«Duke shitur kripë» në Mozambik
FRANÇESKO KOANA, një anëtar i komitetit të vendit në Mozambik kaloi dhjetë vjet në «kampet e riedukimit». Ja, përvoja e tij: «E dija se do të qëndronim këtu për disa kohë, prandaj e pyeta mbikëqyrësin qarkor nëse mund të vazhdoja si pionier i rregullt. Por si do të mund t’i kushtoja shërbimit publik kohën e mjaftueshme, kur gati-gati të gjithë në kamp ishin Dëshmitarë të Jehovait? I thashë se do të shkoja në Milanzh, një qytet 47 km larg, për të gjetur njerëz të cilëve do të mund t’u predikoja.
Megjithëse zyrtarisht nuk na lejohej të dilnim nga kampi, ky rregull nuk zbatohej aq me rigorozitet. Më kujtohet se shkoja nëpër kaçube, ulesha në gjunjë dhe lutesha për të gjetur një mënyrë që t’u predikoja njerëzve të vendit. Shpejt Jehovai m’u përgjigj.
Takova një burrë që kishte një biçikletë dhe rashë në ujdi me të. Ai ishte dakort që po t’i lëroja një treçerek hektari tokë para shirave, do të më paguante duke më dhënë biçikletën. Prandaj, çdo mëngjes e shkova duke lëruar arat e tij. Jehovai e bekoi këtë rregullim, pasi përfundimisht e mora biçikletën.
Si rezultat munda të shkoj në qytetin e madh të Milanzhit dhe ta kryeja veprën e pionierit me efektshmëri në këtë fushë të frytshme. Meqë vepra ishte e ndaluar, m’u desh të sajoja diçka që t’ua paraqisja njerëzve të vërtetën. Me libra dhe broshura nën këmishë, mora ca kripë në një trastë dhe fillova tregtinë e shitjes së kripës. Nuk e shisja 5 metikais, por 15 metikais. (Po ta shisja shumë lirë, njerëzit do të ma blinin të gjithën dhe nuk do të kisha më kripë që ta përdorja për të predikuar.) Bisedat e mia zhvilloheshin pak a shumë kështu:
—Mirëdita! Sot shes kripë.
—Me sa e ke?
—Pesëmbëdhjetë metikais.
—Jo, Jo. E ke shumë shtrenjtë!
—Po, e di që është shtrenjtë. Por, nëse mendon se tani është shtrenjtë, prit edhe pak e do të shohësh se në të ardhmen do të jetë më e shtrenjtë. A e di që kjo është parathënë në Bibël?
—Kurrë se kam lexuar këtë në Biblën time.
—Po, po është. Sille Biblën e ta tregoj.
Kështu, pasonte një bisedë duke përdorur Biblën e vet, kurse e imja mbetej nën këmishë. I përmendja kapitullin 6 të Zbulesës, që flet për kushtet kritike dhe mungesat e ushqimit. Kur vëreja një përgjigje të favorshme, nxirrja librin E vërteta që të çon në jetën e përhershme (angl.) ose Lajmi i mirë që të bën të lumtur dhe filloja një studim biblik formal.
Si rezultat, në Milanzh formova një grup me 15 të interesuar. Por, nuk zgjati shumë dhe autoriteteve u ra në sy aktiviteti ynë. Një ditë, ndërsa po drejtoja një studim biblik, ia behu një polic dhe na arrestoi. Të gjithë duke përfshirë edhe fëmijët e vegjël të familjes, na futën në burgun lokal. Pasi kaluam një muaj atje, na kthyen të gjithëve përsëri në kamp.»
Këto përvoja nuk e zvogëluan zellin e vëllezërve tanë. Përkundrazi, Françesko dhe familja e tij, bashkë me mijëra vëllezër të tyre që ishin nëpër kampe, tani adhurojnë dhe predikojnë të lirë në Mozambik.