Një tipograf që la gjurmë
ATË KA ndodhur ndonjëherë që ke kërkuar një pjesë në Bibël por që nuk të kujtohej se ku gjendej? Megjithatë, duke kujtuar vetëm një fjalë të vetme ke mundur ta gjesh duke përdorur një renditës të fjalëve biblike. Ose ndoshta ke ndjekur një mbledhje të krishterë ku qindra apo madje mijëra prej të pranishmëve kanë qenë në gjendje të hapin Biblat e tyre për të lexuar një shkrim pak sekonda pasi është cituar.
Në të dyja rastet i detyrohesh diçka një burri të cilin ndoshta nuk e njeh. Ai e bëri më të lehtë studimin tënd të Biblës dhe i kontribuoi, gjithashtu, një vepre ndihmëse për të na siguruar që sot kemi Bibla të sakta. Ai madje ndikoi në përbërjen e shumë Biblave.
Ky njeri ishte Robert Estiene.a Ishte një tipograf, biri i po një tipografi i lindur në Paris të Francës në fillim të shekullit të 16. Ishte periudha e Rilindjes dhe e Reformimit, që mori një impuls mjaft të madh falë shpikjes së makinës së shtypit. Henri Estiene, babai i Robertos, ishte një tipograf mjaft i njohur, i cili prodhoi disa nga botimet më të mira të librave që dolën gjatë periudhës së Rilindjes. Puna e tij përfshinte veprat akademike dhe biblike për Universitetin e Parisit dhe shkollën e tij teologjike, Sorbone.
Por le të përqendrohemi tek i biri, Robert Estiene. Pak dihet për edukimin e tij formal. Por, që në moshë të re u bë mjeshtër i gjuhës latine dhe shpejt mësoi greqishten dhe hebraishten. Nga babai i tij, Roberti mësoi artin e të shtypurit. Në 1526, kur zuri vendin e të atit, Robert Estiene njihej tashmë si studiues i standardeve të larta gjuhësore. Megjithëse publikoi botimet kritike të literaturës latine dhe veprat e dijetarëve të tjerë, dashuria e parë dhe e padiskutueshme e tij ishte Bibla. I etur për të bërë për Biblën latine atë që bëri për klasikët latinë, Estiene filloi të rindërtonte sa më saktë që të ishte e mundur tekstin origjinal, Vulgata, një Bibël e përkthyer në latinisht nga Xherome në shekullin e pestë.
Rafinimi i Vulgatës
Xherome e kishte përkthyer Biblën nga gjuhët origjinale hebreje dhe greke por, në ditët e Estienes Vulgata tashmë ekzistonte prej mijëra vitesh. Shumë gabime dhe ide të korruptuara kishin rrëshqitur brenda Vulgatës si pasojë e kopimit të saj gjatë brezave. Për më tepër, gjatë kohës së mesjetës fjalët e frymëzuara hyjnore të Biblës ishin errësuar nga një lëmsh legjendash mesjetare, fragmentesh të parafrazuara dhe shtesash të rreme. Këto u përzinë kaq shumë me tekstin e Biblës saqë filluan të pranoheshin si shkrime të frymëzuara.
Për të hequr gjithçka që nuk ishte origjinale, Estiene zbatoi metodat e kritikës së tekstit që ishin përdorur për studimin e literaturës klasike. Ai kërkoi dhe gjeti dorë-shkrimet më të mira dhe më të vjetra që ishin në dispozicion. Në bibliotekat e Parisit dhe përreth tij dhe në vende të tilla si Èvreux dhe Soissons ai zbuloi disa dorëshkrime të lashta njëri prej të cilëve dukej se datonte nga shekulli i VI. Estiene krahasoi me kujdes varg për varg tekstet e ndryshme latine, duke zgjedhur vetëm vargjet që dukeshin me më shumë autoritet. Puna solli si rezultat Biblën e Estienes e cila ishte e para që u botua në 1528-ën dhe ishte një hap domethënës drejt rafinimit të tekstit biblik. Në vazhdim, Estiene nxori botime të tjera edhe më të mira. Të tjerët para tij ishin përpjekur të korrigjonin Vulgatën por botimi i tij ishte i pari që siguroi një sistem të vlefshëm kritik. Anash, Estiene shënoi se ku kishte lënë jashtë disa pjesë të dyshimta apo më shumë se një formulim kur ishte e mundur. Ai shënoi, gjithashtu, burimet e dorëshkrimeve që i dhanë autoritet për të bërë këto korrigjime.
