kthehet në shtëpi, pa pasur parasysh se sa gjatë do të vonohet në tokë.»
Shqyrto zakonet e përmendura më lart. Qëllimi i ruajtjes së të vdekurit është që shpirtit t’i bëhet një përcjellje sa më e mirë. Veshja në të bardha konsiderohet si veshje e përshtatshme për mbretërinë frymore. Vënia e ushqimit tek këmbët shoqërohet me mendimin se kufoma ushqehet nëpërmjet këmbëve dhe duhet ushqyer që të mos e marrë uria gjatë udhëtimit për në vendin e stërgjyshërve.
Për më tepër, njerëzit në përgjithësi mendojnë se kur shpirti ikën nga trupi, ai qëndron pranë qenieve të gjalla dhe nuk kthehet tek stërgjyshërit, derisa të lirohet përfundimisht nga varrimi i dytë. Po të mos kryhet varrimi i dytë, njerëzit kanë frikë se mos shpirti zemërohet dhe i moleps të gjallët me sëmundje ose me vdekje. Të shtënat me pushkë bëhen për ta «dërguar shpirtin» në qiell.
Megjithëse zakonet e varrimit ndryshojnë shumë nga njëri vend në tjetrin, në Afrikë, zakonisht ideja themelore është se shpirti mbijeton ndaj vdekjes së trupit. Qëllimi themelor i riteve është të ndihmojë shpirtin që t’i përgjigjet «ftesës për t’u kthyer në shtëpi».
Këto besime dhe praktika janë ushqyer nga doktrina e të ashtuquajturit krishterim mbi pavdekësinë e shpirtit njerëzor dhe me nderimin e thellë për «të shenjtët». Është tipik komenti i një kapiteni ushtarak në Zvicër, i cili tha se Jezui erdhi jo për t’i shkatërruar besimet tradicionale, por për t’i plotësuar ose përforcuar ato. Pasi zakonisht ritet e varrimit i drejtojnë klerikët, shumë njerëz besojnë se Bibla i mbështet si besimet tradicionale, ashtu edhe zakonet e bazuara në to.
Çfarë thotë Bibla
A i mbështet Bibla këto besime? Lidhur me gjendjen e të vdekurve, Eklisiastiu 3:20, deklaron: «Të gjithë [njerëzit dhe kafshët së bashku] shkojnë në po atë vend; të gjithë vijnë nga pluhuri dhe kthehen në pluhur.» Shkrimet, gjithashtu, thonë: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë . . . në Sheol [varri] ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dha as dituri.»—Eklisiastiu 9:5, 6, 10.
Këto dhe shkrime të tjera e bëjnë të qartë se të vdekurit nuk mund të na shohin, nuk mund të na dëgjojnë dhe nuk mund të na bëjnë keq. A nuk është kjo në harmoni me atë që ke parë? Ndoshta ke njohur një njeri të pasur dhe me influencë që ka vdekur, familja e të cilit këtej e tutje ka vuajtur, megjithëse i ka kryer në mënyrë të plotë të gjitha ceremonitë tradicionale të varrimit. Nëse ai njeri është i gjallë në mbretërinë frymore, përse nuk e ndihmon familjen e tij? Ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse ajo që thotë Bibla është e vërtetë—të vdekurit në të vërtetë janë të pajetë, «të pafuqishëm ndaj vdekjes» dhe si rrjedhim nuk mund të ndihmojnë askënd.—Isaia 26:14.
Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, e dinte që kjo ishte e vërtetë. Shqyrto se çfarë ndodhi pas vdekjes së Lazrit. Bibla deklaron: «Mbasi [Jezui] i tha këto gjëra [dishepujve], shtoi: ‘Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.’ Atëherë dishepujt e tij thanë: ‘Zot, po të flejë, do të shpëtojë.’ Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij.»—Gjoni 11:11-13.
Vëre se Jezui e lidhi vdekjen me gjumin, çlodhjen. Kur arriti në Betani, ai ngushëlloi motrat e Lazrit, Marijen e Martën. I nxitur nga dhembshuria, Jezui u zmbraps me lotë në sy. Megjithatë, nuk tha dhe nuk bëri asgjë, që në ndonjë mënyrë të linte të kuptoje se Lazri kishte një shpirt që akoma jetonte dhe që kishte nevojë për ndihmë për të arritur në vendin e stërgjyshërve të tij. Në vend të kësaj, Jezui bëri atë që tha se do të bënte. Ai e zgjoi Lazrin nga gjumi i vdekjes nëpërmjet ringjalljes. Kjo provoi se Perëndia përfundimisht do të përdorte Jezuin për të ringjallur të gjithë ata që gjenden në varret përkujtimore.—Gjoni 11:17-44; 5:28, 29.
