Çfarë dobish mund të nxjerrim duke folur mbi fenë?
PRINDËRIT presin me padurim fjalët e para të fëmijëve të tyre. Zemra u mbushet me gëzim kur dëgjojnë një rrokje të përsëritur mes belbëzimeve, ndoshta «mama» ose «baba». Ua tregojnë menjëherë këtë të re miqve dhe komshinjve. Fjalët e para të fëmijës janë vërtet një lajm i mirë që të sjell kënaqësi.
Tingujt, pamjet dhe aromat që shquhen nga shqisat e fëmijës e nxisin atë të reagojë. Pa dyshim që reagimet janë të ndryshme. Por nëse pas një periudhe kohe, një foshnje nuk reagon ndaj këtyre ngacmimeve, prindërit me të drejtë mund të shqetësohen për faktin se zhvillimi i fëmijës mund të jetë dëmtuar.
Fëmijët reagojnë më mirë ndaj njerëzve që njohin. Zakonisht fëmija vë buzën në gaz, kur nëna e përkëdhel. Ndërsa, pak ta prekë një i afërm që ka ardhur për vizitë, ai ia plas të qarit e madje nuk pranon me kokëfortësi që ai ta mbajë në krahë. Shumë të afërm që e përjetojnë këtë, nuk dorëzohen kollaj. Ndërsa fëmija pak nga pak i njeh më mirë, ata janë të kënaqur kur nuk ekziston më pengesa e të qenit i huaj për fëmijën, i cili buzëqesh lehtë.
Ngjashëm, shumë të rritur ngurrojnë të diskutojnë hapur për bindjet e tyre fetare me dikë që nuk e njohin prej shumë kohësh. Ndoshta nuk arrijnë të kuptojnë se përse një i huaj dëshiron të bisedojë mbi një çështje personale si feja. Si pasojë, ata lejojnë që të krijohet një pengesë mes tyre dhe atyre që flasin për Krijuesin. Ata, madje, nuk pranojnë as të flasin për diçka që fundja-fundit është një karakteristikë e lindur e njerëzimit: për dëshirën për të adhuruar.
Në fakt, duhet të kemi interes që të mësojmë mbi Krijuesin tonë dhe biseda me të tjerët mund të na ndihmojë ta bëjmë. Kjo ndodh, sepse Perëndia ka komunikuar gjithmonë hapur. Le të shohim se si.
‘Të dëgjojmë dhe të mësojmë’
Hera e parë që Perëndia komunikoi me një njeri ishte me Adamin në kopshtin e Edenit. Por, pasi mëkatuan, Adami dhe Eva preferuan të fshiheshin kur Perëndia i thirri, pasi dëshironte të fliste më tej me ta. (Zanafilla 3:8-13) Megjithatë, Bibla flet në mënyrë të hollësishme për burra e gra që e mirëpritën komunikimin me Perëndinë.
Perëndia komunikoi me Noen për shkatërrimin kërcënues të botës së ligë të ditëve të tij dhe pas kësaj Noeja u bë «predikues i drejtësisë». (2. Pjetrit 2:5) Si zëdhënës i Perëndisë për brezin e tij, Noeja jo vetëm që tregoi besim në marrëdhëniet e Perëndisë me njerëzit, por edhe shpalli publikisht se ishte nga ana e Jehovait. Çfarë reagimi pa Noeja? Mjerisht, shumica e bashkëkohësve të tij «nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». (Mateu 24:37-39) Sa për ne, mirë që dëgjuan shtatë pjesëtarët e familjes së Noes, iu bindën udhëzimeve të Perëndisë dhe mbijetuan përmbytjen e përgjithshme. Të gjithë njerëzit që jetojnë sot vijnë prej tyre.
Më vonë, Perëndia komunikoi me një komb të tërë, me Izraelin e lashtë. Përmes Moisiut, Perëndia u dha atyre Dhjetë Urdhrat dhe rreth 600 urdhra të tjerë po aq të rëndësishëm. Jehovai priste nga izraelitët që t’u bindeshin të gjitha atyre ligjeve. Moisiu urdhëroi që çdo shtatë vjet, gjatë festës vjetore të kasolleve, të lexohej Ligji i Perëndisë me zë të lartë. «Do të mbledhësh popullin,—udhëzoi ai,—burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua.» Për ç’qëllim? «Që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.» Të gjithë duhej të dëgjonin dhe mësonin. Përfytyro se sa të gëzuar mund të kenë qenë, kur diskutonin për atë që kishin dëgjuar!—Ligji i përtërirë 31:10-12.