Estiene futi shumë karakteristika të tjera krejt të reja për shekullin e 16. Ai bëri një dallim midis librave apokrifal dhe Fjalës së Perëndisë. Ai e vendosi librin e Veprave pas Ungjijve dhe para letrave të Pavlit. Në fillim të çdo faqeje ai shtoi disa fjalë kyçe për t’i ndihmuar lexuesit që të përcaktonin disa pjesë të veçanta. Ky është shembulli më i hershëm i atij që sot përgjithësisht quhet koka. Në vend që të përdorte gotikun e rëndë apo tipin e shkronjës së zezë, që e ka fillimin në Gjermani, Estiene ishte një nga të parët që e shtypi komplet Biblën në tipin roman që është më i lehtë për t’u lexuar e që tani është në përdorim të gjerë. Ai siguroi, gjithashtu, shumë referime dhe shënime filologjike për të ndihmuar në sqarimin e pjesëve të ndryshme.
Shumë fisnikë dhe prelatë e çmuan Biblën e Estienes, sepse ajo ishte më e mirë se çdo botim tjetër i shtypur i Vulgatës. Për bukurinë, mjeshtërinë dhe dobinë, botimi i tij u bë një model dhe filloi të imitohej shpejt në të gjithë Evropën.
Tipografi mbretëror
«A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit», thotë Proverbat 22:29. Zejtaria novatore dhe aftësia gjuhësore e Estienes, nuk shpëtuan pa u vënë re nga Françesko I, mbret i Francës. Estiene u bë tipografi mbretëror për veprën në latinisht, hebraisht dhe greqisht. Si i tillë, Estiene prodhoi ato që deri sot vlerësohen si disa nga kryeveprat e tipografisë Franceze. Në 1539-ën filloi të botonte të parën dhe më të mirën Bibël plotësisht në hebraisht, të shtypur në Francë. Në 1540-ën futi ilustrimet në Biblën e tij në latinisht. Por në vend të përshkrimeve të imagjinuara të ngjarjeve biblike të zakon-shme në kohën e mesjetës, Estiene siguroi vizatime udhëzuese të bazuara në dëshminë arkeologjike apo në matjet dhe përshkrimet e vetë Biblës. Këto ksilografe përshkruanin me hollësi objekte të tilla si arka e besëlidhjes, veshja e priftit më të lartë, tabernakullin dhe tempullin e Solomonit.
Duke përdorur asortimente të veçanta të tipit grek që ai kishte urdhëruar për shtypjen e përmbledhjes së dorëshkrimit mbretëror, Estiene vazhdoi të prodhonte botimin e parë kritik të Shkrimeve të Krishtere Greke. Megjithëse dy botimet e para të tekstit grek të Estienes, nuk ishin shumë më të mira se vepra e Desiderius Erasmus, në botimin e tretë në 1550-ën, Estiene shtoi përmbledhjet dhe referimet e nxjerra nga afërsisht 15 dorëshkrime, duke përfshirë Kodex Bezaen e shekullit të V të E.S. dhe përkthimin Septuaginta të Biblës. Ky botim i Estienes u pranua në një masë kaq të gjerë saqë më vonë u bë baza për të ashtuquajturin Textus Receptus apo Teksti i Pranuar, mbi të cilin u bazuan më vonë shumë përkthime duke përfshirë edhe King James Version e vitit 1611.