Përse të jenë të ndryshme?
A ka ndonjë gjë të keqe nëse ndjekim zakonet e varrimit të bazuara në besime jobiblike? Aliu dhe miliona Dëshmitarë të tjerë të Jehovait mendojnë se po. Ata e dinë se do të ishte gabim—madje hipokrizi—për ta të mbështesin ndonjë praktikë që në mënyrë të qartë bazohet në doktrina të rreme dhe çorientuese. Ata nuk duan të jenë si skribët dhe farisenjtë, të cilët Jezui i dënoi për hipokrizi fetare.—Mateu 23:1-36.
Apostulli Pavël e paralajmëroi bashkëpunëtorin e tij Timote: «Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve, që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre.» (1. Timoteut 4:1, 2) A është mësim i demonëve koncepti se njerëzit e vdekur jetojnë në mbretërinë frymore?
Po, është. Satana Djalli, «ati i gënjeshtrës», i tha Evës se ajo nuk do të vdiste, duke i treguar se do të vazhdonte të jetonte në trup. (Gjoni 8:44; Zanafilla 3:3, 4) Nuk ishte thjesht sikur të thoshe se një shpirt i pavdekshëm vazhdon të jetojë pas vdekjes së trupit. Megjithatë, Satanai dhe demonët e tij përpiqen t’i kthejnë njerëzit nga e vërteta e Fjalës së Perëndisë, duke nxitur mendimin se jeta vazhdon edhe pas vdekjes. Pasi besojnë atë që Perëndia thotë në Bibël, Dëshmitarët e Jehovait nuk ndjekin opinione e praktika që mbështesin gënjeshtrën e Satanait.—2. Korintasve 6:14-18.
Duke shmangur praktikat e varrimit të pabazuara në Bibël, shërbëtorët e Jehovait mbajnë mbi vete mospëlqimin e disave që nuk e përkrahin pikëpamjen e tyre. Disa Dëshmitarë janë privuar nga trashëgimia. Të tjerë janë izoluar nga familjet e tyre. Megjithatë, si të krishterë të vërtetë, ata e kuptojnë se bindja me besnikëri ndaj Perëndisë, sjell mospëlqimin e botës. Ngjashëm apostujve besnikë të Jezu Krishtit, ata janë të vendosur për «t’iu bindur Perëndisë si sundimtar, në vend se njerëzve».—Veprat 5:29; Gjoni 17:14.
Ndërkohë që mbajnë gjallë kujtimin e të dashurve të tyre që janë të përgjumur në vdekje, të krishterët e vërtetë përpiqen të tregojnë dashuri për të gjallët. Për shembull, pas vdekjes së të atit, Aliu e mori të ëmën në shtëpinë e tij dhe e ushqeu e u kujdes për të gjatë gjithë kohës që ajo ishte gjallë. Kur të tjerët thoshin se Aliu u kujdes pak për nënën e tij pasi nuk e varrosi sipas zakoneve të përgjithshme, ai citonte këtë thënie të zakonshme për njerëzit: «Ushqej gojën para se të ushqej këmbët.» Të ushqyerit e gojës ose kujdesi për një person ndërkohë që ai apo ajo është akoma gjallë, është shumë më i rëndësishëm sesa të ushqesh këmbët, praktika e përmendur më parë që shoqërohet me ruajtjen e të vdekurit pasi ai vdes. Në fakt, të ushqyerit e këmbëve nuk i sjell asnjë dobi të vdekurit.
Atij që e kritikon, Aliu i thotë: «Çfarë do të preferoje—që familja të kujdesej për ty në vitet e pleqërisë apo që të të bënte një festë të madhe pas vdekjes?» Pjesa më e madhe preferojnë që të ndihmohen gjatë kohës që janë gjallë. Gjithashtu, janë të kënaqur të dinë se në rast vdekjeje, do të ketë një shërbim të ndershëm përkujtimor të bazuar në Bibël dhe një varrim të përshtatshëm.
Kjo është ajo që Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të bëjnë për të dashurit e tyre. Ata ushqejnë gojën dhe jo këmbët.