Më shumë se pesë shekuj më pas, mbreti i Judës, Jozafati, organizoi një fushatë me princat dhe levitët për të rivendosur adhurimin e pastër të Jehovait. Këta njerëz përshkuan qytetet e Judës duke u mësuar banorëve ligjet e Jehovait. Duke folur publikisht për to, mbreti tregoi guximin e tij lidhur me adhurimin e vërtetë. Kurse nënshtetasit e tij, duhej të dëgjonin dhe të mësonin.—2. Kronikave 17:1-6, 9.
Të japim dëshmi duke folur
Perëndia dërgoi në tokë vetë Birin e tij, Jezuin, për të shërbyer si zëdhënësi i Tij. (Gjoni 1:14) Kur tre dishepuj dëshmuan për shpërfytyrimin e Jezuit para tyre, dëgjuan vetë zërin e Perëndisë të thoshte: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin kam miratuar; dëgjojeni atë.» (Mateu 17:5) Menjëherë ata u bindën.
Ngjashëm, Jezui i urdhëroi apostujt e tij t’ua shpallnin qëllimin e Perëndisë të tjerëve. Por, kur kishin mbetur akoma gjashtë muaj nga shërbimi i tij në tokë, Jezui bëri të njohur se vepra e predikimit të Mbretërisë së qiejve ishte aq e gjerë, sa nevojiteshin më shumë dishepuj. Ai mësoi 70 prej tyre se si t’u flisnin të huajve për Mbretërinë e Perëndisë dhe i dërgoi ata ta shpallnin publikisht atë mesazh. (Luka 10:1, 2, 9) Pak para se të kthehej në qiell tek Ati i tij, Jezui i nxiti ithtarët e tij të merrnin iniciativën për t’u folur të tjerëve për këtë mesazh, duke u dhënë edhe këtë urdhër: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Sot, të krishterët e vërtetë në mbarë botën e përmbushin këtë detyrë, duke folur për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë me fqinjët e tyre. Këto biseda u japin atyre mundësi të sjellin dëshmi për të vërtetën rreth Krijuesit, Jehovait.—Mateu 24:14.
Biseda paqësore dhe ndërtuese
Në ç’mënyrë dishepujt e Jezuit duhej të flisnin me të tjerët për bindjet e tyre? Ata nuk duhej t’i irritonin kundërshtarët dhe as të grindeshin me ta. Përkundrazi, duhej të gjenin ata që e mirëprisnin lajmin e mirë dhe të paraqisnin dëshmi nga Shkrimet për ta mbështetur atë. Pa dyshim, Perëndia i vërente reagimet e atyre që kontaktonin me dishepujt e Birit të tij, siç tha vetë Jezui: «Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.» (Mateu 10:40) Çfarë fyerje ishte kur pjesa më e madhe e bashkëkohësve të Jezuit e hodhi poshtë masazhin e tij!
«Shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet,—këshilloi apostulli i krishterë, Pavli,—por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që të arrijnë të njohin të vërtetën.» (2. Timoteut 2:24, 25) Mënyra në të cilën Pavli ua shpalli lajmin e mirë njerëzve në Athinë, Greqi, është një shembull i shkëlqyer. Ai arsyetoi me judenjtë në sinagogën e tyre. Ditë për ditë aty ku bëhej pazari, ai fliste me «ata që takonte». Megjithëse disave, pa dyshim u pëlqente thjesht të dëgjonin gjëra të reja, Pavli foli në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të sjellshme. Ai fliste me ata që e dëgjonin për mesazhin e Perëndisë, i cili u bënte thirrje të pendoheshin. Reagimi i tyre ishte pak a shumë i njëjtë me njerëzit sot. «Disa e përqeshën dhe të tjerë thoshnin: ‘Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë.’» Pavli nuk ngulmonte në zgjatjen e bisedës. Pasi predikonte mesazhin e tij, ai ‘dilte nga mesi i tyre’.—Veprat 17:16-34.
Më vonë, Pavli u tha pjesëtarëve të kongregacionit të krishterë të Efesit se ai ‘nuk kishte fshehur asgjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ta, por ua shpalli dhe ua mësoi botërisht dhe nëpër shtëpi’. Përveç kësaj, ai u ‘kishte deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndia dhe për besimin në Zotin Jezu Krisht’.—Veprat 20:20, 21.
Këta shembuj nga Shkrimet tregojnë se si flisnin për fenë shërbëtorët besnikë të Perëndisë në kohët biblike. Prandaj, sot Dëshmitarët e Jehovait duke treguar bindje, flasin për fenë me fqinjët e tyre.