Sorbone kundër Reformimit
Me idetë e Luterit dhe të reformatorëve të tjerë të përhapur në të gjithë Evropën, Kisha Katolike kërkoi të kontrollonte atë që mendonin njerëzit duke kontrolluar atë që ata lexonin. Më 15 qershor 1520, papa Leone X kishte botuar një urdhër që në të gjitha vendet katolike të mos shtypej, shitej apo lexohej asnjë libër që përmbante «herezi» duke kërkuar që autoritetet e kohës ta respektonin urdhrin në zonat që sundonin. Në Angli, mbreti Henri VIII i la detyrën e censurimit peshkopit katolik Kuthbert Tunstall. Megjithatë, në pjesën më të madhe të Evropës, autoritet i padiskutueshëm në çështjet doktrinale pas papës ishte fakulteti i teologjisë në Universitetin e Parisit, Sorbone.
Sorbone ishte zëri i ortodoksisë katolike. Për shekuj ishte konsideruar si mbrojtja e besimit katolik. Censuruesit e Sorbones i kundërshtuan të gjitha botimet kritike dhe përkthimet vendase të Vulgatës, duke i konsideruar jo vetëm si të «panevojshme për kishën por edhe të dëmshme». Kjo nuk ishte për t’u habitur në një kohë kur reformatorët po shprehnin dyshime mbi doktrinat e kishës, ceremonitë dhe traditat që nuk bazoheshin në autoritetin e Shkrimeve. Megjithatë, shumë teologë të Sorbones i konsideronin doktrinat e nderuara të kishës si më të rëndësishme se njohuria e saktë e vetë Biblës. Një teolog tha: «Pasi doktrinat janë pranuar, Shkrimet janë si një skelë që hiqet pas ndërtimit të murit.» Një pjesë e madhe e anëtarëve të fakultetit nuk kishin njohuri për gjuhët hebreje dhe greke, megjithatë i përbuzën studimet e Estienes dhe të studiuesve të tjerë të Rilindjes, të cilët kishin rrëmuar për të gjetur kuptimin origjinal të fjalëve të përdorura në Bibël. Një profesor i Sorbones madje guxoi të thoshte se «përhapja e njohurisë mbi hebraishten dhe greqishten do të ndikojë në një mënyrë që do të çojë në shkatërrim të gjithë fenë».
Sulmet e Sorbones
Botimet e para të Vulgatës së Estienes i kaluan për shqyrtim censuruesve të fakultetit por jo pa debate. Në shekullin e 13, Vulgata mbahej si Bibla zyrtare e Universitetit dhe për shumë njerëz teksti i saj ishte i pagabueshëm. Fakulteti dënoi madje edhe studiuesin e nderuar Erasmus për punën e tij me Vulgatën. Fakti që një stampues laik i vendit do të guxonte të korrigjonte tekstin zyrtar ishte alarmuese për disa.
Ndoshta më shumë se çdo gjë, ajo që i shqetësoi teologët ishin shënimet në anë të Estienes. Shënimet vunë në dyshim legjitimitetin e tekstit të Vulgatës. Për shkak të dëshirës së tij për të pastruar pjesë të ndryshme, Estiene u akuzua për ndërhyrje në fushën e teologjjisë. Ai nuk e pranoi akuzën e bërë se gjoja shënimet e tij ishin thjesht përmbledhje të shkurtra apo me natyrë filologjike. Për shembull, shënimi i tij në Zanafillën 37:35 shpjegonte se fjala «ferr» [në latinisht, infernum] nuk duhej kuptuar si një vend ku mundohen të ligjtë. Fakulteti e akuzoi se ai nuk e pranonte pavdekshmërinë e shpirtit dhe fuqinë ndërmjetëse të të «shenjtëve».
Por Estiene kishte favorin dhe mbrojtjen e mbretit. Francesko I tregoi shumë interes për studimet e Rilindjes, veçanërisht për punën e tipografit të tij mbretëror. Thuhet se Francesko I madje e vizitoi Estienen dhe njëherë priti me qetësi ndërsa Estiene po bënte disa korrigjime të fundit para se të mbaronte tekstin. Me mbështetjen e mbretit, Estiene i bëri ballë Sorbones.
