Një mal që «lëviz»
NË PERËNDIM të Irlandës, forma e veçantë në formë konike e Kro Patrik, mbizotëron mbi malet përreth. Çdo vit, në të dielën e fundit të korrikut, maja e malit shfaqet sikur po lëviz, kur më shumë se 30.000 njerëz, të rinj e të vjetër, ngjiten në pikën më të lartë (765 m) gjatë një pelegrinazhi vjetor.
Atë ditë, pelegrinët ngjiten e zbresin përgjatë një shtegu të ngushtë, të ashpër e vende-vende edhe të rrezikshëm. Në fakt, zbritja e fundit (afërsisht 300 m) është veçanërisht e pjerrët dhe përbëhet pothuajse krejtësisht nga shkëmbinj të lëvizshëm, që e bëjnë në këtë mënyrë zbritjen të vështirë e të lodhshme.
Disa e bëjnë këtë ngjitje zbathur dhe një pakicë i kryen disa pjesë edhe në gjunjë. Në kohët e kaluara, pelegrinazhi fillonte në errësirën e natës.
Përse është Kro Patrik një përvojë kaq e rëndësishme për shumë veta?
I caktuar kohë më parë si një vend pelegrinazhi
Në pjesën e parë të shekullit të pestë e.s., Kisha Katolike e Romës dërgoi Patrikun si peshkop misionar në Irlandë. Objektivi i tij kryesor ishte të kthente irlandezët në krishterim dhe gjatë viteve që ai kaloi duke predikuar e punuar midis njerëzve, Patrikut i njihet merita se ka hedhur themelet e Kishës Katolike aty.
Puna e çoi atë në një sërë lokalitetesh anembanë vendit. Një prej tyre ishte pjesa perëndimore e Irlandës, ku, sipas disa burimeve, ai kaloi 40 ditë e netë në majë të malit, i cili pas tij filloi të quhej Kro Patrik (që do të thotë «Kodra e Patrikut»). Ai qëndroi aty dhe u lut për suksesin e misionit e tij.
Gjatë viteve shumë legjenda kanë dalë në lidhje me bëmat e tij. Një nga më të famshmet është ajo sipas së cilës ndërsa ndodhej mbi atë mal Patriku nxorri jashtë Irlandës të gjithë gjarpërinjtë.
Tradita pohon se ai ndërtoi një kishë të vogël mbi majë. Edhe pse ajo ndërtesë nuk ka qenë për shumë kohë aty, themelet origjinale ekzistojnë ende dhe ai vend, si edhe mali, është bërë një vend pelegrinazhi përgjatë viteve.
Aspekte të pelegrinazhit
Për dikë të moshuar në moshë apo që nuk është mësuar në ngjitjet e maleve, vetëm kryerja e udhëtimit prej 5 kilometrash dhe zbritja shëndoshë e mirë, është në vetvete një arritje e madhe.
Në vende delikate përgjatë shtegut, qëndrojnë të gatshme skuadrat e shpëtimit për të përballuar ndonjë lloj të papriture.
Ka tri vende apo stacione rrugës, në vendet ku pelegrinët kryejnë ushtrime të ndryshme pendimi. Këto ushtrime janë të shpjeguara plotësisht në një buletin që jepet në fillim të ngjitjes.—Shiko kutinë.
Përse ngjiten?
Por, përse kaq shumë veta kryejnë një pelegrinazh të tillë të rrezikshëm? Përse disa shkojnë në ekstreme të tilla, ndërsa ngjiten?
E pra, disa besojnë që duke u lutur gjatë pelegrinazhit, kërkesat e tyre për përfitime personale kanë më shumë mundësi të dëgjohen. Të tjerë veprojnë kështu për të marrë faljen e disa veprimeve të gabuara. Për të tjerë, kjo është mënyrë falenderimi. Sigurisht, shumë shkojnë vetëm për të festuar pelegrinazhin. Një autoritet theksoi se kjo ishte «një shprehje e frymës kolektive dhe e dashurisë së përbashkët». Ai tha, gjithashtu, se ngjitja e Kro Patrikut «ishte mënyra me të cilën ata ndiqnin gjurmët e Shën Patrikut dhe shprehnin mirënjohjen për borxhin që i kishin atij për besimin». Ai shtoi, dhe kjo është më e rëndësishmja, se ngjitja është «një formë pendimi, pasi përfshirja e ushtrimit fizik është një ushtrim pendues i vërtetë. Ngjitja e shkurtër për në majë është një veprim i gjatë pendimi».
Një burrë pohoi me krenari se ishte ngjitur 25 herë! Ai tha se këtë e bëri «që të pendohej ca». Një tjetër shpjegoi thjesht: «Pa vuajtje, s’ka fitore!»