Biseda frytdhënëse
«Dëgjoje Fjalën e Perëndisë!» «Vëru veshin fjalëve të tij!» Sa shpesh i gjejmë në Bibël këto këshilla! Mund t’u përgjigjesh këtyre urdhrave biblikë herën tjetër që Dëshmitarët e Jehovait do të vijnë të flasin me ty. Vërja veshin mesazhit që ata të japin nga Bibla. Ky mesazh nuk është politik, por përkrah qeverinë qiellore të Perëndisë, Mbretërinë e tij. Ai është mjeti i Perëndisë për eliminimin e shkaqeve të konflikteve në ditët e sotme. (Danieli 2:44) Pas kësaj, ky sundim i Perëndisë nga qielli do të marrë masat që e gjithë toka të transformohet në një parajsë si kopshti i Edenit.
Një ish-hetues policor vazhdimisht nuk pranonte të dëgjonte, kur Dëshmitarët e Jehovait i flisnin për Biblën. Por, me rritjen e krimeve që ai duhej të përballonte, u zhgënjye nga jeta. Prandaj, i tha Dëshmitarit tjetër që e vizitoi se do të shqyrtonte provat që mbështesnin mesazhin e Biblës. Pasuan biseda të rregullta. Megjithëse, polici u transferua disa herë, Dëshmitarët e kërkonin me gëzim në çdo vendbanim të ri për të vazhduar bisedat. Më në fund, oficeri pranoi: «Provat që kërkoja kanë qenë gjithmonë në Shkrimet e Shenjta. Po të mos kishin këmbëngulur ata Dëshmitarë për të folur me mua, akoma do të isha në botë, duke pyetur veten se ç’kuptim ka jeta. Fakti është se kam mësuar të vërtetën dhe ditët e mbetura të jetës sime do t’i shkoj duke kërkuar ata që janë në kërkim të Perëndisë, ashtu si unë.»
Dëgjuesit e interesuar me të vërtetë duan të dinë më shumë. Ata me të drejtë presin arsye për bindjet e paraqitura. (1. Pjetrit 3:15) Ashtu si fëmija i vogël i mbyt prindërit me pyetje dhe pret prej tyre përgjigje, edhe ti me të drejtë mund të presësh që Dëshmitarët të të japin përgjigje me bazë të fortë. Ji i sigurt se ata do të kthehen me gëzim për të folur më tej me ty mbi mesazhin e Biblës.
Ndoshta, tashmë e njeh pak Biblën. Mund të kuptosh se ajo që kërkon Perëndia nga ti, mund të përfshijë disa ndryshime në mënyrën tënde të jetesës. Mos ngurro të ecësh përpara nga frika se mos kërkesat e Perëndisë do të të kushtojnë shumë. Do të të sjellin vetëm lumturi të vërtetë. Do ta çmosh këtë ndërsa përparon hap pas hapi.
Para së gjithash, shqyrto kush është Jehovai, çfarë kërkon nga ti dhe çfarë të ofron. Kërkoju Dëshmitarëve të të tregojnë se çfarë thotë Bibla për këtë. Kontrolloje atë që thonë në kopjen tënde të Biblës. Ndërsa mëson se Dëshmitarët janë të arsyeshëm në atë që paraqesin si të vërtetë mbi fenë, pa dyshim do të dëshirosh të thellohesh edhe në shumë gjëra më të shkëlqyshme që mund të të tregojnë nga Shkrimet.—Proverbat 27:17.
Je i mirëpritur t’i vëzhgosh Dëshmitarët në vendin e mbledhjeve të tyre lokale, në Sallën e Mbretërisë. Atje do të dëgjosh biseda të dobishme nga Fjala e Perëndisë. Do të shohësh se si të pranishmit gëzohen kur bisedojnë me njëri-tjetrin për qëllimin e Perëndisë. Lëri Dëshmitarët të të ndihmojnë të mësosh të vërtetën mbi vullnetin e Perëndisë për ne sot. Përgjigjju ftesës së Perëndisë për të folur mbi fenë e vërtetë dhe të marrësh buzëqeshjen e miratimit të tij, madje jetën e përhershme në parajsë.—Malakia 3:16; Gjoni 17:3.
[Figura në faqen 5]
Noeja foli hapur mbi qëllimin e Perëndisë
[Figurat në faqen 7]
Ashtu si Pavli në Athinën e lashtë, Dëshmitarët e Jehovait u mësojnë të tjerëve të vërtetat biblike