Teologët e ndaluan Biblën e tij
Por në 1545-ën, ngjarjet bënë që tërbimi i madh i fakultetit të Sorbones të përqendrohej mbi Estienen. Duke parë dobitë e paraqitjes së një fronti të bashkuar kundër reformatorëve, universitetet e Kolognes (Gjermani), Louvain (Belgjikë) dhe Paris kishin rënë dakort që më parë për censurimin e mësimeve antiortodokse. Kur teologët e Universitetit Louvain i shkruan Sorbones duke i shprehur habinë e tyre që Biblat e Estienes nuk ishin shfaqur në listën e librave të ndaluar të Parisit, Sorbone duke gënjyer u përgjigj se ata me të vërtetë do t’i ndalonin ato nëse do t’i shihnin. Armiqtë e Estienes brenda Fakultetit tani ndiheshin të sigurt se autoriteti i bashkuar i fakultetit Louvain me atë të Parisit do të ishte në gjendje ta bindte Franceskon I për gabimet e tipografit të tij.
Ndërkohë, duke qenë i paralajmëruar për qëllimet e armiqve të tij, Estiene e vizitoi mbretin përpara se të shkonin teologët. Ai sugjeroi se nëse teologët do të paraqitnin një listë me të gjitha gabimet e gjetura, ai ishte plotësisht dakort që t’i shtypte ato bashkë me vërejtjet e teologëve dhe t’i përfshinte në secilën kopje të shitur të Biblës. Kjo zgjidhje fitoi favorin e mbretit. Ai i kërkoi lektorit të tij mbretëror Pierre du Chastel, që të kujdesej për çështjen. Në tetor të 1546-ës, fakulteti i shkroi lektorit Du Chastel duke protestuar se Biblat e Estienes ishin «ushqim për ata që mohojnë Besimin tonë dhe mbështesin herezitë . . . e sotme» dhe se ishin plot me gabime saqë meritonin «të shkatërroheshin dhe të eliminoheshin plotësisht». Duke mos qenë i bindur, mbreti urdhëroi tani personalisht fakultetin që të paraqiste vërejtjet në mënyrë që ato të shtypeshin me Biblat e Estienes. Ata premtuan ta bënin këtë, por në të vërtetë bënin gjithë sa ishte e mundur për të shmangur paraqitjen e një liste të hollësishme me gabimet e supozuara.
Francesko I vdiq në mars të 1547-ës dhe me të humbi aleati më i fuqishëm i Estienes kundër fuqisë së Sorbones. Kur Henri II u ngjit në fron, ai përtëriu urdhrin e atit të tij që anëtarët e fakultetit të paraqitnin vërejtjet e tyre. Megjithatë, duke shikuar se si princat Gjermanë po e përdornin Reformimin për qëllime politike, Henri II interesohej më shumë që ta mbante Francën katolike dhe të bashkuar nën mbretërimin e tij se sa për përfitimet apo humbjet e supozuara të tipografit mbretëror të Biblës. Më 10 dhjetor 1547, Këshilli i Fshehtë i mbretit vendosi që të ndaloheshin shitjet e Biblës së Estienes derisa teologët të paraqitnin listën e tyre të vërejtjeve.
I akuzuar për herezi
Fakulteti tani kërkonte mënyrën për t’ia kaluar çështjen komisionit special që ishte formuar para pak kohësh për gjykimin e çështjeve heretike. Estiene ishte mirë i vetëdijshëm për rrezikun në të cilin ndodhej. Brenda dy vjetëve të formimit të tij, komisioni u bë i njohur si chambre ardente apo «dhoma djegëse». Rreth 60 viktima u dërguan në shtyllë, duke përfshirë edhe disa tipografë dhe librashitës që u dogjën të gjallë në Sheshin Maubert, vetëm pak minuta larg shtëpisë së Estienes. Shtëpia e Estienes u kontrollua shpesh në kërkim edhe të disa provave më të vogla kundër tij. U pyetën mbi 80 dëshmitarë. Informuesve u qe premtuar si shpërblim një e katërta e pasurisë së tij nëse mund të akuzohej për herezi. Por dëshmia e vetme e tyre ishte ajo që Estiene kishte botuar në mënyrë të hapur në Biblën e tij.