Edhe pse nuk ka shumë rëndësi, shumë veta e ngjitën malin zbathur. Përse? Së pari, ata mendojnë se trualli është «i shenjtë», prandaj heqin këpucët. Së dyti, kjo është në përputhje me objektivin e tyre ‘për t’u penduar pak’. Kjo shpjegon, gjithashtu, edhe përse disa i përshkojnë etapat në gjunjë.
Të nxitur për të vlerësuar Krijuesin
Por ç’mund të themi nëse dikush nuk përzihet me ndjenjat fetare të pelegrinëve, të cilët ngjiten në një ditë speciale? Në kushte të mira të motit dhe me një palë këpucë të forta, mali mund të ngjitet në çdo kohë. Ne nuk e bëmë këtë ditën kur po ngjitej edhe një masë e madhe pelegrinësh. Gjatë pushimeve të shpeshta, patëm mundësi të mendonim mbi vetë majën dhe mbi ndikimin që ka mbi kaq shumë persona. Duke imagjinuar mijëra pelegrinë, duke kryer këtë ngjitje të mundimshme, si dhe ushtrimet e ndryshme për pendim, u ndiem të shtyrë për të pyetur: «Këtë kërkon Perëndia?» Mos vallë, rituali i ngjitjes apo i ecjes rrotull disa monumenteve, madje edhe duke cituar lutje pendimi, e afron me të vërtetë dikë më pranë Perëndisë? Ç’mund të themi për këshillën e Jezuit mbi lutjet e pendimit, në Mateun 6:6, 7?
Sigurisht, ne nuk u ngjitëm në mal për të provuar një përvojë fetare. Megjithatë, u ndiem më pranë Krijuesit, sepse mundëm të vlerësonim krijimin e tij, malet që kudo janë një pjesë e mrekullive të tokës. Që nga maja mundëm të gëzonim një pamje të hapur të fushës së mrekullueshme, duke parë madje edhe ku toka puthej me Oqeanin Atlantik. Ishujt e vegjël shndritnin në gjirin poshtë nesh, nga njëra anë, duke bërë kontrast të gjallë me rajonin malor të ashpër e të thatë nga ana tjetër.
Menduam edhe për tri ndalesat. Në mendje na erdhën vetë fjalët e Jezuit, kur u tha ithtarëve të tij të vërtetë: «Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.»—Mateu 6:7.
E kuptuam se mali ishte bërë pjesë e një tradite, e cila kishte skllavëruar mijëra veta në një rit të lodhshëm. Menduam edhe se sa ndryshonte kjo me lirinë, për të cilën foli apostulli Gjon, kur tha: «Ne të zbatojmë urdhërimet e tij [të Perëndisë]; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1. Gjonit 5:3.
Ekskursioni na pëlqeu, duke përfshirë edhe ngjitjen e Kro Patrikut. Na nxiti për të parë përpara në kohën kur i gjithë njerëzimi do të jetë i lirë nga traditat jobiblike dhe do të ketë mundësi të adhurojë Krijuesin e dashur të tokës «me frymë e në të vërtetën».—Gjoni 4:24.
[Kutia në faqen 27]
Aspekte kryesore të pelegrinazhit
Çdo pelegrin që ngjitet në mal ditën e Shën Patrikut apo çdo të tetë, apo në çdo kohë gjatë muajve qershor, korrik, gusht dhe shtator e që LUTET NË OSE PRANË KAPELËS për qëllimet e papës, mund të fitojë një falje të të gjithë dënimit kohor për mëkatin, me kusht që të shkojë të rrëfehet e të bëjë kungatën e shenjtë në majë të malit ose brenda javës.
NDALESAT TRADICIONALE
Ka tri «ndalesa» (1) Në bazë të konit apo Leacht Benain, (2) në majë, (3) Roiling Muire, në njëfarë distance poshtë Likanvit [një qytet], në anë të malit.
Ndalesa e 1-rë - LEACHT BENAIN
Pelegrini ecën shtatë herë përreth grumbullit të gurëve, duke thënë 7 Ati Ynë, 7 Ave Maria dhe një Kredo.
Ndalesa e 2-të - MAJA
(a) Pelegrini gjunjëzohet dhe thotë 7 Ati Ynë, 7 Ave Maria dhe një Kredo
(b) Pelegrini lutet pranë Kapelës për qëllimet e papës
(c) Pelegrini ecën 15 herë përreth Kapelës, duke thënë 15 Ati Ynë, 15 Ave Maria dhe një Kredo
(d) Pelegrini ecën 7 herë rreth Leaba Phagraig [Shtratit të Patrikut] e thotë 7 Ati Ynë, 7 Ave Maria dhe një Kredo
Ndalesa e 3-të - ROILING MUIRE
Pelegrini ecën 7 herë përreth çdo grumbulli gurësh, duke thënë 7 Ati Ynë, 7 Ave Maria dhe një Kredo në secilin grumbull [ka tre të tillë] dhe së fundi shkon rrotull gjithë gardhit të Roiling Muire 7 herë, duke u lutur.