Përsëri mbreti urdhëroi që lista e vërejtjeve të fakultetit t’i paraqitej Këshillit të tij të Fshehtë. Me kokëfortësi, fakulteti u përgjigj se ‘teologët nuk e kanë zakon që ta shprehin me shkrim arsyen për të cilën ata e dënojnë diçka si heretike, por përgjigjen vetëm duke folur gjë që duhet ta besoni, përndryshe asnjëherë nuk do të mbarohej së shkruari’. Henri pranoi kundër dëshirës. Ndalimi përfundimtar u imponua. Pothuaj çdo vepër biblike e Estienes u ndalua. Megjithëse shpëtoi nga djegia i gjallë në Sheshin Maubert, ai vendosi ta linte Francën në kushtet e një ndalimi të plotë të Biblës së tij dhe ndoshta ngacmime të tjera mund ta prisnin.
Tipografi i mërguar
Në nëntor të 1550-ës, Estiene u transferua në Gjenevë të Zvicrës. Fakulteti e kishte shpallur të paligjshëm në Francë për të botuar ndonjë Bibël përveç Vulgatës. Së fundi i lirë për të botuar atë që donte, në 1551-shin, Estiene rishtypi «Testamentin e Ri» të tij në greqisht me dy përkthime latine (Vulgata dhe Erasmus) në shtylla paralele. Ky u pasua në 1552-shin me një përkthim francez të Shkrimeve Greke paralel me tekstin latin Erasmus. Në këto dy botime, Estiene futi sistemin e tij për ndarjen e tekstit të Biblës në vargje të numëruara, i njëjti sistem që përdoret gjerësisht edhe sot. Megjithëse të tjerët kishin provuar që më parë skema të ndryshme për ndarjen në vargje, ajo që u pranua ishte skema e Estienes. Bibla e tij franceze e 1553-shit ishte e para që siguroi këtë ndarje të vargjeve.
Bibla latine e Estienes me dy përkthime që doli në 1557-ën, është e shquar edhe për përdorimin e emrit personal të Perëndisë, Jehova, në të gjitha Shkrimet Hebreje. Në anë të psalmit të dytë, ai shënoi se zëvendësimi i tetragramit hebre (יהוה) me ʼAdho·naiʹ bazohej vetëm në bestytninë hebreje dhe duhej hequr. Në këtë botim Estiene përdori kursivin për të treguar fjalët latine që ishin shtuar për plotësimin e kuptimit të fjalëve hebreje. Kjo marrëveshje u adoptua më vonë në Biblat e tjera, një trashëgim që shpesh i ka habitur lexuesit e sotëm të ambjentuar me përdorimin modern të kursivit për t’i dhënë theksin fjalëve.
I vendosur për ta vënë njohurinë e tij në dispozicion të të tjerëve, Estiene ia kushtoi jetën e tij botimit të Shkrimeve të Shenjta. Ata që sot e vlerësojnë Fjalën e Perëndisë, mund të jenë mirënjohës për përpjekjet e tij dhe për punën e të tjerëve që u përpoqën në mënyrë të kujdesshme për të zbuluar fjalët e Biblës të shkruara sipas origjinalit. Puna e filluar prej tyre vazhdon ndërsa ne fitojmë njohuri edhe më të saktë mbi gjuhët e lashta dhe zbulojmë dorëshkrime të vjetra e më të sakta të Fjalës së Perëndisë. Pak para vdekjes së tij në 1559-ën, Estiene po punonte mbi një përkthim të ri të Shkrimeve Greke. Atë e pyetën: «Kush do ta blejë atë? Kush do ta lexojë?» Ai me vendosmëri u përgjigj: ‘Të gjithë njerëzit e mësuar me devotshmëri hyjnore.’
[Shënimi]
a I njohur, gjithashtu, edhe me emrin e tij latin Stefanus dhe në anglisht, Stefens.
[Figura në faqen 10]
Përpjekjet e Robert Estienes kanë ndihmuar brezat e studiuesve të Biblës
[Burimi]
Bibliothèque Nationale, Paris
[Figura në faqen 12]
Ilustrimet udhëzuese të Estienes u imituan për shekuj
[Burimi]
Bibliothèque Nationale, Paris